top of page

NJERIU I DENJË !.....         


              

-      Fragment i një  romani  në proces

NGA  SPASSE   THANASI

Fejesa  dhe martesa  me  Merjemen (Gjena ) ….

Një  ditë  duke  ndjekur “gjurmët” e një vajze, mbërriti nën disa blirë  dhe fare instiktivisht u përball me shoqen  e  tij  që  kishte  studjuar  në  pedagogjike  për  mësuesi dhe punonte si mësuese në Rëshen.  Instikti e çoi deri në “kënaqësitë e ndaluara” dhe atëhere kjo ndjenjë u bë pasioni i gjithë jetës. Në heshtjen e tij, në atmosferën e ndjenjave me ton gurgullues, ndjeu se kaloi  shpejt në vështrimin e pashmangur. E hapi bukur këtë “dritare” me dëshirën për tu bërë burrë !...

Ishte  viti  1967…Për të mos humbur  as edhe një orë të vetme  nga ky vrull i zjarrtë që e shtynte drejt jetës, asistoi në atë “fuqi hipnotike” të shpirtit  dhe  shfaqi fejesën. I dha fluturim shpirtit mbi vetveten !...

Secili  mori  nga tjetri  zjarrin e shenjtë, secili mësoi nga tjetri që e ka në krahë, secili me zemër të pasionuar shpalosi  përpara  “gjeninë  unike” të kohës  rinore për këtë bashkim të  madh ku  rridhte gjaku i jetës !...Gjena  ishte  vajzë  e Ymer  Metohut  nga  Berati  dhe  Rushes  nga Dibra. Ishte  vetëm  një  vjeç  kur  erdhi  në  Tiranë. Pas  një  viti  pune  në  Rrëshen  të  Mirditës, ajo  u  rikthye  në  Tiranë  e  punoi  mësuese në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, “Shkolla  e  Kuqe”  e “Siri  Kodra”  ku  dhe  doli  në  pension.

Në  mes  të  ndjenjave  rinore dhe maredhënieve shumë të çiltëra kalonin ditë të bukura e të lumtura,argëtoheshin e gëzoheshin pambarim në mjediset e kulturuara të artit,të historisë, të muzikës,kinematografisë e sportit…Edhe Gjena e  priti e  ngazëllyer dashurinë e tyre të brishtë !... Kjo dashuri e madhe i çoi në vendimin për tu bashkuar në  një familje.

U  martua  me  Gjenën  në  vitin 1968  dhe  nga kjo martesë ka  dy  djem të mrekullueshëm. GENTI i datëlindjes 1970 dhe VISI i datëlindjes  1977. Një  lumturi e çmuar  dhe  pasuri  e  jashtëzakonshme  për  një  çift ideal  që “sundonte” gjithë  nektarin  e  ndjenjave  të pastra njerëzore  në  sy të  fëmijëve… I rriti, i arsimoi, i krijoi  kushte për  një  jetesë normale  nëpërmjet  punës. Genti  studjoi  për Fizikë  në  shkencat ekzakte, kurse  Visi  studjoi  për  ekonomi  në  Universitetin  “Lasapjenca” të Romës në Itali. Sot  ata  janë  integruar  në biznesin  e  tyre elitar  në  Rezidencën “Kodra  e Diellit”, që prej  vitit  1995.

Jeta  me  djersë  e  me  fëmijë të ditur  e të kulturuar  është merita e drejtpërdejtë  e Astritit, që arriti të kultivoj ndër vite  dhe  shpesh thoshte  me krenari :- “ Fati im më i madh janë fëmijët, dy djemtë  i kam si dhuratën më të bukur dhe gëzimin e  vetëm të jetës !”.

I ndriste  në  sy  kjo lumturi  sublime  sa  herë  bisedonte  e  bënte  kujtime  me  ta, që në hapat  e  zërat  fëminorë  e  deri  tani  në  atë  stadë  të avancuar të marëdhënieve familjare,shoqerore e të biznesit. Gjithmonë  i  konsultuar  me  ta, përherë me  këshilla  dhe  nga “kritika”  e tyre ndjehej  i  shpërblyer…Gjithë  jetën  nuk  u  thye  nga vështirësitë. Bashkë  me  Gjenën, si një  çiftë  “i kalitur” mes  punësh  të  vështira, i dhanë kuptim jetës bashkëshortore dhe kësaj ujëvare ndriçon pavdekësia e jetës. U bënë  një  model  interesant i progresit bashkëshortor. Fëmijët  kanë  fat  të kenë  prindër  thellësisht  të  përkushtuar, të dashur, të paqtë e frymëzues. Himnizimi  u  përket  të  dashuruarve, ëndrrave  të bardha  të  jetës  si  ajo  kënga e pambarimtë :

-       Hymni  im  dhe  i  asaj

Valë  e  rreze  skaj  më  skaj

Nëpër  shekuj, kohë  pa  limit

Dy  të  dashur  bëhen  dritë !...

E  gjithë  jeta  e  tij qendronte  në dy  fjalë : në ndërgjegjen  për  dobinë e tij  dhe  në  guximin  për ti bërë ballë  jetesës. Këmbëngulja që të shkosh  deri  në  fund, të  jesh  besnik ndaj vetvetes, të  kapesh fyta – fyt me fatin, ti bësh  ballë  fuqisë  së  padrejtë, të qendrosh  si trim e ti bësh ballë  çdo  gjëje  me krenari e burrëri, - ky  është  shembulli  që  la  Astrit Sulo  me  një  dritë që  elektrizon, me  një  vërtetësi  që shpërthen  e  drithëron  nëpër  kohë…

Sa  gjë e  madhërishme  dhe  e  shkëlqyer  në  rrezatimin e  jetës !....

 

-                                                          

Vrulli  i  pandalshëm  i  jetës…

Në  vitet 1970 Tirana  ishte  një  qytet  i  vogël  me  aromën e luleblirit. “Mbi qiejtë e mallit” lundronin zërat kalimtar  të  të  rinjve  mbi Bulevardin madhështor “Dëshmorët e Kombit”, që ishte  si  një  arenë me pritje cep më cep…Atëhere  Astrit  Sulo  ishte  një  djalë  i  pashëm, me moshën  më  të  bukur  rinore  dhe  me  një  grup  shokësh  4 – 5 veta  dominonte  jetën  e këtij  qyteti  në  shëtitjet  e  mbrëmjes. Ishte  mjaftë  elegant, i veshur  bukur  dhe pëlqente  sidomos  muzikën e këndshme  të  “Broduejt” tek lulja e kumbullës  së  kuqe !...Si  vetë  qyteti plot  dashuri, ishte nostalgjik ndaj maleve  dhe  detit, ndaj siluitës  së  këndshme  të  cicërimës  së  zogjve dhe  gjithmonë  fantazonte  netë  pa  gjumë në imazhet  rinore të Kryeqytetit  në  Dajt  ku  malli  të  prek  në  çdo  grimcë si Odiseu !....

Rinia  e  Astritit  në  bulevardet  e  gjera  të  Tiranës  së  hijshme, ishte si ndjekje e reve të bardha në  hapësirat  e  vjeshtës. Ai  gjithmonë  nxitonte  për  diku, “vriste”  monotoninë  me një  amshim  të  mbushur  me  shumë  dashuri  dhe  ishte  i  rrallë në “magjinë”  e  qytetit  si  të  dashuroj  e  të ndaj  kujtime… E  mbante  pas  vetes  qytetin  si  një “fërshëllimë”  e  zgjatur  malli  dhe  një “sirenë  lokomotive”  që  nuk  e  linte  asnjëherë bosh. Tirana  njësoj  si  Libohova  e  tij  e  hershme  i  dukej “çudane”  dhe  e  ëmbël me “liri  tunduese”  dhe “mendime të çuditshme” përthyer  në mërmërinë  e  thellë  të  fushës  deri  në lartësitë  e  Dajtit  ku  shkëlqente  drita e diellit !...

Nuk  mund  të  shpalosej kaq mirë burimi i forcës rinore, se sa në gjirin drithërues e flakadan, plot zjarr e curril njerëzor të kësaj femre gjigande, që quhet TIRANË…Si djalë i ri  me shtatëkrenar, shoqeruar me një finesë trupore me prarimin e bronxtë të rrezeve të diellit, Astrit  Sulo kishte vizatuar në mendje me ngjyra të gjalla gjithçka jetësore përball zbehtësisë së kohës të vështirë !...Falë  vullnetit  të  punës  ai  kishte  për ëndje disa profesione  dhe  dëshira  për  të  lexuar  e  udhëtuar  i  jepnin  atij një  vizion  intelektual që kapërcente “kornizën”  e  kohës  socialiste. Ai udhëhiqej  jo nga imazhet e fantazisë, por nga ide të konceptuara qartë dhe i nënshtrohej  parimit të Aristotelit “ Jeta është lëvizje”. Njihte  mirë  mendimin  e  intelektit, shpirtin e njohjes (deduksionin) dhe dialektikën e ndryshimit duke dhënë shpjegimin domethënës.

