top of page

Nuk është thjesht e thjeshtë



Tregim në kohë të thjeshtë nga Fatmir Terziu


E hodhi pallton e madhe krahëve dhe ngau kalin e tij dorí në rëzë të Malit. Me vete kishte një thes me ëndrra dhe një dolli të pangritur për mikun e tij të ri që i ishte ulur në sofër pas një viti mëri për atë dolli të pangritur në ditëlindjen e të Madhit.

Në xhepin e brendshëm të palltos kishte tre fara të ndryshme, që do të sillnin në jetë pemën e ëndërruar. I kishte ndarë me kujdes në tre peceta. Farat ishin të lidhura me ëndrrën, po aq dhe me dollinë e pangritur në ditëlindjen e të Madhit.

I hodhi të trija dhe ashtu në rrëzë të malit priti të ngrihej në këmbë pema e ëndërruar, që i la dollinë në mes e që ëndrra i kishte premtuar, se do ti sillte përgjithmonë, pasuri, dituri e lumturi. Ajo pemë, që sa hapi e mbylli sytë, e pa vetë ai, aty në atë rrëzë të freskët e të paqme të Malit. E pa dhe nuk u besoi syve. Dhe u kujtua për dollinë. Dollinë e pangritur në ditëlindjen e të Madhit. E pastaj…, pastaj menjëherë vendosi ta thërrasë mikun e tij të ri. Nuk kishte tashmë me të, më mëri. Kështu që duhej ngritur ajo dolli.

1.

E ndërsa priste mikun, pas gjithë atyre jehonave që ndau e përcolli jehona e grykës ai vazhdoi me ëndërrat e tjera... Pema rritej dhe nxirrte frutat e para.

Një degë e pemës nxorri frutin e lakmisë. Kështu që gjithçka që duhej që pema të ushqehej ishte të ushqehej me nevojat e tij. Por ai nuk ndejti duarkryq. E pastroi pemën nga të gjitha barërat e këqija, dhe pastaj vendosi të gërmojë thellë për të parë se çfarë fshihej tek kjo pemë.

Atje ishte, e gjithë ndotja e tij e jashtënxjerrshme trupore, ashtu së bashku, në front të qepallave të tij.

Rrënjët e kësaj peme ishin zhytur thellë në të dhe kishin filluar të rriten e të zgjaten në të gjitha drejtimet. Zgjatime pafundësisht të pangopshme. Tashmë ajo pemë nxirrte mbi dhe frutin e lakmisë dhe nën dhe mbante farën e pangopësisë.

2.

Si mund të ndodh kjo? Një farë na doli për lakminë, një farë tjetër për pangopësinë ..? Po e treta? Ai për këtë vuri në lëvizje të madhe syrin. U përpoq të shikojë përmes misterit të farës së fundit që mbodhi të gjithë lëvizjet e dheshme e të nëndheshme për të gatuar vaktin e fundit të madh. Duke vëzhguar e ndjekur me kujdes e ndjeu se e treta po vonohej... Atëherë vuri në punë trurin e tij. E donte me të gjithë arsyen të dinte kuptimin e së vërtetës. Donte të dinte se çfarë duhej të bënte më tej me ëndërrat e tij.

E që të vinte në lëvizje ëndrrat ra në gjumë aty nën hijen e saj peme. Ëndrrat, si ëndrra i dolën menjëherë dhe të gjitha i ngatërroheshin me dy frutat e kësaj peme, që i nxorri nxitimthi: lakmia dhe pangopësia.

Për një moment u trondit. Kishte frikë se kishte mbjellë bashkë me tre farat edhe ëndrrat e tjera. Kishte frikë. Po sikur t’i kishte humbur? Si do t’i tregonte mikut të tij të ri? Po pastaj a duhej më ajo dolli për ato tre fara?

E dinte që i detyrohej shpirtit të kësaj peme, për njohurinë që i jepte dhe ndaj vazhdonte të besonte ...

U përpoq të risillte ëndërrat duke i rithirrur pas gjumi në kujtimet e tij, por si gjethet e pemës ata filluan të bien e të bien ... përfundimisht ...

3.

E gjitha rikthehej në pleh. Pleh. Pleh. Pleh...

Dhe fap u ngrit. Pranë tij ishte kali dorí, torbat e tij, dhe miku që po trokiste atë dolli.

Zgjohu! Zgjohu, ore mik, zgjohu tani.

Këtu paska mbirë një pemë. E sheh, e ke në sy!

Po, po e shoh... e shoh ka disa ditë, që më ka errsuar edhe sytë.

Ajo po më vret mua çdo ditë, duke jetuar, duke e njohur atë, jo për mua .. jo më thjesht për mua ...

4.

E hodhi pallton e madhe krahëve dhe ngau kalin e tij dorí prapa rëzës së Malit. Me vete nuk kishte më një thes me ëndrra, as edhe atë dolli të pangritur me mikun e ri, që i ishte ulur në sofër pas një viti mërije për atë dolli të pangritur. Kishte tashmë lakminë dhe pangopësinë, me të tretën të strukur në sy ku mbahte ngrohtë brendësinë.

Ikte fluturimthi me kalin e tij dorí dhe pyeste veten: sa kohë do më duhet të mbjell e të rimbjell lakminë dhe pangopësinë që të zbukuroj brendësinë?

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page