top of page

Një roman me diskursin tronditës...


Një roman me diskursin tronditës të kohës „monstër“ që ripërsërit vetveten

Prof Dr Fatmir Terziu


Faqja 182 e romanit të ri të shkrimtares Nexhi Baushi na shpie në skutat ku njeriu i kohës cek njeriun e kohërave, duke shkuar në një risi që vetëm koha na e jep me simbolikën e ndjeshme të saj. Dhe ne themi historia përsërit vetveten…, dhe natyrisht kjo faqe që kulmon me pëshpërimën e dhimbjes, na sjell faktin që diskursi kohor të na vërtetojë se asgjë nuk ka ndryshuar ende në rrjedhën e një jete që mbahet midis gozhdës ku varret drejësia dhe fati i njeriut, fati i dashurisë së tij. Mjafton të dëgjosh Alimi në dialogun me prokurorin e saj kohe të kuptosh tërësinë që ka qenë dhe mbetet në këtë dhimbje sa historike, aq dhe domethënëse në këtë diskurs. Për ta bërë më të qartë po japim këtë dialog:

„-Shoku prokuror, - ia nisi Alimi të përsërisë po ato fjalë që kishte thënë, - Arifen e kom godit unë me bisht t'sopatës, por nuk doja ta vrisja, por ta trullosja me qëllim që ta rrëmbeja. Çuni im, shoku prokuror, që i vogël ka qenë i smunë mendor, oshte e vërteë që m'ka pru shumë telashe, por atij nuk i shkon nëpër mend të arrrijë deri këtu“. (Baushi, faqe 182). Dhe ky është Alim Jakup Hasa, protagonisti i këtij diskursi të turpshëm, faktori fajtor, që tashmë në narrativ i vihen prangat. Por kohës nuk i vihet asgjë. Asnjë prangë. Prangat vetë koha i mban në sirtarin e saj dhe i tund e i shkund sa herë që të duhet e të thuhet se fati i një dashurie, i një vajze është në këtë lojë sistemesh, në këtë lojë „të metash mendore“. E krimi mbetet krim, e në këtë rast nuk ka rëndësi as për emrin e Shefkiut, djalit të Alimit, që mbetet në këtë rrëmujë kohore, as në grup-krimin që vret e rivret vetë kohën e shpenzuar për të rivrarë krimin e krimit të narrativit. E kështu mbetemi tek koha që kapërcen vetë kohën.


Koha bën të veten, historia përsëritet, në disa raste lutemi që gjëra të tilla të mos ndodhen e të mos përsëriten gjithandej, megjithate pyetja shpesh herë shkon më thellë se kaq, nëse neve do ta kuptojme diskursin e kësaj përsëritjeje, ose të kësaj dëshire në një mister „dashuri“ të ndaluar, ne shkojmë tek shkrimtarja Nexhi Baushi, e cila tashmë pasi ka botuar pesë libra me poezi, “Kur loton Qielli”, “Autograf i pazbardhur”, “Poezia m’i solli pranë sytë e tu”, “Sonte dyshoj që yjet shuhen”, “Gurim i memorjes”, librin “Brezat” (Fragmente ngjarjesh e portretesh të një gjenealogjie në rrjedhë), novelën “Pengu”, “Bota e pashme dhe ajo e ndjeshme” (Mbresa refleksione, vështrime letrare), dhe romanet, “Mall që djeg”, “Dritaret e vogla të shpirtit”, vjen me romanin e riOrlina”.

