top of page

Një dëshmi interesante...


Masar Kodra

Nue Oroshi


Një dëshmi interesante në formë të kujtesës historike për prof.dr.Masar Kodra


Më, 17 dhjetor 1994 një grup intelektualësh shqiptar në Maqedoni themeluan Universitetin e Tetovës.Në mesin e këtyre intelektualëve ishte edhe prof.dr.Masar Kodra.Profesor Masar Kodra ishte mjaftë aktiv në këtë periudhë kohore ligjeronte në Tiranë dhe Prishtinë,ishte zgjedhur Dekani i parë në Fakultetin Filozofik në Tetovë kurse ishte mjaft aktiv edhe në partinë e Unitetit Kombëtar që e themeluan se bashku me Mr.sc.Ukshin Hotin dhe Mr.sc.Halil Alidemaj.Meqenëse Qeveria e Maqedonisë këtë Universitet e kishte shpallë të jashtligjshëm i ndiqte edhe profesorët për ti burgosur.Kështu që në shkurtin e vitit 1995 profesor Masar Kodra qëndroj një javë i strehuar në banesën e dy ish studenteve të tij Besim Morina dhe Nue Oroshi.Ai nuk preferonte të banonte në banesën e tij apo të miqëve të tij profesorëve të Universitetit të Prishtinës për faktin se mund ta zbulonin më lehtë.Gjatë këtij qëndrimi e bëmë edhe një intervistë me profesor.dr.Masar Kodrën që e botuam më, 11 mars 1995 në Revistën për te rinjë me emër "Qëllimi" që e udhëhiqja unë se bashku me disa miq veprimtarë kombëtar në këto vite të vështira.Më pas këtë intervistë e botova edhe në librin tim "Dëshmi Kohërash". Edhe sot e kësaj dite kjo intervistë e ruan aktualitetin e saj dhe me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës po e japim të plotë për lexuesit.

Intervistë me prof. dr. Masar Kodrën, ligjerues në Fakultetin Filozofik të Prishtinës - në degën e Historisë, në lëndën "Historia e popullit shqiptar I", ligjerues në studimet e rregullta dhe postdiplomike si dhe dekan i parë i Fakultetit Filozofik të Tetovës

RRON E RRON JO NUK VDES SHQIPTARI

Pyetje: Zoti profesor, sot në çdo pore të jetës shqiptare është aktual Universiteti i Tetovës. A mund të na thoni diç konkrete rreth punës së këtij Universiteti ?

Masar Kodra: Iniciativa për formimin e Universitetit të Tetovës ka filluar diku para katër viteve. Në të vërtet u formua një këshill iniciativ, i cili në fillim promovoi propozimin, që të hapet Fakulteti Pedagogjik, me degë të ndryshme të lëndëve shoqërore dhe natyrore me qëllim që shkollat fillore dhe të mesme të pajisen me arsimtarë. Do të shtoja se sipas elaboratit të përgatitur për këtë qëllim, për dhjetë vjetët e ardhshëm për shkollat fillore dhe të mesme në Maqedoni, do të  nevoiten më se 4 mijë arsimtarë. Një nevojë të tillë vështirë mund ta realizoj, edhe një universitet me përvojë të gjatë. Mosrealizimi i këtij projekti, do të thotë se pas pesë viteve, të mbyllen shkollat e mesme në gjuhën shqipe, ose procesi mësimor zhvillohet në gjuhën maqedone. Për këtë qëllim u përgatit edhe një elaborat i veçantë dhe u formua grupi kontaktues, i cili dy vitet e fundit pati kontakte intensive me Kiro Gligorovin, i cili gjatë çdo takimi premtonte se hapja e Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe është punë e kryer. Mirëpo nga premtimet e tij mbeti një kujtim i hidhur.Në rrethana të tilla lindi ideja për formimin e Universitetit të Tetovës, diku gjatë muajit maj qershor të vitit të kaluar, kur edhe u formua këshilli inicues. Pas një pune intensive u përgatit elaborati i përgjithshëm i

Universitetit (planprogramet), ndërsa më, 17 dhjetor u inaugurua Universiteti i Tetovës, i cili përpos përgatitjeve intensive, sigurimit të lokalit dhe trupit arsimor, emërtimit të organeve të Universitetit, më 15 shkurt të këtij viti, në mënyrë solemne filloi edhe procesi edukativo - arsimor, dhe atë në gjashtë fakultete të këtij Universiteti.

Pyetje: Sa jeni të kënaqur me rolin e politikës shqiptare në Maqedoni?

Masar Kodra: Faktori politik shqiptar në Maqedoni vepron tejet i ndarë, shpesh me koncepte që nuk e favorizon çështjen shqiptare, dhe si i tillë nuk mbërriti të realizojë çështjet jetike të popullatës shqiptare të Maqedonisë. Për këtë nuk mban përgjegjësi vetëm pala maqedone, por edhe subjektet politike shqiptare. Ndërsa angazhimi i intelektualëve shqiptarë në formimin e Universitetit kontribuoi që subjektet politike shqiptare të bashkohen dhe ta mbrojnë atë, ngjajshëm si komunarët e dikurshëm që përmes barrikadave mbrojtën komunën e Parisit. Kështu kontribuoi edhe përcaktimi i popullatës shqiptare, te e cila u formua bindja se mospërkrahja e Universitetit shpie në korridoret më të errëta të tradhëtisë.

Pyetje: Zoti profesor, Universiteti  dhe policia  maqedonase a shkojnë bashkë?