Drejtimi  politik i kohës kishte ngritur shtyllat e fuqishme të edukimit kulturore patriotik, bazuar në ato tradita familjare e kombëtare. Si i ri karakterizohej nga një modesti e veprimeve, nga dashuria në shoqerinë e punës dhe atë publike, nga solidariteti dhe devotshmëria. Si protagonist  të një ineligjencie të re e vlerësonte shumë punën intelektuale si një mision dhe përkushtim për ecjen përpara të kombit. Si shumëkush, në mënyrë të ndërgjegjshme ishte zhveshur nga stimujt material dhe ishte i vetëdijshëm për të sakrifikuar, për të punuar në frontet më të vështira.

 

 

 

 

“VULLNETAR”  NË  ZONËN  MALORE TË  SHËNGJERGJIT

-      55  vite më  parë, duke nisur  një  karrierë profesionale  në

    shërbim  të  komunitetit në  fshat…

 

Në  vitin  1968  Astriti  iu  përgjigj  inciativës  vullnetare  për  të  shërbyer  në  Zonat  malore  të  rrethit  të  Tiranës  dhe  u  emërua  Sekretar i Byrosë së  Partisë  të  Zonës  së  Shëngjergjit  që  përmblidhte  fshatrat nga Qafë Priska,Vëri, Fagë, Shkrep, Urë, Shëngjin, Shënmëri, Facesh,Vakuman, Parpunj, Damje etj… Në atë  kohë  ky  pozicion  pune  emërtohej  funksionar  “vullnetar”  në  linjë  partie për  emancipimin  e  jetës  dhe  punës  në  Zonat  malore të  vendit. Qendra  e  Lokalitetit  ishte fshati Vërri ku më i njohuri ishte Ramazan Hoxha nga  Shënmëria. Me  të  Astriti  krijoi  një  miqësi  të  madhe  dhe  njohu  nga  afër  edhe  djemtë  e  tij  Selim  Hoxha  e  Rrapush  Hoxha,  që  kanë  qënë  gjithmonë  një “derë e  hapur”  shtëpie  për  Astritin  në  çdo  kohë  e  rrethanë  të  punës e  jetës  në  atë  Zonë  të  vështirë  malore. Lidhje  të  shpeshta  miqësore  ka patur  me Sabri  Shini, kryetar i kooperativës Vërri, me Haxhi  Muka, kryetar i kooperativës  së bashkuar Shëngjergj; me Skënder Hala,kryetar i Këshillit të Bashkuar, me Bedri  Koçi,kryetar i këshillit popullor të fshatit Shënmëri, me Sefedin  Roçi, veterinier  në fshatin Shënmëri, me Rexhep  Cani, agronom  i  kooperativës bujqësore Shëngjergj etj.Gjatë 6 vjetëve punë intensive në kooperativën e  Bashkuar Shëngjergj, krijoi   lidhje të qendrueshme  me  prodhimin, me jetën reale të popullsisë, me hallet  e problemet  që  kishin  fshataret  e këtyre  zonave. Ai  u bë  njohës  i  mirë  i  gjendjes  dhe  nivelit  të jetesës  jo vetëm  në  këto  zona, por edhe  në  të  gjithë rrethin  e Tiranës e më  tej…

Mirësjellja  e  Astritit  me  fshatarët  e  këtyre  Zonave, ndihma  e  tij  për  jetesën  dhe  punën  e  të  rinjve  të  shumë  familjeve  në  nevojë,  bëri  që  ai  të  fitojë  një  respekt  të  veçantë  dhe  një  emër  të  mirë, gjë  që  u  evidentua  edhe  nga  instancat  e  larta  të  shtetit  e  qeverisë. Në  kooperativën  bujqësore  të “Shëmërisë”  u  organizua  një sesion  shkencor  me  organizatat bazë të partisë dhe kuadrot e kooperativës  të  Zonës  së Shëngjergjit me temë: “ Mbi  disa  problem  të  organizimit  socialist  të  punës  në kooperativat  bujqësore  të Zonës” ku  Astrit  Sulo  mbajti  referatin kryesor. Gazeta  “Zëri i popullit”, e  datës 3 Maj 1969  do  të  shkruante:-“Në  Sesionin  shkencor  që  u  organizua  në Zonën  e Shëngjergjit me  organizatat  bazë të partisë  dhe  kuadrot  e kooperativave bujqësore, morrën  pjesë komunistë e kuadro  nga Zona e Shëngjergjit  dhe kuadro  nga kooperativat bujqësore të rrethit të Tiranës. Në  këtë eveniment  lokal mernin  pjesë Sekretari i Parë i komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës Manush Myftiu, nënkryetari  i  Komitetit Ekzekutiv  të Këshillit Popullor të rrethit  të Tiranës Faik  Ahmeti  etj. Referatin  me  temë : “Si kanë  punuar  organizatat e partisë  për kuptimin ideologjik e politik të problemeve të organizimit socialist të punës dhe për vënien e tyre në jetë” e mbajti  sekretari i komitetit të partisë së Zonës Astrit Sulo. Gjithashtu  në  këtë sesion shkencor u mbajtën edhe katër referate dhe u bënë shumë diskutime rreth tyre nga komunistë, kooperativistë  dhe kuadro  të  tjera që  ishin  të  pranishëm  në  këtë veprimtari. Në  mbledhje foli edhe  shoku  Manush Myftiu”… ( Gazeta “Zëri i Popullit” ,datë 3 Maj 1969 ).

HISTORI  JETE  DHE  IMAZHE  NË  FOTOGRAFI

 



Krahina  malore  e Shëngjergjit  është me grumbuj shkëmbinjsh, që i ngjasojnë  një qyteti të tërë, me gërmadha  historike që kanë  toponime të vjetra si edhe vende natyrore plot burime  uji që nuk shterrin kurrë. Kjo Zonë ka pasur figura  historike  dhe “zhurmë shekullore”.

Natyra  me  male  dhe  fusha  në mes tregon se këtu gjithçka mbetet me “gjurmë  arkeologjike” dhe studjuesit Sefedin  Roshi  e  Jonuz  Trimi  tregojnë  për  legjendën  që mbështjellë shumë kohëra  më  parë…Prej kohësh ka pasur 4 qytete dhe 3 kështjella  me  vende të tilla si “Qyteza e Trimave” ( mbi 1600 vjet përpara), “Guri i Burrave” ( ku vinin gjithë burrat e krahinës e bënin mbledhje), “Blini i Malushit”  apo dhe “Përroi i Meshit ”. Thuhet  gjithashtu  se këtu ishte  edhe “Kështjella e Bjeshkës”  ku  stërviteshin  nipërit  e Skëndërbeut.

Vendi  është “mitik” dhe me masivin shkëmbor ngjason me trimat e ngurtësuar në “kryqëzim rrugësh” të vjetra. Që këtej del në Mat të Dibrës dhe nga Biza në Elbasan. Mesjeta  arbërore  fillimet i ka në  këtë zonë me “maja të heshtura”. Të parët e Gavril Darës vijnë nga kjo krahinë  historike.Edhe kënga “E Sprapsme e Balës” ka motivet e  ngjashme dhe  lidhen  si  një ‘mozaik” me Shëngjergjin, Martaneshin dhe Cermenikën.

Fisi “Trimi”  sot  ka në fshat vetëm një familje në lagjen e “qyezës së trimave” dhe toponimi nuk është bosh, - tregon Qamil Xharra. Rrëzë malit  me  Gropa  dalin tjegulla, qeramike  të  përmasave të ndryshme, por  enigma  mbetet si një “vegim” i largët  me bllokun e “varrezave  me gurë” e deri te “krahina e të mëdhenjve” apo dhe “rrëpirat” me majat e larta !...

