top of page

NJȄ FSHAT ME VLERA ...






DUKE VIZITUAR NJȄ FSHAT ME VLERA HISTORIKE

- Shenime udhëtimi –

NGA VLASH PRENDI

Këto ditë doli nga shtypi libri monografik “Domgjoni në dokumente, gojëdhëna dhe histori”, botimi i dytë i ripunuar i studiuesit të njohur mirditor Llesh Ndoi, botimi i pare i të cilit qe bërë në vitin. Eshtë një monografi historike kushtuar një fshati të veçantë në rrethin e Mirditës, për të cilin studiuesi i njohur hulumtoi dhe zbuloi të dhëna të reja historike, prandaj u detyrua t’a ribotonte perseri. Trevë e njerëzve të urtë e bujarë, patriotë dhë liridashës, vendi i një gurre të njohur monument kulture, vendlindja e figurave të shquara të histories dhe kulturës sonë mes të cilëvë Patër Gjergj Fishta, prof. Zef Vorf Nekaj, studiuesi i njohur kosovar prof. Hasan Hasani – Përkola. Studiuesi Llesh Ndoj është një krijues i përmasave mbarëkombëtare, është autor i rreth 16 librave studimorë, poetikë dhe monografikë. E kam njohur vite më parë si krijues sidomos si poet, ku pati krijuar profilin e tij të admirueshëm në poezi, tani edhe si studiues. Në këtë vepër shihet puna plot pasion, e lodhshme, emocionale dhe për më tepër motivuese e studiuesit të njohur. Pena me traditë e autorit ka spikatur bukur vlerat historike, shpirtërore dhe njerëzore të fshatit të tij të lindjes, fshatit më të njohur në Mirditë, Domgjonit.

Të shkruash një monografi aq të bukur, me nivel dhe mbreslënëse, autorit i është dashur mjaft punë dhe djersë, sidomos në shfletimin e materialeve të ndryshme nëpër arkiva, dorëshkrime, libra, gazeta, etj, punë të cilën autori e ka përballuar me sukses. Ripunimi i kësaj vepre, vjen në momentin e duhur dhe për trevën e duhur, për të vertetuar me dokumenta historike ato të dhëna që thuhen dhe mendohen për Domgjonin, këtë fshat sa historik, bujqësorë dhe turistik të trevës së Fanit. Që në fillim autori ka studiuar etimologjinë e emrit të fshatit dhe verteton se toponimi Domgjon, ka ardhur nga emri i një misionari katolik nga Gjakova me emrin Gjon. Edhe pse analizon disa burime të mundshme të prejardhjes së këtij emir, autori këmbëngul tek ajo e priftit Gjon, roli i të cilit mund të ketë qënë dominant duke e lidhur këtë jo vetëm me gojdhënën, por edhe me kushtet e përgjithshme historike, e sidomos me atë që i ka detyruar njerëzit të dalin në këto male, ku autori nënkupton represionin osman. Në mesjetën e hershme vendi ku u vendos Dom Gjoni, nisi të popullohet me bujq punëtorë, që ia ndryshuan faqen vendbanimit, derisa u formua fshati me emrin Domgjon. Gjithsesi, tezat që diskutohen kanë të vërteta historike, por deri tani nuk ka ndonjë fakt tjetër bindës për këtë. Fakti se toponimi Domgjon, nuk përmendet në regjistrat turke të viteve 1529, 1536, 1537 por vetëm në vitin 1671, ndoshta përforcon më shumë hipotezën e autorit se emri i fshatit vjen nga ky prift katolik Dom Gjoni, ardhur nga Gjakova.

