top of page

Një rast...


Një rast që po bëhet gjithnjë e më emblematik

Emrin e ka Ra. Pa. E kam pasur shok e mik të ngushtë. Ia kemi hapur barkun shoshoqit, pa asnjë rezervë. Në gjysmën e dytë të viteve '80 të shekullit të kaluar, Ra.Pa. donte të dilte në profesion të lirë. Shqyrtuam strategjinë dhe taktikat për t’ia dalë mbanë. Lëvizëm edhe disa gurë, por s’qe e thënë. Po në atë kohë, tek prisnim djemtë në stacionin e trenit të Tiranës: atij i vinte nga Elbasani, mua - nga Pogradeci, treni u ndal dhe, ndërsa lokomotiva vazhdonte të ecte, i biri i Ra.Pa.-së, Dritani, që të shkurtonte distancën e kohën, doli para lokomotivës, duke shkelur mbi shina. Të gjithë shtangën, sidomos i ati. Mua m’u dha të kërceja poshtë dhe ta shkëpusja me tërë fuqinë nga kthetrat e vdekjes, duke lënë peng njërën nga këpucët e sapoblera. E flaka edhe tjetrën se s’më hynte më në punë, - Ra.Pa. do të më blinte një palë të reja, do të më shtronte gosti, do të… e çnuk do të…, - dhe, duke e lënë tim bir pa pritje e përqafime, po e mbaja për krahu Ra.Pa.-në që ta merrte veten. Tek çapitesha këmbëzbathur, veshi më zinte urime nga njerëz të shumtë.

Dritani do të paraqitej më pas në konkurs për të vazhduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve dhe do të fitonte, do të kishte shpesh herë vështirësi në provime etj. Në çdo hap do të ndjente edhe praninë e ndihmën time. Vërtet këpucë nuk më blenë, - nga mukajeti! - e as gostinë nuk ma shtruan, ama Dritani do të më bënte mua, shpëtimtarit, një portret si nuk ishte parë ndonjëherë, më siguronte i ati.

Një ditë, tek po pinim kafe në klubin pranë Institutit të Studimeve Pedagogjike, ku kishte zyrën, Ra.Pa.-ja më dhuroi me autograf romanin e tij për fëmijë „Shtigjeve të vegjëlisë” (kështu më duket titullohej), me lutjen që, sapo ta mbaroja së lexuari, - ishte mëse i sigurtë që do të më pëlqente, - të botoja një shkrim në revistën „Nëntori”. Dhe vërtet ishte libër i bukur e i ndjerë. Botova në „Nëntori” një material, ku numuroja të gjitha vlerat e romanit. S’kaloi shumë dhe u nisëm drejt Beratit, ku vepra do të promovohej, në prani të protagonistëve të saj, të gjithë shokë fëminie të autorit. Mikrobuzin, ku kishim hipur, na e siguroi Agim Dishnica, kunati i Ra.Pa.-së, që ishte përgjegjës i sektorit të transportit në Akademinë e Shkencave. Ishim gjithsej katër udhëtarë. Sytë më vanë menjëherë tek një djalosh që më shikonte me ndrojtje. Kur e pyeta si quhej, përgjigjen ma dha Ra.Pa.-ja: „Po Dritani, bre, Dritani është, që e ka jetën prej teje”. Mashallah, ishte rritur aq sa nuk e njoha dot. Gjatë tërë viteve e kisha ndihmuar, sikurse ju thashë, por në mungesë. Në promovim, fjalën kryesore e mbajta unë: në fakt lexova ato që kisha botuar në revistën „Nëntori”. Në fund propozova që romanit t’i jepej çmimi vjetor i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. E deleguara e LSHA-së, Shpresa Vreto, e çoi në Tiranë krejt jehonën pozitive të promovimit, pra edhe propozimin tim. Ky u mor parasysh: romani i Ra.Pa.-së u nderua me çmimin e lartpërmendur.

Por të gjitha këto dolën në plan të dytë, se Ra.Pa.-ja u sëmur keq; u dergj në shtrat me javë të tëra, me tuba në bark. Duhej operuar, por mjekët nuk i jepnin garanci për jetën. M’u lut të ndërhyja pranë Shaban Sinanit, ndihmës i Ramiz Alisë, që ta çonte jashtë shtetit. Ndërhyra, por s’u bë gjë. Atëhere, për fatin e tij, më erdhi në kokë një mendim: do t’i dërgoja letër mikut tim, Azis Nesinit, që ta merrte Ra.Pa.-në në Stamboll, ta shtronte në spital dhe t’ia financonte operacionin.