Kjo magjepsje  shpirti, me histori të lashtë  e natyrë të  mahnitshme, i shkonte  aq shumë imazheve  të  bardha të një  djali simpatik me ëndrra të paqta  si Astrit Sulo. Punoi 6 vjet  në këtë Zonë të madhe malore të rrethit të Tiranës. Fitoi një “eksperiencë diturie” mjaftë të vlefshme për fshatin, për njerëzit, për punën, për“parimet” e ngurta që nuk  materializoheshin kurkund, për fjalët e mëncura  të  të parëve, që përcollën  brez pas brezi aq shumë filozofi jete, aq ndjenja dashurie  e mënçurie…Ai  njohu  pedagogë-shkencëtarë  për dituritë e tyre, njohu agronomë të mirëfilltë të bujqësisë  shqiptare, njohu  njerëz profesionistë  që ngulmonin në idetë e tyre, njohu  fenë, dasmat  e  bukura, dashurinë e të rinjve, ëndrrat  që kapnin të nesërmen e gjithçka tjetër  të  vyer që kishte panorama e fshatit  në  ato mjedise të lira, të larmishme e  plot  jetë. Me pasionin e një të riu  bujar ai jetonte e punonte nën trysninë që ushtronte “burokracia” e  organeve shtetërore të Tiranës dhe kur ai takohej ballë për ballë  me aparatçijë  të ministrive qendrore  apo Komitetit Ekzekutiv ballafaqonte qartazi distancën e madhe mes njerëzve dhe të “besuarve” të Partisë. Ai ishte një “komunist” i devotshëm, i sakrificës dhe i punës operative e të gjithanshme dhe urrente  me shpirtë padrejtësitë dhe luftën klasore që “kërdiste” vetëdije të shumta kuadrosh e punonjësish të thjeshtë. Zbriste nga lartësitë  dhe ndalej  për takim me aktorët e Taeatrit Popullor. Në Tiranë fliste me artistët vetëm për fshatin, për natyrën, për dashurinë  rinore dhe i shmangej rutinës së kohës politike dhe ideologjike. Nuk i zinte besë thashëthemeve, bisedave boshe e krenarisë së shtirur.Ai kishte tjetër “kudhër”kalitjeje,jo atë “revulucionare” të Partisë.

Kësaj  kujtese  të  mirë  për  këtë  Zonë  me “gjurmë”  në  jetën  e  tij, Astriti  do  ti  kthehej njerëzve  të  këtij  komuniteti në  vitin  2018  duke dhënë  ndihma  për  familjet  në  nevojë  të Komunës“Shëngjergj” për  festën  e  Fiter  Bajramit !... Vajti  vetë  në  krye  të  komisionit  dhe  kamionit  të  shpërndarjes  së  ndihmave. Nga  kjo  iniciativë  personale  të  Astrit  Sulos  nga  Kompania “AGIKONS” SHPK  perfituan  ndihmë  40 familje  në  tërë Zonën, nga të cilat 6 familje në Vërri; 5 familje në Urë; 3 familje në Shëngjin; 4 familje në Shëngjergj; 5 familje në Shënmëri; 2 familje në Facesh; 5 familje në Fagë; 3 familje në Parpunjë  dhe 7 familje në Vakumonë. Ndihma  e  dhënë  ishte  me  artikuj  ushqimorë, fruta  dhe  ëmbëlsira  të  gatshme. Cdo pako  ushqimore përmbante  1 pulë, 1 kg Oriz, 1 kg Vaj “Lule dielli”, 1 kg sheqer, 1 kg miell, 1 kg makarona, 1 pako nisheste, 1 kuti salcë domate  etj.

Kjo  ndihmë  u  përsërit edhe  në  vitin  2020  me  rastin  e  Festës  së Bajramit  ku  u  dhanë  48  pako  me  ushqime  e  mallrat ë tjera  ku  Astrit  Sulo  morri një “Certifikatë Mirënjohje”  nga Administratori i  Komunës “Shëngjergj” Shpëtim  Sina.

 

Janë  dhe  disa  foto  nga  ceremonia  e  shpërndarjes  së  ndihmave  ku Astrit  Sulo  uroi “GËZUAR” banorët  e  komunitetit  në  Shëngjergj. U  ngazëllye  shumë  në  atë  ambjent natyror  të  freskët  e të gjelbëruar,  u  mahnit  nga  ngjyra  e  natyrës  plot  jetë  dhe  u gëzua  si  fëmijë  që  arriti  të  plotësojë  ambicjet  e  tij për  të  ndihmuar  njerëzit  e  varfër  në  nevojë  ekonomike…Aspirata “kur ke, ndihmo  dhe  të  tjerët”  gjeti  tek ky  njeri  intelektualin human, profesionistin  njerëzor dhe  familjarin  korekt  e  të  edukuar  me  norma  kulturore  e  plot vyrtyte.

 

Portreti  meditativ  me  pamje plot mençuri  i  Astrit  Sulo, është  si  një “lavjerës” në labirinthin e  jetës dhe na  zgjon  të  gjithëve një “shkëlqim  të veçantë”në dashurinë e jetës.Ai shëmbëllen me “adhurimin  elegant”, me fytyrën “kah  qiellit  me yje”, me qetësinë “që  jep  e merr  heshtjen”, me “vetminë  ëndërruese” dhe “magjepsjen  me  dritë hëne”, me “kujtesë  dashurie”  dhe “bukuritë e ndjenjës” !...

Kudo  që  shkoi mbarti  supeve peshën e shtëpisë së prindërve me “ujin e kristaltë” të pusit, me rrënjët e drurëve  të Manit e agrumeve, me zërin e Nënës përhënuar në rrugicën e Kalasë…Pëlqente “shtëpitë e zogjve” dhe në majën e luleblirit ai gjithmonë do kënaqej me pamjen e kanarinave.

Në mes të oborrit të shtëpisë i gëzohej “magjisë”  së një pike vese !...

Poshtë kurorës  së limonave  e portokalleve, çdo buzëmbrëmje, i  dukej Veranda e shtëpisë  si një “kupë  hëne”  e  dehur  me  bukuri !... Dhe  ndizte  një  cigare nëpër  shkallët  e  pritjes  në  oborr !...

 

KOHË   TALLAZESH  ME  SILUETË  KTHYER  PËRMBYS !...

I  vlerësuar  për  punën  partiotike  si “vullnetar” në  Zonat  malore, kreu  kursin  e lartë  në  Shkollën e Partisë (1971 – 1973)  dhe  punoi  si instruktor  i  Komitetit të Partisë të Rajonit  Nr.4 Tiranë  ku  Sekretar ka  qënë  Veli  Kaleshi  nga  Tragjasi  i  Vlorës. Mbulonte  sektorin  e  propagandës  me  përgjegjës  Seksioni  Fisnik  Preza. (Të  dy  patën  një  afrimitet  të  ngushtë  shoqeror, por  edhe  një  ndarje  të  hidhur  e  të  trishtuar  për  shkak  të  një  plani  djallëzor  partiak  në  fushën  ekonomike  për  rrethin e Tiranës ).

Në  këtë  kohë  Astriti  u përball  me  shumë  probleme  që u krijuan  nga vetëvrasja e  Ndue  Marashit, që  ishte Kryetar  i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës  dhe nga  ndërimi  i  Sekretarit të Parë  të  Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës Fadil  Lami. Ky  precedent ‘misterioz”  i  krijoi  Astritit  mjaftë  debate  e  polemika  me  anëtarin  e  Byrosë Politike  dhe  Sekretar  i  Parë  i  Komitetit të  Partisë  të  rrethit  të  Tiranës Manush Myftiu,i cili  mbante mbi  supe “peshën”  e  “enigmës”  së  grupimit  të  sabotatorëve  në  ekonomi  në  rrethin  e  Tiranës. Tentativa  ishte  që  Astrit  Sulo  të  përfshiheshe me doemos  në  këtë  “grup armiqësor”  për  të  justifikuar  shumë  probleme  delikate  në linjë partie për krizën  ekonomike  të krijuar  në  rrethin  e  Tiranës…Por  Astriti, me  përvojën  e  tij  të kualifikuar  në  punët organizative e drejtuese e kapi “prej briri”  këtë  situatë  të  jashtëzakonshme  në jetën  e  tij  dhe  pa  asnjë pasojë  për vete  e  familjen  u  ndodh në  terrenin  e  duhur  njerëzor, jashtë “ciklonit”  të  luftës  së  Partisë dhe  cënimit  të  figurës  së  tij plot  dinjitet….Siç  tregonte  vetë  Astriti  me  gojën e  vetë : “nuk  ishte  i  lehtë  ky  përballim  aq  i  rëndë !”.

