top of page

Nuk ke pse të marrësh valixhe


Nuk ke pse të marrësh valixhe, një çantë të mjafton për dhjetë ditë që do qëndrosh.Pastaj atje ku do shkosh ti do gjesh plot gjëra më të mira .Kur të kthehesh , do të duhet jo një ,po dy valixhe .Mos harro se jemi dhe ne këtu ,që mezi po presim.Mirë e ke një çantë , të mjafton ,për pak ndërresa dhe pashaportën.Lëre valixhen, hiqe nga mendja.

Dhe vërtet u nisa me një çantë,me pak ndërresa dhe pashaportën por me një frikë e kuriozitet të madh .Po shkoja drejt një vendi ku ishin dyndur emigrantë me dokumente e pa dokumente, me makina ,taksi e më këmbë, nga mali ,deti,e toka.

Ku e ke valixhen, më pyeti burri që më priste në stacionin e autobuzit.Nuk kam marrë valixhe, kam ardhur vetëm me këtë çantë,i thashë e drojtur .Më mjafton kjo ,se pak gjëra kam marrë, përderisa kam ardhur turiste .Qeshi dhe më tregoi barcoletën e turistit shqiptar në vendin fqinj.Ka shumë barcoleta për ne emigrantët më tha, nga vendasit ,por nuk përjashtohet mundësia ti krijojmë dhe ne ,për veten tonë.Po e kishe marrë një valixhe ,më tha, fundja edhe bosh.

Nuk më hiqet nga mendja valixhja e madhe prej druri e motrës kur shkoi për studime në një qytet të madh .E mbushi aq shumë sa nuk mbyllej ,por i ngjeshi me forcë babi.Kishte një dryn të madh me një çelës që ia varën në qafë për mos ta humbur.Motra ishte e vogël,sapo kishte mbaruar klasën e tetë ,kursesi nuk e ngrinte dot vetëm atë valixhe,por do ta shoqëronte ati ynë. Ishte hera e dytë që motra largohej nga shtëpia.

E mbaj mend si tani kur iku për herë të parë ,në një kamp pionerësh,ajo qante, donte të kthehej, nuk e përballoi dot largësinë nga shtëpia. Por vetëm ditët e para ,pastaj u mësua. Atëherë motra ishte në klasën e katërt a të pestë,dhe valixhen ia përgatitën prindrit.Do të shkonte në një kamp pionerësh pesëmbëdhjetë ditë.Kur u kthye nga kampi ,në valixhe kishte disa fotografi nga plazhi, ambientet ku qëndroi , nga lojërat që kishin organizuar, rrethuar nga shumë shoqe e shokë të rinj.Fotografitë i kishte mbështjellë me rroba , mos i dëmtoheshin dhe i mbante si gjënë më të shtenjtë.Ishin kujtimet e saj të fiksuara në celuloid, kujtime të dokumentuara.Pasi i nxorri nga valica dhe ne i pamë me kureshtje e zili për çka kishte kaluar atje , ajo i vuri me kujdes në sirtarin e Seriesë..Serieja ështe njera nga hallatet e mija,që për shtëpinë e re na solli komodinën e vogël me sirtar. Në atë sirtar mbaheshin gjërat më me vlerë të shtëpisë.E ruajtëm për gati pesëdhjetë vjet ,por e hodhëm sepse i ndërruam mobiliet e shtëpisë,pasi prindrit ndërruan jetë.Por unë nuk e harroj dot sirtarin e Seriesë sepse kam shumë kujtime.

Çanta ime për në vendin fqinj ishte një hapësirë e vogël por e mjaftueshme për ndërresat e teshat e mia të pakta. Po shkoja drejt një vendi të panjohur për sytë e mi, por kisha dëgjuar histori emigrantësh pa fund.Po mua a do më jepej mundësia të shikoja me sytë e mi ndonjë ndodhi, ngjarje interesante, të mund ta tregoja kur të kthehesha Unë pak ditë do rrija dhe nuk e dija as nuk më shkonte nëpër mendje kush do ishte historia ime.Çfarë më priste në atë vend të panjohur.

