top of page

NUK KA ASNJË ARSYE...


NUK KA ASNJË ARSYE PËR T`I BËRË LËSHIME SERBISË


Nuk po lodhen ndërkombëtarët duke ulur në tavolinë Aleksandar Vuçiçin dhe Albin Kurtin për të zhvilluar bisedime, me shpresën se do të pajtohen dhe do të vendoset paqja mes Serbisë dhe Kosovës. Po përdorin lloj - lloj variantesh, po bëjnë lloj - lloj propozimesh e tyrli shantazhesh, por mesa duket kjo nuk qenka aq e lehtë për t`u realizuar. Si nuk ia dolën me Presidentin e Serbisë që ta detyrojnë të largohet nga dashuria historike me rusët, iu kthyen fërkimit të krahëve të tij, duke i premtuar favore sa absurde aq edhe të rrezikshme për stabilitetin e Ballkanit. Kuptohet që këto favore do të ishin sakrifica dhe lëshime nga ana e Kosovës, tek e cila ndeshën kundërshtimin e qeverisë të drejtuar nga Albini. Atëherë, pa pikën e gajles, ndërruan taktikë: Albinin, nga mik e partner e cilësuan kokëfortë e të pabindur, kandidat për ta shpallur “Non grata”. Shkuan edhe më tej, duke paralajmëruar se edhe vetë Kosovës, pra popullit të saj, do t`i vënë sanksione. Kjo do të thotë: o krijoni asociacione brenda vendit tuaj, pra shtet serb të mbivendosur, ose do përballeni me zemërimin e hakmarrjen tonë. E thënë shqip, e gjithë kjo është më e pakta padrejtësi! Asociacioni nuk është çelësi magjik që zgjidh problemet. Tek ai nisin problemet. Ai me larghedhje është molla e sherrit të përhershëm që motra e perëndisë së luftës, Erida hodhi dikur, dhe që nuk kanë për ta ndrequr as njëqind vjetët e ardhshëm. Kosova ka vuajtur pikërisht nga pazaret e ndërkombëtarëve që aso kohe i quajtën Fuqitë e Mëdha. Historia po përsëritet ndaj kombit tonë të coptuar. Romakët e vjetër kishin një shprehje shumë domethënëse: “Errare humanum est, perseverare autem” që do të thotë se “Gabimet janë njerëzore, përsëritja është djallëzore”. Dhe është për të vënë kujen, kur kësaj djallëzie i bashkangjitet edhe qëndrimi i qeverisë shqiptare. Nuk dua ta quaj tradhti, se kurrë nuk mendoj se ka shqiptarë të tillë, por kam gjithë të drejtën e Zotit të them se ky është një nënshtrim e përulje e neveritshme, autorët e të cilit jo vetëm që i damkos, por edhe do të mbahen mend gjatë si burralecë shteti pa dinjitet. Ka qenë një kohë gjatë sistemit komunist, kur politikanët shqiptarë nxitonin kush e kush të shpallte dashurinë e madhe ndaj Jugosllavisë, pastaj Bashkimit Sovjetik dhe në fund, ndaj Kinës. Betoheshin gjithë solemnitet se do t`i mbeteshin përjetë besnikë atyre. Edhe sot e njëjta gjë po ngjet: partitë, drejtuesit e tyre dhe plot nga ata të angazhuarit në politikë, duke harruar sesa i kanë sharë e mallkuar, janë vënë në garë kush e kush të deklarojë se i do më shumë SHBA dhe BE - në. Shpesh, në ndeshjet me njëri - tjetrin përdorin dhe një akuzë qesharake: ju jeni antiamerikan! Disa e çojnë më tej akuzën, duke u shprehur me gojën plot se: jeni agjent i Putinit! Po vërtetë nuk e kuptojnë këta se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës pas vitit 1999 po shkonin në rrugën e duhur. Kriminelët e Serbisë nuk guxonin pas asaj që bënë dhe luftës që humbën, të parashtronin kërkesa ndaj ndërkombëtarëve apo vetë Kosovës. Për më tepër, njohja e Kosovës nga një mori shtetesh nga e gjithë bota, sa vinte dhe po arrinte kuotat maksimale. Ama, pas agresionit barbar rus ndaj Ukrainës, diplomacia perëndimore nisi të mbajë tjetër qëndrim. Vuçiçëve, si rrufjanë të sprovuar që janë iu hap goja dhe nisën nga pretendimet. Mjeshtra për të shfrytëzuar koniukturat, ata e nuhatën merakun dhe dobësinë e perëndimorëve. Këta, se patën për gjë që duke menduar se Kosova u