top of page

Një vëllim poetik për fëmijë me mesazhe metaforike


Shkruar nga Kostandin Vogli

Një vëllim poetik për fëmijë me mesazhe metaforike

“PIKAT E HARRUARA Të SHIUT”

Të shkrimtares VANGJE MIHANJ – STERJU.

Fillimisht lexova parathënien e goditur dhe të studjuar mirë të përkthyesit në Shqip, Vangjush Ziko. Një parathënie dhe një përkthim me nivel të lartë. Ky përkthim është bërë shumë vite më pare, por mua tani më ra në dorë, dërguar bujarisht nga vet autoria Vangje, shoqëruar me gjashtë libra të tjerë në gjuhët arumune dhe maqedonase. Ndërmjet atyre që flasin për fiset e saj Vllehe, janë edhe disa që u kushtohen fëmijëve.

Në këtë rast kemi të bëjmë me hapsira kohërash të shkuara dhe të tashme, sjell në vëmëndje të lexuesve, se ajo rrjedh nga një popull Arumun. Popull me histori dhe që ka dhënë shumë në historinë e maqedonasve dhe Ballkanit njerëz të mëdhenjë, e deri tek emri I Vanghe Mihanj – Sterju.

Me jetën e Vangje Srerju u njoha jo vetëm nga sa ka shkruar ajo për veten e saj, por edhe nga një studim që i ka bër veprimtarisë së saj 47 vjeçare si krijimtare në 72 vitet e saj, poetja dhe mikja e Vangheas dhe e jona Iliriana Sulkiqi, e cila ka shkruar: “E vetmja shkrimtare në botë me origjinë arumune që ka arritur nivelet më të larta në letërsinë e popullit arumun në nivel ndërkombëtar”.

Ndërsa Vanghea e shpreh kështu dashurinë që ka për poezinë: “Poezia është aq e bukur, siç

është e bukur gruaja në ballin e burrit, apo floriri në ballin e gruas”.

“Pikat e harruara të shiut” është një libër me poezi për fëmijë, nga të 65 librat e botuara prej

saj, nga të të cilat 10 janë romane, 40 libra të përkthyera në gjuhët arumune dhe maqedonase nga autorë të huaj botërorë. Kjo fal zotërimit prej saj të disa gjuhëve. Autorja ka fituar 40 çmime ndërkombëtare dhe kjo nuk ështe meritë e vogël. Si një grua, nënë, gjyshe dhe mike e fëmijëve, u ka kushtuar shumë vëmëndje e dashuri duke shkruar për ta, e drejtuar dhe nga një mission. Që fëmijte të duan atdheun e tyre dhe të respektojnë e të mësojnë gjuhën dhe zakonet e të parëve të tyre. Prandaj poetja ka një përkushtim të pa ndërprerë për artin dhe kulturën e kombit të saj, krijimtari publicistike dhe poetike. Poezia e Vangheas, sigurisht duke përfshirë edhe këte vëllim, “Pikat e harruara të shiut”, së bashku me libra të tjerë janë përkthyer në mbi dhjetë gjuhë te botës. Ështe AMBASADORJA E POPULLIT ARUMUN, dhe mbështet të drejtat e tij. Përkujdeset për ruajtjen e kultures dhe gjuhën e popullit që

përfaqëson.

Me poezitë për fëmijë tek “Pikat e harruara…” mundohet që të mbaj ndezur duke i

ledhatuar fëmijtë me poezitë e bukura të shkruara në gjuhën e saj arumune dhe në gjuhën

maqedonase. Nga stergjyshërit e vllehëve në atdheun e tyre kanë ngelur rrënojat e mbuluara

nga myshku disa shekullor. Mbi ato gur ka vetëm heshtje. Vangjysh Ziko në parathënien e tij

permënd se aty “tingëllon akoma fjala njerëzore”. Ato flasin në heshtjen e tyre. Ajo heshtje

këlthetë: mos na harroni. Mos harroni gjuhën, zakonet, djersën që na vaditi. Këngët që na

ledhatuan. Dhe autorja e palodhur është nga të parat dhe të vetmet që i vë në jetë ato përosi.

Që gjuha e tyre të mos harrohet.

Vanghea po bën një luftë dhe e ka të fituar. Me një kulturë të fituar në fakultetin e letërsisë

dhe atë të artit, Maqedoninë e quan atdhe, ashtu si atdheun e të parëve të saj. Dhe poezinë e

parë në këtë libër “Pikat e harruara..” e ka për Maqedoninë. “Maqedonia atdheu im”. Ja disa

vargje. “Ky atdhe si lule…Ky atdhe ndriçuar… Ky atdhe i këngës… Ky atdhe flamur…”

Dashuria tjetër e madhe e saj është për nënën, ku mamasë i përkushton shumë poezi.

Ndërmjet të tjerave shkruan: “Në shpirtin tend mama, thesare ka të çmuar. S`jam kurr fukara,

me dashuri mbuluar”. Ngrohtësia e nënës nuk ka të çmuar. Vanghea ka shprehje pa mbarim për mamanë. Ajo që edukon fëmijtë, mësuesja, poetja e ka rreshtuar pas nënës. Mësuesja shkëlqen si hëna dhe u ngroh zemrat për çdo mëngjes nxënësve. Duke i dashur shumë fëmijtë, poetja ka edhe kujdesin për shëndetin e tyre. Lumturia e fëmijëve e rinon poeten. Por ajo nuk kursehet as për kritika, të cilat duhet ti kenë parasysh fëmijtë.

