top of page

Një tregim mbresëlënës


Prof Dr Eshref Ymeri

Një tregim mbresëlënës

Tregimi“Idhulli im” i shkrimtarit Kozma Gjergji, i botuar në portalin “Fjala e Lirë” të datës 12 qershor, është një prurje origjinale, bukur artistike dhe mjaft e gjetur në botën e letrave shqipe: në pikturë, e mira dhe e keqja, krimi dhe fisnikëria, krimineli dhe shenjtëria, në krahët e njëri-tjetrit. Si në pikturën-heroinë të këtij tregimi, e cila mban diçiturën “Hitleri në krahët e Madonës” Por le të shpresojmë se në ndonjërën nga Bienalet e ardhshme ose në galeritë e famshme të Venecias, dikur do t’u ofrohet vizitorëve, adhurues të arteve figurative, një pikturë e tillë, me përmasa befasuese, në qendër të së cilës të shfaqen dy heronj kryesorë: Zoti dhe Djalli, por në të tilla pozicione: Zoti, i rënë në gjunjë para Djallit, me ca veshje të leckosura dhe me një pamje varfanjake për t’u dhimbsur, dhe Djalli, me veshje plot shkëlqim, bukçkan e kokorosh dhe me një pamje hijerëndë. Një pikturë kjo me diçiturën:

“Zoti i lutet djallit për pak mëshirë”.

Mendoj se një pikturë e tillë vizitorët do t’i tërhiqte si me magnet, prandaj edhe çmimi i saj do të ishte i paimagjinueshëm. Kjo për arsyen e thjeshtë se vërtetësia artistike e asaj pikture do të zbulonte lakuriq imoralitetin e asaj sëre njerëzish që tash sa shekuj nuk kanë të ngopur me pushtet, me lavdi dhe me para. Përfytyrimi i ekspozimit të një pikture të tillë në cilëndo galeri të arteve figurative në botë, më sjell ndër mend fjalët e shkrimtarit dhe reformatorit skocez Samuel Smails (Samuel Smiles - 1812-1904), autor librash të karakterit filozofiko-moral, të pasur me fakte nga biografitë e njerëzve të mëdhenj. Ai shkruan:

“Aftësitë intelektuale herë-herë janë të shkrira me natyrën më të neveritshme të moralit - me nënshtrimin prej skllavi ndaj njerëzve që mbajnë poste të larta dhe me fodullëkun ndaj atyre të shtresave të ulëta. Njeriu mund të ngrihet deri në shkallën më të lartë të përsosmërisë në artë, në letërsi dhe në shkencë, e megjithatë, për nga ndershmëria, virtyti. vërtetësia dhe ndjenja e detyrës, ai mund të qëndrojë shumë më ulët se çdo fshatar i varfër analfabet”.

Me fjalë të tjera, ajo pikturë do të përcillte në vetëdijen e vizitorëve idenë se në raportin Zot-Djall fshihet një dyluftim i heshtur, i përjetshëm, të cilin e ka fituar gjithmonë Djalli. Pranda Zoti, i leqendisur deri në atë shkallë, i lutet Djallit të jetë pak më i mëshirshëm me të.

Dhe me të vërtetë: le t’i lëmë përfytyrimet dhe t’i kthehemi realitetit tepër të prekshëm, duke shtruar pyetjen në vijim:

Fakti që 1% e njerëzimit zotëron pjesën dërrmuese, deri në një përqindje shumë të lartë, të pasurive botërore, është vepër e Zotit apo e Djallit? Në këndvështrimin tim, është vepër e Djallit. Se sikur të mos ishte kështu, a do të ekzistonin vallë miliona e miliona të varfër, deri edhe të uritur, sidomos fëmijë, në mbarë rruzullin tokësor? Nuk e besoj. Rezultati: Zoti është i pafuqishëm para Djallit.

Tregimi i shkrimtarit Kozma Gjergji ma arratisi kujtesën ca vite prapa dhe më solli në tryezën e punës esenë e shkrimtarit Sotir Athanasi, me titull “Frikë që na ka mbetur ende nga diktatura”, të botuar në Portalin “Fjala e Lirë” të datës 16 mars 2017, në të cilën ai përsiat bukur për atë karrigen gjigante me njërën këmbë gjysmë të thyer që ngrihet në lartësi, para portave të selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Sipas këndvështrimit të tij, ajo karrige e përçudnuar, “simbolikisht tregon se edhe këtu, në institucionin e vetëm të Bashkimit të Kombeve, Drejtësia çalon”.

Ky tregim madje ma degdisi edhe shumë më larg kujtesën, më çoi te vargjet e poezisë së bukur të Profesorit Vedat Kokona, me titull “E Drejta dhe e Shtrembta”, ku e Drejta “… prej sa kohësh nuk kishte ngrënë / Dhe syt’ e shuar një re ia kishte zënë, / Dhe fytyrës, dikur si hënë, / Hija e vdekjes i kish rënë. / Me këmbët që i shkonin kuturu, / Udhës po ecte, kur për krahu e zu / E Shtrembta topolake, faqekuqe, / E çelur pranë saj posi burbuqe”.

Kjo është magjia e fjalës artistike, e cila, me pak rreshta të kursyera, si në tregimin e Kozmait, ta ndez fantazinë dhe të krijon emocione të fuqishme.

Kolumbus, Ohajo

13 qershor 2020

155 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page