Me shokun  e  zyrës Fisnik  Preza  u  shpërndanë  me  hidhërim  të  madh, pasi  ai  në  vitin 1975  u  përjashtua  nga  Partia  për  sabotim  ekonomik  me  grupin  e  Ndue  Marashit, që  iku  tragjikisht  nga  jeta. Momenti  ishte  i  vështirë  për  të  dy  sikur “plasi  bomba” dhe partia “mprehu  shpatën”  për “grupin  armiqësor”  në  rrethin  e  Tiranës….Sa  vit  i  tmershëm !..

Këtë  “tronditje diabolike”  në  asfiksinë  e  kohës  plot kriza, Astriti  e  lexonte  herë  pas  here në  mendjen  e  tij si një  stuhi  në  “kryqëzimin e  viteve”. Ai  gjithmonë  do të ecte  vrulltas me rrjedhën e puhizave njerëzore  edhe pse ndjehej zbehtë  si  violinat që ndërrojnë “stinët e gjetheve”  apo  dhe  si  “porta e atdheut në përgjim”. Prova  e kohës  së  egër më  fjalët “armiku i klasës”, “lufta e klasave në gjirin e partisë” etj që afishoheshin  deri  në  faqe  malesh, ishin  për  të  slloganet  me qirinj  të  shuar…Në  ngjyrat  bardhë e zi  të kohës komuniste u bë rob  vetëm i “durimit të madh”, edhe pse  ishte  një  komunist  i  saj. Për  vite  e  vite  jetonte  me  humorin  e  hidhur  në  buzë, ngushëllonte  veten si  ta  mbajë  këtë “trishtim  misterioz” qe  e  shoqeronte në heshtje….

Thënë  troç ndjehej si  një Promete  i  lidhur  nga  prangat, se  jetonte  një  kohë  të tallazeve  me  siluetë  të  kthyer përmbys !...

Si  intelektual  i  formuar  Astriti  kurrë  nuk  mbajti  inat  e  mërri  për  tu  hakmarrë  për  padrejtësitë  e  bera nga  të  tjerët. Ai  veçse  kujtonte “historinë  e  hidhur”  dhe  fati  e  mirësia  e  hodhën  në punën  e  vetë  pa  i  rënë  në  qafë  kujt. Ata  që  u  përpoqën  ta  futin  në “humnerë”, hapën  vetë  “gropën e ndëshkimit”  në  jetën  e  mëvonshme….

 



   

   NJERIU  I  DENJË !.... 

  

              - Duhet  një  jetë  e  tërë,  për tu berë njeri i denjë !

 

Zanafilla  e  trashëgimisë  buron  nga  familja, nga  ideali  e  kultura  e  të  parëve  të  fisit, nga  përkushtimi  dhe  pasioni  për  tu  bërë  një  “njeri i denjë”... Një  mundim  jetësor, gati “biblik” është  të  fitosh  këtë  “status” në  botën  e  qytetëruar. Ndër  100  fise  të  shquara  shqiptare, ne  njohim fakte  e  dukuri  të  shumta  tradicionale që  transmetojnë  ndër  breza  vyrtyte të  larta patriotike, atdhetare  e  të dashurisë. Ashtu  si  fiset e “Taulantëve”, “Enkeledëve”, “Dasaretëve”, “Dalmatëve”,  “Dardanëve”, “Molosëve” etj, që  luajtën  një  rol të madh në historinë  e Ilirisë, edhe  historia  shqiptare  moderne  ka  fisnikërinë e shndritshme të  një  gjaku  që  le “gjurmë” jetike nëpër  breza me  shembullin  e krenarisë  dhe  dashurisë. Në qytezën e Libohovës, fisi “SULO” qendron si  urtësia  e të parëve të mençur e të edukuar, mban atdhetarinë e patriotizmin e një qyteti që nxorri burra të shquar e të fisëm. Si një  dashuri e denjë  për adhurim,solemniteti  i  jetës  së  gjyshit  HAJDAR  SULO, qendron  si “prekje bekimi” në  shpirtin  e  Astritit për tu  bërë një  njeri i një dere të madhe  të “Sulatëve”...Siç  thotë  me  krenari  Perlat  Sulo për  këtë “pinjoll” të  vyer : “ unë  pata fatin që  kjo  lidhje gjaku  me  Astritin ( djem  xhaxhallarësh) të  ndikonte e të më bënte më të gëzuar jetën time në gjirin e “Sulatëve”. Mirësia që reflektonte në të gjithë qënien e tij, i krijonte mundësinë të bënte shokë e miqë të shumtë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit...”.

Astrit Sulo  me “ballin e gjerë”, me portretin e tij fisnik si një “monument” ka mbetur në kujtesë si “burri i madh me vyrtyte”,siç thotë investitori i ndërtimit Behar  Malaj  në Tiranë : “burrat e mirë dje, mbeten burra të mirë edhe sot !”...Ndërsa Shefqet Meko e përshkruan Astritin si një “vigan” në Panteonin e së “Mirës Shqiptare” në shekullin e 21-të, duke rrëfyer  një  histori interesante  të  viteve 1980.

-       Komiteti i Partisë i Rajonit Nr.4, që mbulonte rrethinat e Tiranës, kishte ngritur një ekip pune dhe na dërgoi në Kllojkë. Nuk kisha qënë kurrë në atë pjesë të thellë të malësisë së Tiranës. Kur kaluam Qafën e Pëllumbit, rrugën më të frikshme, Tirana dukej si një tis i hollë tymi të bardhë, si për të thënë ishte atje, dhe na priste të ktheheshim. Kur zbritëm në terren, kur takonim njerëz që na ftonin në shtëpitë me një varfëri ekstreme, por me bujari të pashoqe, unë sikur dridhesha...Isha 20 vjeçar që më bënte përshtypje çdo gjë. Më duhej të shkruaja për jetën, për bukuritë, për “begatinë socialiste”...Ne ishim  kudo  si një ekip dhe do të përpilonim raportin për “udhëheqjen e Rajonit”. Nuk di se ç’do shënoja në bllokun që kisha me vete, por kujtoj  se Astrit Sulo, që ishte pjesë e ekipit më tha : “ Shkruaj për natyrën, përlartësinë që i kacavirret Dajtit, për bujarinë e njerëzve...të tjerat na i lerë neve”. Më kishte hedhur dorën në sup, me ata sy të shndritshëm dhe atë ballë të gjerë, sikur më “pushtoi” me një heshtje. Ai ishte instruktor në Komitetin e Partisë së Rajonit Nr.4, ishte anëtar partie, ishte njeriu i aparatit. Më mbeti në mendje ai “pushtim”  i  heshtur në ballin e gjerë të Astrit sulos. Ma kishte lexuar makthin në ato lartësi, ku vec ajrit të pastër, skamja ishte si në rrëfimet e Migjenit. E pash sërish drejt në sy Astritin, dhe ai me një heshtje sikur desh të më thoshte dicka tjetër, që të mos e dëgjonin “shokët e ekipit”. Ishte heshtja më domethënëse që kam përjetuar në Kllojkë, nga ku Qafë Krraba dukej si kodrinë !....”

 

Ai  “vështrim  në Kllojkë” më  mbeti në mendje dhe jeton  brenda meje tani kur përpiqem të kuptoj Amerikën dhe sistemin e saj itegrues, që me ingranazhet e veta “të shtyp” po nuk munde të hedhësh “vallen e punës”. Astrit Sulo  i dinte mirë këto gjëra, ndaj nuk emigroi kurrë,por me“ballin lart” ndërmorri në Shqipëri një sipërmarrje të veten, bëri “një copë Amerikë” si për ti thënë të gjithëve :“ bëni dhe ju Amerikën tuaj !”.

