NUK TE NDAHEM TI, O DETI IM KALTEROSH
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 27, 2023
- 5 min read

NUK TE NDAHEM TI, O DETI IM KALTEROSH
-CIKEL ME POEZI NGA PANAJOT BOLI-
NETET E SARANDËS
Me çelsin e parajsës në dorë
Saranda ime
Edhe sonte me hapi portën
Kalova litarin e Purgatorit
Pa frikë.
Më pritën Zanat
Me bukurinë varur si gjerdan në gjoks
E me fustane drite
Të bardha...të bardha
Mes dritash u bëra dritë
Në breg u përqafova me valët
E kënduam se bashku
Me ritmin e tyre
Valsin e Princit Jon.
Erdhi dhe vajza e valëve
Tërë epsh
Me të puthura
Çmendi xhelozen natë
Saranda ime
Me çelsin e parajsës në dorë
Më pret
Edhe unë përkulem
I puth duart
MË FALE DET?... E DIJA
Ç’pati sot ky deti im? Pse qëndron turivarur?
O, sa fort dua ta përqafoj, ai prapë rri i shtangur
Ç’pate miku im? Pse më rri me kokën mënjanë?
Ke të drejtë, ti më prisje, por punët nuk më lanë.
Unë ty, s’të ndahem kurrë, kurrë s’të mbaj inat
Ti je qetësi e shpirtit tim, ti je imja shtrëngatë
Sa kohë prisja të çelja derën, ja i etur po vij sot
Të bie në prehrin tënd, të shtrëngoj fort e fort.
Më fale det?...Oh, e dija.Nise valët radhë e radhë
Në vesh të më pëshpërisin: Po,ti, shpejt të kish ardh
Gjoksin seç ma ledhatojnë me naze, ëmbël puthin sytë
Në grushte sjellin margaritarë, margaritarë o me dritë.
Të iku zemërimi det, e dija mirë, ne jemi të pandarë
Ti shpresa ime e kaltëruar, unë një zgalem i pavrarë
Erdha nga thellësitë e tu, prapë iki në misteren thellësi
Bodigardë kam valët e hënën, neraidat blu për dashuri.
Eh, si atë natë që m’u zemërua ajo, duke pritur në stacion
Gojëkyçur, ballin ulur, heshtja sytë po m’i zgurdullon
Dhe papritur seç ngre fytyrën, butësisht dorën më kap
Zgjat buzët, puth e fol, fol e puth: “S’përsëritet, ë, prapë?!”
HËNA E DI SEKRETIN
Hëna i grisi retë, si nuse e ndrojtur nxjerr të bukurin sy
Te Foleja e Valëve vjen,me lajka e dredha më futet në gji
Buzët më ndjek, më kë flas:Ti me valën ishe dhe mbrëmë.
-Si s’më lë një herë moj hëna ime, një sekret asaj t’i them?
Ajo qesh e sytë ëmbël m’i puth: Edhe mua s’bëson, vertet?
Ta di brengrën,mos më thuaj jo, ma tregoi mbremë vala vet
Atë e panë pulëbardhat, me kapele e bluzë të bardhë borë
Ulur te guri juaj,veshtrimtretur te deti, me një libër në dorë.
Bisedonte me ankthin ulur këmbëkryq, sytë te vala i mbeti
Sa herë merrte guximin ta pyeste: -Po sikur të dalë sekreti?
E panë pulëbardhat zëmërmira,ia thanë valës shpejt e shpejt
E shikon qe e di dhe unë sekretin. Edhe ajo me ankth të pret
TANI, UNË E DETI...
Unë e deti jemi vetëm,të heshtur, ulur këmbëkryq në një gji
Sekret është vendi, nuk e them, jo, jo, s’të tradhëtoj kurrë ty.
Si arkeologe kërkoje një strehë, me një kapele kashte në dorë
Ja, e gjeta-thirre ti me gaz, folenë rrethuar me mur shkëmbor
Bile më the ta pagëzojmë:Të pëlqen ta quajmë “Foleja e Valëve”?
Dhe si fëmijë me gurë dalte skalitëm në të, shkronjat e fjalëvë.
Deti na pa e shkeli syrin, na nisi valët me vezullime varg e varg
Na tha në vesh: Po ju pa kush, ju mbuloj unë me shkumë të bardhë.
Na panë valët të hutuar, me stërkala filluan të na ngacmojnë
Pa turp na zënë dorën,duke kërcyer në Mbretërinë Blu na çojnë.
Zbresim të qafuar në një planet tjetër, këtu pa peshë udhëtojnë
Pranvera këtu është e kaltër, këtu për çudi,vetëm yjet vesojnë
-Mos u trembni se ju sheh kush, na thonë valët me pëshpërimë
Ju fshehim ne pa merak te shkembinjtë, në folenë tuaj strehim
Tani, vetëm unë e deti, të heshtur... Hap sytë,tutje, në kaltërsi
Te vendi ynë sekret të pres, si dikur,te “Foleja e Valëve”...ti e di
KY DET I KRIPUR...