Jo unë, por askush nuk mund të parashikojë madhësinë, formën e dhomës, vendodhjes në emigracion.Askush tregonte për hallet që kalonte vitet e para, më pas rrëfyen të vërtetat."Më mirë që ke marrë këtë çantë, se dhoma nuk na nxë ne e jo më valixhe,"-më tha bashkëshorti ,kur pa hutimin tim. Mendja filloi të më punonte. Nuk na nxinte dhoma- po pse sa të vogla janë dhomat këtu.Nga historitë e dëgjuara mbaj mend se emigrantët punonin në shtëpi shumëkatëshe, në vila të mëdha.Fqinjët dinë të rrojnë mirë,kanë standarte të larta jetese, thoshte një emigrant kur erdhi të takojë prindrit dhe nusen e tij pas gjashtë muajsh emigracioni.

Nuk e di ,por doja me çdo kusht të lija pas të kaluarën, qoftë edhe për dhjetë ditë.Shtëpinë time me oborr të madh plot me lule, fuçinë në cep të oborrit që e mbushnim që sa herët me ujë ,ndërprerjen e herëpashershme të dritave,ec e jaket e mia herë më këmbë e herë me urban në punë ,pluhurin , vapën, rrëmujën e lodhjen nga rutina e jetës së zhurmshme e të pasigurt. Por mbi të gjitha mungesa e familjes.Vajza e porsalindur ishte tek prindrit e mi ,kurse bashkëshorti në emigracion. Të shtunën -të dielë shkoja në qytetin e lindjes tek prindrit e mi për të parë vajzën ,të hënën duhet të isha në punë në një qytet tjetër.

-Mos u shqetëso,nuk është aq e vogël ,të jesh e sigurt se ty të nxë.

-Po pse vetëm mua, ti nuk do jesh.Çështja është të na nxërë të dyve.. i thashë me shqetësimin që nuk e fsheha dot.

- Unë nuk do jem pjesën më të madhe të kohës, sepse punoj.Kam gjetur punë edhe natën ,kështu do flesh e qetë.

Supozohej se do të rrija me bashkëshortin, do të bisedonim, do dilnim shëtitja ,do më tregonte për vendbanimin e tij të ri, për punën , për gjithçka që e gëzonte apo hidhëronte ,për dëshirat dhe planet për të ardhmen.Ishim vetëm 27 vjeç një vit e gjysëm martuar me një vajzë disa muajshme.Kisha vetëm dhjetë ditë për t'u çmallur me bashkëshortin dhe vetëm dy - tre orë në ditë për të qenë bashkë fizikisht.

Çantën lere mbi komedinë dhe eja të të tregoj një mrekulli më përmendi zëri i bashkëshortit. Dhoma ishte më e vogël nga ajo që mendoja,po kjo nuk kishte rëndësi për momentin.Ndodheshim në katin e shtatë ,në katin fundit dhe nga një derë përballë derës së dhomës ku do të rrinim ndodhej një derë tjetër. Më kapi prej dore pasi më tha të mbyllja sytë dhe më drejtoi atje.

Sapo hapa sytë pashë që u ndodha në tarracën e pallatit.Qytetin e kisha në pëllëmbë të dorës.A nuk është një mrekulli.Ja ku është deti ,ja ku është dhe mali,më tregoi i lumturuar.

Një qytet i ndërtuar mes detit dhe malit.Vërtet pamja që shtrihej para syve të mi ishte një mrekulli. Çdo gjë dukej sikur e kishe në pëllëmbën e dorës, por unë asgjë nuk kisha në dorë.Mblodha veten dhe i thirra mendjes.

Doja ta shijoja çdo moment sepse çdo sekondë pranë bashkëshortit nuk kishte të paguar. Por nuk e di pse çdo gjë sillej rreth çantës,a thua se nuk kishim gjëra të tjera për të biseduar.Ajo çantë mbante të mbyllur hapësirat tona që na mbanin larg, kohën kur ishim bashkë, një foto të vajzës, e ndërresat e mia.Ajo çantë nuk ishte valixhe e një emigranteje. Ajo mbante brenda jo kënaqësi të plotë por një fije shpresë që mund t'i afrohej gëzimit.

Në rrëfimet më mbresëlënëse të familjes sime janë udhëtimi i gjyshes sime. Ajo e mbante mend kur fëmijët ishin të vegjël e qytetin e kishin rrëmbyer flakët e luftës. U nisën drejt Lushnjës me boçet e rrobave .Florinjtë i kishin fshehur në pelenat e foshnjës.Ecnin përgjatë lumit dhe foshnjën e mbanin në krah, të mos e rrëmbente lumi.Në pelenat e foshnjës fshihej djersa e mundi, gëzimi e shpresa e vetme e jetës.Patrullat i kishin ndaluar e kontrolluar disa herë, ua kishin hapur ato pak plaçka e boçe ,por foshnjën nuk e kishin prekur me dorë.Kishin arritur të mbijetonin .Për valixhe kishin bërë pelenat e foshnjës.

