top of page

Nuri Plaku: AMANETI I POETIT XHEVAT BEQARAJ



    Krahas historisë së artit dhe letërsisë, njihen edhe kureshtitë e jetës së artistëve dhe shkrimtarëve, të cilat dëshmojnë për një ftillim të karakterit dhe personalitetit të tyre krijues. I tillë është edhe amaneti i poetit Xhevat Beqaraj. Sipas bashkëshortes së tij, znj. Fatmira, ditët e fundit të jetës, teksa e kishte kuptuar se po i afrohej portës së Parajsës, i kërkoi asaj ta çonin për tu prehur në fshatin e lindjes, në Kutën e Mallakastrës.Me gjithë përpjekjen time për ta bindur, më thoshte Fatmira, se Kuta ishte tepër larg për moshën time, ai gjithsesi këmbënguli që të prehej këtu, përballë Vjosës.”

  Më 13 prill në orën 700 të mëngjezit kortezhi i poetit u nis nga Tirana për në Mallakastër. Më herët, nga Tirana u nis edhe  miku ynë i përbashkët, Robert Hamitaj me të cilin jemi bashkautorë në monografinë historike, “Rrapo Hekali dhe pasardhësit e një fisi martirësh”. U takuam në Fier dhe në Poçem u bashkuam edhe me mikun tjetër të Xhevatit, Bernard Caushaj i cili vinte nga Vlora familjarisht. Të dy këta djem janë nga Hekali dhe më bënte përshtypja dhimbja e tyre për poetin e cila shprehej me heshtjen e mbuluar nga një pikëllim i bukur burrash. Se çkanë diçka nga geni i shqiptarëve të vjetër këta djem, diçka nga tradita e përcjelljes dhe e zisë, por mbi të gjitha, zotërojnë virtutin e madh të mirënjohjes që shprehet në obligimin e shoqërimit të mikut për në banesën e fundit. “Të hedhësh një dorë dhe mbi trupin e mikut, për mua, është detyrim i madh moral.” thotë Berti. Këto fjalë më erdhën si një varg homerik, si kumt bese që shprehej me kujen e burrave të veriut. Kjo traditë e “dorës së dheut”  është miniera e floririt në arkitekturën e vdekjes së ndërtuar nga populli ynë në shekuj dhe rishfaqja e saj, te këta dy hekaljotë, më mbushi me dritë shpirtërore. Mu dukën si dy kalorës nderi. Herën e fundit para dy muajve u takuam të tre me Xhevatin dhe Bertin në Tiranë. Drekuam diku dhe kur ikëm, i futëm krahët dhe e shoqëruam deri në shtëpi duke i premtuar se do vinim përsëri ta takonim. Por kurrë se mendonim se takimi ynë do bëhej në Kutë… me një dorë dhe…

Kuta është një nga fshatrat më të bukur të Mallakastrës dhe duket si ballkon mbi luginën e  Vjosës. Këtu ujrat rrjedhin me rrëfimin e 1000 historive të madhërishme për dherat dhe njerinë, për dimrat dhe verërat, për të shkuarën dhe të sotmen. Në dy brigjet e tij kanë dalë nëpër shekuj shumë poetë, trima kordhëtarë dhe heronj që e kanë mbushur historinë e saj me lavdinë e shekujve. Ky lum, i paqes dhe i luftës, është bërë bukë e jetë në vatrat e mallakstriotëve, është bërë krenari e vendlindjes dhe simbol i madhështisë së njeriut. Në antikitet, romakët e ngritën në kult krahas Teverit dhe Nilit, e animizuan në formën e një burri muskuloz dhe dekoruan me të monedhat e Apollonisë. Nimfat shfaqeshin netëve buzë tij dhe vallëzonin rreth zjarreve, teksa orakujt digjnin gjethet e lisit hyjnor për të lexuar fatet e njeriut. Tashmë, ai burri muskuloz që “mbante mbi shpinë” Aosin antik, prehet në lavdinë e shkuar. Edhe zjarret e orakujve janë shuar nëpër shekuj. Ndërsa zjarret e kaltërt të Vjosës nuk u shuan kurrë. Ata digjen horë në shpirtrat e banorëve të Mallakastrës. Këta zjarre janë bregu i saj i tretë. Është pikërisht ky zjarr që digjej edhe në shpirtin e Xhevat Beqarajt dhe formoi tek ai bërthamën e këtij amaneti. Në një farë mënyre Vjosa ishte simbol i artit të tij, një “Jordan” i poezisë së tij, ashtu si liqeni i Lasgush Poradecit. Ashtu si edhe deti që “digjet” në amanetin e piktorit Ibrahim Kodra që kërkoi të prehej në Ishim e tij të lindjes, përball Adriatikut. Duket se kjo është dhunti e njerëzve me shpirt të madh që e bëjnë edhe vdekjen të flasi nëpërmjet domethënies së amanetit. Ata besojnë tek shpirtrat dhe Xhevati ishte një besimtar i madh i shpirtit njerëzor.