Sikurse e cituam, në këtë roman autorja në fakt na përcjell një ngjarje sa interesante, aq edhe tronditëse, pikërisht këtu fillon zanafilla. „Në fshat, që nga dita e ngjarjes, vesh më vesh qarkullonin fj alë se krimin me siguri do ta ketë bërë Shefk iu, për t’u hakmarrë nga prishja e fejesës dhe lidhja e Arifes me Kajon. Shumë kishin dëgjuar premtimin që kish bërë Shefk iu, se atë vajzë nuk do ta gëzonte askush tjetër, por nuk i kishin dhënë rëndësi, pasi të gjithë e dinin trurin e tij të mbrapshtë. Që nga nata e krimit, askush nuk e pati parë vërdallë fshatit, gjë që rallëherë ndodhte.“ (Faqja 167). Nexhi Baushi u ndikua nga kjo rrëfenjë, e cila erdhi në veshin e saj, kohë më parë, ndërsa rritej pezmi i kësaj dhimbjeje kaloi përmasat dhe një ditë të bukur ajo mori penën dhe letrën dhe u ul pranë kompjuterit për të hedhur të gjitha ato çfarë kishte në mendjen e saj. Jo vetëm kaq por do t’i duhej një udhëtim, të udhëtonte nga kryeqyteti i Shqipërisë, pikërisht atje ku kjo zanafillë nisi, në Steblevë të Gollobordës dhe për këtë gjë, autores do t’i duheshin dy ditë për të dëgjuar me hollësisht të gjithë ngjarjen e vërtetë të tragjedisë familjare që tronditi jo vetëm fshatin, por të gjithe krahinën e Gollobordës, për të vetmen arsye, sepse nuk ishte dëgjuar asnjëherë që të kryhej një vrasje dhe aq më keq të një vajze adoleshente të fejuar qysh në djep nga i ati. „e kishte fejuar djalin e tij, që kur ishte katër vjeç, me vajzën e Ismail Llapës, edhe ajo foshnjë, madje i kishte dhënë atij edhe pará.“ (Baushi, 181).

E gjithë ngjarja e treguar me detajet të hollësishme nga e motra e viktimës do të trondiste edhe vetë autoren, e cila kërkon me ngulm që të shkonte pikërisht në vendngjarje, dhe atje ku prehet adoleshentja e bukur, viktimë e një mentaliteti të asaj periudhe. Gjatë gjithë rrugës me një mjet fuoristradë, së bashku me motrën e viktimës dhe drejtuesin e automjetit, banor i Steblevës, i cili e njihte me pëllëmbë vendin, përshkoi të gjithë itenerarin, duke u ngjitur monopateve e kodrinave deri në vendngjarje, për të mësuar me konkretisht si ka ndodhur në të vërtetë kjo ngjarje në vitin 1966, e cila atë kohë bëri bujë të madhe. Pasi zbritën nga makina në rrafshnaltën e Kormakajve, së bashku me shoqëruesni dhe motrën e viktimes mori rrugën tatëmpjetë pyllit mes pemëve të larta ahu.

Çdo hap duhej bërë me kujdes mos rrëshkisnin për shkak të gjetheve të thara që kishin krijuar një trashësi të konsiderueshme e që më pas ktheheshin në humus. Gjatë gjithë rrugës motra e viktimës dhe shoqëruesi nuk rreshtën se foluri. Autorja thithte çdo fjalë dhe me mendjen e saj imagjinonte skenën e tmershme të tragjedisë. Më pas u gjend edhe vendndodhja e vrasjes: „kishin gjetur vajzën e Ismailit të vrarë në pyll“ (faqja 166). Dy shtylla betoni me largësi dy metra në drejtim veri jug ndodhej ai vend ku viktima u gjend e vrarë nga goditja me sopatë. Në rrëze të ahut ishte vendosur nje pllakë ku ishte shkrojtur një epitaf, por sytë e autores të mjegulluar nga tronditja nuk mundi të shikonin se çfarë ishin shkruar, sytë e saj në atë moment shihnin vetëm disa heroglife të pakuptimta të cilat ngërtheheshin në atë pllakë guri në një gjuhë që nuk kuptohej, dhe që ishte unikale në të gjithë botën, sepse në të vërtetë, ngjarje të tilla ndodhnin kudo dhe kurdoherë. Madje nga ndodhia e asaj dite të mënxyrtë, autorja imagjinon sikur kish qenë prezent në përpjekjet, kishte dëgjuar piskamat për ndihmë dhe përpëlitjet e një vajze të hijëshme adoleshente, e cila mundohej me mish e shpirt të shpëtonte nga kthetrat e pesë burrave, të cilët i ishin vërsulur si hijena për ta rrëmbyer, dhe ajo nuk kish patur mundësi ta shpëtonte nga kthetrat e tyre, madje imagjinoi edhe se ku e kishin fshehur sopatën autorët e krimit: „unë i varfri e pandeha kafshë të plagosur“ (rrëfenja e bariut që pa viktimën në vazhdim të po kësaj faqeje).