Gjithmonë më ka ngacmuar ideja e udhëtimeve, përgatitja e valixhës,palosja e rrobave, ngjeshja e tyre për të vendosur diçka më tepër, një sendi të dashur që nuk do ta lësh jashtë, pa e marrë me vete.

Nuk kam për ta harruar imazhin e një valixhe të humbur në vagonin e trenit.Isha në vitin e parë të fakultetit dhe po ktheheshim në shtëpi për sezonin e provimeve.Në qytetin e studentit po boshatiseshin disa ndërtesa sepse do zhvillohej një konferencë e gruas.Shumë gra , të reja ishin ftuar nga fshatra ,qytete e rrethe nga i gjithë vendi.

Në stacion të trenit kisha kohë që prisja.Ishte mbasdrekë e mbaj mend si tani që mezi prisja trenin të vinte ,sepse duhej të kapnim autobusin që na çonte në qytet. Më në fund u dëgjua fishkëllima e trenit që larg. U bëmë gati duke marrë valixhet, çantat e dosjet që kishim,siguroheshin që nuk po linim gjë.Treni u ndal para këmbëve .Të gjithë shtyheshin për t'u futur edhe pa zbritur pasagjerët. Mania për të gjetur vend dhe ulur sa më parë e studentëve krijonte rrëmujën në stacion.Të sharat e të bërtiturat nuk mungonin dhe përziheshin me të thirrurat e njëri -tjetrit në emër.

Në atë rrëmujë mund të ndodhnin të papritura, mund të humbje shokun nga syte, fëmija mund të humbte dorën e prindrit, çantat fluturonin mbi kokat tona. Ca i hidhnin nga dritaret e trenit, të tjerët i fusnin çantat e valixhet nga dritaret e trenit..Shoqja ime e ngushtë Dezi, hipte vetë nga dritarja e trenit e na zinte vend e na rregullonte edhe kur kishte dyndje të paparë njerzish.Plaxhistët përziheshin me studentët e rretheve dhe nuk merte vesh i pari të dytin.

Pasi u rehatova në sediljen e trenit e shtriva këmbët, i rashë me këmbë valixhes.Kërkova ndjesë për pakujdesinë, por nuk mora përgjigje.E shtyva përsëri përpara kur shtriva këmbët duke kërkuar ndjesë ,por askush nuk e vrau mendjen.Kur arritëm, u ngrita nga sedilja,morra valixhen dhe çantat e mia dhe u bëra të nisesha,kur punëtorja e trenit erdhi dhe më ndihmoi .Po të ndihmoj më tha deri tek dera ,po sa shumë valixhe paske.Si i ke ngritur moj çupë dhe si do i ngresh ,-tha dhe më la valixhen para këmbëve.Ishte valixhja që kisha shtyrë me këmbë.Një valixhe e harruar. E kujt të ishte vallë.Pse e kishin braktisur, apo e kishin harruar.

Nga përvoja ime e gjatë tashmë , krijimtaria fillon nga një pyetje.Ashtu siç sygjeron edhe romancieri dhe semiotiku Umberto Egó romani bëhet një makinë për zgjidhjen e problemeve apo pyetjeve që përpiqet të parashtrojë një përgjigje,ose disa përgjigje edhe pse kontradiktore.

Ndoshta mund të vijë momenti që kjo esse të bëhet shkak për një tregim apo roman ,për të përpunuar historinë e valixhes,udhëtarët që do ta shoqërojnë atë.

Valixhen e mora me vete në shtëpi dhe kur e hapa vura re se kishte shumë gjëra femërore:fustane, ndërresa, një byzylyk dhe varëse,të brendshme femrash. Nuk kishin vlerë leku, por mund të kenë qenë nevojë e domosdoshme ose dhuratë prej dikujt.Ndoshta ndonjë vajzë nga rrethet do të ketë qenë e ftuar në Konferencën e gruas,ndoshta dhe studente edhe pse nuk kishte asnjë libër apo leksion për ta vërtetur.

Kujt i ka humbur ajo valixhe apo e kanë lënë vetë? Një problem që parashtron shumë pyetje që presin përgjigje.