Në orë 11 është lënë varrimi. Kortezhi lë makinat në qendër të fshatit, bash atje ku gjelbëron madhështore selvia e “takimit të brezave” në muajin gusht, që të ikurit e këtij fshati e përdorin si metaforën e ribashkimit të tyre vjetor. Më tej do të ecet në këmbë. Fshati na pret i mbledhur aty. Bashkëfshatarët e Xhevatit, burrat dhe gratë e fisit të njohur të Beqarajve që kanë ardhur për ta përcjellë, janë të shumtë. E ndiejnë si detyrim mirënjohjeje për të hedhur atë, “dorën e dheut” për birin e tyre. Nuk di pse më duket se, të gjithë këta burra, ngjajnë aq shumë me Xhevatin. Po ai shtat, po ajo e folur e ngadaltë shoqëruar me xhestet e duarve, po ata sy të kaltër si të ngyrosur nga ujrat e Vjosës dhe… po ai shpirt poetik. Pra Xhevati ishte erupsion poetik i një shpirti të trashëguar. Veçse më i “ardhur” prej gjithë shpirtrave të tjerë.

Në veprën letrare të Xhevatit, ka zënë vend Kuta jonë, me natyrën e bukur e të begatë, - tha midis të tjerash në fjalën e tij të përcjelljes mësuesi veteran Gëzim Shehu. – Ka zën vend Vjosa valëkaltër e gjithëshka tjetër që e mrekullon nga vendlindja jonë e bekuar. Amaneti i tij për tu prehur në vendlindje është shumë domethënës për të gjithë ne. Sotë po përcjellim njeriun tonë më të mirë… më të mirin midis nesh!”

Varrezat janë në këmbët e kodrave, ballë përballë me Vjosën, midis ullinjve shekullor. Teksa shikoja ullinjtë dhe Vjosën, mu kujtua betimi i Xhevatit për vendlindjen, i tretur në vargjet e tij. Për këta gurë, për këta njerëz, për këto dhera që ai i shenjtëronte brenda vetes dhe si Anteu rikthehej e merrte fuqi krijuese pikërisht tek ata. Kjo përbën edhe lëndën magmatike ku u zhvillua bërthama e amanetit të tij. Mu kujtua edhe betimi i Zotit për ullinjtë, si një nga katër objektet e betimit të tij. “Betohem për ullinjtë, thotë Zoti… pse Jezu Krishti revelatën më kryesore e zotëroi në Zejtun, që do të thotë Ullishte.” Dhe pikërisht këtu, midis “Jordanit” të tij poetik dhe ullinjve, betimit të Zotit, u ngrit edhe banesa e tij e fundit. Këtu, do të prehet përjetësisht ai, poeti i fëmijëve, “fëmija” i vërtetë i Parajsës. Tashmë ky fshat ka “tre shenjtorë”. Lumin, ullirin dhe poetin. Nëpërmjet amanetit të tij Xhevat Beqaraj plotësoi një trinitet të çmuar për vendlindjen. Të qoftë dheu i lehtë o njeri që erdhe dhe ike duke prurë mirësi si shenjtor i poezisë!

43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page