top of page

Një shekull “kthyes” në këngën pilurjote.


Një shekull “kthyes” në këngën pilurjote.

…ose Andrea, Qirjako e Dhimitraq Bala…

Nga Timo Mërkuri


Fillesat e interpretimit të “kthyesit” në këngën iso-polifonike të bregdetit të Himarës nga djemtë e Bala-jve, zakonisht e llogaritim qysh nga viti 1927, kur në Sarandë, Neço Muko organizon grupin iso-polifonik të këngës himariote. Andrea Bala në këtë grup krijoi një tip të ri të “kthyeri” të këngës dhe për të cilin specilaistet e firmës PATHE në Paris, ku u regjistruan pllakat me këngë himariote në vitet 1929 dhe 1930, thoshnin se: " kënga himariote pa zërin e Andrea Balës do të ishte si një rrufe që nuk ka gjëmime[1]” ndërkohë që bashkëkohësit e tij e portretizonin me fjalët se:“Andrea Bala nuk është pilurjot, Andrea Bala nuk është himarjot, Andrea Bala është europian, vetëm europian” duke dëshmuar me këtë shprehje vizionin dhe kulturën europiane të këtij djaloshi.[2]

Sigurisht që shumë lexues që nuk e njohin termilogjinë e elementëve të këngës do të pyesin se: çfarë është “kthyesi” në këngën iso-polifonike, kështu që lind domosdoshmëria të shpjegojmë se: “kthyesi” është zëri solo në këngën popullore, që duke u bashkuar me dy zërat e tjerë solo, të cilët janë “marrësi“ dhe “hedhësi”, krijojnë atë që quhet “polifoni” dmth “shumë zërra”. Ndërkohë, polifonia duke u bashkuar me “iso-n”, (që nuk është zë muzikor solo, por përfaqson miratimin popullor), krijojnë këngën iso-polifonike, ose siç quhet ndryshe shumëzërrëshin popullor shqiptar.

Në këngën tonë, muzikalisht, “kthyesi” është zëri bariton në iso-polifoni, që punon me temporitmin e këngës në rrokje në shtrirje me zanoret e këngës. Ai teknikisht quhet edhe “dirigjent pa shkop” i grupit iso-polifonik, duke kuptuar në këtë mënyrë rolin e tij parësor në grup, sepse është ai që shtron këngën dhe kohën e pauzës dhe jep kohën për vazhdimin e mëtejshëm të këngës. Me termilogjinë muzikore quhet ndryshe edhe “xhazi i orkestrës”.

Në kuptimin natyror “kthyesi” është ”zëri i dashit” në blegërimat e kopesë, është “tingulli i byqes” (zile e madhe që i varret në qafë dashit që prin kopenë) në mes të zileve dhe këmborëve.

Në kuptimin e origjinës së këngës iso-polifonike nga vajtimi me ligjërime, sqarojmë se:

kthyesi përfaqson vajtoren e sprovuar, e cila duke qenë pranë vajtores kryesore, pret sa kjo mbaron ligjërimin e vargut të vajit dhe, sikur të jetë vazhdim i të parës apo më saktë sikur “ka dalë aty të presë vargjet e vajit”, ndërhyn me rënkimet e saj grykore pikërisht në momentin e mbarimit të vargut, sikur e merr stafetën për ta përcjellë pikërisht te “rënkimet” e vajit apo te iso-ja. Ndërhyrja e saj ka pak a shumë formën e një “hë-khë ë ë” ose fjalë si “djalë, o djalë”, “o derëziu djalë”. Pikërisht, te ndërhyrja e kësaj vajtoreje, me fjalët që përmendëm më lart ose me tingujt “hë-khë ë ë”, “ohooo”… e ka fillesën “kthyesi” i këngës. Vetkuptohet që kjo është mënyra e ndërhyrjes së “kthyesit” në këngë se ai e mban melodinë dhe rolin e tij parësor gjer në fund të këngës Në grupet iso-polifonike “kthyesi” është gjithmonë një këngëtar me përvojë të madhe ose me talent të spikatur, sepse duhet të llogarisë mirë momentin e ndërhyrjes së tij, tonalitetin dhe zgjatjen e ndërhyrjes.[3]

Në disa vende “kthyesi” quhet edhe “pritësi” për vetë natyrën e funksionit të tij që “pret” këngën (të mos bjerë në tokë – do thoshnim) dhe ja “kthen” grupit, në mënyrë melodike që të vijojë kënga më tejë.