detyronte atyre lirinë, do të pranonte çdo sakrificë, qoftë dhe nga sovraniteti i tyre. Mirëpo, kjo mund të ishte e kollajtë për ata, pasi nuk cënoheshin askund, por jo për Kosovën që jo vetëm se i njihte mirë lakmitë e serbëve, por edhe synimet e largëta të tyre. Prandaj Albini kundërshtoi, se fundja Kosova nuk ishte çifligu i tij. Nga ana tjetër, çdo shtet ka rregulla të përcaktuara në Kushtetutën e vendit dhe moralin e tij. Si do të vendoste një Albin për një çështje kaq madhore, pa marrë mendimin dhe miratimin e Parlamentit apo popullit të vet? Po të jetë për të dhënë, këtë duhet ta bënin serbët, se ata na detyrohen. Kështu që kryeministri i Kosovës po bën gjënë e duhur, dhe mospajtimi me kërkesat e Serbisë, mbështetur nga ndërkombëtarët, duhet të ketë solidaritetin e plotë jo vetëm të të gjithë kosovarëve, por edhe të atdheut amë, Shqipërisë. Por është për të ardhur keq, kur shohim se qeveria jonë nuk është në një mendje me të. Kjo është e pafalshme, ashtu sikurse i tillë do të qe edhe indiferentizmi ynë. Asnjë aleancë nuk vlen para dashurisë dhe përpjekjeve për kombin tënd. Të parat mund të kenë ulje - ngritjet e tyre, e dyta është e shenjtë dhe e përjetëshme. Tani shtrohet pyetja: po sikur rrethanat të bëjnë që aleatët tanë, qofshin ata dhe strategjikë, të kërkojnë nga ne një asociacion grek për pakicat kombëtare në jugë, si do t`i përgjigjeshim? Pa tjetër do t`u thoshim se ata po mbajnë poshtërsisht Çamërinë tonë, kështu që vetëm po të ishim të çmendur do t`ua plotësonim këtë kërkesë. Për pakicat kombëtare, kudo mund të kërkohet zbatimi i lirive dhe të drejtave të tyre, por jo autonomi e pavarësi. Por këto nuk u kanë munguar atyre as në Shqipëri e as në Kosovë. Shkelje të të drejtave të tyre ka në Serbi e Greqi. Ja, këtë duhet të sqarojmë ne shqiptarët kudo që të ndodhemi, tek aleatët. Dhe po të flasim me një mendje e me një gjuhë, kam bindjen se edhe ata do të na kuptojnë. Dhe po s`deshën të na kuptojnë, ne ndërgjegjen e kemi të qetë se po mbrojmë Kombin tonë. Ne nuk duhet të çuditemi me lakmitë e serbomëdhenjve. Kujtoni sesi në kohën e ekspansionistit Nikolla Pashiç ata dërguan një ekip prej 18 shkencëtarësh në Angli, Svicër, Itali e SHBA për të mbrojtur “të drejtën historike” të Serbisë në territoret shqiptare në Kosovë. Po ashtu, plot 105 vjet më parë në Paris dërguan një delegacion prej 93 shkencëtarësh, politikanësh, historianësh, gjuhëtarësh, shkrimtarësh, ekonomistësh etj. për të mbrojtur pushtimin e tokave tona. Mesa duket, serbët e sotëm janë po ata. Uroj të mos jenë po ata ndërkombëtarët. Ama, të mos harrojmë edhe atë që shkruan docenti i gjuhëve indo - evropiane në Universitetin e Vjenës Karl Treimer: “Të parët e shqiptarëve të sotëm kanë qenë bartësit e një shteti të madh e të fuqishëm dhe krijuesit e kulturës evropiane të hekurit, pra të një kulture të karakterit të lartë. Rezultatet e tyre morën prej kombeve të tyre dhe e bënë Evropën atë që është sot”. Kjo është historia dhe atë “As Perënditë nuk mund ta ndyshojnë” mësonte Aristoteli, e jo më akademikët trumykur të Serbisë. Kjo histori neve duhet të na bëjë sa krenarë aq edhe trima. Prandaj politikanët tanë do të jenë të nderuar sikur në marrëdhëniet me të huajt t`u përsërisin atyre fjalët e G.G.Markezit të thëna në 8 dhjetor të vitit 1982, me rastin e marrjes së çmimit “Nobel” se: “Por dua të besoj që ata evropianë dritëqartë që luftuan aq mirë këtu për një atdhe human, mund të na ndihmonin më tepër, nëse do të rikonsideronin mënyrën me të cilën na perceptojnë ne”.

9 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page