top of page

Një model guximi


Lela Kokona Dardha

Lela Kokona Dardha, ka lindur në Tiranë. Ka kryer shkollën e Gjuhëve të Huaja, dega rusisht në Tiranë. Ajo lindi e u rrit në një familje me tradita patriotike dhe intelektuale. Ka punuar për vite si mësuese, fillimisht e rusishtes, por më pas, duke iu bërë kjo e pamundur, ndërron profil dhe kalon si mësuese e arsimit tetevjeçar në zonën e Shijakut, ku u martua dhe krijoi familje. Punonte me pasion dhe dëshirë dhe klasat e saj, gjithmonë dilnin me rezultate të larta. Kjo i jepte edhe më shumë motiv dhe stimul për të punuar. Dhe puna e shpërblen gjithnjë njeriun; ajo caktohet përgjegjëse e punës metodike për metodat e mësimdhënies, në të gjithë zonën që mbulonte ai vend, deri sa doli në pension. Për Lelën, kjo ishte veç të tjerash edhe një mundësi e mirë për të njohur më në thellësi jetën e atyre njerëzve, përpjekjet, sakrificat për mbijetesë, por edhe zakonet dhe mënyrën e jetesës, çka, më vonë, do t’i vlente shumë në aktivitetin e saj letrar. Gjithsesi, jeta dhe veprimtaria në një qytet të vogël, me normat dhe klishetë e ngurta të tij, nuk ishte e lehtë për t’u jetuar. Sidomos në ato kohëra kur njeriu ishte i shtrënguar të ndiqte rrugën e përcaktuar, normat e imponuara dhe veç kësaj, edhe një farë mendimi të ngushtë e meskin, që vinte nga poshtë e që ishte gjithmonë aty në trajtë trysnie. Dhe ndoshta, ishte pikërisht edhe për shkak të kësaj, që Lela, ashtu siç ndodh shpesh me shpirtrat e lirë dhe mendjet e hapura, dimensionin tjetër të lirisë, atë të shpirtit, e kërkoi dhe e gjeti mjaftueshëm ndër faqet e librave. Ndjeu dhe jetoi historitë, dramat, bëmat dhe gëzimet që haste në shpirtin e çdo libri, se çdo libër ka një shpirt dhe është një jetë. Kjo është arsyeja që ai është mik i pagabueshëm, i pazhgënjyeshëm, i çiltër e besnik. Ai të kupton pa i folur e të ndjen pa iu qarë. Kjo lidhje u bë edhe më e fortë me kthimin në Tiranë dhe daljen në pension të parakohshëm. Ndryshimet në ato kohë fillimtranzicioni ishin marramendëse. Ishin ndryshime që rroknin gjithçka: vendin, shtetin, punën, vendbanimin, sigurinë, formën e të menduarit, pra thelbin e jetës. Kaosi, edhe ai mendor, ishte i madh. Por, edhe mundësitë për burime mësimi dhe informimi ishin akoma më të mëdha. Ishte e natyrshme; gjithë ky vrull prej stuhije s’kishte si të mos prekte e të formëzonte edhe jetën e Lelës. Ishin kohë transformimi, gati-gati transhendence, veçanërisht për ata shpirtra, që bota ekzistuese i dukej e vogël, e ngushtë dhe e pamjaftueshme. Në vorbllën e trazuar të kohës, ajo angazhohet si mësuese në një shoqatë të huaj, që merrej me strehimin dhe integrimin e fëmijëve të rrugës. Aty vë tërë forcat dhe shpirtin e saj për të mësuar, por edhe për të ndihmuar me sa mundej, por me gjithë fuqinë e dhpirtit të saj energjik, ata fëmijë të harruar të fatit. Në fakt, edhe pa një formim të mirëfilltë të profilizuar, krejt vetvetishëm, ajo bëri më së miri punonjësen sociale. Orët e mësimit ishin për fëmijët momenti më i gëzuar i ditës, momenti ku ata ndjenin përfilljen dhe dashamirësinë, kujdesin dhe dashurinë. Disa prej tyre, i shkonin edhe në shtëpi kur kishin diçka për të ndarë, gëzime apo brenga, që ata nuk mund t’i mbanin deri të nesërmen. Shkonin me lot në sy, apo me buzëqeshje në fytyrë. Por ata nuk kishin si ta kuptonin, se edhe ata po bënin diçka madhështore, diçka te fuqishme e të mrekullueshme: po ndryshonin një qenie, po fisnikëronin një shpirt, po shenjtëronin një jetë. Ishte kjo mirënjohja më e mirë dhe dhurata më e çmuar, që jeta i kishte bërë dhe që e shoqëronte si një aureolë.