Domgjoni del në dokumenta si vend i banuar që në shkeujt IV - V të e.s., bile faktet se gurra e Lashtë, ndër më të rrallat në llojin e vet në vendin tonë e më gjërë, mbeturinat e shkrirjues së bakrit në qytezë etj, tregojnë për popullsi të zhvilluar. Gojëdhëna nga ana tjetër, tregon se kjo popullsi, ka ardhur nga Pashtriku i Gjakovës këtu e 4 - 5 shekuj më parë. Autori përmes analizës logjike dhe historike kërkon të vertetojë lashtësinë e këtij fshati, rolin e tij në historinë tone dhe të përshkruajë disa figura të njohura kombëtare dhe locale të dala nga ky fshat. Për të dhënë një paraqitje panoramike të këtij fshati, për të përshkruar historinë dhe kulturën e tij, vendin që merr në analyze autori, së bashku me studiuesin e njohur bëmë një visitë në këtë fshat, ku përgatita këtë përshkrim të tij.

x x x

Kemi lënë prapa qytetin e Rrëshenit me bukuritë e tij natyrore, shtrirë në luginën e lumit Fan, e ndërsa makina jonë rrëshqet mbi Rrugën e Kombit drejt krahinës së njohur të Fanit të Mirditës, si i përhumbur në mendime, shfletoj veprën studimore të studiuesi Llesh Ndoi “Domgjoni në dokumente, gojëdhëna e histori”, botuar para pak vitesh. Së bashku me poetin dhe studiuesin tashmë të njohur Llesh Ndoi, udhëtojmë drejt këtij fshati të njohur të Mirditës me një histori të lashtë, por edhe të lavdishme, prandaj doja t’a njihja më të plotë historinë e lavdishme të këtij fshati të njohur, shtrirë krenar aty rrëze Munellës, malit symbol të trevës së Fanit. Domgjoni njihet që nga mesjeta e hershme, sepse objektet kulturore dhe historike, toponimet dhe gojëdhënat flasin për të kaluarën dhe lashtësinë e këtij fshati sa të bukur edhetë veshur me mistere. Gjatë udhëtimit tone të këndshëm dhe plot vlera, Lleshi ka marrë persipër të më shpjegojë edhe ngjarje nga e kaluara, tëmë tregojë vendet ku ka shërbyer si drejtues i Ekonomisë Bujqësore për disa vite me radhë në këto anë, vështirësitë e punës dhe toponimet dhe emrat e vendeve nga do të kalonim. Nuk ishte e lehtë për bashkëudhëtarin tim tashmë një personalitet në fushën e letrave shqipe, autor i mbi pesëmbëdhjetë librave me poezi dhe studime, që të më tregojë ngjarje, data, personazhë dhe të dhëna ekonomike për një krahinë të tërë, sidomos për Domgjonin e tij të dashur të cilit i ka kushtuar një pjesë të jetës, duke e përjetësuar në faqet e një libri mjaft të bukur me rreth treqint e pesëdhjetë faqe. Ndonse në këtë vepër me shumë vlera përmblidhet historia e këtij fshati të njohur, studiuesi nuk është aq shumë i kënaqur me atë që ka arritur, prandaj ka menduar ta ripunojë materialin, të shtojë edhe disa kapituj të tjerë, të marrë në shqyrtim edhe disa figura të njohura që kanë kontribuar për Domgjonin dhe Mirditën dhe t’a ribotojë veprën duke e dhënë historinë e vendlindjes së tij më të saktë dhe më të plotë.