E kështu faqe pas faqe narrativi në këtë roman të Nexhi Baushit merr diskursin e tij të vërtetë, ku e bën një roman me diskursin tronditës të kohës „monstër“ që ripërsërit vetveten. Realiteti i shtjelluar me një gjuhë të rrjedhshme, hera-herës origjinale e hera-herës të shtjelluar e të huazuar në rrjedha të vetë gjuhës së përditësisë së treguar n ashpie tek disa pyetje për autoren e këtij romani të ndjeshëm e tepër domethënës.


Pyetje: Një roman që vjen nga pena e një shkrimtareje të lidhur me atë zonë, një dhimbje e ndjeshme femërore që shkon në një trajtesë të tillë diskursive, ku synon sipas jush?


Nexhi Baushi: Sa herë që shkoja për verim në fshat kisha dëgjuar nga persona të ndryshëm, se si u krye vrasja makabre e një vajze adoleshente 16 vjeçare në Steblevë. Kjo gjë kishte tronditur me të vërtetë të gjithë fshatin në atë kohë. Tregimet e asaj ngjarje m’u ngulit thellë në mendje, por akoma nuk ishte pjekur ideja, madje as nuk më shkonte ndër mend se mund të shkruaja ndonjë herë për këtë ngjarje. Me viktimin pothuajse ishim moshatare. Në të vërtetë ngjarja ka qenë tepër e komplikuar. Babai e kishte shitur vajzën dy herë, brenda një rrethi familjar, ku baballarët e djemve ishin vëllezër, por e fejoj me djalin që i ati kishte dhënë më shumë para. Ky gjë shpuri në armiqësi tre familje, të atin e vajzës dhe dy baballaret që ishin vëllezër. Por unë Fatmir, rrëfenjën në roman e kam shkruar ndryshe. Sikur i ati e kishte fejuar që në djep të bijën, ndërsa ajo në moshë14-15 vjecare ishte dashuruar me një djalë tjetër, Kajon, që në të vërtetë i ati e kishte fejuar. Shkrimi i këtij romani ka patur për qëllim të përjetoi ngjarjen dhe kujtimin e vajzës adoleshente, që ra viktimë e një mentaliteti mjaft të rëndë në ato vite. Në fakt për të shkruar këtë roman jam menduar gjatë, edhe kam lexuar shumë, sepse libri ka shumë episode të rënda e të vështira dhe duhej të kisha kujdes në trajtimin e librit në mënyrë që të mos dilte një libër gazetaresk, por një libër i mirëfilltë letrar. Më është dashur të lexoj shumë për hetuesinë, jam konsultuar edhe me persona të fushës, në gjykimin e çështjes kam patur parasysh edhe eksperiencën e gjyqeve që kam zhvilluar vetë për marrjen e pronave, por natyrisht në libër ka tjetër trajtesë.


Po hetimi si ju ka rënë në dorë?


