top of page

NJË LEGJENDË E DITËVE TONA


NJË LEGJENDË E DITËVE TONA

Nga Leonidha DHRAMI

Vështirë të të besojnë sot në ato që thua, sepse E Vërteta dhe E Gënjeshtërta janë si dy vezë midis të tjerave dhe hajde gjeji cila është e pulës së bardhë e cila e pulës së zezë. Tartufët kanë dalë sheshit, pa kostumin fetar dhe e zeza bëhet e bardhë, e bardha e zezë; e pabëra e bërë, e paqena e qenë. Dhe zilja i varet derrit të llucës dhe jo kalit. S’të gjykon kush nga ç’bën, po nga ç’thua. Për këtë më është dashur të bie shumë fakte të mirënjohura gjerësisht nga jeta e z. Qatip Mara dhe familjes së tij. Jemi njohur nga viti 1970. Bënim tok përgatitjet profesionale kualifikuese si bashkëmësues zonalë. Kishte kryer shkollën e lartë në fakultetin e shkencave shoqërore, histori-gjeografi. Isha njohur me shumë mësues të këtij profili, të zonës, Vlorës, Fierit, Sarandës e më gjerë, të cilët edhe pse kishin të njëjtën shkallë kualifikimi, s’ kishin të njëjtin nivel diturish. Disa, marrjen e diplomës universitare, e konceptonin si shkallën e fundit të ngjitjes në lartësitë e diturive. Uleshin në të dhe i shikonin dijet nga lart-poshtë. Kishin zënë qiellin me dorë. Të tjerë e konceptonin lartësimin dituror në çdo shkallë të mangët. Dhe e vazhdonin më tej, ndërsa kumtesat e tij dalloheshin për nivel të lartë shkencorprofesional nga gjithë të tjerët. Auditori i mësuesve i dëshironte këto punime dhe i dëgjonte vëmendshëm. Kishin ç’mësonin prej tyre. Informacionet e reja shkencore, mendimet, definicionet dhe rekomandimet racionale bindëse sintetizonin brendinë burimore të tyre. Ishte anëtar thuajse i përhershëm i komisioneve të kontrollit shtetëror të seksionit të arsimit të rrethit, i komisioneve për shkëmbimin e përvojave. Gëzonte reputacion të veçantë edhe për propozimet, mendimet e interpretimet për zgjidhjen e problemeve didaktiko- shkencore të marrëdhënieve taktike pedagogjike e shkencore mësues-nxenës-prindër e bashkëqytetare. Ma kish ënda të bisedoja me të kur takoheshim në Armen, Vlorë e Selenicë. E vlerësoja për ndërgjegjen dhe çiltërsinë, karakterin, dituritë e thjeshtësinë, të cilat i arrinin deri në vyrtyt. Kush s’dëshiron shoqëri me një person të tillë?! Më 1974, emërohet në Selenicë. Pas disa viteve , emërohet në shkollën 12-veçare “Hajredin Beqari” ku unë jepja lëndën e letërsisë. Doemos u gëzova tepër dhe mendova se kjo përzgjedhje ishte vlerësim si për emrin e zëshëm që kishte shkolla jonë edhe për qytetin minator Njëherazi edhe për trupën tonë pedagogjike nga e cila u prit me shmë dashuri e respekt. Mbaj mend disa fjalë të mësuesit të ri: - Jam shumë i gëzuar për këtë emërim. Është vlerësim i madh i punës sime seksioni i arësimit të rrethit. Jam shumë i kënaqur që do të punoj në një shkollë me zë si gjimnazi i Selenicës me mësues të shquar jo vetëm në rrethin e Vlorës , por në gjithë vendin. Filloi punën si mësues i historisë dhe filozofisë . Gjat dy dekadave ’70-‘90, sistemi ynë arsimor dhe institucionet realizuese pësuan shumë reforma transformuese si në përmbajtje dhe në formë. Gjersa rrjedha e lumit bëri shtrat. Gjatë kësaj periudhe mësuesit qendronin në front të parë me peshën e përgjegjësisë ligjore teorike e pragmatiste ngarkuar. Në vitet ‘ 70 të shekullit të kaluar , kalasë së kulturës e diturisë shqiptare, shkollës, iu hodhën 3 themelet komuniste: mësim, edukim fizik e ushtarak dhe punë prodhuese ku do të realizohej formimi komunist i “Njeriut të ri“. De facto radha e këtyre parimeve ishte: edukim fizik e ushtarak, mësim, punë prodhuese. Prej largësisë së tri dekadave nga gremisja e kësaj faraoniade kur i kujtoj ç’kemi hequr e vuajtur, them : - O Zot, si i kemi duruar gjithë ato dhe si kemi shpëtuar?! Sepse ishte luftë. Luftë e vërtetë ! Paskemi qenë skllevër, skllevër. Nuk e