Një përgjigje cinike e kryeministrit Rama


Prof Dr Eshref Ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri


Në intervistën që gazetari Çim Peka i mori Kryeministrit Rama nga studioja e kanalit televiziv “Syri tv” më 07 maj 2020, mes shumë pyetjeve që i drejtoi, më bëri shumë përshtypje përgjigjja ndaj pyetjes së parafundit. Këtu po e riprodhoj të plotë pyetjen e Çim Pekës dhe përgjigjen e Ramës.

Çim Peka: Për pak muaj Shqipëria i afrohet asaj që konsiderohet kohë

Çim Peka

zgjedhjesh, edhe në kohë normale. Deri në këto momente që po flasim, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, duke përfshirë edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë bërë të qartë se do të jenë bashkë. Kush do të jetë aleati i Edi Ramës nga partitë e mëdha, duke qenë se blloku opozitar tashmë është i qartë? A keni parti që mund të pranojë të jetë aleate me ju pas kësaj qeverisjeje tetëvjeçare?

Kryeministri Rama: Po, patjetër. Partinë më të madhe shqiptare që është partia socialiste dhe partinë e partive që është populli shqiptar. Mjafton populli shqiptar, nuk ka nevojë për parti të tjera për të mundur këta.

Edi Rama

Me sa duket, Rama qenka i bindur plotësisht se populli shqiptar na qenka aleati më besnik i tij, prandaj në zgjedhjet e vitit 2021 ai është i bindur për fitoren e padiskutueshme të partisë socialiste, edhe pas tetë vjet qeverisjeje. Por kjo përgjigje fsheh edhe diçka tjetër: Rama e konsideruaka popullin si “pronën” e vet, tamam si diktatori Enver Hoxha.

Rama “ka të drejtë” t’i përgjigjet Çim Pekës në atë mënyrë. Sepse gjatë qeverisjes së tij ai “rriti çdo vit” rrogat dhe pensionet, “u rrit” mirëqenia e popullit, çmimet “nuk patën” luhatje dhe shumë njerëz, numri i të cilëve iu afrua shifrës gjysmë milioni, “të entuziazmuar” nga standardi i jetesës që “u siguroi” qeverisja e Ramës, për kënaqësinë e tyre, që prej vitit 2013, por sidomos pas vitit 2015, u dyndën “si turistë të ngazëlluar” drejt vendeve perëndimore, për “t’u çlodhur” gjatë atyre anëve. Por, çuditërisht, “kënaqësia” e tyre në ato vende po vazhon aq gjatë, saqë asnjëri prej tyre s’ka dëshirë të rikthehet më në atdheun amë.

Humorist i hollë ky kryeministri Rama! Siç duket, shumicën e popullit shqiptar e kundruaka që nga “kalaja” e Surelit, si puna e shportës së karavidheve të Bllokut kriminal në kohën e diktaturës komuniste, ku krerët komunistë bënin jetë luksoze nën mbrojtjen e bajonetave të Gardës së Republikës dhe as që e çanin kokën për mjerimin e popullit shqiptar përtej caqeve të atij Blloku.

Me sa duket, epiteti “Skënderbej” që i ka vënë një vartësja e tij kryeservile, ka bërë që t’i hipë hunda në lis.

Me sa duket, fjalët e asaj gruas vlonjate me dy djem jetimë që pati deklaruar: “edhe pa bukë po të mbetem, për partinë socialiste do të votoj”, Rama i ka interpretuar si fjalë të mbarë popullit shqiptar.

Me sa duket, një këngëtar lab, adhurues i jashtëzakonshëm i kriminelit Enver Hoxha, ka ndikuar aq shumë në psikologjinë e Ramës, saqë këtij i ka hyrë vetja keq në qejf. Madje i ka hyrë deri në atë shkallë, saqë t’i deklarojë gazetarit Çim Peka se populli shqiptar na qenka “partia e partive” në mbështetje të plotë të tij. Një vlerësim i tillë i Ramës për popullin shqiptar nuk mund të vlerësohet ndryshe, veçse si një cinizëm i kulluar.

Ja çfarë deklaroi dhe si i këndoi kryeministrit Rama ai këngëtari lab, në fushatën e zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit 2019:

“Golik Ali Jaupi ishte këngëtari që hapi dje fushatën e Edi Ramës në Tepelenë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit (të shfuqizuara nga presidenti). Goliku kujtoi përpara kryeministrit Rama edhe kohën kur këndonte për diktatorin famëkeq Enver Hoxha.

“Këndova atëherë përpara komandatit të asaj kohe (Enver Hoxhës), sot kam ardhur për këtë komandat këtu (Edi Ramën)”, - tha Goliku, përpara se t’ia merrte këngës përpara kryeministrit dhe kandidatit të PS për Telepenën, Tërmet Peçi.

