top of page

NUK KAM GJUNJË TË TË VIJ PAS SELMAN MËZIU




Çapi i Brezhdanit

Bisedë nga larg me një mik të natyrës

Nuk kam.

Tash udhëtoj drejt tetës me zero mbrapa, mik i përjetshëm i gjelbërimit dhe vlerë e jashtëzakonshme e vendlindjes, çka më kujton një ndeshje futbolli humbëse të kombëtares sonë 8 me 2 me Gjermaninë, larg në vitet e rinisë, dhe një mburrje nga ballkoni i bujqësores, me brohërima frenetike të turmës: Tetë me zero... tetë me zero... tetë me zero... më 27 maj 1996...

E kur je në kufijtë e tetës me zero e udhës është të kujdesesh për kokën se ajo rrotullohet e të merr mëndtë, të ruash trurin, veshët, sytë, hundën...që të mendosh, të dëgjosh, shikosh, nuhasësh...

Në këmbë nuk të ndjek dot atyre vendeve ku një rrjedhë gjaku imja më vjen e qarkullon trupit.

Me mend po. Të ndjek, jo me hap por me vrap. Jo fushës së bukur të Muhurrit ku kokrrat e misrit “gjushtak” i marrin arit ngjyrën e buka e “norë” në çerep balte, avulluese në sofër me një tas me groshë, që ka bërë emër në Evropë, me pastërma dashi të Rreth Kales, gjizë me speca e turshi domatesh të Fushë Muhurrit... më merr më me forcë se qengji i Naimit...

Dhe ulem e ngazëllehem...

Dhe ulem e flas me dashuri e me mallin e një njeriu që i është deshtë ta kuptojë Naimin në mërgim, larg e larg, “nëntë male kaptuar”...

Më ka marrë malli të ngjitem në Krue të Zi. Nuk e di domethënien e emrit por di shijen dhe ftohtësinë e tij provuar një natë e një ditë gushti 1960. Natën e kalova në hatullat e stacionit të ndërzimit, një aksion e madh i asaj kohe për përmirësimin racor të deles. Ishte këmbëngulja e teknikut, një djalë i Domazeteve të Brezhdanit, Zeqirit që një natë më parë ishte tmerruar tek kishte parë një ari të murrmë ta korrte gjitha arën me misër.

Një copë jete që nuk e kam harruar dhe nuk do ta harroj sa të jem në jetë...

Edhe ikjen nga Kroi i Zi...

Po, po, ikjen...

Ishte një ditë e nxehtë, nga më të nxehtat e asaj vere që mbahet mend se thau të hershme e të vona, pemë në luginë e barë në bjeshkë...

Nëpër atë të nxehtë mu desh të kaloj nëpër një tunel ahesh të lartë gjethet e të cilëve nuk lëviznin. Diku shoh tym. Dikush para meje, ndonjë druvar, kish hedh pa u menduar një cigare mbi shtresën e thatë të gjetheve. Duhani ishte këndellë e kishte marrë dheun. Fshehur nën eshkën e tharë vazhdonte të ecte.

U ndala. Në fillim vetëm tym shikoja. Pas pak plasi flaka. Isha vetëm. Dielli përvëlonte në zenit. Banorët më të afërt ishin ata të Hurdhë Muhurrit, rreth një orë larg. Po ashtu edhe ata të Shqathit...

Theva disa dega të njoma ahu dhe fillova të shuaj flakët. Unë shuaj në një vend e ata dil në një tjetër...

Më në fund e mposhta tymin, i mposhta flakët. Ika duke mos lënë pas as edhe një shenjë tymi...

Në ditët në vijim nuk dëgjova të kish pas zjarr...

Diçka kisha bërë...

Nuk ia kam treguar kujt. Po ta tregoj ty i dashuruari i përjetshëm i pyjeve dhe gjelbërimit...