dinim. Dhe e besoj se piramidën e Keopsit e kanë ngritur në shpinë vërtet skllevërit. Ç’nuk bën njeriu i shkretë kur shpata e kokëprerësit i rri mbi kokë! Për dy-tre vjet bënim ditën mësim, natën diskutime deri ora 12 e më tej. Më eshtë ngulitur në mend një moment i asaj stratagjeme: Ish dhjetor, 1974. Nga debatet dilnim - tym. Ora 12 e 40. Me Qatipin ishim njohur mirë dhe kishim besim te njeri-tjetri. Sigurisht, aq sa na lejohej. Megjithëse në të vërtetë, ishte budallallëk i rrezikshëm ajo që bëra unë. Gjatë errësirës së rrugës i them: - Ore, po kështu bënë Duçja e Hitleri. Ata e fashistizuan shkollën. Ç’thua, ore Leonidha! Unë të dija të mençur, por ti paske qenë budalla fare. Shokët vinin pas e larg. Ai u rrotullua përqark, sikur kish frikë mos errësira e kishte dëgjuar atë fjalë. - Që ma the mua, bëre gabim. Se mos të shket përsëri diku goja. Ndalëm. Ballë për ballë. Të verbër. As unë s’kam dëgjuar gjë, as ti s’ke thënë gjë. Dëgjove? Nuk di ti të thuash - po, po. Të duartrokassësh? Të brohorasësh: - Urra, urra? Ë? Përmbahu e ki mendjen. Se burgun e ke varr të hapur. Kish të drejtë. Ishte i mençur, i matur e besnik Qatipi. Ishim në flakë. Hidhnim valle. Vallen e shpatave. Duhej hedhur këmba sipas avazit të daulles. Këmba që ngatërronte vallen,pritej. E ngritëm kularin trekëndor të partisë derisa cunami rebelues antikomunist e bëri edhe atë copë e thërrime. Mësuesi Qatip Marën e ngarkuan të bënte muzeun historik të qytetit minator. Ekzistonte një farë muzeu i tillë, por tepër i varfër, ngritur mbi vlerësime, pohime e dokumenta subjektiviste. Ai e vendosi mbi baza dokumentare, metodike dhe ekspozive gjerësisht shkencore. Dhe pas muzeut historik të Vlorës, ky ishte më i kompletuari, më i realizuari, sipas pohimeve të vizitorëve kompetentë kombëtarë. Qatipi ishte figura e një intelektuali poliedrik e iluminist. që shquhej mes gjithë inteligjencës së Selenicës, Vlorës e më tej.» Kur dëgjon të flitet për vajzën e Qatipit, Brunilda Mara, të duket sikur flasin për ndonjë hero letrar të latuar e harlisur nga autori i veprës. Jetojmë në një epokë që vuloset nga pasiguria dhe varfëria absolute morale e materiale. Njeriut i duhet më shumë mençuri, më shumë dituri, më shumë sakrifica, më shumë liri, më shumë vetëmbrojtje e mëvetësi për të jetuar e për të zënë vend në jetë se në çdo epokë të parakaluar. Njeriu mund të bëhet në çdo hap, kudo e kurdo viktimë. Duke fajësuar regjimin, shtetin (me të drejtë, liderët). Duke justifikuar ndërgjegjen e vet për vetëpërgjegjësinë ndaj jetës personale. Brunilda është një personazh i gjallë i librit të madh e të hapur të jetës. Një diagram faktike e shkurtër e përpjekjeve për lartësimin e jetës së vet, besoj se do të jetë vetëbindës për lexuesin Kreu cilësisht gjimnazin e Vlorës dhe më 1999, largohet për në Amerikë. Vendos ta ndryshojë vetë jetën me përpjekjet e shumta dhe mundësitë e pakta materiale të të atit. Shkon në Teksas. Studijoi me mjekësi. Filloi punën. Me mundësitë financiare burimore të punës, (me shtrëngimin e rripit deri te nevojat materiale utilitare!) vendos të vazhdojë universitetin. Mbaroi shkëlqyer fakultetin 4-vjeçar të infermierisë. Por s’u mjaftua me kaq. I kthen sytë brenda vetes, ku pa vitalitet të besueshëm aftësish... Duke shkruar, këto rreshta për Brunildën, më mbushet zemra me dy ndjenja të kundërta: me gëzim e kënaqësi për këtë vajzë që nderon e lartëson veten, prindërit e njerëzit e vet dhe emrin Shqipëri e Shqiptar. Dhe me keqardhje e indinjatë për ata të rinj, që, ndonëse mundësitë materiale s’u mungojnë si Brunildës, i konsiderojnë dituritë e tyre të ezauruara dhe kënaqen me shkollën e mesme, me ndonjë diplomë universitare të pamerituar, ose dhe pa to fare. Dhe nga këta s’janë të paktë edhe në postet drejtuese shtetërore, partiake