SHKRIMTARJA ERALDA BAZE NJË SHEMBULL GUXIMI NË TË
SHKRUAR
(Rreth romanit të ri “Zambaku i kanionit”)
Pas kalimit të mbi tre dekadave nga përmbysja e diktaturës, ndër shumë paradokse që po përjetojmë ne shqiptarë, ai më tragjiku, ma do mendja se është fenomeni i korrupsionit që ka përfshirë çdo qelizë të shoqërisë tonë të quajtur demokratike. Dhe e keqja është se me ne ka ngjarë pikërisht ajo që thosh George Bernard Shaw se “Pushteti nuk korrupton njerëzit: e megjithatë në se marrin pushtet budallenjtë korruptojnë pushtetin”. Dhe kur flet për këta lloj budallenjsh ma do mendja se ai ka pasur parasysh injorantët e liq që duke qenë pa nder e pa skrupuj, pandehin se ka ardhur dita e tyre, pra që ata të pasurohen brutalisht, në kurriz të njerëzve të ndershëm, me metoda barbare, tipike për personazhin e njohur të Xhon Grifitit te novela e famshme e tij “Forca e të Fortëve”. Dhe këta të fortët janë të lirë të sillen si brigantë, pasi ata nuk i ndalon askush: ligji jo se jo, pasi prokurorë e gjyqtarë luajnë me gjasme, as policia që ose e komprometojnë apo i heqin e vënë sipas dëshirës, politika nuk ka sesi, pasi ata nuk do dënojnë veten, kurse opinioni është i pafuqishëm, sidomos kur kasta inteligjente është asfiksuar dhe vetëm mban sehir. Në këto kushte, kur del dikush dhe me kurajë ngre zërin për t`i demaskuar, duke i treguar me gisht të prapët dhe prapësitë e tyre, natyrisht që i bën një shërbim të madh shoqërisë, duke u kthyer kështu edhe në një nxitje për të tjerët, pra, që ata revoltën e tyre të mos e kenë vetëm si material konsumi për biseda kafenesh, por të shkruajnë e të flasin hapur me njerëzit për gjithë poshtërsitë që po u bëhen dhe për të treguar rrugët sesi do të dilet nga ky batak.
Dhe kur këtë e bën me shumë qartësi e kurajë një femër, pra një shkrimtare si tashmë e mirënjohura Eralda Baze, me romanin e saj “Zambaku i kanionit”, nuk ka sesi të mos ndiesh respekt e mirënjohje për të. Shpesh, pas leximit të një libri, të mbetet ndër mend ose tema, ose mesazhi që jepet, ose ndërthurja, ose stili i përdorur, ose vlerat apo veset e personazhit kryesor, ose ngjashmëria me mendimet e bindjet e tua, kurse te romani i Eraldës, janë thuajse të gjitha këto që së bashku e çuan Jerome David Salingerin në arsyetimin se “Kur ke mbaruar së lexuari një libër, dëshiron ta kishe autorin që e ka shkruar mik, që të mund t`i telefonoje dhe t`i tregoje si ndihesh”. Në jetën e saj të përditshme, Eralda edhe për atë që nuk e njeh nga afër, por e sheh sado pak në profilin e saj në facebook, ngjet me një ndjekëse të pasionuar të natyrës, sikur të kishte pasur për mësues Senekën i cili i ka thurur himn asaj... Këtë pasion ajo e shpërfaq edhe në romanin e saj, aq sa me të drejtë mjeshtri i penës dhe i kontributeve të mëdha letrare Mark Simoni shprehet se “... e them pa mëdyshje se është ndoshta libri më i realizuar këto tridhjetë vite përsa i përket ngritjes së një kauze, insistimit për ta bërë shqetësim kolektiv dëmtimin e natyrës dhe të ekosistemit, për ta denoncuar me gishtin akuzues të gjithë kordonin shoqëror, politik dhe zyrtar të abuzuesve, për të ngritur si misionare zërin për të shpëtuar atë që vendi ka më të mirën dhe më të bukurën e vet, natyrën”. Kanë folur njerëzit e mëdhenj për rëndësinë e madhe të natyrës, aq sa Fjodor Dostojevski ka thënë se “Ai që nuk e do natyrën, nuk e do njeriun, nuk është qytetar”. Dhe Bondarevi shkonte më tej: “Nuk ka krim më të madh se sa të përdhunosh, gjymtosh, shtrembërosh natyrën”.
Ai e quante atë djepin unik të jetës që duhet ta duam dhe ta ruajmë si nënën tonë, si shkalla më e lartë e dashurisë morale. Po përse lindi ky problem te ne? Përse fjala vjen, liqenet e Lurës nuk janë ashtu sikurse ishin dikur, dhe që na dukeshin se ishin bërë për të kënaqur vetë perënditë? Përse u prenë pyjet apo përse ndërtohen brenda qyteteve pa asnjë kriter urbanistik e estetik ato kullat që ngushtojnë dhe qiellin. Ja këtë sqaron shkrimtarja në romanin e saj, ku në përfundim kupton se është babëzia për fitime e injorantëve me pushtet të pamerituar, ajo që çon në tjetërsimin e natyrës. Dhe ajo, ka zgjedhur reagimin e Lilit, një arkitekte që i dhimbset natyra dhe trashëgimia kulturore, e cila e nuhat shpejt se etja për fitime e njerëzve tani të zvetënuar e pa dinjitet, po shpie në shkatërrimin dhe shëmtimin e saj. Ajo ndalet te lejet që marrin të fortët për të ndërtuar HEC - e edhe në perla të tilla si Kanioni i Skraparit. Këto bëhen falë bashkëpunimit të politikanëve me kriminelët, me ata që nuk dinë ç`është nderi, me ata që detyrojnë vajzat si Migena të prostituojnë, me ata që nuk e kanë për gjë të ta hedhin ose dhe të të vrasin. Janë ajo klasa e re që i ka hipur vendit në shpinë dhe po i pi gjakun. Janë ata që e konsiderojnë femrën skllave, që e tradhtojnë pa gjë të keq atë, që nuk njohin normat elementare në jetë, duke i rrahur si kafshë siç bën Rafet Dajaku me Ritën për të cilën shoqja e saj e sinqertë Lili thotë: “Ehhh, kujt ia merrte mendja që brenda lëkurës së bërë shollë nga dajaku, të regëtinin ndjesi kaq të holla! Një shpirt poetik i çuar dëm!”