Kam pas edhe një rast tjetër kur jam nxirë nga tymi dhe thëngjijtë e zjarrit. Në gusht 1988, tek liqeni i Madh në Lurë. Një vatër zjarri kishte shpërthyer pak metra poshtë rrugës që përshkon liqenet e Lurës. Mbi një degë, pranë zjarrit lexova një letër. Tekniku i pyjeve i drejtohej rojës me këshillën që ta shuante zjarrin. E mora letrën, mbase e kam në blloqet e shënimeve. E mësoi tekniku dhe më bëri be në gjurë e në dru që ta falja, mos shkruaja...

Nuk shkrova. Mendova se betimi i tije “në gjurë e në dru” e kish bërë të vetën shumë më shumë se një kronikë në gazetën lokale...

Me të thënë të drejtën zjarrin e kam frikë. E kam përjetuar një mëngjes gushti 1960 kur u zgjova nga një dritë e fortë dhe zëra tmerri të njerëzve. Po digjej shtëpia e Hamedan Ashikut, shtëpia e Qamil Ashikut. U shkrumbua para syve të mi e të njerëzve që morën plagë të shumta nga tentativa për ta shuar.

Brezhdani, si në të gjitha rastet e solidaritetit popullor dibran, për pak ditë ia ngjiti themelet në çati e jeta në të rrodhi për shumë vite, edhe sot...

Ato ditë në Lurë mora një informacion të sigurt për një Pazar që bëhej me pyjet. Priteshin lisa shekullorë për të bërë bishta veglash. Dhe ato kaloheshin nëpërmjet kooperativës për të rritur vlerën e ditës së punës. Bëra një shkrim të ashpër në “Zëri i popullit”. Reagoi edhe kontrolli i shtetit. Erdhën dhe shëtitën nëpër Lurë. Rrezikohej puna ime, pse jo edhe jeta. Fajtorët e bashkë me ta udhëzuesit ishin bërë një.

Shpëtova unë por nuk shpëtuan pyjet e Lurës. Në ato vite nisi shkatërrimi total i tyre. Një shkatërrim i pa parë dhe i pa dëgjuar.

Mbase një ditë do të ulem në bibliotekë dhe të ta dërgoj shkrimin e botuar...

Ika larg. Nuk mbahem kur këmbët marrin dheun e mendja kërkon fole...

Ku e lamë?

Te Kroi i Zi...


Kam udhëtuar një herë natën drejt Kroit të Zi. E kam pritë lindjen e diellit poshtë majës së Runjës. Diçka e bukur, madhështore ajo pamje e luginës së mrekullueshme të Drinit të Zi, në hapësirën nga Gjorica në Reç. Do të desha ta shikoja, bile ta fotografoja për të bërtitur sa zë kam: “Mos ia prisni krahët Drinit, mos e mbytni, mos e zhysni”.

Luajta prapë. Më fal. Desha të them se pylli i Kroit të Zi i ishte dhënë Brezhdanit për dru zjarri, dru të thatë ahu. I ishte dhënë edhe Buflla për dru të thatë dushku.

Po ta theksoj: DRU TË THATË...

Vetëm kërrabat për ngarkim lejoheshin të njoma, të prera nga degë që dilnin poshtë trungut...

Nuk mund ta thyeje këtë rregull...

Tek ura e Muhurrit një roje e pyjeve po të të gjende dru të njomë në barrë ti shkarkonte në vend, të gjobiste e procedonte për gjyq...

Harrova edhe një çast. Udhëtova njëherë në këmbë nga Lukani në Krue të Zi. Një udhëtim i bukur. Nëpër një rrugë këmbësore rrethuar me thana, tunel thanash, plantacion natyral thanash. Diçka shkrova në atë udhëtim për thanën, vlerat e saj ushqimore dhe mjekësore, nevojën që atë që na ka dhënë natyra me dashamirësi ta kthejmë në begati njerëzore, në prodhime thanash: reçel, prevede, komposto, lëng... Mos harro rakinë. Nuk pi raki por në vitrinën time në mërgim nuk mungon kurrë. Dhe si ky plantacion natyral në Dibër ka edhe në Reç, një pyll i tërë kur zbret nga Hurdhë Reçi në Gjurë Reç. Por ai që më ka befasuar dhe nuk e harroj është pylli i thanave në Gurë Lurë...

