top of page

Nuk e di ç'ndodh me ju dardhare e dardharë të dashur


Nga Lida Lazaj


Nuk e di ç'ndodh me ju dardhare e dardharë të dashur, por unë prej Dardhe kthehem me mall të shumëfishuar. Dëshirimin e pashpjeguar e etjen e pashuar për gjithçka që ka të bëjë me Dardhën, e ngushëlloj duke i përsëritur vetes, që Dardha është mall përtej mallit, Dardha është dashuri mbi të gjitha dashuritë. Nëse malli do kishte fytyrë njeriu, tiparet do të kishin pamjen e rrugës së shkelur më tepër prej secilit e secilës, pamjen e portës së oborrit, të derës së shtëpisë, të aromave, që nuk janë si më parë, e të njerëzve të dashur, që nuk i shohim më. Mua asgjë nuk ma zbeh pamjen e kories.U linda përballë asaj perandorie të gjelbër dhe syri im i njomë sapo u çel u mbush me imazhin e mëmës, që më mëkonte me qumështin e saj dhe madhështinë e pakrahasueshme të kories, fryma e së cilës më dha zë për të qarën e parë. Kudoqofsha frymoj me mushkërinë e saj. Sikur të mundja të kthehesha atje, të binin mbi mua dëbora, shirat, mjegullat, petalet e lulekumbullave, të flija mbi jargavanët e majit, mbi lëndinat e blerta, nën qiellin e qëndisur me yje të florinjtë, përqafuar me hënën. Sikur të gjeja aty pas portës, çizmet ende me baltën e arave, xhaketën e pluhurosur me jakën, që i shkëlqen nga djersa të babit, ti mbathja e ti vishja...Ah, sikur të mundja, ta ktheja kohën mbrapsht, e të jetonim si njëherë. Ah, sikur të mundja! Sëpari do ti lidhja duart në qafën e rreshkur të babit tim e do ti thoja se sa shumë më ka marrë malli për erën e tij, për zërin e tij, për fjalën e tij. Do ti thoja, që nuk dua të rritem, nuk dua të shkoj asgjëkund. Dua të mbetem nën sqetullën tënde, nën vështrimin e mbrojtjen e syrit tënd, bijëza jote e vogël, që vrapon të të sjellë ujin e gjallë (pas 10 minutash, thoshte, uji jep shpirt).Ah, sa do të doja...Mu shfaq në ëndërr...Kishte mbjellë përfund arës te Kroi i Kovaçit, gishtërinjtë e tij. Ish arë e pjerët, tepër e pjerët, shkarrëzim, rrëshkisnin dherat. Të nesërmen, sa zbardhi dita u gjenda te Kroi i Kovaçit. I ndenja përballë, e fotografova nga larg, e pastaj më afër, i dola anash, e mblodha currilin e në grusht, si një qënie të vogël me shpirt, ju ula në gjunjë, e prita në gojë, dhe ja përgjova mërmërimën. Diç më thoshte. Si e kalon dimrin, i thashë, a ke frikë, kur era fryn e bie dëborë, kur nata bëhet shkrumb! A vijnë të pinë ujë lepurushët, a kalon këtej ndonjë njeri, ndonjë shpirt, apo vetëm ulurijnë ujq, klithin dhelpra e thyejmë shkarpa arinj. Sikur të bëhesha pa trup, pa peshë si mendimi, si malli, si dhimbja, nëpër rrugëzën e ujit, damarëve të dheut, të mbërrija tek Përroi i Manolit, te rrënjët e pishës mbi hon te arat e Xhamos! Kërkova arën e pjerët shkarrëzim. Asnjë shenjë prej are. Gishtërinjtë e mbjellë të babit, shpirti i pavdekshëm i pyllit, i kish marrë në mbrojtje dherat, që rrëshkisnin e kishin mbirë mijra filiza, ahe të rinj.Dola prej pyllit me ca shkarpa të thata e me lot nëpër faqe.Ç'nuk do jepja ta përqafoja edhe njëherë babin. Ah, që prej më tepër se tre dekadash babi është bërë erë, ujë, fllad, kujtim. Ah fjala e tij e urtë, bujaria, dashuria emblematike! Ah, shpirti i tij fisnik e njerëzor, si rrallë kush.Njerëzit, që e njohën, e më flasin me konsiderata, rrallohen. E vetmja gojë, që flet me zemër e dashuri prej motre është teta Letka, është kjo flokëargjendtë. Kjo kokë e dashur është muze kujtese, është arë e mbjellë me njerëz e ngjarje, që nuk korret e nuk djerrohet kurrë, pavarësisht moshës. Vetëm ne njerëzit, të cilët harrojmë, që papritur e papandehur mund të na mbulojë cepi i zi i mantelit të zonjës vdekje dhe ikim nga kjo botë me një barrë pengje, duhet të ndalim vrapimin në përditshmërinë tonë, tu ulemi përballë kokëargjendeve, t'ju puthim duart, ti përqafojmë, t'ju përsërisim pa u lodhur, që jemi të lumtur, që i kemi mes nesh, që nuk mërzitemi ti dëgjojmë, që thesaret, që ruajnë në zemër do strehohen e do kenë të njëjtën vlerë në zemrën tonë. Teta Letka dhe unë ishim dy zemra të hapura ballëpërballë. Koha ndaloi. Që ishim këtu, ndërhynte aroma e kekut, që piqte Odeta në furrë, ose Adriana, që kish një copë herë, që ishte ulur në tryezë e dëgjonte. Rrëfimet e teta Letkës nuk ishin si lexim me gërma te zeza shtypi në letër të bardhë. Jo! Në zërin e teta Letkës, i ndërprerë herëpashere nga ngashërimi dalloja zërin e teto Vasilos, nënês së saj, tetos së dashur, që bashkë me teto Thinon ju bënë nëna babit, xhaxhallarëve e dy hallave të mia, pas humbjes së nënës së tyre, Lefteri. Nuancat e zërit të teta Letkës, dalë nga shpirti i saj i mbushur plot mall e dashuri, sidomos kur më rrëfen për babin tim të shtrenjtë, vetëm me ngjyrat dhe nuancat, me të cilat natyra vesh korien në vjeshtë, mund të krahasohen. Sot dua vetëm ta përqafoj teta Letkën, ti puth duart, t'ja pres në pëllëmbë atë lotin si flori, që i del nga zemra me dashuri prej motre për babin tim, e ta siguroj, që çdo fjalë e saj, çdo ndodhi pasuroi thesarin tim të dashurive.

Ju falenderoj të gjithëve, motra e vëllezër dardharë, që më lexuat. Prisni së shpejti rrëfimet e teta Letkës, të shkruara prej meje!

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page