 

Ndersa Asllan  Sulo  nga Berati,  si  njeri  i letrave tregon  hollësi  jete, duke  vijuar  me  rastin  e  veçantë  të  një miqësie  të  përhershme  me Astritin  dhe trashëgimin e gjakut  me rrënjë e degë :– “ Ne ishim  djem  xhaxhallarësh  dhe  miqësia  jonë  është  transformuar  në një  edukatë  jetësore, - tregon ai. Të  ishe  me  Astritin  në konakë  ishte  kënaqësia  më  e  madhe, se  ai  ishte njeri i  muhabetit, i memorjeve të gjalla  historike, i  tregimeve  jetësore. Njeri  me  sedër  të madhe, me  guxim  dantesk, me  mirësi  të  paparë  në  cdo  situatë. Kur  unë  shkrojta monografinë  historike “ Doktor  Hajdar Sulo ( 1866 – 1936)” Astriti  më përgëzoi  pamasë  dhe  u gëzua  si  një  fëmijë  për  këtë  përkushtim  të  merituar  gjyshit  të  tij. Ai  erdhi  vetë  edhe  në  përurimin  e  librit  në  Berat. Edhe  në  një  botim  tjetër  që  bëra  për  Beratin  Astriti  ishte  spronsori  i  librit  nga  ana  financiare. I  jam  shumë  mirënjohës  figurës  së  tij, dashamirësisë  njerëzore  dhe  tani  në  amshim  i  përcjell  dhimbjen  e  thellë  për  ndarjen  aq  shpejt nga  jeta…”

 

-“Për  një  njeri  të  mirë  gjithmonë  flet  gjëra  të  mira. Siç thashë edhe më parë Unë  me  Astritin  ishim  djem  xhaxhallarësh. Im atë  Sybi  Sulo  ishte  vëllai  i  madh  i Shabedin  Sulo, babait  të  Astritit, që  ishte  një  gjahtar  i  rrallë  në  Berat….Kishte  çiften, zagarët  dhe  shpesh  na  merrte  pas  si  vëzhgues  kureshtar. Ai  gjithashtu  gëzonte  një  popullaritet  të  madh  në  detyrën  që kryente  në  rekrutimin  e  ushtarëve  të  rrethit  tonë.

Nga  6  vëllëzërit,  vetëm  Shabedin  Sulo  dhe  Sybi  Sulo  jetonin  në  shtëpinë  e  vjetër  të  Hajdar  Sulos  me  një  oborr  të  madh  përpara, me  pusë  uji  e  manë  të  madh.  Shtëpisë  së  vjetër  iu  bë edhe  një  shtesë  të  re  dykatëshe nga  vëllezërit  e  tjerë  e  kjo “saraje”  me  portën  përpara  ishte një “mëhallë  e  bukur” ku  ne  kaluam  fëmijërinë  tonë  të  hershme. Më  vonë pas  ikjes  së Shabedinit  në  Tiranë me  familjen, djemte  e  tjerë  të  Hajdarit, domethënë  xhaxhallarët  e mi  që  u  larguan  nga  Berati, shiten  një  pjesë  të  shtëpisë  dhe  nga  kurora e  babait  tim Sybi  Sulo mbeta  unë  që  trashëgova  ndërtesën  e  vjetër  të  shtëpisë, të  cilën  e  rikonstruktova  totalisht  po  brenda  këtij  oborri,  që  ruan  hyrjen  e  portës  së  vjetër. Këtu  banon  edhe  një  familje  tjetër  nga  “Vojvodët”, që  më  parë  banonin  tek 6 katëshi  në  hyrje  të  Beratit  nga  pjesa  e Kombinatit dhe  blenë  një  pjesë  të  shtëpisë  së  Hajdar  Sulos.

Astriti  ishte  mjaftë  i  sinqertë  dhe  dashamirës, me  shpirtë  punëtor  e  ndjenjë  humane.Të  tregosh  për  Astritin  është “histori  e  pafund”  që  nga  fëmijëria  e  deri  në  moshën  e  plotë. Ai  ka  histori  interesante  pune, mbresa  të  veçanta  jete, kënaqësi  të  këndshme  shokësh  e  miqsh. Ishte  nga  ata burra  që  i  pëlqente  “tradita”,  por  edhe “modernja” e kohës  së  demokracisë. Ai  nuk  kishte kurrë “perde  para  syve”, vështronte me mirëkuptim  e dashuri. Kurrë  nuk  ishte “ziliqarë”, por   ngazëllyes, dëfryes  dhe  realist.Ishte  model  që  e  kishe  gjithnjë  përpara  vetes…

Është  rast  i  veçantë  në  brezin  e  tij. Meriton  mirënjohje e dashuri !

 

 

Njeri  nga  tre sinonimet e shoqerisë  së  pandarë  me Astritin, në  rini  e  deri sa  u  ndanë  nga  jeta, ishte  Agim  Basha. Ai  kujtonte :- “ Rreth viteve 1962 – 1963  unë  punoja  në  Teatrin  Popullor  të  Tiranës, kurse Astrit  Sulo  vazhdonte  si  mekanik  në  Uzinën “Misto Mame”. Lidhja midis  nesh  u  bë  një simbol  jetësor dhe  gjithmonë  ishim  tre  shokë :

1.   Astrit     Sulo, një  bukurosh  plot  simpati  e  duarartë

2.   Kujtim   Qinami, pedagog në Teknikumin e  Ndërtimit

3.   Agim       Basha, si  N/Drejtor  i  Teatrit  Kombëtar.

Qendra  e  takimeve  tona  në  ato  kohë  ishte Teatri Kombëtar. Këtu  Astriti  filloi  të  njoh  edhe  trupën  e  teatrit  si  Kadri  Roshi (kolos  i  filmit  e  teatrit), Naim  Frashëri (një  artist  potent që dominonte artin skenik me rolin e Hamletit dhe Shekspirit), Lazër  Vlashi ( artist  i  shquar  nga Durrësi që  filloi aktivitin në Teatrin kombëtar  që  në  vitin 1948), Thimi  Filipi, Sandër  Prosi, Lazër  Filipi  etj, me të  cilët  u  miqësua  shumë. Kjo kohë  ishte  një  periudhë  e  rëndësishme  e  jetës  sonë  dhe  të  tre  ishim  beqar.

Gjatë  viteve  1966 – 1968 Astriti  shkoi “vullnetar” në  Zonën  e  Shëngjergjit, i  përzgjedhur nga  ndërmarrja “Misto Mame” për  të  kryer  dhe  stazhin e Partisë ( pasi  ishte  pranuar  anëtar  partie  i  organizatës  së  ndërmarrjes). Për  këtë  entuziazëm  të  Astritit, ata si  shokë  i  vunë nofkën “Davidov”, që ishte  një  personazh i romanit “Tokat  e  Cara” të Tolstoit të madh rus.

-       Na erdhi në shoqeri një“Davidov”,thoshin kur takoheshin  dhe  ambjenti merrte zjarr me këtë atribut pozitiv të njeriut që  sakrifikon…

Tetatri  u bë dhe ajo “foleza”  e  pasioneve  e  miqësive  brilante  që  linte  mjaftë “gjurmë”…Ndërtesa  e  Teatrit  ishte  e  vetmja  godinë  futuriste  e  inxhinjerit  dhe arkitektit Italian Giulio  Berte, projekt  i  nisur  në  vitin 1938  e  që  përfundoi  në  shtator 1939 mbi  bazën  e  planit  rregullues  të  qendrës  së  Tiranës  dhe  përfshinte  13,000 m2  truall, prej  të  cilit  7,000 m2  mbulohej  nga  vetë  godina  brenda  së  cilës  ishte biblioteka, zyra e  informacionit, zyra e përkthimeve letrare  etj. Vetëm  në  vitin 1945  u  bë  ndryshimi i fundit  duke u  shndërruar  në  Tetatër  Popullor  e  më  pas kombëtar.

Kur  vinte  Astriti  në  Teatër  nuk  diskutohej  për  artin, por për  fshatin. Shumë  shokë  të  Teatrit  ishin  kuriozë  të dinin  se  çfarë  bëhej  në  fshatin  tonë  socialist, që  partia  i  ngjiti “solidaritetin” e qytetit. Astriti  shpjegonte  vetëm  fakte  pozitive, fliste  vetëm  për  njerëz optimist, për  punë  që  kërkonin  mbështetjen e  gjithë  shoqerisë  në  ato  kohë  të  vështira….Me  iniciativën  e  Astritit  trupa e  teatrit  ka  shkuar për  shfaqe  në Zall  Mner  dhe  fshatarët  i  prisnin  aktorët  në  shtëpi  me  gëzim  të  madh.Në  mëngjes  biseda  bëhej  se  kush  i  kishte  pritur  më  mire.