Hetimi është bërë nga dy rrethet Dibër dhe Librazhd, si rrjedhoje e përkatësive administrative të fshatrave. Steblevë, Qarrishtë, ku kam nxjerrë në pah se si Prokuroria e Librazhdit e zvariste çështjen me qëllim që të lehtësonte dënimin e fajtorit, sepse për këtë ka patur mjaft ndërhyrje, në të kundërtën Prokuroria e Dibrës e ka hetuar korrektësisht dhe ka mundur të zbulojë se kush është vrasësi i vërtetë, pavarësisht se gjykata vendosi dënimin me vdekja për babain e vrasësit, sepse ai e mori përsipër vrasjen, madje këmbënguli për të shpëtuar të birin. Më pas ka ardhur gjykimi dhe vendimi. Këtu jam ndalur mirë. Në Steblevë, por jo vetëm, ka patur fenomene të tilla, megjithëse tek tuk ishin të rralla, bëheshin fejesa që në djep. Stebleva ka qenë dhe është një fshat i cilivizuar e kjo për shkak të emigracionit të kryefamiljarëve brenda dhe jashtë vendit. Baballarët dëshironin me çdo kusht që fëmijët e tyre të shkolloheshin dhe kjo nuk bënte përjashtim si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Stebleva ka patur dhe ka familje të shëndosha, gra punëtore dhe fëmijë të edukuar. Megjithatë ka patur raste që disa djem të shkolluar në universitet, që kanë qenë të fejuar me shkuesi, që të rinj, janë ndarë, sepse janë dashuruar me vajzat që kanë njohur më vonë.


A ka ndonjë nxitim apo vonesë në këtë trajtim të narrativit?


Mendoj se për të shkruar këtë libër nuk jam nxituar, dhe nëse do ta lexoni do t’më jepni të drejtë, pasi kam kam qenë mjaft e vëmëndëshme dhe e preokupuar që të jem sa me realiste, libri të këtë një rrjedhshmëri dhe të jetë i gërshetuar bukur me qëllim që të jetë sa më bindës. Kam patur si qëllim të trajtoj edhe episode të bukura të jetës në fshat dhe jam ndaluar në traditën e bukur të dasmës. Ka episode te bukura idilike si dhe përshkrime të natyrës së fshatit. Për vrasjen e Vajzës e kam bërë një analogji me një legjendë, që e kam ideuar vetë, sikur ka ndodhur qindra vjet më parë dhe që atëhere fshati ishte betuar që vajzat dhe gratë do t’i ruante si sytë e ballit, do t’i donte dhe do t’i trajtonte ashtu siç e meritojnë.

Duke parë këtë pikë, si mendoni se cili është mesazhi për lexuesin?


Mesazhi që përcjell tek lexuesi është se fenomeni i trajtimit të gruas është i kahershëm, sepse ajo në shumë raste është trajtuar si objekt e jo si njeri, shpesh është përbuzur, dhunuar verbalisht dhe fizikisht, është fyer fenomene këto që kanë qenë dhe janë prezente edhe sot, madje kohët e fundit janë shtuar shumë kudo në botë, si në vendet e zhvilluar ashtu edhe në vendet më pak të zhvilluara, si në vendet rurale po ashtu edhe në qytete. Raste të tilla ka edhe sot, madje edhe më brutale edhe më tronditëse. Që kur lind një vajzë, baballarët dhe nganjëherë edhe gjyshërit e kanë trajtuar foshnjën femër, si mallkim dhe jo si bekim. Gruaja është gjysma e shoqërisë, që ka mëkuar dhe mëkon në prehërin e saj gjithë qënien njerzore. Gruaja është elementi-struktura më e fortë brenda familjes. Dhe sa më e shëndetëshme të jeta ajo, aq më e shëndetëshme do të jetë edhe shoqëria.