- Këtu është Bargjana! - më thotë Lleshi. Një grykë e ngushtë mes dy malesh, ku dikur gjarpëronte një shteg këmbësorësh që në dimër bëhej i pakalueshëm për të shkuar në Fanë e Domgjon, ku tani kalon rruga, të cilën fanasit nuk e kishin imagjinuar. – Ja në këto lugina, male e shtigje kaloja për të qënë gjithnjë afër kooperativistëve, në ato ditë të vështira kur kryeja detyrën e Kryetarit të Kooperativës në këto anë, - shton ai. Dhe më përshkruan Lleshi momentët e vështira të jetës plot peripeci dhe dhimbje që kishte kaluar në këto male, vuajtjet dhe përpjekjet e babait të tij fisnik Markut, për të rritur dhe edukuar fëmijët, me dashurinë për vendlindje dhe normat e moralit shoqërorë. - Ja ai fshati mbi kodër është Blinishti! - më tregon me dorë poeti, i cili padiskutim do të jetë frymëzuar nga bukuritë e këtyre viseve dhe vlerat njerzore të këtyre njerëzve që ka shperthyer aq vrullshëm në poezi kohët e fundit. Kujtoj në këtë rast artistin dhe këngëtarin e njohur Mark Gjoka Mjeshtër i Madh, që kalindur dhe është rritur në këtë fshat. Me Markun na ka njohur periudha e studimeve në universitet, por që mbetet një talent në fushën e artit, një personalitet i njohur në Mirditë e më gjërë. Figura të tilla të spikatura kjo trevë ka shumë. Janë pikërisht këto personalitete që po ja ndrisin historinë dhe rrisin lavdinë Mirditës.

Jemi në qendër të Fanit. Lleshi më tregon jo pa nostalgji objektet kulturore dhe administrative të dikurshme. Shohim shkollën, e cila dikur gumëzhinte nga zërat gazmorë të fëmijëve, ndërsa sot numri i tyre ishte zvogëluar deri në kufijt e mbylljes. Megjithse qëndruam pak kohë në qendër, pak njerëz apo nxënës pamë të lëviznin nëpër rrugë. Kundrojmë kopshtin e dikurshëm të fëmijëve, objektet tregtare, ambulance, të cilat tani heshtnin dhe muret e tyre të nxira sikur parandjellnin kohë edhe më të vështira. Jo i pa shqetësuar, Lleshi më tregon se dikur kjo qëndër ishte më e rendësishmja e zones dhe gjallëronte nga lëvizjet dhe bisedat sikur të ishte një qytet, ndërsa tani rralë sheh njeri ose familje të gjallojë në këto anë. Të liston factorët dhe argumentët studiuesi ynë, sepse e njeh mire gjendjen dhe i di dukuritë që kanë ndikuar në shpopullimin e fshatrave malorë të Mirditës ku të parin rëndit emigracionin dhe pastaj migrimin e brendshëm për shkak të mungesës së kushteve jetësore dhe klimës së ashpër.

Udhëtojmë drejt fshatit të njohur të Domgjonit, vendorigjina e atë Gjergj Fishtës, këtij kolosi të letrave shqipe dhe vendlindja e të parëve të shkrimtarit të njohur Hasan Hasani - Përkola. Rruga është malore dhe e vështirë, por mjaft e këndëshme dhe plot befasi. Më tërheq vëmendjen një ndërtesë dykatëshe në breg të një përroi. Lleshi sikur e lexon kuriozitetin tim dhe më shpjegon se pikërisht në atë ndërtesë kishte jetuar rreth pesë vjet, në periudhën kur kishte shërbyer si drejtues i ekonomisë bujqësore. - Ishin vite mjaft të vështira, sepse po drejtoja një ekonomi malore, me problem të thekësuara në fushën e prodhimit dhe të ardhurave, por kasha fatin e madh sepse kisha bashkëpunëtorë dhe bashkëfshatarë që më kuptonin dhe më ndihmonin në çdo moment dhe në çdo vështirësi. Kështu edhe rezultatet nuk munguan. Lleshi ka lënë emër të mire në këto anë, si drejtues, si bashkëfshatarë dhe si njeri, gjë që e tregon edhe biseda që bëmë me disa banorë domgjonas.