Rasti  e  solli që  vetë  shoku  i  tij Kujtim  Qinami  me  dy  klasa  mësimore  të  nxënësve  të  angazhohej  në  fshatin Zall - Dajt  e  Zall – Mner  duke  ndërtuar  banjo  brenda  shtëpive, duke lyer  me  gëlqere  gardhet  e  avllitë  e  oboreve  të  shtëpive. Nxënësit  shkonin  për  praktikë  mësimore  dhe  nën  drejtimin  e  Kujtimit  bënin  punë  të mëdha  për  fshatin, siç  i  orientonte   me  këmbëngulje Astrit  Sulo…

 “Tresh-ja  klasike” e  shoqerisë  preferonte  të  shkonte  në  tre  Barë –Restorantet  më  të  pëlqyera, që  ishin  më  të  njohura historikisht  për  frymëzimin  e  artistëve si te  Barë –Restorant “Vollga”(aty ku ishte “Drini”), te Barë “Sahati i Tiranës”  dhe  te “Klubi  i  Gjuetarëve” ( te  ish-Shtëpia  Qendrore  e  Ushtrisë). Ato  ishin  hapësira  takimi për  të  diskutuar e ndarë  ide të përbashkëta. Këto  vende  ishin  unike  ku  takoheshin e shoqeroheshin, flisnin  për dëshirat, ëndërrat, por  edhe  krijonin histori të  thjeshta  jete…Për  këto  vite,ka  një  detajë  nga  fejesa  e  Astritit  me  Gjenën. Të  dy  u  paraqitën te Teatri  Kombëtar te “Klubi i artistëve” për të marrë “viston” ose “testin” shoqeror   mbi  këtë akt  jetësor. Kur  Agim  Qinami  ngriti dollinë  tha me  ton  miqësor “rakia është shumë e mirë”, d.m.th miratohet  bashkimi  i  prezantuar  para  shokëve,  të  gjithë  duatrokitën dhe  i bënë  urimin  e  çiftit. Martesa  e  parë  e  shoqerisë  ishte  e  Kujtim  Qinamit, vazhdoi  Astriti  dhe  i  treti  ishte Agimi.

Si  një  njeri  i  edukuar, Astriti ishte pa  xhelozi  për  shokun  dhe  kjo  shikohej  edhe  në  pjestarët  e  tjerë  të  familjes. Babai  i  tij, Shabedini  ishte  njeri  i  qetë. Pavarësisht  moshës  e  ëma Bedrija, që  punonte si edukatore  kopshti, lexonte  shumë. Kjo  ishte  çudi  e madhe  në  atë  kohë. Edhe dy vëllezërit e motra Liri ishin  zemërbardhë e të sinqertë. Me  motrën  Astriti  kishte  kofidenca  të  mëdha, ajo  lironte  shtëpinë  kur  festonin  si  shokë  Vitin  e  Ri.

Astriti  shijonte shumë  muzikën  e Shqipërisë së Mesme. Kishte  njohje  me  vëllezërit  ZENA  të  Elbasanit ( me  të  cilët  ndante  një miqësi  dhe  doli kushëri me ta )…Me  Kadri Roshin kishin pasion gjuetinë. Shkëmbenin  bashkë  grepa  peshkimi  dhe shpesh  shkonin për  gjueti  peshku  në Patok  të Lacit  dhe  në  Kavarasta  të  Divjakës. Gjuanin  edhe  me kalimero ose rrjet  e  thurur  enkas  për  këtë  gjueti.

Në  pije  Astriti  ishte  mjaftë  i rezervuar, nuk  fliste  për lekë  asnjëherë, shijonte  shumë  turshitë  e  gjithë llojeve. Nga  natyra  ishte  mjaftë  i zgjuar, i thelluar  në  mendime,bisedonte  si  njeri  i shkolluar  dhe  jo rrallë  fshatarët  e  Zonës së Shëngjergjit  thoshin  për  të  se “flet  si  ndonjë  Zotni !”. Në  të  vërtetë  fizionomia  e  tij  kishte  pasur  sukses.

 

Ai  nuk  shpërdoronte  në  asgjë. Shoqerinë  e  mbante si  ujët  e pakët  në  burim. Vështirë  të  gjeje  shok  si  ai. Hovet  e  tij  i  kishte  në  varësi  të  fjalës  që  nxirrte nga goja. Fytyra e shqetësuar  dhe hijerëndë  ishte veçoria e  tij  në “çaste  kritike”. Zakonisht i  përkiste  kureshtarëve  të heshtur  që  ngjallnin  besim  dhe  shpresë.

Të  tre  shokët  ishim  lidhur  shumë  e  me  familjarët  e   njeri – tjetrit. Prindërit  e tyre  ishin  krenar  për  harmoninë  e  kësaj  shoqerie. Shtëpia  e Agim Bashës  ishte “celula”  ku  mblidheshin  të  tre  çiftet  dhe  gjithëkush  sillte  ushqimet  e  përgatitura  dhe  kështu  ambjenti    i  përbashkët  kthehej  në  hare  me muzikë, kërcime e  valle.

Astriti  kishte “qejfe të  pambukta”, që  nuk  kushtonin  shumë, i pëlqente  arsyetimi  dhe  i  përngjiste filozofisë. Midis shokëve ai  ishte “strumbullari i shoqerisë” dhe zhvillonte  gjithë “ortekun” e ndjenjave  shpirtërore  të  jetës.

I  futur  në  disa  episode  kujtimesh  rreth vlerave dhe cilësive të Astritit, të cilat pa  asnjë mëdyshje ishin  pjesë e formimit dhe edukimit  të  tij familjar, që  në fëmininë, rininë e hershme  dhe më pas në  ndërtimin personal të jetës dhe  familjes së sotme, Perlat Sulo kujton shumë detaje  të jetës së Astritit. Të përshtatura për këtë roman memorial po i rendis një e nga një  sipas detajeve që  të ngazëllejnë :

Njeriu që më “zgjoi”lidhjet e gjakut  në  fisin  e “Sulatëve”…

Bashkë  edhe  pse  djem  xhaxhallarësh, u njohëm nga  afër në moshë  të  rritur, kur  ishim në  gjendje  të  vlerësonim njeri – tjetrin për atë  çfarë na  lidhte të dyve. Jeta na  bashkoi e  kështu  u  krijua  mundësia të  bëheshim dhe të mbeteshim përgjithmonë të dashur e të respektuar reciprokisht. Që në takimin e parë ndjeva se kisha fituar një kushëri, i cili më  mungonte  prej  kohësh, një  lidhje gjaku  që  do  të  ndikonte dhe do  të ma bënte më  të gëzuar  jetën  time  në  gjirin  e  “Sulatëve”.

Nuk ishte  aspak  e  vështirë që  në natyrën dhe  karakterin e tij  të  shikoje cilësitë dhe  vlerat më të mira njerëzore që e dallonin në maredhëniet me  njerëzit në përgjithësi dhe me familjen dhe fisin në  vecanti…Mirësia  që  reflektonte  në  të  gjithë  qënien  e  tij, i krijonte  mundësinë  të  bënte shokë e miqë të  shumtë, jo  vetëm në Tiranë, por  edhe në  rrethe  të tjera  të  vendit.

Tipari  më  karakteristik  i tij ishte dashuria e madhe  që kishte për familjen, gruan fisnike Gjenën, për  fëmijët Gentin  dhe Elvisin, nuset  e  djemve Gentën  dhe  Xhemin, për  nipërit, mbesat  e stërmbesën  më  të  re Diella. Familjen  e konceptonte si  “kryevepër  të  natyrës”  dhe  “shkollën  e  detyrave”, prandaj  gjithmonë kishte ndjerë përgjegjësi të  lartë për mbarëvajtjen e saj, edukimin dhe shkollimin e djemve, inkurajimin dhe mbështetjen për jetën,duke e kombinuar  me përkushtimin e  Gjenës si bashkëshorte dhe nënë  e fëmijëve  të  tij.

Astriti  vlerësonte  rolin  dhe  rëndësinë e  traditave  kombëtare, por edhe  shqetësohej  për  fenomenin e dobësimit  dhe  në disa  raste të  shpërbërjes  së  tyre  në  shoqerinë  shqiptare  të  ditëve  të sotme. “Njerëzit  janë  shpërndarë, - thoshte  ai,-dhe  mundësia  e  shkëmbimit  të marëdhënive dhe vizitave reciproke  brenda fiseve  dhe familjeve ka  nisur  të  rrallohet. Ka  filluar  procesi  i harresës  dhe  me kalimin  e  viteve po  humbasin lidhjet. Brezat më  të  rinjë nuk  i dinë më  lidhjet  e  gjakut  dhe  të  etnogjenezës  së  prejardhjes  së  tyre…”

Brezi  ynë,  por  edhe  fëmijët  tanë  më  shprehej  herë  pas  here, duhet  të  bëjnë kujdes në  mënyrë të  vecantë për  njohjen  e  trashëgimisë dhe  historisë së  fisit të “Sulatëve” duke mos  u  mjaftuar me  histori  gojore, por edhe  nëpërmjet studimeve, monografive, sic  është vepruar me  librin e Asllan  Sulos “Doktor Hajdar  Sulo, 1866 – 1936”  ose  të  ciftit  Anxhaku  me librin “100 familje  shqiptare”. Këto  dy  libra ai  i  quante  dhe  vlerësonte si  kontribute modeste që  hapin  rrugën  për  evidentimin e mëtejshëm të  vlerave të Sulatëve  në  të kaluarën  dhe  në  ditët  e  sotme, aq të  domosdoshme për  brezat  e  rinjë.