Thamë që Andrea Bala krijoi një tip të ri të“kthyeri” të këngës iso-polifonike, por që nuk e shpuri dot në majat e saj, për arsyen e vdekjes në moshë të re (1937) të tij. ”Natyra e re e të “kthyerit” të Andrea Balës u ndoq në Pilur nga “kthyesat” e më pasëm Labo Lapa dhe Milto Naçi, por me qënë se kënga pilurjote nuk kishte formuar një portret të saj edhe këta “kthyes” si dhe zërrat e tjerë mbetën të “njohur” brenda fshatit ose e shumta “zbritën” gjer në Himarë.

Fillimi i këngës së re Pilurjote kishte nevojë për një “kthyes” novator, “portret” të cilin e kishte Qirjako Bala. Duhet të pohojmë qysh në krye të radhëve se Qirjako Bala është një ndër “kthyesit” më të fuqishëm të krejt iso-polifonisë shqiptare që është ngjitur në skenë. Ishte “zë koke dhe gryke”, shumë i harmonizuar me grupin ku këndonte, shprehës dhe rezistent si dhe perfekt në kohë. Qirjako Bala nuk futej në këngë si “kthyesat” e tjerë, vetëm me tingujt e quajtur karakteristikë “oho, ehe, aha” por dhe me fjalë të plota ose gjysëm fjale dhe këtë e realizonte me sukses . Është “kthyesi” i gjithë perlave iso-polifonike të Pilurit dhe një pjesë të këngëve të Himarës.

Qirjako Bala ishte pjestar në grupin e Pilurit së bashku me Lenën, gruan e tij dhe me Pavllon, të vëllain. Pavllo Bala ishte heqës (valltari i parë, që udhëheq vallen) i valles së Pilurit, valle që dallohej për finesën dhe elegancën e saj në kohën kur u kërcye, por nuk u punua shumë me atë për faktin se: mqse kënga pilurjote pati sukses dhe jehonë, u rend më shumë pas saj duke e lënë “pas dore”vallen. Shtëpia e Qirjako Balës ishte shtëpia e këngës, aty priteshin e përcilleshin miqtë e këngës me mikpritjen tradicionale pilurjote dhe me dashurinë e ngrohtësinë e këngës.

Duhet të theksojmë se Qirjako Bala ishte i “fortë” në këngë, në vitin 1978 ka përballuar dy grupe në një koncert në Vlorë, grupin e Pilurit dhe grupin e Himarës. Pas viteve ‘90 ka “kthyer” disa këngë të grupit të Himarës me marrëse Katina Beleri si: “Lundroj në lundrën e këngës”, “Vogëlushe hane- hane”, “Qielli i zi” etj.

Qirjakua jo vetëm që e donte këngën por ndjente edhe përgjegjësinë e rolit të tij në suksesin e këngës. Në vitin 2006 grupi i bregdetit të Himarës po jepte një koncert në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, ku asistonin dhe Ministri i Kultures i kohës Bujar Leskaj dhe 29 deputetë të parlamentit. Në sallë nuk kishe ku të “hidhje kokrën e mollës”. Befasisht, gjysëm ore para fillimit të koncertit Qirjakua u sëmur dhe u dërgua me urgjrncë në spital. Grupi e filloi koncertin me një “kthyes” tjetër provizor. Ndërkohë në urgjencën e spitalit, Qirjako Bala priti sa i bënë një gjilpërë qetsuese dhe befasiosht ngrihet nga krevati dhe duke u thënë doktorëve dhe infermierëve: ika unë se kam lënë grupin vetëm në koncert, ikën me shpejtësi dhe mbriti në Pallatitin e Operës dhe Baletit në momentin që grupi do fillonte të këndonte këngën e dytë.. Hyri në skenë menjëherë dhe u pozicionua në vendin e tij në grup. Nga spektatorët kjo u quajt “befasi e këndëshme” dhe u prit me duartrokitje të gjata. Interpretimi i këngës sigurisht që ishte në nivelet më të arira të saj.

Qirjako Bala është “kthyesi” më jetëgjatë dhe më i suksesshëm i këngëve të Pilurit sa që ka hyrë në botën e legjendës iso-polifonike, si “kthyesi” me një zë unik, që rrallë gjëndet edhe në trupa asamblesh profesioniste, dhe që përfaqson një krenari dhe pasuri jo vetëm për grupin që e riti. Është dekoruar me Naim Frashërin e Artë.

