top of page

Një roman që ngre lart dhe nderon shqiptarët



Një roman që ngre lart dhe nderon shqiptarët


Prof Dr Fatmir Terziu


Para disa ditësh, me një rekurs kohor si shkak i Pandemisë dhe mjaft ndodhive të tjera personale, në takimin e radhës me Ambasadorin e Shqipërisë në Londër, Qirjako Qirko biseda përveç të tjerave preku dhe një tematikë të njohur që lidhet me ndihmën e popullit shqiptar në kohën e Luftës së II Botërore ndaj komunitetit Hebre. Ndërsa biseda shkonte në shtratin e saj, Ambasadori e ndjente krenari të ritregonte emocionet e një ekspozite të Yad Vashem Britani e Madhe të organizuar nga Bordi i Deputetëve në Angli mbi heroizmin e shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve. Ekspozita sipas ambasadorit kishte disa efekte. Kryesori ishte se hebrenjtë britanikë mësuan aty më shumë për heroizmin e shqiptarëve, që shpëtuan hebrenjtë gjatë pushtimit nazist. Ambasadori Qirko, tregoi se kur iu drejtua publikut të pranishëm duke u thënë se “historia e mbrojtjes së popullsisë hebraike në Shqipëri është e jashtëzakonshme”, duke shtuar se ishte “një shembull i shkëlqyer i njerëzimit dhe një mësim për brezat e ardhshëm”, ata shpërthyen në duartrokitje.


Duartrokitje të tilla janë ndjerë vetëm në ditët kur Covid-19 pushtoi Botën dhe kur në rrugët e Britanisë së Madhe, i madh e i vogël, pa dallim, duartrokisnin herronjtë e NHS. Ngjashëm? Ndoshta me një lidhje të thjeshtë, që tregon se të gjithë luftërat bëjnë një gjë të mirë, sjellin mesazhe bashkimi dhe respekti, sakrifice të njeriut për njeriun. Me këtë preambulë është përgjigjur për mediat edhe autorja e librit, „Out of the Mountain's Shadoë” (Jashtë Hijes së Malit), Rose Alexander, ndërsa në thelbin e këtij libri ka vendosur dashuri dhe dhimbje të frymëzuar nga histori të vërteta. Ajo është shprehur, ndërsa libri i saj emocional ka parë dritën e botimit më 10 qershor: “Në rrugën time në Kentish Town, të gjithë duartrokitën së bashku, bënë blerje ndihmash për të tjerët, bënë bamirësi dhe u futën për të ndihmuar fqinjët. Kjo bëri një lidhje të bukur me librin tim. Unë shpesh kisha menduar nëse njerëzit në ditët e sotme do të ishin aq të guximshëm dhe vetëmohues si shqiptarët për të cilët kam shkruar dhe ka qenë ngrohëse e zemrës për të parë që ne nuk e kemi humbur plotësisht atë aftësi. Padyshim, pandemia nuk është aspak si tmerri dhe persekutimi i Holokaustit, por megjithatë ka qenë mirë të shohësh që njerëzit mund të veprojnë në mënyrë altruiste dhe diçka pozitive mund të dalë nga ngjarjet e tmerrshme të vitit të kaluar.”

Dhe shqiptarët e bënë këtë në kohë të vështirë lufte, kur rrezikohej jeta e tyre. E ata e bënë për të shpëtuar Tjetrin. E me Tjetrin madje ndërtuan dhe linja dashurie. Në Shqipëri, është zakon që t'u ofrohet mysafirëve besnikëri dhe mikpritje dhe të garantohet siguria e tyre. Sapo një shqiptar t’i ketë dhënë një mysafiri fjalën e tij, ‘besën’ e tij, ai duhet ta zbatojë atë. Është kjo traditë që kontribuoi për t'u dhënë hebrenjve nga e gjithë Evropa strehë të sigurt gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Me këtë kod të “Besa” në romanin e autores vijon linja e dashurisë së shqiptarit Bekim me vajzën Hannelore. Një dashuri thuajse me shikim të parë. Në narrativ dashuria lind si një shkëndijë fëminore, ndërsa zjarri i luftës dhe rreziku i pushtuesit të egër nazist kërkon të djegë e të shkatërrojë çdo gjë. Kjo linjë shkon në një arsye të thellë, në detaje të rëndësishme në roman, dhe mesazhi është mjaft i bukur, shpëtimi i jetës së Tjetërit, pa marë parasysh asgjë, edhe humbjen e jetës tënde. Kjo është dashuria e shqiptarëve e bekuar në kodin e tyre antik “Besa”, të cilin narrativi i romanit e bën mjaft të gjallë. Ajo që fillon si besa e Bekimit ndaj familjes së Hannelore, zhvillohet në dashuri ndërsa ai bën gjithçka që ka mundësi për t'i mbajtur ata të sigurt.

Në këtë lidhje natyrshëm është ajo që ndodhi në vitin 1939, e më pas me ikjen e fashistëve italianë, pushtuesi tjetër nazist e bën më të zhdërvjellët situatën. Ata që strehuan hebrenjtë, ishin shqiptarë të varfër, por kishin një zemër të madhe. Ky detaj bëhet transparent dhe në tërë arsyen e narrativit ndjek familjen hebreje, që gjen vend të shenjtë në Shqipëri, pasi u arratis nga Austria dhe nga ngjarjet e Kristallnacht. Kështu në roman tregohet një pjesë kryesisht e panjohur e Holokaustit, po aq sa të dy linjat e dashurisë në kohë dhe hapësirë tjetër thuajse gjenë pikëtakimin e tyre në Italinë e vitit 2019-të kur një amanet dhe një dashuri tjetër zgjon kërkimet e mëtejshme të artefakteve në malet e Shqipërisë. Në këtë linjë janë Ruth dhe Zak, ata që kërkojnë të shkojnë deri në fund të asaj që narrativi e qas si zgjidhje e një misteri për babanë e tij që po vdes.

Në roman mësojmë për Bekimin të bëhet një partizan që lufton për të fituar lirinë e vendit të tij, po kaq lotët dalin vetvetiu kur Hannelore u largua nga Shqipëria për në Amerikë. Nga ana tjetër linja e dashurisë së vitit 2019, ajo mes Zak dhe Ruth, natyrisht është një linjë që i duhet romanit për të ndriçuar mjaft enigma, tek të cilat lexuesi jo vetëm lexon, por kupton qartë shumë gjëra që lidhen me vyrtytin e besnikërisë së shqiptarëve në shekuj.

Alternimi midis historisë së Bekimit, të ndodhur në vitet e Luftës së II-të Botërore, dhe asaj të Ruth dhe Zak në të tashmen, pikërisht në vitin 2019, është një përzierje e përsosur. Zak, duke qenë djali i Bekimit, që jeton në Itali për vetëm tridhjetë vjet, duke takuar Ruth, e cila po qëndron me pushime në një apartament, pikërisht në rrugën ku jeton ai. Zak duke i dhënë Ruthit historinë e jetës së babait të tij dhe Ruth, si një ish-gazetare e hetimeve, është e zhytur plotësisht në historinë e dashurisë së Bekimit me Hannelore. Sigurisht interesante është dhe mbetet vajtja në Shqipëri, ku Ruth takon edhe prindërit e Zak. Sidoqoftë, në të dy historitë, personazhet e pasurojnë thelbin e kodit shqiptar të “Besa”, që shkon në narrativ duke vendosur nevojat e të tjerëve në radhë të parë.


64 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page