NXITON VJESHTA
Pa u ndjerë kishte hyrë vjeshta në dhomën time
Tani nuk e kuptoj pse nxiton, pse ikën kaq shpejt
Mushtit të rrushit që zien me aq epsh të hovshëm
I tha të ëmbësohet e të bëhet si dashuri e vertetë.
Në një gjethe të kuqerremtë më shkroi një mesazh
Për miken time të mirë një keshillë lë me përgjerim
Kur reja nxin në horizont e ngrica than mengjeset
Lulen e brishtë e mban në gjoks,e ngroh me frymë
Po më lë edhe dy ftonj të medhenj në dritare time
Të çmendet gusha ime e bardhë nga e mira aromë
Kur buzët të m’i çikë me mall e bukura ime e etur
Të peshperis e dehur:Përqafomë akoma,përqafomë
Më thotë të çmallem me hënën se rrallë do ta shoh
Borzilokun ta marr brenda, mos ta lë më në ballkon
Mos t’i trembem rrufeve e gjemimeve natën e zezë
Të flertoj me endrrat, se e di që dashuria më sëmbon
Nxiton vjeshta ime , e dashur, nxiton..
DITAR I HUMBUR
Rremujë i bëra sonte sirtarët e kujtesës
Hutohem një çast e nuk di çfarë kërkoj
Diku në një qoshe është fshehur dikush
Ah, po: Ai blloku ngjyrë hiri dalëbojë
Ishte koha kur piqej rrushi në vjeshtë
E shega çahej nga dhëmbja duke qarë
Ziente mushti i dashurisë se gjimnazistit
E pikonte fshehur me epsh në një ditar
Në kopertinë kishte kodin e dashurisë
Ca gjurmë hije në faqen e parë me lotë
Top sekret i një shpirti që ish‘’djegur’’
Që as vajza e mbretit nuk e gjente dot
Ku humbi ai ditar i fshehur si hajmali?
Këtë ditë vjeshte me shi,ç’mu kujtua sot?
Sirtarët e kujtesës hap e mbyll me rremujë
Ku dreqin e kam humbur dhe s’e gjej dot?
MAT VETEM SHPIRTI...
Me ç’lloj ore ta mat unë pritjen tende?
Akrepat u çoroditen,lart e poshtë enden.
Me ç’lloj barometri ta mat durimin tim?
Shigjetat e tij fluturojnë,ah, po çmenden.
Me ç’lloj metri ta mat gjatësinë e natës?
Shiriti i tij nuk arrin deri te dera e ditës.
Me ç’lloj peshore ta mat unë dashurinë?
Shifrat nuk i nxë dot, duhet letër ngjitës.
Aparatet heshten, u prishen,s’ matin dot
Zemra e shënoi fjalëkalimin në një fletë
Të tilla matje,vetëm një mjeshtër di të bëj
I bukuri,i madhi shpirt, me aparatin e vet
ËSHTË ME PUSHIME EDHE DETI IM
Deti im po rri i mendueshëm,me sy melankolik
Vjeshta e fton për një kafe në përendim të diellit
Bregu ndihet i lodhur nga zhurma e hareja e verës
I ngelur vetem, po numëron i heshtur yjet e qiellit
Tani deti im ka ulur me përtesë perdet e dritarëve
Mbi divanin kaltërosh është ulur me nge të pushoj
Patrullojnë varkat e anijet, e pulebardhat i servirin
E natën pret, me një çarçaf të medafshtë ta mbuloj
Vjeshta me guston e saj ia ndryshoi veshjen detit tim
E bëri me romantik,ia uli pak kontrastin e ngyrave
Një xhaketë të përhimtë i hodhi krahëve mos ftohet
E përkund me Neraidat ëmbël,në krahët e të mirave
TË THERRAS: MOTRA E PRANVERËS
Zërin,dhuratë ta bëri bilbili atë ditë marsi qe linde
Hëna të solli një fustan drite medafshi të florinjtë
Agimi të lau sytë me vesën e lulnajave të lendinës
Natyra ca lule manushaqe të brishta të la te gjinjtë
Endrra si një fluturë u ul në petalet e luleshqerrës
Të pjalmojë dashuritë si yjet që zbukurojnë qiellin
Ashtu,binjake me të, ti linde, ti, motër e pranverës
Këtë emër do të therras ,moj mike, motra e pranverës
Comments