Zbrita poshtë?

Përpara desha të zbres në Shqath...

Tek Manet në fund të “shtrungës” që mbledh ujërat e fshatit për ti përcjellë në murrë. Kanë një degë të tyre në Zdojan, shtëpitë në fund të fshatit, aty ku fillonte dikur sektori i Zdojanit i NB Dibër me mollat e famshme Renetë Kanada,,,

Tek Çiket, lart në kodër kullat e të cilëve marrin në tabak gjithë luginën e gjerbin kafen pa sheqer, mjaltë bisede.

Kam njohur një burrë, tel të hollë në muhabet e trim. Sul Dika apo Sulejman Çiku i thoshin. Ka qenë shoku më i ngushtë e Haki Shehut, shok lufte lidhur aq shumë me njeri tjetrin sa kur ndërroi jetë mes dhimbjes së madhe tha se “për Sulën e jepja një djalë...”

Ishin një treshe popullore: Sul Dika në Shqath, Osman Çejkrri në Zall Dardhë dhe Shaban Vakufi në Vakuf; të fjalës me peshë mali, të trimërisë me teh shpate dhe të fjalës së urtë - universitet popullor...

Nuk harroj pa pi një kafe tek Devet e pa u flladit në burimin ujë ftohtë të Hurdhës së Muhurrit.

Nuk e harroj edhe takimin e fundit me banorët e Hurdhës, atë ditë kur uji i burimeve rrodhi shtëpi më shtëpi, kur bëra shumë fotografi, zarf i veçantë në arkivin tim, kur në faqen e parë të “Zërit të popullit” përcolla gëzimin e njerëzve kur uji i pijshëm u vjen në lagje e shtëpi.

Nuk e harroj edhe xhelozinë e një Muhurraku, shofer i parë në parkun e mallrave i cili, pasi kishte lexuar shkrimin tim më kapi në rrugë e mu hakërrua pse kisha shkruar sepse burimi i Hurdhë Muhurrit ishte pronë e Muhurrakëve...

Nejse, kështu e ka gazetaria, edhe kur shkruan për mirë, me dëshirë dhe shpirt dikush preket. Dhe ky nuk është një rast i shkëputur, kam shumë...

Nuk po zbres poshtë. Po e pres Runjën me shpatën e kujtesës dhe po ndalem në Bulaç. E kam thënë se gjyshi im Lok Zhuzhi, atje ka lindur, atje i ka pas trojet e vjetra, atje ka luftuar. Në qershor të vitit 1960 në shtëpinë e Lam Tahirit në Lukan, një kullë e rrethuar me avlli një metër të trashë, me një portë të madhe me gdhendje popullore kam pirë kafe e kam bujte. Lami, kur i tregova për lidhjet e mija me Zhuzhet e Bulaçit me tha se ka qenë shok lufte me Lok Zhuzhin dhe se kur hidheshin në sulm kundër serbit ai gjithnjë përveshte mëngët dhe printe i pari...

Ata zbritën në poshtë, Loka në Brezhdan e vëllezërit e tjerë në Rreth Kale, atje ku janë edhe sot degët e tyre. Rrënjët nuk i shkulën kurrë, atje i kanë edhe sot...

Më duhet të zbres. Thikë poshtë sa duhet të mbaj ekuilibrin për të mos marrë hov. Të zbres nëpër një pyll dushku për tu ndalë në një tufë gjelbërimi mes të cilit një teqe e vjetër, Teqja e Sharakonit, një oaz qetësie e çlodhjeje, me një grusht uji të ftohtë mbi fytyrë që të zgjon ëndrra...

Vajmëdhej është një fshat i bukur por edhe i begatë. Me Drinin që herë e lag e herë e gërryen, herë i merr toka e herë i jep. Përballë ka përroin e Gjalagjoshtit që luan me të rrjedhës së Drinit.

