
Vangjush Saro
NJË… ‘NDESHJE KONTROLLI’
Tregim
Rrugës i ka rënë një nur i pazakontë. Kumbullat e posaçelura, me ato lulet e bardha aq joshëse e të pafajshme, kanë hapur ekspozitë në lagje. Dhe për ‘kolonë zanore’, kanë zgjedhur cicërimat e zogjve. Por Dini vetëm një çast mund ta shijojë pamjen; së pari, ai e ka mendjen vetëm te futbolli, te ekipi i tij. Më tej, pikërisht tani që bëhet gati t’ia mbathë për në stërvitje, mami ka një punë të vogël për të; e dërgon në shitore. Ke parë kështu? Jo se është larg, jo! Por ai e ka me ngut; mirë është të duket ca më parë te fusha. Sot, ata kanë një ndeshje kontrolli…
-Zemra ime: Bukë dhe kos; nuk vonohesh.
-Ma, a s’ishte babi në pazar?
-Më solli vetëm vezët…
-Po tani ç’bën?
-Shikon film kalamoni tjetër. - Mami i përcjell këto fjalë me një buzëqeshje që ajo e di si e ka sajuar.
-Më ka premtuar të vijë në ndeshje. - Zëri i djalit fillon e dridhet një çast.
-Po po. Mbaron filmi gjer atëherë. Bukë dhe kos…
Ai s’e ka problem; po u desh, lë kokën për mamin. Por ja që është gjithnjë me mendjen te futbolli. Dhe sot, më shumë se kurrë, nuk mund të shkojë me vonesë; kanë edhe atë ndeshjen e kontrollit, kjo situatë e ka trazuar pak… Se ja, edhe ‘presor’ Lymi, trajneri, ua përsërit gjithnjë: “Do të bëhesh futbollist i mirë? Vëri gishtin kokës. Stërvit trupin dhe mendjen. Medito pareshtur për futbollin.”
Ai është pikërisht duke medituar, kur gjendet përpara shitësit. Ups!
-Bukë dhe… dhe…
Ndërsa ai përpiqet të kujtojë porosinë e mamit, dikush e cyt nga mbrapa. Sa të paduruar janë njerëzit! Dhe sa ngjit rrijnë, o Zot! Bukë edhe… Bukë edhe… I vjen shumë inat, por ja tek është shtëpia, dy hapa; ai kthehet me një frymë dhe nxiton ta rimarrë porosinë pa hyrë më brenda:
-O ma, se e kisha mendjen gjetkë… çfarë duhej të blija unë? Bukë edhe…
Mami i hedh një vështrim jo edhe aq të ngrohtë, a thua do t’i kalojë fshesën me korent; se është duke pastruar, si gjithnjë. Nuk e duron dot zhulin.
-Bukë dhe kos. Zotëri!…
Fjala e fundit ishte tepër.
-Po, ma. Bukë dhe kos.…
Ai del vrullthi, si përherë. Dhe që të mos harrojë më, përsërit me vete: “Bukë e kos! Bukë e kos!” Vetëm të kenë pak fat sot dhe të luajnë mirë, se pastaj i pret Kampionati i 10-të i Paratërinjve. Kurse tani, ai është para shitësit dhe hutohet sërish. Bukë e…
-Prapë harrove ti?
-Jo jo! Bukë! Bukë edhe…
Çfarë po ndodhte me të? Dy fjalë ishin ato të shkreta. Shitësi vazhdon ta vështrojë drejt e në sy. Bukë edhe… S’bëhet fjalë për tjetër gjë. Djathë? Është gjithnjë xhaxhi pronari, që e pyet për ta ndihmuar. Nëc. Qumësht? Ëë! Reçel? Sikur jo… Sepse ai e ka mendjen te ndeshja. Ata duhet të forcojnë lojën nga krahët. E kishte thënë edhe ‘presor’ Lymi. Ai ka luajtur dikur me Tironën. Pra, bukë edhe…
Do s’do, bën një ‘prapakthehu’, pastaj vrapit dhe për tre-katër minuta është sërish në shtëpi. Mirëpo hë, si t’i thotë mamit, si t’ia vërtisë… Ja tek e nxjerr ajo vetë nga situata:
-Dini, shpirt, akoma këtu ti?
-…
-Te xhaxhi, shpejt! Bukë, kos dhe kastravec.
Bukë kos dhe kastravec?! Paska shtuar edhe një asortiment tjetër! Mirë që ishte kthyer. Bukë, kos, kastravec. Bukë, kos, kastravec. Ai përsërit porosinë e shtuar dhe, ndërkohë, nuk e kthen kokën as majtas as djathtas. Nëse trajner Lymi e cakton atë në sulm, varet nga varianti që do të zgjedhë, ai bën më mirë ‘pykën’*. Po të jetë me skemën 4 - 3 - 3. Dale! Bukë, kos, kastravec. Bukë, kos… Sa nuk përplaset me një nga gocat e klasës. Është Teuta. Ah, vajzë më të mirë s’e bën nëna. E do të zgjuar? E do të bukur? E do shoqe?