Qendra e fshatit Domgjon, megjithse të le përshtypjen e një panorame të bukur dhe piktoreske, shtrirë në rrëzë të Munellës krenare, tashmë ka heshtur. Rrallë mund të shikosh ndonjë banorë që lëviz, ose ndonjë nxënës në oborrin e shkollës. Vizitën e pare e bëjmë tek L’teri i njohur i Domgjonit, i cili mendohet se është vendosur rreth viti tetëqind. Ȅshtë një objekt kishtar i veçantë që ka shërbyer për lutje edhe në periudhën e sundimit komunist. Për 50 vjet rresht, domgjonasit e ruajtën të paprekur këtë objekt të lashtë historik. Në qendër të fshatit vezullon hareshëm edhe bust ii atë Gjergj Fishtës, të cilin ne e kundruam plot respect dhe admirim. Të entuziazmon fakti se Domgjoni është fshati nga ka prejardhjen edhe një prej figurave të letërsisë shqiptare atë Gjergj Fishta. Lleshi më tregon se poeti i madh i kombit rrjedh nga fisi Paci, që në fshatin e origjinës kanë pronat, në disa vende rrënojat e ndërtesave dhe disa emërtime vendesh ose toponime. Janë të shumtë studiuesit që e vertetojnë një fakt të tillë, por edhe pasardhës të fisit Paci e kanë vertetuar një fakt të tillë, madje Besnik Paci, një nga pasardhësit e tij, ka ngritur edhe një përmendore të Fishtës, në qendër të fshatit. Krenar qëndronte Fishta i madh, me shikim nga e ardhmja, sikur po priste të vinte Jerina, vajza domgjonase – mbretëresha e luleve së cilës Fishta i kushtoi një vepër të tërë. Studiuesi flet me superlative për figurën shumëdimensionale të poetit të madh, të cilit i ka bërë një analizë profesionale në libër. - Ȅshtë nga ata figura të shquara të kombit tone, që me veprën dhe aktivitetin e tij letrarë dhe patriotik, bën krenarë Domgjonin, Mirditën dhe mbarë shqiptarinë, - e mbyll mendimin poeti.

Para shumë vitesh, një mik imi më pati thenë: “Kultura e një populli, veç të tjerave shihet edhe tek mirëmbajtja e varrezave, sepse pikërisht këtu tregohet respekti për ata që nuk jetojnë më”. Këtu në Domgjon vertetohet më së miri një fakt i tillë. Vendi ishte i rrethuar, i sistemuar sipas fiseve, kudo kishte pastërti. Hyjmë në varreza dhe bëjmë homazhe tek varri i prindërve të Lleshit, vendosim tufa me lule në kujtim të tyre. Lleshi më flet gjithë emocion për jetën dhe veprimtarinë e tyre, punën e palodhur dhe përpjekjet për të rritur dhe edukuar fëmijët. Ai më sqaron se shumica e figurave të shquara që ka marrë në shqyrtim në librin e tij të ri “Domgjoni në dokumente, gojëdhëna e histori” - botimi i dytë, prehen pikërisht në këto varreza, fotot e të cilëve autori i sheh gjithë respekt dhe admirim, madje më thotë edhe disa emra të tyre si: Kolë Pjetër Laska, heroi Pjetër Llesh Doda, Mark Zef Frroku, Ndue Prengë Marku, Gjetë Ndue Kaza, Gjon Ndue Perndoca, Mark Preg Çuni, Pjetër Ndrecë Paluca e ndonjë tjetër. Poeti ka kujtime të bukura në familjen e madhe që jetonte tek kulla në krye të fshatit. Nisemi për në trojet e vjetra. Një vend i bukur, plot gjelbërim, uji të freskët dhe aromë pemësh. Dominojnë kumbullat, arrat dhe thanat, të cilat prodhojnë një raki mjaft të pelqyer në këto anë. Kulla e moçme ka qënë dykatëshe, për kohën mjaft komode dhe e kompletuar, ambiente të bollshme, madje edhe me dy çesma. Lleshi flet gjithë emocion për jetën e vështirë, por të bukur që ka kaluar në këto troje. Tani shtëpia është bërë e pabanueshme, por largohemi me studiuesin me një brengë në zemër dhe indinjatën e pamasë për shkaqët e shpopullimit të fshatrave dhe braktisjen e kullave të moçme, me vera historike. Lleshi premton se do të bëjë diçka në të ardhme, për të mbajtur gjallë kujtimin e të parëve dhe për të mos harruar trojet e tyre.