Me librat e botuara për të rritur dhe fëmijë, si romane, drama, shfaqje, filma, dhe si

kompozitore ( muzikante ), ajo përfaqëson indntitetin e saj kombëtar në mbarë botën. Ajo

është edhe themeluese dhe kryetare e parë e shoqatës së grave vllehe maqedonase. Ka

themeluar gazetën e parë të shkrimtarëve, dhe themeluesja e revistës për fëmijë arumunë, e

shumë e shumë të tjera.

Tek ky libër poetik “Pikat e harruara…” që fëmijtë të mos harrojnë, autorja i përmënd dhe

përshkruan shumë nga sendet. Në këtë mënyrë së mësuari në vargje poezie, fëmijtë bëhen të njohur me shumë sende të përdorimit të përditshëm.

Ç`na sjell vera! “Ngrohna, diell, ngrohna, vera është e jotja…” Degët rëndojnë nga kokrrat e

rënda; … Vera është nuse… Dielli është mbret…”Ai është si ari që pluhuron fushat dhe gjithë

bukuritë e botës zbukurojnë pemët dhe fushat me prodhime. Fenomenet e natyrës poetja i

përshkruan me vargje dhe fëmijtë njihen me to. Njihen me stinët, me muajt kur rriten dhe

piqen prodhimet bujqësore, dhe frutat. Por Gushti kur vjen, vjen si një nikoqir i madh. Muaji

Gusht është muaj i pjekur, jo i plakur, por muaj kapedan. Ama poetja na sjell edhe vjeshtën me rrush plotë. Por fillojnë edhe erërat, shiu i ftohti që po troket. Era e inatosur, sepse është e

mbyllur, lëshohet si e tërbuar, dhe në emër të fëmijëve poetja i heq vërejtjen. “Hej, moj erë,

erë, përse je inatosur, ç`ma përplase derën; mblidh mëndjen, ç`kërkon, asnjë s`të nderon…”

Pastaj pikat nga retë e zeza. Poetja mendon edhe për fushat e thara. Tokën e plasaritur.

Mendon që edhe festat i gëzojnë fëmijtë, sidomos bredhi, Krishtlindjet, viti i ri.

Për tu njohur fëmijtë me kafshët, autorja ka permëndur shumë prej tyre. Si e kanë ndërtimin

dhe punët që kryejnë, bukurinë e tyre dhe kënaqësia e fëmijëve. Shumë kafshë të buta dhe të

egra. Njihen me dobitë e kafshëve shtëpiake, të pyllit, dhe sidomos me kafshët e egra dhe

egërsinë e tyre. Qëllimi i autores është që fëmijtë të njohin gjithshka. Me dobitë dhe dëmet.

Bukuritë e dëshiruara, dhe bukuritë e egra. Sepse ç`do gjë në natyrë është e bukur,

pamvarësisht dobisë së sejcilit.

Pikat e harruara të shiut”. Kush I ka harruar! Pyet Vangjush Zyko që e ka përkthyer këtë

libër për fëmijë. “I harroi qielli, apo I harroi dheu”. Ky është fenomen që ndodh. Ka lagështirë,

por ka edhe thatësirë. Ama ato pikat e harruara do të bien. Bile me shumicë dhe ç`do gjë do të gjelbërojë. Të gjitha plotësohen me këto poezi të librit, dhe lulëzimi vjen varg më varg me

fusha, lënduna, pemë, kafshë e shpendë.

“Pikat e harruara…” nuk kanë vetëm atë kuptim. Nuk japin vetëm ato mesazhe. Me pikat e

harruara duhet të edukohen fëmijtë arumunë, se atdheu i tyre është Maqedonia. Aty ku u ka

rënë koka. Qëllimi i saj është që maqedoninë ta duan. Të flasin dhe të shkruajnë gjuhën e saj.

“Pikat e harruara…” është qëllimi i saj, të mos harrohet gjuha dhe zakonet e të parëve. Të

stërgjyshërve. Ta mësojnë për ta shkruar dhe për ta folur atë gjuhë të dashur. Bashkëjetesë me të dy kombet. Në këtë mënyrë nuk do të ketë (pika të harruara), të asaj që mban të kultivuar në shpirt. MOS HARRO Të PARËT E TU. Besojë se fëmijtë e gjithë botës e kapin këtë mesazh, sepse në të gjitha shtetet ka lëvizje njerëzish që vijnë nga vënde më të dobëta.

Mesazhi që merr nga ky libër është: mos i harro zakonet dhe gjuhën e vëndit tend nga e ke

origjinën. ETNOKULTURËN TËNDE. Fëmijtë e vegjël edukohen, dhe moralin që u mungon e marrin natyrshëm me këto vargje kuptimplote artistike të poetes dhe gruas së palodhur

arumune, e cila është shpresa që do mbajë gjallë gjuhën, letërsinë dhe zakonet arumune.

Libri “Pikat e harruara të shiut” dhe jo vetëm ky, janë të shoqëruara që nga kopertina me

skica të pikturuara nga vet Vanghea, sepse ajo ka mbaruar edhe shkollën e arteve dhe është një krijimtare në pikturë.

Ky libër është shumë i pëlqyshëm për lexuesit shqiptar, dhe sidomos nga fëmijtë. Por është i

vetëm nga të shumtat që ka botuar Vangje. Besojë se do të shikojmë edhe botime të tjera.

E përshëndes poeten, piktoren, kompozitoren, prozatoren, studjuesen, patrioten, gruan,

nënën, gjyshen me talent dhe shpirt të madh krijues VANGJE MIHANJ – STERJU.

KOSTANDIN VOGLI

Shkrimtar



74 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page