-Ç’kemi, Lir-o?
-Bukë kos kastravec...
Ë? Ajo hiqet tutje me sytë naa, sa një filxhan. E humbi vëmendjen e saj për ca kohë. Bukë kos kastravec, bukë kos kastravec… Herën e kaluar, atij nuk i kishte shkuar fort mbarë në krahun e majtë. Me variantin 4 - 2 - 4 ai e humbiste disi lidhjen me mesfushën. Bukë, kos, kastravec!
Në dyqan, tani janë disa të tjerë në radhë para tij. Ora po shkon. Bukë kos kastravec. E gjithë, kjo vetëm e vetëm ngaqë mamit nuk i pëlqen t’i blejë një celular; I-pod jo se jo. Është herët, thotë. Jo për gjë, por po të kishte me vete një celular, do ta regjistronte porosinë, sado e gjatë të ish; ose do merrte alo alo mamin dhe do ta pyeste. Por ajo nuk do; ngul këmbë që ai të mos mbajë me vete celular. Dhe seç thotë ca fjalë të çuditshme, sikur është në mbledhje: “Nuk dua që djali im të rritet si një qenie virtuale.” Hë? Qenie virtuale?! Çfarë është kjo, një gjë si re e mbushur, si valë dhe që merr ca trajta të frikshme…
Mirë, mirë, por bota bëhet ndonjëherë kaq e vogël, kaq e vogëlth… top futbolli. Bukë kos kastravec. Ai është gjithnjë me mendje te formacioni i sotëm… Po sikur, larg e tutje, të mos e aktivizojë fare Lymi? Ndonjëherë, kur nuk ishte piku i aksionit e, duke marrë pak frymë, i vetëtinte në mendje pyetja: Pse qëparë u tregova aq shushkamen përpara portës?…
Epo, këto ndodhin, në futboll dhe në çdo sport. S’ka rob pa nonji cen, thotë trajner Lymi. Por e vërteta është që ai ka qenë gjithnjë në formacionin-bazë; dhe me hak.
I zoti i shitores po e gjurmon sërish me ata sytë e tij të lodhur:
-Erdhe prapë ti, bir?
-Po, xhaxhi. Bukë, kos edhe…
-Ore Diniii! Do ta mbarosh sot këtë porosi apo jo? - Nuk ka faj ai që e shpotit.
-Patjetër, - djali bën sikur e ka marrë veten. - Atëherë… bukë, kos edhe…
-Edhe?
-Bukë, kos edhe…
-Edhe portokalle?
-Jo.
-Mollë?
-Jo… Është diçka tjetër. Hë! Tarator…
-Unë nuk shes tarator…
-Bëhet tarator.
-Aha! Kastravec!
-Ajo ishte!
Sa hap e mbyll sytë, djali është në shtëpi. Bashkë me sendet që ka blerë, dorëzon edhe kuponin. Dhe më së fundi, mund të rrëmbejë çantën e të niset për atë ndeshjen e kontrollit. Ata do të luajnë me pasime në thellësi; kjo do t’u japë mundësi ta befasojnë kundërshtarin…
Tani edhe mund të meditojë lirisht; për futbollin gjithnjë. Dhe ndërsa është duke mbyllur derën e jashtme e, teksa përsërit ftesën për babin, koka bjonde e mamit zgjatet edhe njëherë. Gjëja e fundit që shikon përpara se të dalë, janë flokët e verdhë dhe sytë e saj të kaltër, që e përcjellin gjithë dashuri; nuk ka në botë një të dytë…
-Suksese, shpirt!
-Rrofsh, ma! Je më e mira. Kujto babin të vijë te fusha…
Veç ta shikosh se si i zbret shkallët; vetëtimthi. Në një padurim e ankth që sa vjen e rritet. Lë pas ‘ekspozitën’ e pemëve të posaçelura dhe ngarend për te këndi i lojërave.
Shiko, edhe në mesfushë mund të shërbente mirë ai, pse jo. Po të aplikonin skemën 3 - 5 - 2. Oh! Kushedi si do të shkojë kjo ndeshja e sotme…
………………………………………………………………
*‘Pykë’ - Një nga ‘rolet’ kryesore të futbollistëve që përbëjnë vijën e sulmit; pret dhe gjuan (ose shpërndan për të tjerët) topin që vjen nga thellësia.
S.Athanasi
Për mua është I pari tregim me hero një riosh-futbollist dhe ndonëse në atë fillim më nxiste kurioziteti, më vonë më rrëmbeu hutimi I djalit me porosinë 'bukë-kos' . Kur këtyre dy fjalëve iu shtua edhe 'kastraveci', gjithë vazhdimin e shoqërova me buzëqeshje. Pasioni I Rioshit për futbollin, mund t'a përkufizoja tanimë, "Fillesat e një futbollisti të talentusr".. Urime koleg!
S.Athanasi!