Lumturia e  familjes  dhe  optimizmi  për  jetën….

Astriti  ishte  i  çiltër  dhe  i  thjeshtë  në komunikim, i përkushtuar  dhe i  angazhuar  për  të  zgjidhur hallet  dhe problemet  e ndryshme  të  njerëzve të afërtë, shokëve  dhe  nipërve, por  edhe  të  bashkëpunëtorëve  të  tij gjatë  kohës që  ishte në punë  deri  në  ditët  e  fundit  të jetës, duke  inkurajuar  tek ata shpresë dhe  besim. Optimizmi  për  jetën, lumturia  familjare, ishin  fuqia  shtytëse e  të  gjithë jetës dhe  punës  së  tij, së  cilës nuk  i  përtonte  edhe  në  kushtet  më  të  rënda  shëndetësore. “Gëzimin, - thoshte  ai,- njeriu  e  ndjen  vetëm  pasi  të jetë lodhur  nga  puna”. Këto  cilësi  ai  ja kultivoi  dhe  dy  djemve  të  tij, Gentit  dhe Elvisit. Origjinaliteti, ndershmëria, sinqeriteti  përbënin  “kolonat”  mbi  të cilët  ai  kishte ndërtuar  personalitetin  e  tij. Për  këtë  unë  e  vlerësoja  së  tëpërmi.

Sensi  praktik  dhe  aftësia për  tu orientuar, qetësia  dhe  vullneti  pozitiv  për  zgjidhjen  e  problemeve  të  punës  gjatë  karrierës  së  tij, të  cilat  na  i  tregonte me  detaje, ishin elemente  të  tjera të karakterit  solid  të  Astritit. Sic  tregonte, dukej  që  ai  kishte  qënë  një  nënpunës  i  talentuar  që  punonte me  disiplinë  të lartë  dhe  përkushtim  të  jashtëzakonshëm  për  përballimin  e  vështirësive  të  shumta  në fushën  e  tregëtisë  dhe të  drejtimit  organizativ  të  sektorit  të  ekonomisë  në  qendër  dhe  në periferi  të  rrethit të Tiranës.

Humori  i  hollë  dhe forca  morale…

Nuk  mund  të  mos  ve  në  dukje  një cilësi  tjetër  të vecantë, humorin  e  hollë  e  të  këndshëm  që ai  shfaqte në  takimet  tona  duke  treguar  kështu  botën  e  brendëshme  dhe  forcën  morale…Astriti  ishte  9 vjet  më  i  madh  se  mua, por  kjo nuk  na pengoi që  të kishim  raporte  shumë  të mira, mirëkuptoheshim, ndanim  opinionet,  më  dëgjonte  me vemendje, kundërshtonte  duke  qënë  sa  më argumentues dhe  jepte  sa  më  pak “këshilla” prej  të  madhi. Edhe  kur  mendonte  se  duhej dhënë ndonjë  këshillë  rreth  problemeve që  diskutonim përfshi  dhe ato të punës  time  si  ushtarak  i  lartë, mënyra e tij  nuk ishte  aspak  autoritare, por  gjithmonë e  qeshur  dhe  babaxhane  duke më  imponuar  qetësi  dhe  respekt. Ai ishte  i  hapur  për  debate të  çdo  lloji nga  fusha  të  ndryshme  të  jetës.

Mësimi  më i  vlefshëm  që ai  jepte në  takimet  tona  ishte  respekti  për  veten  dhe të tjerët. Shpesh  kisha  dëgjuar  prej  tij  për  vështirësitë  dhe hallet  që  kishin  të  afërm të ndryshëm, shokë  e miq, anëtarë  të  stafit  në  kompaninë “Agikons” ShPK  ku  punonte  cdo ditë. Këto  vështirësi  dhe  halle  bëheshin dhe  halli e  preukopimi i  tij për  ndihmën  dhe  lehtësimin  e  tyre. Dhe  këtë  gjë, sic  kisha konstatuar, ai e bënte pa limite. Pashaporta  apo  celsi “magjik”  me  të  cilën Astriti  hapte  dyertë  e  zemrave  të miqve,shokëve  e  të  afërmve, ishte  sinqeriteti, thjeshtësia, dashuria  dhe  respekti  ndaj  tyre.“Miqtë e  vjetër,- thoshte  ai,- nuk  duhen  harruar  kurrë, se  njerëzit  që rrinë  pranë  e  pranë, gjithmonë  do  të jenë të  nevojshëm  për  njeri-tjetrin”…Në  këtë  mënyrë ai  reflektonte karizëm, bujari, dashamirësi  të  admirueshme…

Pereceptimi  realist  i  zhvillimeve  të  jetës….

Unë  do  të  kujtoj  kurdoherë  kafetë  e përbashkëta, sidomos  tek Rezidenca “Kodra e Diellit”  dhe  në  Zyrën  e  punës  në  Agikons ku  ai  më  fliste  aq bukur  për  ngjarje e ndodhi nga  jeta  dhe  puna, kur  shpaloste  njohuritë në  fushën  e  historisë, letërsisë, artit  e  kulturës  kombëtare. Me  shumë  pasion  përfshihej  në  debate  me mua  për  politikën   dhe  zhvillimet  ekonomiko- shoqerore  në  Shqipëri. Shpeshë  herë  debatonim  për  ushtrinë, ku  unë si  ushtarak ndonjëherë i  bëja karshillëk  për  ta  “provokuar”  e  futur  në diskutime  principale. Ai  kishte një  përvojë të  madhe  si  ish-oficer rezervist  në batalionin e Shëngjergjit para viteve ’90  ku  kishte  patur  një  funksion  të  rëndësishëm në  shtabin e batalionit. Fliste  me  pasion e  respekt  për  burrat  e këtij  batalioni, të  cilët i  njihte  nga  afër  në  sajë  të qëndrimit  për  disa  vite  në këtë  zonë  me  detyra shtetërore.

Më  cudiste  me  konceptet  e  qarta  e  të  sakta  për  ushtrinë  në mënyrë të  vecantë  për  kontrollin  demokratik  të Forcave  të  Armatosura, për maredhëniet  civilo-ushtarake në periudhën  para viteve ’90 deri  2020. Njëherë nga bisedat tona për këtë temë  më  tha : “Pas  dekadash, spastrimesh dhe izolimi  strategjik  gjatë komunizmit, doktrina ushtarake u  bë shumë  dogmatike  dhe ushtria jonë iu  nënshtrua vijës  së  partisë. Kultura ushtarake, - vazhdoi ai,- u  dëmtua  rëndë  pas  të  ashtuquajturat “reforma  të  mbrojtjes”  të  vitit 1966 që përfshinë heqjen  e gradave  dhe  rivendosjen  e komisarëve e të sekretarëve  të partisë. Politikat  e  mbrojtjes të  hartuara nga partia e punës, e  nënshtruan  ekspertizën  ushtarake duke mbivlerësuar  dogmën  e partisë…”….Mbeta  i  befasuar  nga  ky  këndvështrim i  saktë i  tij,nga pereceptimi që i bënte të  kaluarës  komuniste për  ushtrinë. Kjo më  nxiti  që më pas në  takimet  tona të  hapja  diskutime, që ishin në  interesin tim personal(ushtarak) të tilla si:“mbi zhvillimin e maredhënieve civilo-ushtarake në Shqipëri”; “problemet  post-komuniste për ti reformuar këto marëdhënie” etj…Në  një  rast  diskutimi për këto e të tjera probleme, më  habiti  konstatimi i  tij se :  “Qasja  e  Qeverisë rrallë  herë  sfidohet  dhe publiku bëhet  i  vetëdijshëm për  dështimet e  politikave të  mbrojtjes  që  kanë cuar në katastrofa kombëtare, sic qe  shpërbërja  e  shtetit  dhe  e ushtrisë  në  vitin  1997”…Këto  konceptime  të  Astritit  i  konsideroja të  sakta  dhe  vizionare. Por  diskutimet tona rroknin edhe tema  të tjera, sic  ishte psh ekonomia  ku nuk  përmbahej  në  argumente  dhe  kundërargumente  të  zhvillimit  të kësaj  fushe  para  dhe  pas viteve 1990, kjo  për  faktin  se ai ishte në  profesionin  e  tij si  ekonomist.