Do të kalonin dhjetë vjet për të humbur unë një valixhe. Isha e ftuar të merrja pjesë në një nga seminaret që organizonte M.A.S për mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë. Valixhja ishte e vogël me gjërat më të nevojshme për një udhëtim katërditor.Rroba, ndërresa, sandale,shall I hollë dhe libra ,fletore e materiale informuese për seminarin.Më duhej ta lija diku,për disa orë derisa të niseshim nga Tirana drejt për në Malin e Zi.

Tek vendi nga do nisej autobuzi ishte një dyqan i vogël i fotokopjeve.Hyra aty për të bërë fotokopje materialin që do të mbaja në seminar.Ishte një vajzë e re , ndoshta studente e sjellshme që më priti buzagas. Hymë në bisedë shpejt dhe i tregova që kam mall për Tiranën, për kohën që kam qenë studente.Kam më tepër se njëzet vjet pa e parë.Për dy tre orë nisem për në Malin e Zi ,në një seminar me mësues të Diasporës .Por kam valixhen, çantën që më pengojnë të shëtis lirshëm për dy tre orë, - i thashë.E pashë që donte të ndihmonte duke më sugjeruar t'i lija aty.Dhe ashtu bëra.Shëtitjen e bëra , ashtu si edhe shumë foto të bukura, por kur u ktheva u trishtova shumë.Dyqani I fotokopjeve me vajzën që më buzëqeshi nuk e gjeta.Sikur e kishte përpirë dheu.Në atë zonë kudo që kërkova në dyqan fotokopjesh ishin vetëm çuna ,të cilët nuk kishin idenë për valixhen time të kuqe.Kisha pak kohë në dispozicion për të kërkuar më tepër. Autobuzi po nisej për në Mal të

Zi dhe unë kisha lënë pa dashje një pjesën time ,veshjen time ,bagaxhin tim .Nuk e di nëse valixhja e kuqe ekziston akoma ,nëse ato rroba i veshi dikush apo sandalet e bardha fringo të reja ecën mbi trotuaret e Tiranës për të vazhduar shëtitjen time. Trupit tim i vesha rroba të tjera,këpucë të tjera dhe mendime e dëshira të tjera.Ato rroba ndërresa e sandale të bardha në cilin trup u përdorën vallë , ndoshta i flakën.Nuk e di.

A ekzistojnë dita sot edhe pa trupin tim valixhja e kuqe , ndërresat ,sandalet.Po në fund të fundit nuk mërzitem më .Edhe trupi im nuk është se udhëton përgjithmonë me mua.Ashtu si valixhja ime e kuqe e cila nuk udhëton më me mua.Akoma pyes veten nëse trupi më mban , apo unë mbaj trupin .Jo pa qëllim Maggi Smith pyet ""A suit or a Suitcase." është trupi ynë.Trupi vesh mendimet, dëshirat, ëndrrat tona , apo ne përdorim trupin si valixhe për të futur mendimet, dëshirat ,ëndrrat.Çfarë do të donim të linim jashtë valixhes,a do të kemi nostalgji edhe për kohën ,periudhat , vendet jo aq të mira,plot shqetësime e disfata.

A duam t'i mbajmë edhe ata, apo duam t'i flakim, t'i harrojmë diku.

Akoma udhëtoj herë me valixhe herë me një çantë dhe herë duar bosh,por më tepër me një çantë të vogël.Sepse nuk dua të mbaj me vete çdo gjë.Tani në kohën e teknologjisë mjafton të kesh një celular .Kujtimet i fikson aty,pa pasur nevojë të mbash fotografi e sende me vete.Janë të gjitha në celular. cv- ja, çertifikata, pagesa, numri bankar,vendbanimi, vendi i punës,,foto e dhuratave. Po çfarë do bëhet nëse taksojnë ngarkimet në celular, në rrjetet sociale ashtu siç bëhet për peshimin e valixheve në aeroport. Kë kujtim do fshimë, cilat foto do mbajmë ?Sa do jetë tarifa ?

Për një gjë jam e sigurt se tani jam rritur mjaft dhe nuk kam nevojë të marr shumë fustane, ndërresa , këpucë e sandalle.Trupi ,mendja e shpirti. janë aq të përgatitur për të mbajtur emocione, gëzime e trishtime.Janë stërvitur dhe kanë dhënë prova pas një eksperience gjashtëdhjetë vjeçare.Nuk kam nevojë për valixhe sepse shpirti im mund të mbajë çdo gjë.Deri tani ,momentin që shkruaj.Nesër nuk e di.

Teuta Sadiku. Tiranë .Qershor 2023

74 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page