Minella Aleksi
Njerëzit që lexojnë letërsi artistike mësohen të mendojnë me mëndjen e vet.
“Të menduarit me mendjen e vet” nënkupton që, nga një këndvështrim skeptik pasi të jenë vlerësuar burimet e informacionit dhe opinionet alternative arrihet të formulohet një gjykim vetjak për një situatë të ckatuar. D.m.th të aftësohesh për të menduar në mënyrë kritike. Të menduarit kritik e ndihmon individin që të ketë zërin e vet jokonformist, i ndryshëm nga zëri i turmës. Lidhur me leximin e letërsisë shkrimtarja nobeliste Doris Lessing besonte se: “Njerëzit që e duan letërsinë kanë të paktën një pjesë të mendjes së tyre imune ndaj indoktrinimit”. Indoktrinimi është injorancë dhe, thuhet se injoranca e njeriut të shtypur kthehet fatkeqësisht në forcë për shtypësin. Kjo është e keqja e madhe e indoktrinimit, të mbetesh i shtypur, skllav pa integritet. Studjues të rëndësishëm të letërsisë pohojnë se, letërsia nuk do të na bëjë as më të mirë dhe as më të këqinj, por do na mundësojë të dëgjojmë veten kur flasim me veten tonë. Kreativiteti artistik i një shkrimtari të rëndësishëm është arma më e fuqishme e intelektit njerëzor në mbrojtje të të drejtave e lirive të individit. Ka vend të bëhet pyetja: A mund të matet shkalla e indoktrinimit të njerëzve me “metrin” sesa letërsi cilësore lexon shoqëria shqiptare? Po të flasim për 40 vitet e fundit për ne shqiptarët përballja me leximin e letërsisë artistike nuk është aspak inkurajuese. Sjellja jonë në këto katër dekada është dëshmia më e fortë e këtij pohimi.Vitet e amokut suicidal 1997- 1998 e në vazhdim treguan sesa thellë indoktrinimi është ngulur në mendësinë e njeriut shqiptar. Me rënien e shtetit, i zgjuar nga letargjia, i furnizuar me karburant prej gjaku shqiptar rifilloi të gjallojë mekanizmi mesjetar i Kanunit të Maleve. Tema e ditës ishin vrasja dhe gjakmarrja. Me bekimin e politikanëve në krye të shtetit u bastisën universitetet, bibliotekat e arkivat shqiptare i përpinë flakët. Pse pikërisht ato?. Për të vetmen arsye: në historinë njerëzore lënda, dituria që gjëndet brenda atyre ndërtesave ka zhbërë diktatorët dhe tiranët. Në fund të viteve 70 të shek. të kaluar lexuesi shqiptar pati në duar romanin “Prilli i thyer” ku shkrimtari eksploron një nga temat e përsëritura në librat e tij: se si ka ndikuar dhe ndikon e kaluara jonë historike në të tashmen. Jo më kot thuhet se historia na tregon se çfarë njerëzit kanë bërë në të kaluarën, kurse letërsia na tregon sesi ata mendonin. Raportet njerëzore, sjellja me të vërtetën, e drejta dhe teprimi me të, lakmia, besnikëria, grindja, miqësia, hakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike dhe të hysh në mekanizmin e tyre do të thotë t'a jetosh mundësinë e tragjedisë. Ne si shoqëri e kemi jetuar dhe vazhdojmë t'a jetojmë tragjedine e gjakmarrjes. Te “Prilli i thyer” personazhi gazetar, Besiani, ka shkruar një artikull mbi gjakmarrjen, me një titull të përbindshëm “Gjakmarrjelogjia”, ku fenomeni trajtohet si një tragjedi shoqërore dhe përcaktohet si “industria e gjakut”, “gjaku si mall”, “mekanizmi i gjakmarrjes”. Shkrimtari guxon të shikoj e të përcjellë anën e kundërt të Kanunit. Mirë në shekujt kur nuk funksiononte shteti, po çfarë e nxit dhe e ushqen gjakmarrjen në rrethanat e egzistencës së shtetit?. Shkrimtari përsëri vite më vonë i rikthehet temës së Kanunit në romanin “Lulet e ftohta të Marsit”. Duket Atë e kish “goditur” kjo tragjedi që luhej përditë në skenën e jetës reale shqiptare. Nuk thonë kot se një shkrimtar i talentuar godet një shenjë që të tjerët nuk munden, ndërsa gjeniu godet një shenjë që të tjerët nuk e shikojnë. Me siguri intuita e gjeniut, të menduarit e tij kritik sipëror “Janusian” ka parë te Gjakmarrja diçka të rëndë për të ardhmen e shoqërisë dhe kërkon t'i dalë së keqes përpara.