a intelektuale drejtuese. Edhe unë për vete do ta quaja të mjaftueshëm po të arrija kualifikimin e Brunildës. Por, jo, thotë Brunilda. Për sot, ky yti do të qe koncept frenues. Me diploma të larta masteri, shkon në New York. Por ishte sa e çuditshme, aq dhe pak e besueshme. Më 2012 - 2015, alpinistja e Everestit aq të thepisur të diturive, ngjit një kulm të ri lartësimi. Vazhdon studimet në mjekësi, në fakultetin e anestezisë në New Xhersi. Dhe diplomohet për të dytën herë. Këtë radhë me diplomën e masterit të Anestezist të kirurgjisë. Me diploma të larta masteri, në 12 vjet studimi, të cilat i japin asaj cilësinë përveçuese, tepër të rrallë. Njeriu me mençuri e dituri del përmbi kohët e vendin që jeton. Në punë u njoh dhe më 2007, fejohet me studentin e kirurgjisë, greko-amerikanin, Xhon Afthinos, të cilin e bëri bashkëshort të jetës. I mençuri nuk gabon lehtë. Aq më tepër në përzgjedhjen e bashkëshortit të jetës. Dhe vërtet, as njëri, as tjetri nuk u gabua. Xhoni është baraspesha e saj nga virtytet e karakterit. Gjysma tjetër e dikotiledones familjare. Mençuria, kultura dhe harmonia, janë melodia e duetit familjar Xhon-Brunilda,. . Familja e re, me dy prindër dhe tre fëmijë, krijon e shijon lumturinë familjare përditore. Vetiu, njeriut i shkon mendja tek ato çifte familjare të cilët, folenë e tyre e kanë bërë si dhelpra, me dy dalje për ta gjetur lumturinë jashtë familjes. Një zgjidhje e tillë, si dhe ajo e personit të jetës, zbulon mangësitë e karakterit, mençurisë dhe pjekurisë personale. Dhe ne vend të lumturisë, gjejnë dështimin dhe shkatërrimin e lumturisë.Shembulli familjar i Brunildës dhe Xhonit, u jep atyre çiteve zgjidhjen më të favorshme të jetës. Dihet se milionat e rrugëve të Tokës dhe Qiellit të çojnë te prindët e dashur.Por, mjerisht ka bij e bija shqiptare, që u humbet rruga në rrugë dhe s’e gjejnë dot rrugën për te prindët e tyre.. —S’kanë kohë –thonë Prindët e tyre. Janë të mbytur në punë e halle se jetojnë. Në vend të botës dhe janë të varfër. Duke thënë një të vërtetë , nuk arrin ta justifikojë kurrë braktisjen e prindëve. Kush ka zotësinë ta thotë tragjedinë shqiptare ashtu siç është sot. Por nuk janë faktet e më lart thëna motivi kryesor i këtyre mbresave. Eshtë fakti i shenjtëruar, që e bën figurën e Brunildëstë rrallë në botë dhe të vetmen në Shqipëri. Më 29 maj, 2013, e njoftuan dy motrat nga Shqipëria, për rrezikun e babait të tyre. Që atë ditë ajo filloi të sponsorizojë çdo shpenzim për të atin, të cilin, me mënyra të tjera e vazhdon pa ndërprerje edhe sot. - Xhon, nuk dua që babai të më vdese atje. Pa e parë fare. - Ta biem këtu, Brunilda. Morën kredi bankare. Dhe dërguan avion privat ambulance nga fundi i botës. Nëpër qiellin pa rrugë, bija e gjeti rrugën për te prindi i dhembsur. Ky akt i shenjtë, me vlera e reflektime poliedrike humanizmi, do të qe mirë të bëhesh objekt etalon nga media shqiptare, sidomos në ditët tona, kur braktisja e prindërve është bërë plagë që kullon gjak në gjithë Shqipërinë. Ky akt real-legjendar, është tjetërsim i akteve legjendare fantastike, me të cilët ka të përbashkët bërthamën magnetiko-emocionale-besën dhe dashurinë sublime. Estetikisht. Njëherazi, estetikisht, është një pasthirrmë emocionuese: Sa para të bën kultura, pasuria, posti, grada kur ti, nuk vlerëson ata, nga të cilët ke në trurin tënd gjakun, mishin dhe eshtrat e tyre. Njeri, prind, fëmijë, motër, vëlla, kthe vështrimin tënd brenda vetes. Gjej vitalitetin real që të fle në gji dhe vetë ngrehu pulëbardhë mbi batakun e kënetës. Vetë pastro, vetë pasuro dhe vetë lartëso karakterin dhe jetën. Jetën tënde e ke në dorë vetë. Mund ta zgjatësh, ta gëzosh dhe të jetosh i lumtur si kushdo.”

Leonidha Dhrami

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page