Qirjako Bala vdiq më 2006 duke lënë prapa zërin e tij tingëllues. Lefter Çipa shkruan: ”Qirjako Bala mund të themi, ishte vazhdues i denjë i artistêve të mëdhe nga i njëjti fis. Andrea Bala, këngëtari i parë, kthenësi i Fosforinës Shqiptare himariote, është ndarë nga jeta që në vitin 1937. Vlerat i la në fshat dhe, në fshat përfaqësuesi vyrtuoz i zërit të tij, menjëherë u shfaq Qirjako Bala”. Sepse i pilurioti di të tundet edhe për luftë edhe për penë. Aq më shumë edhe më saktë di ta këndojë këngën Fosforinë Shqiptare, në atë mënyrë dhe aq të fortë, sa i zbret në Tokë perënditë që të dëgjojnë zërat e bukur të Pilurit dhe në veçanti, të puthin kujtesën për Qirjako Balën”[4].

Nuk është rastësi që në grupin “Bejkë e Bardhë” si “kthyes” u ngjit një tjetër djalë nga Bala-jt, Dhimitraq Bala. I lindur në Vuno më 1968 ishte nip i Stefan Balës, i cili kur kthehej nga stani në darkë në shtëpi, u bënte “mësim iso-polifonie” të gjithë niperve. Si “tekst” mësimor përdorte atë këngën që fillon me vargjet: Do ja marrimë një çikë/Të na dalin lloitë”. Filloi të këndonte që në shkollën 8 vjeçare me grupin e fëmijëve. Në moshën 16 vjeçare u aktivizua me grupin e Vunoit, si “hedhës”, funksion tepër i rrëndë për moshën e tij në grupin e të riturve. Në vitin 2004 aktivuizohet me grupin e bregdetit te Himarës. Dhimitraq Bala është kthyesi me potent sot për grupin iso-polifonike dukë ruajtur të kristaltë melodinë e Pilurit. Realisht nuk është aq i “fuqishëm” sa Qirjakua por është shumë më i ëmbël dhe elegant. Siç cilësohet edhe në motivacion e dekoratës Naim Frashëri i Artë që i ka akorduar Presidenti Ilir Meta, Dhimitraq Balës “Si një prej këngëtarëve më të shquar të këngës polifonike. Me talentin e tij, si kthyes klasik e tradicional, i ka dhënë frymë dhe timbër kësaj kënge, duke fituar admirimin e publikut të gjerë të iso-polifonisë”. Është tip i shkathët me këngën.

Tregojnë se kur do të shkonte grupi i Pilurit në Korsikë më 2011, Dhimitraqi kishte shumë detyrime e angazhime në shtëpi, por deri në mesnatën e nisjes punoi pa pushim dhe i vuri në vijë. Nga që ishte shumë i lodhur, gjatë gjithë udhëtimit flinte dhe kur mbriti grupi në Brindizi, pasaportën e tij po e vononin në doganën italiane dhe doganieri e shihte vazhdimisht në sy. Dhimitraqi, ende përgjumësh kuptoi se diçka nuk shkonte por e sajoi zgjidhjen aty për aty duke ja marrë këngës aty në doganë. Grupi menjëherë e shoqeroi duke elekrizuar atmosferën. Atëherë doganieri u çua në këmbë dhe i entusiazmuar filloi të duartrokasë.

Kur mbaroi kënga, i zgjati Dhimitraq Balës pasaportën me një gjest xhentilence dhe grupi kaloi.

Unë e kam dëgjuar si këndon Dhimitraq Bala dhe jam mrekulluar, dëgjojeni dhe ju të përjetoni magjinë e këngës.


Sarandë, më 26.12.2020

[1] T.Merkuri “Vajz’ e valeve” MILOSAO Sarandë, 2018. Fq. 100 [2] Shih … T.Merkuri “Vajz’ e valeve” MILOSAO Sarandë, 2018. Fq. 100 [3] Shih për hollësi të mëtejëshme : T.Merkuri “Vajz’ e valeve” MILOSAO Sarandë, 2018. Fq. 275 [4] Lefter Çipa: “Qirjako Bala, një zë i rrallë dhe i bukur i Fosforinës Shqiptare piluriote” fb 28.06.2020



36 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page