Një  natyrë  filozofi !...

Astriti  më  kishte  bindur  se  e kishte  pasion filozofinë. Shpesh  në diskutimet  tona  përpiqej  të  më  bënte  interpretime  me  nuanca  filozofike. Njëherë  e  ngacmova duke i  thënë  se po  “më  dukesh  si  filozof”. Pasi  buzëqeshi  më tha : “Filozofia  është  tërësia  e  jetës, mund  të  them  e  gjithë  strategjia e të  jetuarit.Sic  dihet  Perlat, termi filozofi  vjen  nga  grqishtja e  vjetër (filozofos), dashuri për  dije. Pra, e mbylli  ai  bisedën  është një  fushë gjithëpërfshirëse  e  dijeve”…

I  thashë  se kjo  është e  saktë  se  e ke “mësuar”  në  shkollën  e  partisë në Laprakë…Qeshi  dhe  si  me  shaka më  tha : “ Ju ushtarakët  dini  vetëm  artin  ushtarak  dhe  pak  nga  filozofia”. Në  këtë moment qesha dhe  unë. Pse  qesh, mu drejtua  gjithë  seriozitet. Më  lejo  të  të  shpjegoj  nëse  ne ushtarakët  e njohim  apo  jo  filozofinë. Po  futem  në  fushën  tënde  të  dijeve  ekonomike. Adam  Smith ishte  një  filozof  dhe  ekonomist  skocez  i  iluminizmit. Vepra kryesore e  tij  është “Pasuria e Kombeve”. Në këtë  vepër mbështetet  teoria  e  liberalizmit  ekonomik. “E  qartë, tha  ai, e  njoh  mirë thelbin  e  kësaj  vepre e cila  synon të  jap  përgjigje raportit  të marëdhënive midis  shtetit  dhe  tregut, duke  përmbledhur, analizuar  e  evidentuar pjesën  më  të  madhe  të  ideve ekonomike të  filozofëve  të iluminizmit”. Biseda  jonë  u  përqendrua  më tej  tek “roli  aktiv  i  shtetit”  në  ditët  e sotme. Ai  sapo  kishte  lexuar  një  artikull  për  një  nga ekonomistët më  të  mëdhenj, politikat  e  të  cilit nxorrën nga  kriza qeveritë  gjatë shekullit të kaluar. Unë  nuk  kisha  njohuri  për  këtë  ekonomist, ndërsa  Astriti e  kishte  studjuar me  kujdes dhe më  shpjegoi  gjithcka  dinte rreth Xhon Mejnard Keynes  apo  edhe për  John  Maynard Keynes ( 1883 – 1946) me librin  e  tij “Teoria  e  pergjithshme  e punësimit,interesat e parase”. Një  artikull për  këtë ekonomist e  librin “Liberalizmi” ai i  mbante në  tavolinën  e  tij  të punës.

Një  rast  tjetër, duke  dashur  të  diskutojmë  rreth praktikave  të përzgjedhura  të  kuadrove  në  poste  drejtuese  të  larta  në  administratën  shtetërore dhe  në  ushtri, Astriti më  përmendi veprën “Origjina  e pabarazisë  mes  njerëzve” të Russoit, duke  thënë  se në  të  dy sistemet kemi  qënë të detyruar  për  të punuar me  figura  drejtuesish, karriera e të  cilëve  mbështetej  me  lidhjet  apo  interesin  partiak  dhe  jo  të bazuara  në  aftësitë  profesionale, morale  dhe  ngritjen  graduale  në  detyrë. Kjo  i  thashë  unë,  ka  qënë  dhe  vazhdon  të  jetë  e theksuar  në  ushtri. Astriti  tundi  kokën  në  shenjë  miratimi,por  edhe me një farë  ndjenje  dëshpërimi. Edhe  kuadrot  e  aftë  nuk  kanë munguar  në  te  dy  periudhat, - shtoi ai.

Astriti  kishte  aftësinë  e një  audisti  serioz  edhe për  problemet  e  situatës  politike  në  Shqipëri. Shpeshë  herë  debatet  tona  përqendroheshin  tek vlerësimet  për   partitë  e  ideologjitë  e  tyre. Nuk  ishte  dakord  me  historianët  që  falsifikonin historinë, sidomos  për LANC-in. “Historiani, - thoshte  ai,- nuk  është gjykatës, por hetues, ai  paraqet provat,  kurse  lexuesi, qytetari i  lirë  i  nxjerr  vetë konkluzionet”. Në  këtë  kuptim, vazhdonte  të  më  argumentonte se koha  e sotme karakterizohet më  shumë  nga  urrejtja  se  sa  nga lufta  ideologjike mes  partive. Në  këtë pikë të  dy ishim  në  një  mendje.

Pinjoll  i  denjë  i  fisit  të “Sulatëve”….

Ai  rrezatonte  nga  drita  e  syve  të  tij, nga  butësia e  zërit  të  tij, nga  cdo buzëqeshje, nga  cdo  qelizë e trupit  të  tij  gjigand, kënaqësinë  për  origjinën  e  dyfishtë  si  nga  babai, ashtu  edhe  nga nëna. Fliste  me  pasion dhe  për  familjen, farefisin, për  derën  e madhe  të konakut të “Sulatëve”  libovitë,por  edhe  berates, për  zakonet  e  traditat  e  tyre, krenohej  se  ishte  një nga pinjollët  e  këtij  fisi  të madh, nip  i  Doktor  Hajdar  Sulo e Nefize  Myftaraj (Shenepremte), djali i Didinit, vëllai i dashur i Hajdarit, Ibrahimit  e Lirisë.

Si  ish  ekonomist  i  sillte  bisedat  edhe  për  ngjarje  e mbresa  të  pashlyera nga karriera në  hallkat më  të larta  të  tregëtisë  në  rrethin  e Tiranës, në Vorë, Shëngjergj  etj, duke treguar rolin  dhe  kontributin  e  tij  me thjeshtësi edhe  pse mbi  supe  kishte  mbajtur  detyra  të  rënda e me  përgjegjësi  të  larta shtetërore  dhe  partiake. Gjithashtu  tek  ky  njeri  më  cudiste  vizioni, thellësia  e mendimit  politik, ekonomik dhe  filozofik, ishte i pasionuar në  njohjen  e artit  e  kulturës  kombëtare  e  asaj  botërore. Njihte  dhe  admironte  shkrimtarë, artistë, historianë, shkencëtarë, ushtarakë të mëdhenjë  etj. Pikë  të  dobët  kishte Kadri  Roshin  dhe  Besim  Zekthin. Në një  moment  mbeta  i  habitur  kur  ai  filloi  të  më  recitonte  vargjet  e  një  kënge  që lidhej  me  vallet  labce  të Besimit  dhe  që  titullohej “Bodrumce”. Për  30  vite e  kishte  ndjekur  atë  në  skenën  shqiptare,  por  edhe jashtë  saj. Për të Besimi ishte  një  valltar  i  skalitur  me  genet  e shpirtit,  një  valltar  i  madhërishëm !...

Kur  diskutonim për  librat  ai  fliste  me pasion për  Cvajgun, Balzakun, Hygoin, Trockin,Servantesin, Dostojevskin, Xhek  Londonin, Pushkinin, Kadarenë, Agollin, Lasgushin, Migjenin, Mjedën, Fishtën etj, etj…Të  vecantë  kishte  Shekspirin, për  të cilin thoshte se “forca  dramatike  dhe  tragjike  e  veprave  të  tij, është kaq  e madhe  sa  i takon  të  matet  vetëm  me vullkane  e  tërmete emocionale”…Në  një rast tjetër  më  suprizoi  duke  më  thënë  se  dikur  kishte  lexuar  se  anglezët  po  qe  se  do  ta  dinin  cfarë  ka  shkruar Bajroni  për  mikëpritjen  dhe besën  shqiptare  e Ali Pashë  Tepelënën, nuk  do  ta kishin nguruar ta grisnin  “Traktatin  e Londrës” për  copëtimin  e  Shqipërisë.

Në  mbyllje  të këtyre  kujtimeve  dhe  vlerësimeve  dëshiroj  të theksoj  se  natyra  i  kishte  falur  Astritit  gjithçka, që  i  nevojitej  për  të  qënë  një kryefamiljar  i  mrekullueshëm, i  fali  portretin  aq  të  veçantë si  në  skulpturat  e Mikelanxhelos…



11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page