Nën hijen e dardhës, i vogël, me gjyshin e mirë shoqëri
Me puhizën verore që i thante piklat e djersës përmbi sy
Një kallëz gruri shkoqiste, i menduar pa thënë një fjalë
Ca kokrra të buta më zgjaste t’i bluaja ngadalë, ngadalë
Kundronim jelekun jeshil të Vurgut, me tej horizonti gri
Dhe puthur me të, një çarçaf i stërmadh i blunjtë, kaltërsi
Është si lumi ynë-thosh ai- ka lëmë të gjerë, i thonë det
Vrapojnë në të dallgët, si kuajt të bardhë që të zënë retë
Një buzëqeshje enigmë kaltëronte nën mustaqet papritur
Bile qeshte edhe pak-Ja , sa ti isha unë, akoma i parritur
Me vete më mori babai në një fshat të madh, i thosh qytet
Kishte emër të bukur, Sarandë, një gjysmë hëne vërtet
Brodha sokak më sokak si fëmijë i padalë nga kureshtja
Anës bregut u ula i lodhur, buzët më ishin tharë nga etja
-Ç ‘pret – ithashë vetes-ke ujë të pasosur, të keqen vëllai
U shtriva mbi zallin e rrufita, ish shumë i kripur qerratai
Pyeta gjyshin tim të mirë:Kush i hodhi kripë kaq shumë?
Pse s’është si Bistrica jonë, pse është i ëmbël ky lumë?
Bëhej serioz ai e vështrimin hidhte diku paksa i harruar
Më thosh: Një anijë me kripë dikur në të është rrëzuar.
Vrisja mendjen : Si është ky lumë i gjerë me ujë me kripë
Me kuaj që vrapojnë si në lëmë?- e mua më hynte një frikë
I çuditshëm, misterioz, që nxjerr nga barku edhe bajloz të zi
Ah, more det, si u bëmë tani, vëllëzër,s’duroj dot larg pa ty
NË KRAHËT E VALËVE
U dorëzova sot te valët, me gaz më morën në djepin e tyre të kaltër
Një nanuritje blu e ëmbël, e butë, përballë, bukuria e bregut të ashpër
Më shfaqet befas Prometeu aty, me vargonj të zinj, të rëndë, kryqëzuar
Me përgjërim i lutem valëve t’i shuajmë pak etjen buzëve të shkrumbuar.
Dhe nuk ma prishin ato, i lagin buzët dhe sytë që xixëllojnë tërë zjarr
Buzëqesh ai me mirënjohje, një dritë si vezullim, me vështrimin krenar
Sulemi t’i thyejmë prangat, si gjarpërinj e kanë mbështjellë, mundim i kot
I fshijmë djersët tek balli, do të përpiqemi prapë nesër, nuk mundem sot.
Dëshpërohen valët, tërbohen xhindosen, ngrenë furtunë, shtrëngatë
Në krahët e tyre unë nuk trembem, me ngulm e gaz kërkoj një shpatë
Po ç’më shikojnë sytë? Si erdhe ti këtu mes valëve si e bukura e dheut?
Prapë bashkë? Qesh ti e fenerin e shpresës ndez, me zjarrin e Prometeut
SHI NË PLAZH...
Dinake befas, një re e bardhë doli mbrapa malit
Iu turr diellit e me gjoksin e pambuktë e mbuloi
E ndoqën pas edhe dhjetra të tjera,si dele karvan
Ia nxin fytyrën qiellit e një heshtje mistike pasoi.
Një anije në thellësi nxiton e puthet me horizontin
Pulëbardhat therrasin shoqet me zë e fshihen diku
Gjarpërinjtë rrufe mes reve ndezin sinjalin e sulmit
Shiu nisi të shfryjë inatin dhe nuk ia fal as detit blu.
Rëra e ndezur e plazhit ofshan e gulçon prej afshit
Si dordolecë ngelën çadrat aty në breg, të tradhëtuar
Ti sheh detin e trazuar e fort e më fort më përqafon
Si ai tutje me qiellin që u bënë një, si ti, të dashuruar
NË DET
Valët më vunë jastëk të butë, të bardhë
Të shtrihem në shtratin e tyre kaltërosh
Fytyrën ma kthyen nga lindja e mëngjesit
Të puth ëmbël, të mirin, diellin bukurosh
Më stepi si fëmijë shkëlqimi i dritës së tij
Mbylla sytë dhe pashë Mbretërinë Diellore
Fanfuritnin rrugët e medafshta xixa kuqelim
E unë hip e zbrit në ekstazë, froneve hyjnore
M’I FSHINË VARGJET VALËT
Ka çaste kur harrohesh pas hutimit të mistershëm
Ndodh ky hipnotizim kur dielli tej në det perëndon
Mbretëria e kuqërremtë ndez befas vezullime magjike
Ti, përkedhel kaçurrelat e nostalgjisë e fshehtas loton
Qetësia e shurdhët trazon mallin që dhemb e sëmbon
Ca puthje ngelen këtu në breg, të ftohta, të lëna jetim
Hije fantazmë lëvizin te plazhi i vetmuar, shkretëtirë
Një pulëbardhë e trembur për diku fluturon me nxitim
Rëra e lagur disa grimca rrënqethje më hedh në shpirt
Gjurmët ku shkele ti, valët i fshin me blanko të bardhë
Poezinë ‘eureka’ si Arkimedi shkrova në kumin e hollë
Por erdhën ato,‘barbarët’ e s’më lanë qoftë edhe një varg
Comments