Më tej ka një fushë të bukur, më pjellorja e luginës, Zallin e Sinës, sektorin e ndërmarrjes bujqësore të Dibrës i famshëm për cilësinë e mollëve dhe të ëmbëlsinë e kumbullave. Mollët dhe kumbullat që ngjiten deri në kufi me Sinën e pushtojnë Sukën e Arrasit, “Ballkonin e Drinit” ku unë kam hedhë mendimin e ngritjes së një përmendoreje si ajo e Krishtit në Brazil të Skënderbeut, për ti treguar botës se Gjergji i Gjon Dibranit atje lindi, atje u rrit dhe atje zhvilloi betejën e parë, atë të Torviollit për ta pasuar me 17 beteja të tjera fitimtare gjithnjë në truall dibran. E kush strateg ushtarak nuk do ta priste dhe përgjakte kundërshtarin pushtues, veçse në ato vende ku kishte ecur këmbëzbathur dhe i njihte shteg?

Atje, në të dalë të Vajmëdhejt, ka një lapidar, një simbol të një Shqipërie tjetër, të një lidhje të re Jug-Veri. Është lapidari i një përmetari, djalë i ri që dha jetën për ndërtimin e Rrugës së Rinisë në vitin 1946, Kalo Asllani, rrugë që mjerisht në kalldrëm mbeti e tash, siç thotë “I Gjati”, do të mbytet e shuhet përgjithmonë...

Nuk do ta kaloj Drinin, megjithëse më josh tu bije me pash dallgëve, por nja dy gjera dua ti shënoj.

E kam fjalën për stacionin e pompimit që e merrte ujin e Drinit dhe e ngjiste në kodrat e buta të Pasmarit. Dhe i jepte gjelbërim dhe fruta mollëve “Renet Kanada”...

Nuk e di a ekziston sot. Pyet po deshe dhe më shkruaj...

E kam fjalën për sifonin e Murrës, atë shtrirje tubash në zbritje e në ngjitje që e merr ujin nga Murra dhe e ngjit në pikën më të lartë të Gjarajcës së plantacionit më të madh të arrave në blloqe dhe të mollëve “Starking”, aq të kuqe, aq me lëng, aq të shijshme...

Arrat e mollët e di që janë shkulur...

Një rrjedhë loti më vjen sepse kam pas disa pika djerse për rrënjëzimin e tyre...

Nuk mund të iki pa notuar kundër dy rrymave, të Drinit dhe të Murrës, përplasje ku Drini ia merr të gjitha arrat. Notin e kam mësuar më lart, atje ku Drini asokohe takonte brigjet e Mollës siç quhej kodra që mban mbi shpatulla Arapin e Epërm e ku në gusht mblidhnim sa ngopeshim lajthi të freskëta, siç i jepte natyra. Atje e kam mësuar, mes tallazeve të Drinit asokohe i virgjër nga Struga në derdhjet në Bunë e në Adriatik. Me dy kunguj ujzë, siç u thoshim hinkave me qafë ku lidhnim një gërshet leshi dhe e kalonim për mesi që të mos zhyteshim.

Më ka pëlqyer gjithnjë të notoj kundër rrymës dhe të zhytem thellë. Mbase në zhytje kam qenë “kampion”. Për këtë më merrte edhe Mule Daci, kontrolli rrugor kur hidhte ndonjë kallëp dinamit në hurdhat e Murrës. Trofta e vrara nuk dilnin në sipërfaqe, zhyteshin në fund të hurdhës tre metra të thellë. Zhytesha dhe i kapja shtrirë në fund si një kalldrëm të gjallë që lëvizte në agoni. Ende e ndjej rrëshqitjen në duar...

Kam fotografi atje ku bashkohet Murra me Drinin, një në shpinë midis dallgëve, e një me një mik që mbase kur ti vë pikën “udhëtimit” tim do t’ia kujtoj emrin... Liman...Liman Spahiu...

Mbase i gjej dhe ti dërgoj...

Mos harro, kur të shkruash historikun e fshatit, mësuesen e parë të Muhurrit, Sanie Berishën.