Në një studim me titull “Shqiptari përballë dhe brenda Kanunit”, A. Dema 2018 sjell opinione dhe interpretime të studjuesve të rëndësishëm të Kanunit në vitet 1920-1940, opinione që dua të besoj se kanë qënë të njohura për shkrimtarin kur ka shkruar romanin “Prilli i thyer”. Nga ky studim po sjell shkurt disa fragmente. “Parimet bazë të Kanunit ishin parime morale. Njerëzit e ndjenin respektin e tyre si një urdhër të ndërgjegjes dhe ndonjëherë ishin në mëdyshje midis ndërgjegjes sociale dhe asaj fetare. Malësorët sipas mendësisë kanunore, që në fëmijëri, bashkë me rakinë “pijnë” konceptin “nderi dhe shpirti janë të barabartë”. I pari është nderi. Ky parim është mishëruar në zemrat e tyre dhe nuk ekziston asnjë justifikim për t'a shkulur prej atje. Me punën e tij kolosale Gjeçovi ka sjellë prova që dëshmojnë se në famullitë katolike shqiptare zbatoheshin një sërë normash kanunore, të cilat habitshëm ishin në kundërshtim me normat ungjillore të besimit të krishterë. Kisha Katolike Shqiptare në famullitë e saj e ka njohur bashkëjetesën e njerëzve në gjakmarrje, megjithëse në vetvete grindjet e përgjakshme bien ndesh me mesazhin e përsëritur të Krishtit për të falur kundërshtarin. (Madje unë shtoj një opinion timin që, në famullitë katolike priftërinjtë jepnin kontribut të çmuar vetjak në pajtimin e gjaqeve, por institucionalisht Kisha katolike nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim zyrtar ndaj gjakmarrjes, M.A). Një qëndrim i dyzuar, një dilemë e pashpjegueshme. Kjo aq më shumë imperative në kushtet kur filloi e në vazhdim të funksiononte shteti shqiptar si garant i drejtësisë sociale. Gjeçovi pohonte se as “Lahuta e Malsisë” dhe as “Besa” e S. Frashërit nuk do ishin aq të mira sa janë po të mos kishin qenë krijuar dhe shkruar mbi thelbin kanunor. Për At Zef Pllumin, “Kanuni i Lek Dukagjinit, ishte letërnjoftimi shqiptar. Shqiptarët sipas tij ishin barbarë, por të pavarur. Qasja e françeskanve e shprehur nëpërmjet përrallave të Donad Kurti (Kush bën mirë, gjen mirë) ishte një qëndrim me vetëdije të plotë, qartësisht kundërshtues i gjakmarrjes. Mendon dhe vepron si një intelektual dhe humanist i formuar, me mesazhe civilizuese, të paqes dhe mirësisë. Intelektualët shqiptarë, të konsideruar si figurat më të rëndësishme të kulturës dhe artit në fillim të shekullit të njëzetë ndër ta Mithat Frashëri nuk duket se janë në sinkron me At Gjergj Fishtën, konceptet dhe gjykimet e tij thuajse imponuese. Madje Fishta vetëdijshëm e pranonte se praktika e kanunit nuk shihet si vlerë aktuale në arenën ndërkombëtare. Por shpjegon se të mbetur të izoluar nga pjesa tjetër e Europës, njerëzit e mbetur mes malesh, të vetmin informacion civilizimi kishin parimet fetare kristjane e ndonjë traditë rudimentare e trashëguar prej ndonjë kulture të huaj. Duke gjetur në Kanun edhe reminishenca përngjasuese me sistemet juridike europiane, Fishta vë në dukje se drejtësia që jep Kanuni krahasohet me drejtësinë e çdo gjykate europiane. Madje At Gjergj Fishta nuk është aspak në një mëndje me At Zef Valentinin dhe filozofinë e tij egzistenciale, i cili si përçues humanizmi, shfaq një gjendje të dyshimtë. E fut gishtin në plagën që shkakton kanuni, qoftë si lëndë, qoftë si objekt. Për Mehdi Frashërin “egzistenca aktive e Kanunit i rendiste shqiptarët në radhë me komunitetet më të pacivilizuara, me sjellje antisociale dhe të egra”. Ndërsa E. Çabej në librin “Elemente të literaturës dhe të gjuhës shqipe” e konsideroi Kanunin si vlerë trashëgimore letrare me qëllime didaktike në shkolla. Pas këtyre citimeve le të shohim sesi është sjellja shoqërore sot.