Të shkosh në fshatin e bukur dhe historik të Domgjonit dhe të mos vizitosh pak çaste Gurrën e Lashtë, nuk do kishte kuptim. – Tani do të shohësh një nga mrekullitë e rralla jo vetëm të vendit tone, por ndoshta edhe në Ballkan, - më tërheq vemendjen Lleshi, Për hir të së vërtetës duhet të pohoj se ishtë vërtetë një mrekulli natyrore, por e lënë pas dore nga autoritetet e pushtetit vendorë dhe shteti, si një objekt me rendësi të vaçantë. Gurra e Domgjonit, ose ujësjellësi i lashtë karakteristik, ka një origjinalitet të pa krahasueshëm me burime të nëndheshme, që ruhen edhe sot një pjesë e tyre. Tuneli është hapur në galeri horizontale, veshur me mure anësore, kurse nga sipër është mbuluar me murë guri. Nga të dhënat që disponojmë, konstatojmë se gjerësia e tunelit është rreth 1 m, kurse lartësia lëviz nga 80 cm deri në 1,3 m, përmasa këto që lejonin kalimin e njeriut me trup të përkulur nëpër shkallët e improvizuara. Rreth 100 m nga dalja e tunelit nëntokësor, nëpër të cilin rrjedh vrullshëm uji i ftohtë dhe i kristaltë, është ndërtuar pusi i kontrollit, i cili nis me një hyrje të maskuar nga sipërfaqja e tokës, aq sa udhëtarit të zakonshëm nuk ia tërheq vëmendjen. Nga hyrja, për tek gurra në fund të pusit, ku gurgullon një lumë i kristaltë mund të zbritet me anë të 23 shkallëve prej guri në formë spiraleje, që vetë fshatarët i kanë ndërtuar me mjetet e tyre material dhe monetare. Shkallët janë vendosur në faqen e brendshme të posit, shoqëruar me ca parmaqkë teli për të parandaluaqr aksidentet e mundëshme. Gjerësia e pusit shkon deri 2,15 m, ndërsa lartësia e tij është rreth 8 m. Bashkë me Lleshin, zbresim ngadalë shkallët e gurta. Studiuesi më shpjegon se, Gurra e Domgjonit është e vetmja e këtij lloji në vendin tonë dhe për më tepër në gjithë Ballkanin. Së bashku me kështjellën, që në popull njihet me emrin Gradishtë - qytezë, e ndërtuar në antikitetin e vonë, me sa duket aty nga shekulli VI – të i erës sonë, flasin për një vendbanim të lashtë dhe të rëndësishëm. Duke kundruar me vemendje këto objekte historike të lashtësisë, vizitori konstaton se ndërtuesit kishin një traditë të shquar në punimet nëntokësore, por edhe si nxjerrës të mineraleve. Kurioziteti më motivoi që të kërkoj të di origjinën e ndërtimit të këtij thesari të vacantë në llojin e tij. Ja si e shpjegon legjenda ndërtimin e kësaj vepre: Rreth 14 shekuj me parë, pesë vellezer te cilet ndodheshin në nje situate të vështirë, u arratisën nga Peja e Kosovës. Vellezërit kishin udhëtuar përmes Kukësit dhe kishin vajtur në Fanë të Mirditës. Për të qënë të sigurtë nga përndjekësit e tyre, ata ishin vendosur në pllajën përbri vargmaleve të Munellës, ku sot ndodhet fshati Domgjon. Veç veprimtarive të tjera për të siguruar mjete jetese, duhej siguruar edhe uji. Por vëllezërit, nuk e dinin se ishin vendosur mbi një burim të nëndheshëm, të cilëve u duheshin vetëm 8 metra gërmim në thellësinë e tokës. Legjenda tregon se kuajt e tyre, të detyruar nga etja e madhe, me anë të shqisave mundën të zbulojne se nen tokë ndodhej nje burim i pashtershëm ujorë. Vëllezërit i besuan instinktit të kafshëve dhe me mjetet e tyre filluan të hapnin një pus deri sa gjetën ujin e ftohtë, që njohim sot. Sipas dokumentave historike, qe në kohën e Justinianit ka patur nëpunes perandorakë, që merreshin me administrimin e kesaj pasurie. Më tej, legjenda thotë se vëllezërit thirren disa mjeshtra të njohur dibranë, të cilët pasi llogaritën thellësinë e liqenit nëntokësorë, në një distancë prej 50 metrash, ata hapën një tunel nëntokësorë, nga ku uji doli në siperfaqe. Edhe sot ky uji përdoret për konsum të përditshëm dhe për vaditje. Kjo vihet re lehtësisht nga moria e tubave të gomës që zgjatoheshin thuajse në çdo shtëpi të fshatit. Në fakt, ky objekt i lashtë është shpallur ”Monument kulture”, por investimet për të mungojnë tërësisht.