E kam pas në klasë Sanien në vitet 1952-1954, shkolla shtatëvjeçare Peshkopi, ajo konviktore kurse unë nxënës i jashtëm. Ishte njëra ndër pesë vajzat (dhe tri Saniet) që në vitin 1959 mbaruan Shkollën e Mesme Pedagogjike të Peshkopisë. Asokohe u cilësua (gjë që ishte) një revolucion në emancipimin e vajzës dibrane. Duhet ta kesh dëgjuar këngën që e përjetësoi atë moment...

Oj Sanie oj motër-o

Hiqe vallen rrotull-o

Po të doli kohë shko në ndonjë bibliotekë të hershme dhe kërko “Zëri i rinisë” – gusht 1960. Ka një faqe të tërë që kam bërë unë me emrin tim dhe me pseudonimin M. Mali për përvjetorin e Çlirimit të Dibrës nga pushtimi fashist. Më ngjan më 24 gusht 1960. Atje do të gjesh edhe një portret të Sanie Berishës, asokohe mësuese në shkollën shtatëvjeçare Fushë-Muhurr.

Unë e kam kërkuar në Bibliotekën Kombëtare por fatkeqësisht 6 mujori i dytë 1960 mungonte.

Më ke thënë që po shkruan një libër për Muhurrin. Më pëlqen nisma. Edhe unë duhet ta bëja për Brezhdan - Zdojanin. Jam larg e nuk ulem dot në çdo prag e në çdo votër. Është i madh Brezhdani prandaj edhe e ndanë në dy fshatra, në Brezhdan e Zdojan, fshatra që në vitin 1994 (Destan Visha, Zyra e gjendjes civile) kishte përkatësisht 1643 frymë me 300 familje dhe 1895 frymë me 362 familje. Bashkë 3538 frymë në 662 familje...

Dikur Brezhdanin e cilësonin si fshati më i madh i Dibrës me...300 familje!!!

Mos dëshiron të të tregoj sa banorë kishte Muhurri dhe veçan Fushë Muhurri jot?

Kënaqësi të lodhem pak për të të shërbyer me dëshirë e respekt.

Muhurri, sipas “Vjetar Statistikor i rrethit të Dibrës 1966” hartuar nga ekonomisti i njohur dibran Shemsi Hoxha, si lokalitet, domethënë Muhurri së bashku me Luzninë, kishin një sipërfaqe prej115 kilometra katrorë, 811 familje me 5859 banorë prej të cilëve 3.094 meshkuj e 2765 femra me një dendësi për kilometër katrore prej 50.9.

Sipas një dokumenti që kam me kokë “KOMITETI EKZEKUTIV I KP TË RRETHIT (ZYRA E GJENDJES CIVILE, “Për përdorim të brendshëm” MBI GJENDJEN E POPULLSISË MË 31.12 1989, Peshkopi 6.I.1990”, Muhurri si njësi vendore kishte 4768 banorë prej të cilëve 2503 meshkuj dhe 2263 femra në 826 familje.

Muhurri plus Fushë Muhurri kishin përkatësisht 1232 banorë, prej të cilëve 629 meshkuj e 602 femra dhe (F. Muhurri) 832 banorë prej të cilëve 440 meshkuj dhe 392 femra në 146 familje...

Më 31.12.1940 Muhurri kishte 4332 banorë, një sipërfaqe toke prej 11512 hektarë prej të cilëve nën kulturë 595 hektarë prej të cilës 551 hektarë drithë. ( D70. V.1941 f. 12)...

Të mërzita?

E kur e tjerr jetën në furkë me shtëllungë të madhe leshi dele rude, kur jo ec por vrapon mendja me kujtime e mall, kështu ndodh...

Tora sa munda. Bëra një lëmsh të madh me fije leshi. E kalova në grabujë dhe diçka më doli, jo qilim, rrugicë me qëndisma jete...për të ecur...

Dua të ecë...

Jo më në këmbë...

Nuk më mbajnë gjunjët...

Më mbajnë e më marrin kujtimet...

Fluturim...

Abdurahim Ashiku

Athinë, 28 qershor 2020

103 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page