top of page

Një tezë ...


Një tezë doktorate e pashpallur


Gjergji Tasi Gusho, - djali i një intelektuali pogradecar me emër për veprimtarinë e dalluar profesionale dhe atmëmëdhetare, - është një figurë me të cilën kanë të drejtë të krenohen jo vetëm bashkëqytetarët, por të gjithë bashkëkombësit. Përvojën si mësimdhënës i gjuhës ruse e ka përgjithësuar në librin “Si të mësojmë vetë një gjuhë të huaj”. Vëllimi “Tregime, kujtime, poezi dhe artikuj pedagogjikë” dëshmon qartë për talentin në të shkruar në gjini të ndryshme letrare, ndërkohë që “Botë misterioze – Shkrimtarët e mëdhenj mbi artin e të shkruarit” dhe “Këngë folklorike nga rrethi i Pogradecit” përbëjnë një pasqyrë të afërisë që ka me botën e erudicionit botëror dhe njëherazi aftësisë për të hulumtuar, për të qëmtuar, për të përzgjedhur e për të shpalosur vlerat e pashtershme historike, kulturore dhe tradicionale të popullit në përgjithësi dhe të trevave të rrethit të Pogradecit në veçanti, të cilat i ka shkelur jo thjesht si kalimtar kurreshtar, por duke i ngarkuar vetes një mision fisnik, - të cilin ia kanë lehtësuar jo pak “kuvendimet” me monumentet e të gjitha kohërave dhe me banorët e trevave që i “strehojnë” ato, - : bërjen të njohur botërisht të pasurive shpirtërore e lëndore të mësipërme .

Mendoj se pikën më të lartë të ngjitjes në majat e dijes e ka kapur me botimin “Mbi përhapjen e krishterimit dhe të kishave në rrethin e Pogradecit” (308 faqe) . Parathënien e ka shkruar i ndjeri Misto Marko, mjek me famë dhe shkrimtar i njohur me pseudonimin Mirosh Markaj, pasuar nga “Dy fjalë” të mençura të profesor doktor Jovan Bashos, edhe ky mjek e studiues i shquar në disa fusha.


Shkrimi: Nga Kopi Kyçyku

Pjesa e parë e librit titullohet “Përhapja e krishterimit në Shqipëri” dhe trajton njëpasnjëshmërisht: Besimin fetar të pararendësve tanë; Kalendarin e hershëm të shqiptarëve dhe të kremtet pagane; Përhapjen e krishterimit në Shqipëri; Katalogun e shënjtorëve shqiptarë; Probleme të fesë së krishterë dhe kishave gjatë periudhës së sundimit otoman; Piktorët shqiptarë të mesjetës; Feja islame në vendin tonë në tri etapa; Marrëdhëniet midis shqiptarëve me fe të ndryshme; Përpjekjet dhe realizimi i mëvehtësisë së Kishës Ortodokse shqiptare. Të gjithë materialet e lartpërmendur janë shoqëruar dhe argumentuar shkencërisht duke shfrytëzuar dokumente të shkruara, por edhe gojëdhëna e legjenda që tingëllojnë të besueshme ose fort afër realitetit të mundshëm.

Kjo ndjenjë përgjegjësie veçorizon katërcipërisht edhe pjesën e dytë: “Historiku i përhapjes së Krishterimit dhe historiku i kishave në rrethin e Pogradecit”. Krahas një vështrimi panoramik mbi ngjarjet e zhvillimet më me peshë në historinë e rrethit të Pogradecit, - qytet i mirëkuptimit të kahershëm e të shkëlqyer ndërfetar gjatë shekujve, - autori është ndalur në përshkrimin me imtësi të monumenteve të kultit të krishterë në kontekstin e traditave dhe veçantive mendësore të fshatrave përkatëse. Me interes të posaçëm janë të dhënat që lidhen me mjeshtrat gdhendës të gurit e të drurit dhe të piktorëve që kanë pasur objekt të punës së tyre krijuese zbukurimin e kishave me motive “të tretshme” nga psikologjia e banorëve; toponimia e onomastika etj.

Vend i mjaftueshëm u është rezervuar fshatrave arumune dhe fshatrave jo të krishtera, duke i këqyrur këto të fundit me të njëjtën ngrohtësi si fshatrat e krishtera. Kësisoj është konkretizuar në rrafsh krahinor thënia e madhërishme e Pashko Vasës se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Këto elementë janë përfshirë në pjesën e tretë: “Krahinat dhe fshatrat e rrethit të Pogradecit”.

“Qafa e Thanës” është titulli i pjesës së katërt, ndërsa e pesta emërtohet “Kisha të tjera”, ku përmenden edhe kishat shqiptare në SHBA.

Për nga përmasat, shtrirja dhe frymëmarrja tematike, vepra e Gjergji Gushos qëndron në lartësinë e çdo teze doktorate të mirëfilltë. Vlerat ia shtojnë paraqitja e mjaft fakteve për herë të parë, shkrirja e natyrshme e të veçantave me të përgjithshmen, e lokales me kombëtaren dhe para së gjithash vërtetimi dhe nënvizimi në sy të botës i unitetit kombëtar - rrjedhojë e natyrshme e konceptit të rrënjosur brez pas brezi që gjithçka, pra edhe feja, i ka shërbyer dhe duhet t’i shërbejë edhe këtej e tutje mirëkuptimit dhe vëllazërimit mbarëshqiptar pavarësisht nëse predikohet përmes Kryqit apo Gjysmëhënës. Zoti është vetëm një. Ndryshojnë vetëm mënyrat se si i falemi Atij e si kryhen shërbesat në tempujt e Tij.

47 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page