Masar Kodra: Për sa di unë kanë shkuar diku në Mesjetë, kur shkenctarët shkonin në giotinë ngase dëshironin që masa popullore të zhvillon dijen dhe shkencën. Prandaj veprimin e policisë maqedonase s'mund ta kuptojmë ndryshe, por si një veprim mesjetar, tejet i prapambetur, që përdor dhunën kundër lapsit, kundër humanizmit dhe dijes...Por është mirë që ne shqiptarët as që frikësohemi dhe as  që u përulemi metodave mesjetare që përdor pushteti maqedonas ndaj Universitetit të Tetovës, gjegjësisht njerëzve të tij dhe përreth tij. Ndoshta ngadalë dhe në rrethana të vështira dhe të pamundura, por gjithsesi ne Universitetin do ta farkojmë, së bashku me studentët dhe pedagogët e tij, atje prej ku nuk mund të zbresë i tërë pansllavizmi gjakatar. Ne nuk betohemi dhe as që kemi kohë për betime, por të veprojmë dhe t'i tregojmë botës së qytetëruar se Universiteti në gjuhën shqipe në Tetovë është realitet i një vetëdije tejet të lartë, që avanson proceset demokratike, si në Ballkan ashtu edhe në Evropë.

Pyetje:  Pasi që jemi në prag të 11 marsit, 14 vjetorit të demonstratave të studentëve në Prishtinë, çfarë mendimi mund të na jepni rreth këtyre demonstratave ?

Masar Kodra: Mendoj se këtu nuk kemi të bëjmë me demonstrata, por me një lëvizje të përgjithshme,  të trashëguar nga Lidhja e Dytë e Prizrenit, për të siguruar çlirimin tonë kombëtar dhe social në trojet tona etnike. Të gjithë ata që përcjellin këtë lëvizje janë të vetëdijshëm se ajo ende vazhdon, gjithmonë në kushte të ndërlikuara, por gjithsesi do të vazhdojë deri në fitore. Tekefundit jo vetëm neve shqiptarëve, por edhe Ballkanit i nevoitet bashkimi kombëtar i shqiptarëve për një zhvillim më të hovshëm shoqëror, ekonomik dhe politik-demokratik, në fund të këtij shekulli. Kjo është rruga jonë, kësaj rruge ia kemi mësyrë, dhe kurrë nuk do të dalim nga binarët e saj derisa të realizohen synimet tona. Kjo ndjenjë nuk është vetëm nevojë, por edhe një synim civilizues të cilin e favorizon çdo komb. Dhe këtë të drejtë askush s'mund të na grabisë.

Pyetje: Çfarë mendoni për rolin e rinisë në proceset demokratike dhe cila do të ishte rruga më e mirë që rinia shqiptare të qëndrojë në vendlindje dhe të mos marrë rrugën e eksodit që po na përcjell me shekuj ?

Masar Kodra: Eksodi ka ekzistuar historikisht edhe më parë, gjithmonë ka qenë i kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm. Gurbetxhinjët sa herë që i thërriste zëri  atdheut, ata arrinin në vendlindje dhe inkuadroheshin në çeta, aradha, me hutë në krahë dhe me jataganin në brez, për ta mbrojtur atdheun. Mendoj se ka ardhur koha kur eksoduesit tanë duhet të fluturojnë  si shqiponja drejt atdheut, pasi qenia dhe ekzistenca e jonë është e rrezikuar.

Të jenë të gatshëm për çdo eventualitet në trollin e përgjakur të Kosovës, të Maqedonisë dhe Çamërisë - në trollin ku ende po derdhet gjak shqiptari. Sido që të jetë, eksodit duhet t'i shpallim luftë dhe të qëndrojmë këtu në Kosovë, në Mal të Zi, në Çamëri, se në këto troje shqiptarët do të jetojnë përgjithmonë ose siç pat shkruar Noli ynë i madh "rron o rron dhe nuk vdes shqiptari"

Pyetje: Ku jeni ju zoti profesor në këtë moment...?

Masar Kodra: ...ku janë të gjithë shqiptarët jam edhe unë, në një trekëndësh që fillon në Prishtinë, kalon nëpër Tetovë, për të arritur në Tiranë. Dhe ka kohë që jam në këtë rrugë plot përgjegjësi, plot angazhime por edhe kënaqësi kur shoh qindra mësimëdhënës, profesor, magjistra dhe doktorë të shkencës, por edhe ndjehem i ri dhe atë shumë i ri, kur gjendem ballë për ballë para studentëve në Prishtinë, në Tetovë ose në Tiranë. Dikush njëherë më tha "O njeri, ku mund të ju gjejmë e të bisedojmë më ty...?" Përgjigje nuk kam, vazhdimisht jam në lëvizje pa kohë të caktuar dhe pa kohë të shkruaj ditarin tim, nëse jo për shumë vite, të paktën për disa muaj. Dikush më tha se do të vdes në rrugë dhe për këtë nuk ka gabuar, por dhëntë zoti ajo të më gjej në atdheun tim, që aq shumë e dua dhe aq shumë vuaj për të.

Pyetje: Në fund, ndonjë këshillë për rininë?

Masar Kodra: T'i përvishemi punës kudo që gjendemi, në shkollë, në Universitet, se vetëm kështu mbrohet atdheu, se vetëm atëherë do të ndiejmë kënaqësi dhe do të kemi të drejtë edhe të idealizojmë.


9 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page