Dhe tashmë ndërsa ndjekim edhe fjalën e autores, natyrisht me një lexim të përpiktë, arrijmë në një përfundim se ky është një roman i munguar, i ndjeshëm, i domosdoshëm, dhe mjaft i denjë të konkurrojë. Themi kështu pasi ai trajton një temë të mprehtë për një zonë dygjuhëfolëse, që gjithnjë ka qenë midis dileës dhe fatit, midis dashurisë dhe diktatit e mjaft gjërave ku burri, ishte patriark dhe sistemi ndërtuar i patriarkatit e mbante gruan sikurse u citua më lart. Ndërsa e themi këtë për këtë roman mjaft interesant, natyrisht le të themi shkurt edhe për vetë romanin, historinë e dashurisë, që trajtohet bukur nga shkrimtarja Nexhi Baushi.


Historia e dashurisë së Arifesë


Historia e dashurisë së Arifesë, një fshatareje të thjeshtë nga një fshat i largët i vendit në Steblevë, me Kajo Hasën, do të emocionojë çdo lexues, pavarësisht kohes kur ka ndodhur ngjarja. Vetëm gjashtëmbëdhjet vjeçe, Arifja bie në dashuri me djaloshin Kajo, që atë kohë nuk ishte vetëm një nxënës shkolle kur u njoh ne pyjet e Steblevës pranë Prisojit kur kullosnin bagëtitë. Në pak ditë zemra e vajzës së re do të pulsonte për djaloshin me flokë të verdhë me balluke mbi ballë, i cili ka të njejtat ndjenja për të. Buzë “Përroit të Cfarkajve” i fryrë nga shkrirja e borës, dhe në pyjet ku gjallonte pranvera, ajo dëgjojë fjalët më të ëmbla të dashurisë prej tij. Kajo i thoshte se do të vinte një ditë, kur ai të kishte mbaruar Shkollën e Mesme Pedagogjike ne Elbasan, do të realizonte ëndrrën e tij të kaherëshme dhe do të martohej me Arifen e do të bëhej gruaja e tij. Në mendjen e saj Arifja ëndërronte ditën e saj të madhe, dasmën kur do të bëhëj nuse e do ta merrnin shaluar mbi një kalë të nbardhë, të mbuluar me duvakun e kuq për t’u martuar dhe për të kaluar një jetë të lumtur pranë Kajos...

Fundi i historisë së dy të rinjve është tragjik. Ky tragjizëm çshtë pasojë e një realiteti të hidhur pjellë e asaj kohe. Në Steblevë, nuk kishte ndodhur kurrë, që një vashë, në moshën e adoleshencës të dashurohej marrëzisht me një djalë, gjë e cila do të sillte një fund tragjik. Një tragjedi për dashurinë e pamundur, nga disa rrethana vulgare dhe mentaliteti i asaj periudhe, Arifja e fejuar që në djep nga babai i saj, konsiderohej pronë e familjes së Alim Hasës, djalit të tyre Shefki Hasa. Kur Alimi Hasa mori vesh se e fejuara e djalit të tij ishte dashuruar dhe fejuar me nipin e tij Kajon, nuk e duroj dot këtë poshtërim, që po i bëhej familjes së tij dhe vajti në familjen e ish krushkut ku u zhvillua një debat i ashpër. I biri Shefkiu, i sëmurë mendor si pasojë e një sëmundje të rëndë fëminore, pati një xhelozi të frikëshme, aq sa arriti ta ndërpresë në mes atë dashuri të madhe e të dëlirë midis dy të rinjve dhe ta vrasë Arifen në mënyrën më macabre. Ky është një libër që të emocionon dhe të përlot, pasi ofron një botë të pasur ndjenjash, që ndërpritet në mes, e ndoshta një ditë për banorët e Steblevës, do të konsiderohet si një nga romanet më të bukura e më të lënduara të dashurisë, kurrë të ndodhura më parë.

Jo më kot titulli mbart një emër të bukur „Orlina“, që në gjuhën e folur të zonës do të thotë „shqiponja“ e që në këtë rast ndoshta më shumë se vetë diskursi tronditës i narrativit shkon si një fije në vrimën e gjilpërës që arnon rrënkimin e madh të kohërave për kohërat. Romani „Orlina“ meriton të lexohet nga të gjithë!

45 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page