Pas botimit të Kanunit në vitin 1933 elita intelektuale shqiptare e konsideronte gjakmarrjen një plagë të rëndë për shqiptarët. Në vitet e Mbretërisë, Kanuni i Maleve ishte i mbështetur dhe i energjizuar fuqimisht nga Bajraktarët ose Princat e krahinave. Shteti komunist me lidhet e tij vendosi drejtësi sipas parimeve të diktaturës së proletariatit dhe besimit të verbër te feja e vet, lufta e klasave.
Në 40 vitet e fundit, nga shqiptarët që me shekuj moralisht e juridikisht janë bazuar te Kanuni, si fjalë të parë pas një vrasjeje dëgjon: “do marrim hak si familje, jemi në gjak dhe gjaku lahet me gjak”. Të kapur peng brënda mentalitetit kanunor, të indoktrinuar verbërisht me “ligjet” e gjakmarrjes, nuk kanë asnjë fije skepticizmi ose dyshimi për rrugën që zgjedhin, gjakmarrjen. Po Shteti? Ndoshta shpesh të braktisur prej tij, zgjedhin të bëjnë atë që bëjnë të tjerët, shumica. Peng të Gjakmarrjes, me mëndjen të intoksikuar nga indoktrinimi kanunor mbesin brënda burgut të padukshëm të mendjes së vet, nga ku arratisja bëhet tepër e pamundur. Mendoj se fenomeni “Gjakmarrje” merret në mbrojtje nga hallka të caktuara “kanunore” në krye të shtetit dhe të mbështetura nga një masë e madhe të indoktrinuarish. Kjo zhvillohet sipas një mënyre që zakonisht haset te ata që mbrojnë një dogmë, e cila pranohet jo përmes arsyes por verbërisht, indoktrinimit nëpërmjet besimit, siç ndodh me besimin fetar. Nga koha e formimit të shtetit Kanuni i Maleve dhe Shteti shemrojnë njëri tjetrin përpara gjakmarrjes dhe në këtë shemrim qëndron më sipëror Kanuni.
A është realisht Gjakmarrja një lloj korporate gjigande ku marketingu dhe dokumentacioni arkivor njëlloj si regjistrat tatimorë sot, janë dy nga departamentet që garantojnë prodhimin në seri të “gjakut si mall”? Apo ndryshe, ndoshta si një skemë “Ponzi” tepër mirë e kalkuluar, ku investimi i gjakut fillestar shumëfishohet në përmasa marramendëse gjeografike përpara syve indiferente të shtetit?. Shekuj më parë, në mungesë të shtetit Kanuni ishte nevojë sociale barazpeshuese mbijetese në zonat ku funksiononte. Jemi në terren të të menduarit kritik prandaj hamendësoj për aq sa kuptoj se, ushqehet ose nxitet qëllimisht, i hidhet benzinë, nga burime të dyshimta qëllimkëqia për racën shqiptare.