Ndërsa po bisedonim për toponime të tjera të Domgjonit, trajtuar gjërësisht edhe në librin studimorë të Lleshit, na tërheq vemendjen një burrë rreth të 70 – tave, i cili afrohet pranë nesh. Ȅshtë ndihmësmjeku i fshatit Vlash Laska, një burrë fisnik që Lleshi e njihte prej kohësh. Ai kishte vite që shërbente në këtë fshat dhe megjithse ishte në pension vazhdonte endë të shërbente me pasion dhe pa u lodhur. Unë jam kurioz të njoh edhe toponime të tjera që studiuesi i përmend në libër. – Ja, atje janë Arat e Gjata, - më tregon Vlashi një panorama të bukur, ndërsa lart në kodër është Gradishta ose Qyteza. Nga libri monografik i studiuesit Llesh Ndoi, kam mësuar se në Gradishtë gjënden gjurmë të shumta të ekzistencës së jetës që nga periudha e neolitit. Pikërisht në atë vend, para shumë shekujsh, mendohet të ketë qënë një punishte e shkrirjes së metaleve. Ndihmësmjeku i njohur Vlash Laska na fton për një kafe tek lokali i fshatit, në të cilin kishte pak lëvizje. Dua të theksoj se Lleshi e njihte pronarin e lokalit Z. Lekë dhe bashkëshorten e tij, të cilët ruanin respekt për këtë ish – drejtues të ekonomisë. Ajo u largua për pak minuta dhe pastaj u kthye me një shishe rakie në dorë: - Ȅshtë raki thane, për miq që duhen respektuar, - tha ajo, ndërkohë që po mbushte gotat e rakisë. E falenderuam pa masë zonjën e nderuar, duke theksuar edhe një here virtytin e mikpritjes dhe bujarisë të popullit të Domgjonit trashëguar ndër shekuj. Nisemi nga Domgjoni i lashtë, me një brengë në zemër. Këtu mungon dora e investitorit dhe e shtetit, sepse me pak investime ky fshat mund të gjallërohet si dikur. Kur sheh shkollën pa nxënës, Gurrën e lashtë lënë në mëshirë të fatit, fshatin me numër të kufizuar banorësh, monumentet e kulturës pa një studim të mirëfilltë historik, tokat e mbetura djerrë, rruga pa shtruar etj, çdo vizitori që vjen në këto troje i humb shpresa se mund të bëhët diçka për të rigjallëruar jetën në këtë fshat, që për bukuritë që ka mund të quhet një perl natyrore e Mirditës. Largohemi nga Domgjoni, me besim se kur të rikthehemi here të tjera, gjendja të ketë ndryshuar...

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page