E dija që „Azis Vakfi”, shoqatë e fuqishme bamirëse, e krijuar dhe e drejtuar prej humoristit të shquar, kish përballuar edhe herë të tjera shpenzime të kësaj natyre. Përgjigja erdhi me shpejtësinë e erës dhe kish afërsisht këtë përmbajtje: „Vëlla Kyçyk, halli i mikut tënd më preku thellë. Duke gjykuar nga gjëndja e rëndë në të cilën ndodhet, sugjeroj që rrugën ta shkurtojë: ta çojmë në një vend sa më afër Shqipërisë, në Athinë. Të gjitha shpenzimet i kam unë”. Gëzimi i Ra.Pa.-së ishte i njëjtë me atë të stacionit të trenit: atëhere shpëtoi i biri, tani po shpëtonte edhe vetë! Pasuan përqafime të nxehura më tej nga lotët që i rridhnin çurk; isha për të vëlla në këtë jetë e në atë jetë. Megjithse kisha katër motra, tani fitova edhe një të pestë - bashkëshorten e vëlla Ra.Pa.-së, që vajtonte me shtatë palë lotë gëzimi, duke e kthyer solon e të shoqit në duet. E bëra edhe një herë faqen rrogoz me Azizin, - por, fundja, nuk po i kërkoja gjë për vete, - duke i kërkuar të përballonte shpenzimet edhe për dy persona të tjerë, që do ta shoqëronin të sëmurin: e shoqja dhe i biri, Dritani. Edhe kjo u bë. Madje Azizi, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të Turqisë, ndërhyri dhe siguroi dhënien urgjente të vizave nga Ambasada e Greqisë në Tiranë për të tre bashkudhëtarët. Para nisjes për në Athinë, Ra.Pa.-ja më besoi një të fshehtë: po shiste qilima e sende të tjera që të kishin të holla edhe pas daljes nga spitali, sepse nuk do të ktheheshin më në Shqipëri. Dritani mund të merrej në Athinë me restaurimin e kishave, të cilat „kaurët e Greqisë” i kishin me bollëk. Më vonë, po unë, si gjithmonë, duhej të bëja çmos që edhe djali i vogël i tij „të integrohej me familjen”. Kjo ishte e vetmja detyrë që nuk e kreva, sepse nuk u ndje më nevoja për mua. E zgjidhi ndryshe. Kaluan javë, muaj, vite. Heshtje e plotë. Heraherës e pyesja t’ëmën se mos i biri, - larg qoftë!, - kish pësuar ndonjë gjë. Jo, jo, janë shëndoshë si kokrra e mollës. Ra.-ja më thotë: po pyeti njeri për ne, jepu të falat tona. Këto më kumtonte plaka Pa. sa herë e sillte rasti ta takoja.

Gjithsesi, kryesorja ishte që kisha mall ta shihja Ra.Pa.-në. Nga fundi i vitit 2001 mora vesh se ishte kthyer familjarisht dhe iu luta Astrit Nurit, bashkëqytetar i tij, t’i bënim një vizitë. Shtëpinë Ra.Pa.-ja vazhdonte ta kishte pranë Agjencisë së Autobuzëve. Sa u futëm, dhomat ku ishte dergjur dikur i liguri Ra.Pa., nuk i njoha dot më, aq shumë kishin ndryshuar nga objektet luksoze. Por as të zotin e shtëpisë nuk e njoha. Ma zgjati dorën sikur të isha, jo shoku i tij, por ndonjë përmbarues. Kur e pyeta përse nuk më kish dërguar qoftë edhe një kartolinë, apo dy gisht letër, mori zjarr e më tha se po çuditej që unë nuk arrija ta kuptoja që ai (Ra.Pa.-ja) ishte në hall të madh ngaqë nuk po mundte t’i tërhiqte sa më parë të hollat nga bankat e Greqisë! Ra.Pa.-ja, pra, kish ndrruar jo vetëm emrin, duke e këmbyer familjarisht gjysmëhënën me kryqin, por me gjithsej. Tek po pija kafen e tij, që m’u duk farmak edhe pse vazhdoja të shtoja sheqer, më erdhi në kujtesë një thënie, me zanafillë nga Turqia e Azis Nesinit: „Çdo gjë është një gjë. Madje edhe muti ka një emër: mut Vetëm mosmirënjohësi nuk është asgjë”.

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page