Pushteti legjislativ dhe ai egzekutiv asnjëherë nuk kanë ndërmarrë ndonjë iniciativë për masa të forta anti gjakmarrje. Ndoshta për nga shkalla e indoktrinimit, si fenomen vëllavrasës, jemi një shoqëri e afërt me “Fermën e kafshëve” të George Orvvell. Besoj se po, përderisa për të bërë ligjet e shtetit në Parlament zgjedhim nga “Ferma e kafshëve” 140 derra. Para disa vjetësh në atë parlament ishte një prej këtyre “kafshëve” që qëlloi me armë një tjetër të tillë. Shkaku: sepse në një sherr mes të dyve ditë më parë, i godituri me armë i kishte futur kokën ndër shalë vrasësit. Vrasësi qëlloi 5 herë për të vendosur “nderin “ në vend, pasi sipas “Kanunit të maleve” ky burrë ndjehej i “çnderuar”. Kanuni e quan çnderim kur burrit ia fut kokën në mes të shalëve. Gjatë fushatës kandidatët për në Parlament premtojnë pa pushimin shtetin ligjor, ndërsa kur ulen si ligjbërës funksionojnë me të drejtën zakonore shqiptare sipas Kanunit të maleve. Pyetja e parë që të vjen në mend: a kanë lexuar ndonjëherë në jetën e tyre këta parlamentarë të indoktrinuar letërsi artistike në 50 vitet e fundit?. Përndryshe me siguri që do ishin tronditur nga “Prilli i thyer”, do kishin filluar të mendonin me mëndjen e vet përpara emërtimeve “industria e gjakut” dhe “gjaku si mall” që bën shkrimtari për “Gjakmarrjen”. Në Parlament me veshje moderne firmato, me kokën plot e për plot me Kanun, ngrohen në zjarret e Gjakmarrjes dhe pasurohen nga taksat e masave të indoktrinuara shqiptare. Po ata pjesëtarë të “Fermës” që janë rritur në rrafshin gjeografik ku jeta organizohej nga Kanuni?. Indiferent ndaj “industrisë së gjakut”dhe fenomenit “Gjakmarrjelogji” asnjëherë nuk ndërmorën iniciativën që në atë Parlament të bënin një ligj historik me vetëm dy fjali: “Kanuni i Maleve përbën një vlerë trashëgimore të së kaluarës historike. Juridikisht Shteti është garanti i drejtësisë shoqërore”. Dikur në provimet e maturës në lëndën e letërsisë kishim një tezë mbi disa libra artistikë të autorëve më të njohur shqiptarë. Duhej t'i lexonim me Detyrim dhe në provim të mund të bënim interpretim të mesazheve që përcillnin. Më vonë kuptuam se hartuesit e programeve mësimore për arsimin e mesëm kishin pasur shumë të drejtë. Mendoj se për të parandaluar hyrjen e “kafshëve” në Parlament, kandidatët Detyrimisht të testohen njëlloj si dikur për testin e letërsisë. Albert Ajnshtajni pohonte: “Më shumë në jetë më ka dhënë letërsia e Dostojevskit sesa formulat e Gausit”. tij. Pyetjes se kur ka qënë numri më i madh i besimtarëve në fetë e ndryshme 300 - 400 vjetë më parë apo në shek. e 21të?, Përgjigja është e njëjtë si nga besimtarët ashtu edhe jo besimtarë. Shekuj më parë kanë qënë më shumë. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Njerëzit filluan të lexojnë. Shtypshkronja u shpik në 1440, por u deshën disa qindra vjet që ajo të përdorej gjerësisht dhe të përdorej për më shumë sesa thjesht shtypjen e Biblave. Ideatori i Reformës protestante Martin Luther krahas të tjerave është edhe ideatori i parimit që arsimimi të ishte një e drejtë për të gjithë njerëzit, jo vetëm për klerin. Falë këmbënguljes së tij u arrit që edhe arsimimi i vajzave të ishte një e drejtë si për të gjithë. Pamfleti i hartuar nga Martin Luther “Këshilla për këshilltarët e qytetit të të gjitha qyteteve gjermane” bëri që përgjegjësia kryesore për arsimin t'u ngarkohej bashkive të qyteteve, duke ja hequr Kishës katolike romake kontrollin e shkollave. Pas 2-3 shekujsh një pjesë e madhe e popullsisë arriti të bëhej e shkolluar. Nuk ishte e rastit që 200-300 vjet më pas bota anglosaksone filloi të lexojë letërsinë e Charles Dickens, Gustav Flober, Johann Goethe, etj. Nëpërmjet arsimimit dhe leximit është e mundur që një mëndje e indoktrinuar të evoluojë në një mendje të hapur drejt të menduarit kritik.
Reformacioni protestant vazhdon të jetë në konflikt me indoktrinim, konflikt që vazhdon të formësojë botën tonë. Pas pothuaj 4 shekuj në Shqipëri u hap nga misionarët protestantë shqiptarë. e para shkollë për vajzat, pas atyre të djemve. Letërsia artistike shqiptare ka mjaftueshsëm qualitet të nivelit europian për të kontribuar në përmirësimin e të menduarit kritik të lexuesit shqiptar. Në një shoqëri që vazhdimisht përpiqet të të indoktrinojë arritja më e madhe është të jesh vetvetja. Indoktrinimi punon sipas një axhende të fshehtë, duke të mësuar ÇFARË të mendosh, jo SI të mendosh. Prandaj leximi i letërsisë artistike dhe zhvillimi i të menduarit kritik është domodoshmëri egzistenciale për një shoqëri të indoktrinuar, sot më shumë se kurrë.
Comments