Gjithë ajo çfarë ishte gatuar si një zjarr në shpirtin dhe qënien e saj, dalë-ngadalë, po kthehej në një llavë, që orvatej të shfrynte e të shpërthente me tërë forcën dhe energjinë, që kish qëndruar e fjetur ndër ngjarje e vite. Dhe vullkani erdhi. Libri i saj i parë, ‘’Kujtime të Trishta’’ ishte një shpërthim ndjenjash të hedhura në letër, që brenda kishte tharmin e dhimbjes dhe të mallit për motrën e dashur, të larguar para kohe nga kjo jetë. Në fakt, ky libër është një biografi e sjellë artistikisht në formën e një romani, me ngjarje të jetuara, por edhe me fantazi dhe situata të imagjinuara. Personazhet janë realë, por edhe të latuar e ngjyruar, për të sjellë më mirë qëndrimin e saj si autore. Kështu, kjo ngjarje, nuk na vjen thjesht si elegji e përlotur e sentimentale të një shpirti të thyer, por edhe si flakë shprese, që regëtin edhe në rrugëtimet më të errëta të shpirtit. Në faqet e tij, ndeshim humorin, gëzimin, luftën, përpjekjen; ndeshim situata të këndëshme e shpresëdhënëse, të servirura me vërtetësi dhe thjeshtësi të sinqertë. Ky libër u pëlqye veçanërisht, nga ata dhe ato që kishin pasur histori të ngjashme familjare dhe që në faqet e tij lexonin brengën dhe shpirtin e tyre, por merrnin edhe forcën e ngrohtësisë së shpresës dhe gëzimit të jetës. Libri i dytë ‘’Fate të Trashëguara’’ u shkrua pak kohë pas të parit. Nëpërmjet tij, autorja përpiqet të pikturojë tablonë sipas saj, të realitetit shqiptar të cilin shpesh herë mundohen të fshihet ose mbulohet me ngjyra të ndezura.Romani tretë ,një psikanalizës e thellë e shoqërisë shqiptare,zbulon e prekë plagë të fshehura , të kapluara e të ngërthyera fort në thellësi të oqeanit shpirtërorë shqiptar.Eshtë një himn për gruan si nënë, si bijë, si bashkëshorte e si mike.Vetëm shpirti i një gruaje të vuajtur,me zgjuarsinë e lindur dhe dijen e kultivuar, mund të qëmtojë plagët e padukshme të trupit e në shpirt.Ajo, më shumë se kushdo tjetër,ka nuhatjen dhe aftësinë të kapë dhe valëzën e puhisë së erës të krijuar nga rrahjet e krahëve të një zogu, por edhe kurajën për të luftuar si luaneshë dhe të përballet me vështirësitë, në dukje të pakapërcyeshme,për një jetë të denjë për të dhe familjen e saj. "Dashuri Rrëqethëse" është romani i tretë ku trajton fatin e femrës,dashuria për jetën dhe lufta për ruajtjen e dinjitetit njerëzorë në kushtë të jashtëzakonshme. Njeriu ndeshet me shoqërinë me rrethanat e moralin,por ajo që triumfon në fund është jeta.Ajo qëngadhënjenë është dashuria për jetën , për njeriun, për veten dhe Zotin. Romani më i ri i saj " Në telat e kitarës melankolike",ku ngjarjet zhvillohen në vitet tetëdhjetë Shqipëri- Greqi.Historia e një familje shqiptare me gjithë vlerat, përpjekjet,luftën për mbijetesë e afirmim, por edhe dashuritë dhe dhimbjet e jetës.Dashuria dhe liria janë një binom që na shoqëron në çdo faqe të romanit.Ato s'mund të qëndrojnë pa njëri-tjetrin . Ato janë nën vargonjtë dhe prangat që koha, shoqëria dhe morali i ngurtë i ka lidhur.Por ato luftojnë me guxim me arsye e dashuri. S'ka pranga që mbanë lidhur dashurinë për jetën dhe lirinë për të dashuruar. Ajo çka më mahnit me Lelën, është se ajo përpiqet ,të mbetet e re dhe aktive,me gjithë vitet që ikin dhe ngjarjet që rrjedhin. Ajo mund të përbëjë një shembull, apo model, për shumë gra e vajza të këtij vendi, të cilat të pafuqishme dhe pakurajën për t'u përballur, shtyjnë ekzistencën e tyre nën qiellin përherë gri të mjedisit tradicional shqiptar.. Ndërsa Lela guxon. Për sa kohë udhërrëfyese të saj janë mirësia, drejtësia dhe ndershmëria,ajo jeton lumturisht jetën e saj dhe thith ajrin e kulluar të lirisë.Tani merr orë nga nata duke shkruar romanin e pestë të cilin së shpejti do t'a kemi nëpër duar.

71 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page