Kënga për Ramën

Mirë se erdhe Edi Rama / Ku nuk të ka shkuar fama / Në Amerikë te Obama / Ti je burrë që s’do reklama / Sot kjo kala me bedena, / të thotë mirë se erdhe Tepelena / Po të pyeç popullsinë / Thonë të gjithë duam Edvinë / Ja e bënë ti Shqipërinë / Ja të tërë ramë në greminë / Je i madh, je burrë shteti, / të njeh globi, gjithë mileti / Përkrah Gramozi, Tërmeti, / ndriçohet si meteor deti / Ti e ke mendjen të artë, / lum ne që të kemi fat / Më datën 30 qershor, / do ti marrç frenat në dorë / Kryeministri madhor, / rrofsh sa mali Tomorr / Sot kala me bedena, / të thotë rroftë gjithë Tepelena (Citohet sipas: “I ka kënduar Enver Hoxhës, tani Edi Ramës: Ja e bënë ti Shqipërinë, ja të tërë ramë në greminë”. Faqja e internetit “top-channel.tv”. 24 qershor 2019).


Një këngë të tillë, të përshkuar nga një afsh dashurie të jashtëzakonshme për Ramën, këngëtari lab Jaup Goliku nuk ia kishte kushtuar as diktatorit Enver Hoxha.

Që ky këngëtar nxjerr nga pena vargjet Po të pyeç popullsinë / Thonë të gjithë duam Edvinë / Ja e bënë ti Shqipërinë / Ja të tërë ramë në greminë, në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, se servilizmi i tij është i kultivuar për udhëheqës të formatit të Enver Hoxhës dhe të Edvin Ramës. Por kur një intelektual me gramë të madhe, si kryeministri Rama, deklaron se partia e partive është populli shqiptar, aleati i tij në zgjedhjet e ardhshme, kjo të bën të dyshosh se këtu kemi të bëjmë me një njeri që ose vuan nga afshi i tmerrshëm për pushtet, ose ka probleme shëndetësore dhe duhet të kurohet.

Pas përgjigjes së ngrefosur ndaj pyetjes së Çim Pekës, në internet lexova një tjetër informacion po të datës 07 maj, një informacion ky aspak ngushëllues për kryeministrin Rama:

“Avokati Zaçe Islami ka folur në lidhje me protestën e zhvilluar paraditen e sotme në sheshin “Skënderbej”, në të cilën u demonstrua dhuna policore, ku disa protestues që po protestonin paqësisht dhe duke ruajtur distancën sociale, u shoqëruan me forcë në rajon nga uniformat blu… Ai theksoi se kryeministrin Rama do ta mbysin të varfrit me pështymë, ndërsa e krahasoi kreun e qeverisë me personazhin e njohur të rrugëve të Tiranës, Ver Llapa” (Citohet sipas:“Ramën do ta mbysin të varfrit me pështymë”, avokati: Është bërë si Ver Llapa, ngeli duke dalë në Tv!”. Faqja e internetit “joqalbania.com”. 07 maj 2020).

Një javë pas zgjedhjeve të 23 qeshorit 2013, gjatë një interviste për gazetën “Le Courrier des Balkans” (Korrieri i Ballkanit), Rama pati deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori” (Citohet sipas gazetës “Panorama”. 30 qershor 2013).

Me qeverisjen e deritanishme, Rama e ka vërtetuar se ka lënë dhe do të lërë emër në histori. Por ajo që të befason në pikësynimin e tij të ethshëm për arritjen e një objektivi të tillë, është urrejtja proverbiale që ai ushqen për doktor Berishën, çka e dëshmoi shkoqur fare edhe në intervistën me gazetarin Çim Peka. Me këtë urrejtje të papërmbajtur për doktor Berishën, Rama më sjell në kujtesë një aforizëm të shkëlqyer të filozofit dhe të sociologut gjerman Xhorxh Zimel (Georg Simmel - 1858-1918), i cili vlerësohet si njëri nga përfaqësuesit e vonshëm të “filozofisë së jetës”. Ai thotë:

“Ndjesinë e fajit tonë që e përjetojmë fshehurazi brenda vetvetes, ne e maskojmë paraprakisht me urrejtje, e cila e lehtëson fajin që mundohemi t’ia veshim tjetrit”.

Prandaj në mbyllje dëshiroj të theksoj se Rama vërtet ka deklaruar se “synon të bëjë politikë për të lënë një emër në histori”, por ka harruar të theksojë se çfarë emri synon të lërë? Të mirë apo të keq. Se deri tani, krahu i peshores së emrit të tij ka anuar jo nga e mira.

0 views

Shkrimet e fundit