Edhe kur flasin me njëri - tjetrin ata janë të pështirë, rrugaçë ordinerë, shpesh edhe me status deputeti. Dhe si reaksion ndaj tyre, protagonistja shkon në fshatin e të parëve të saj. Ajo e idealizon atë dhe atje gjen qetësinë shpirtërore. E qetësojnë peizazhet, e kënaq kulinaria, deri dhe era e papërsëritshme e atij ftoit, dhe thjeshtësia e dashamirësia e Jenit dhe burrit të saj Seferit apo kujtimet që i sjell edhe ai sëndyku i gjyshes. Kështu është edhe më pranë kanionit që e do aq shumë, dhe tani ka mundësi ta mbrojë. Këtu njerëzit janë larguar dhe ajo përbën një përjashtim duke shkuar dhe për të ndërtuar jetën mes mrekullisë që fshati fsheh brenda tij. Por qëndrimi barbar ndaj natyrës nuk është i shkëputur nga ngjarje më madhore, deri dhe ato politike. Kapja me thonj pas karriges sjell vjedhje votash, nepotizëm, dhënie tenderash pa ruajtur kriteret konkuruese, shpërndarje fondesh të akorduara nga bota pas tërmetit katastrofik e plot dallavere të tjera. Dhe kulmi i ironisë është kur vetë Kryeministiri pohon se gjithkush të përgjigjet vetë, thuajse bëhet fjalë për bostanin e kooperativës. Unë nuk di gjë, thotë ai, duke harruar se si sylesh, e ke akoma më të madhe përgjegjësinë.
Qetësia e Lilit trazohet disi kur aty vjen thjeshtra e sëmurë, gati për të vdekur, me vajzën e saj Teutën që e ka me burrin e saj Gentin. Ka një lojë psikologjike, derisa rrethanet bëjnë që Lili të shfaqë anën e saj humane dhe ta dojë e të kujdest për vogëlushen. Gratë, ndjekin lajmet në televizor, diskutojnë mes tyre dhe kujtojnë se “... edhe një kaçak i pagdhendur (është fjala për kapedan Shahin Matrakun), njëqind e kusur vjet më parë, paskësh qenë njëqind herë më fisnik, se këta burrat e sodit!” Po ku qëndron e keqja? Dhe ja përfundimi në gojën e Lilit që duke e shtyrë më tej bisedën rreth përrallave të moçme për Teutën, shton: “Më beso! Ato legjenda do ta ndihmojnë në jetë më shumë se çdo broçkull akademike. Në këtë vend, e gjithë puna është të identifikosh Kuçedrën. Shqiptarët e kanë humbur këtë dhunti, na kanë vrarë këtë nerv qëkuri, prandaj jemi katandisur kështu”. Epo si do të dilet nga kjo situatë? Ashtu sikurse shprehet Andrea Rossi që mësonte “Pushtetin e korruptuar mund ta korrigjosh vetëm me forcë”? Po fundja ç`mund të bëjnë disa gra, para pllakës së varrit të Migenës, qofshin ato edhe vetë Zambakët e kanionit?
Ku janë ata që përmenda në fillim; intelektualët. A duhet t`i zgjojnë nga përgjumja libra si ky i mikes tonë të guximshme Eralda Baze? Por i parë letrarisht, romani a ka ndonjë të metë, mund të pyesë dikush. Patjetër që ka. Kështu fjala vjen, ndonjëherë ka proliksitet. Ka krahasime që nuk duheshin bërë si Teuta pesë vjeçe me doçkat tub rreth gojës, a thua se po tregon ku është varri i Xhengiskanit, Seferi me seriozitetin prej shkencëtari të CERN - it fuste kodin..., gishti i tij që dridhej... ngjan me këmbët e egjiptianëve para se të shkelin në zonat kufitare, apo hunda e vajzës së Dine Dacit, Xhensilës si elikë ventilatori kolonial. Po ashtu kujdes duhej pasur te përdorimi i zhargonit. Ka shumë fjalë që lëshojnë pa kontroll personazhet negativë, por që duhet menduar se si do t`ua lexojë mësuesja nxënësve në një orë letrare. Urrejtja për të liqtë vjen vetiu nga veprimet e tyre. Letërsia edukon estetikisht lexuesit. Por këto humbasin para mesazheve të rëndësishme që autorja Eralda Baze u jep atyre, duke i kujtuar atë postulatin e juristit romak Ulpiani: “Volenti non fit iniuria” pra “Kush pranon veprimin e padrejtësisë pa e kundërshtuar, për të nuk ka padrejtësi”.
Comments