NJË NATË NË QYTETIN E BAJAMEVE
Nga Ideal Serjani
Janë disa momente në jetë që mbeten të pashlyeshme në shpirtin e
njeriut si, vendlindja, mësuesi i klasës së parë, jeta konviktore, ushtria,
martesa e plot e plot ngjarje të tjera. Një nga këto është edhe fillimi për
herë të parë i punës. Në shtator të vitit 1967, fillova për herë të parë
punën si mësues, pas mbarimit të shkollës pedagogjike “Jani Minga”
në Vlorë, në shkollën e mesme të bashkuar të Konispolit, që mban
emrin e dëshmorit Bido Sejko, bir nga një prej fiseve më të dëgjuara të
Çamërisë. Atëherë isha 19 vjeç.
Porsa mbërrita në Konispol, së bashku me Spiro Qiqin nga Zervati
i Gjirokastrës (Spiroja ishte transferuar nga Borshi për në Konispol për
gjuhë ruse), më afruan qysh në ditët e para, jo vetëm sepse isha i ri dhe
nga Sasajt i Bregdetit, por se isha nga një fshat me Tomor Çelin, i cili
kish qenë mësues më parë aty dhe jepte gjuhë ruse, por e kishin marrë
ushtar në qershor të vitit 1967, mbasi qe bërë një mobilizim ushtarak i
jashtëzakonshëm, për shkak të agresionit ushtarak të Izraelit kundër
Egjiptit. Shkolla në atë kohë ndodhej në vendin e quajtur, Llotrua në
shtëpinë e nacionalistit të madh të Çamërisë, Rexho Plaku.
Një shtëpi e bukur, me oborr e avlli, me tavane, dykatëshe, me
gurë të skalisur, me koridore e shkallë të shtruara me granil, me
bodrume për mallra e anekse. Kur mësova për shtetëzimin e saj dhe
cilësimin e Rexho Plakut si tradhtar, më mbeti merak gjithë jetën
shkaku i këtyre pasojave, por më kot, s’kisha ku ta mësoja. S’diheshin
nga venin fjalët, por edhe se në muzetë dhe historikët e asaj kohe,
figura të tilla ishin të padëshiruara dhe të ndaluara rreptësisht për t’u
harruar përjetësisht. Në këtë godinë ndodhej 8-vjeçarja dhe gjimnazi.
Mbi shtëpi të Rexho Plakut ndodheshin shtëpitë e Alush Takes, edhe
ky një nacionalist dhe atdhetar i shquar, që për 50 vjet u harrua si
Rexhua, ku zhvillonin mësim nxënësit e shkollës fillore. Në atë kohë
në këtë godinë jepnin mësim unë, Bashkim Zani, Muazeze Çaze,
Besnike Mullai (Mehmeti), Sotir Gjoka, Avdulla Duka, Seit Draçi dhe
Violeta Duka (Izeti) me origjinë nga Himara.
Me ikjen e Thanas Boçit ushtar, nga drejtoria e shkollës m’u
ngarkua të bëja edhe lëndën e muzikës në 8-vjeçare, pasi ne kishim
mbaruar pedagogjiken, dinim t’i binim mandolinës. Muzikën ezhvilloja orën e pestë dhe të gjashtë. Poshtë në 8-vjeçare punova dhe u
miqësova me Ilmi Jupen, Jani Vajën, Agim Lloshin, Haxhi Shorrin,
Luan Nelajn, Vasil Roshin, Nedo Veli, Jorgo Naston, Bashkim
Brahon, Ziso Koten, Spiro Qiqin, Petro Kostën e ndonjë që nuk më
kujtohet. Pata një klasë të mirë, ku më kujtohen: Lumturi Shero,
Shpresa Shorri, Gëzim Labi, Pëllumb Memko, Asllan Shorri, Bujar
Bello, Llodoz Muço, Tatjana Kaso, Valentina Maliqi, Suzana Hysi.
Gëzim Zeqiri, Sekrie Ademi, Ëngjëllush Alimemaj, Nafije Istrefi, për
të cilën u prekëm të gjithë kur na iku nga klasa duke qarë sepse babai i
saj Mezani me gjithë familje u internua në Borsh. Janë dhe shumë të
tjerë që nuk më kujtohen këto çaste. Shumë shokë e shoqe, me të cilët
jam takuar vazhdimisht, më kanë folur e respektuar po ashtu edhe unë
ruaj dhe do të ruaj për ta, për ish nxënësit dhe prindërit e tyre, respekt,
mirënjohje, humanizëm për gjithë jetën, jo vetëm në Konispol, por
kudo ku kam punuar. Nga Konispoli u largova më 18 Janar 1969, por
u riktheva përsëri po në të njëjtën datë të vitit 1971, por këtë radhë i
sëmurë në spital nga një pneumoni centrale dektra. Rezervoj për këtë
rast respekt të veçantë për personelin e spitalit dhe sidomos për
mjekun shumë të respektuar Ismail Muço, si dhe shoferin Gjergji
Rodhaj, i cili më është gjendur pranë në çdo rast.
***
Këto dhe shumë mendime, mbresa e kujtime më kalonin
fluturimthi, porsa hipëm në autobuz në Sarandë për në Konispol, së
bashku me gazetarin Feruz Shabani. Çdo kthesë çdo vendbanim që
kalojmë e shohim duke ecur me autobuz, duket sikur më thotë: “këtej
ke kaluar dhe ty të njohim, nuk të kemi harruar”.
Kam marrë dy – tri fotografi me vete. Ja njëra, me nxënësit e
klasës. Ja dhe disa nxënës të tjerë: Alush Kaso, Sheqir Sheqiri, Shpresa
Hoxha, Zubo Zeqiri, Idriz Zeqiri. Sido që kanë kaluar mbi 30 vjet, nuk
mund të harrojmë edhe fotografin Mehmet Plaku. Shpesh herë shoferi
i autobuzit na ndërpret mendimet me ndonjë shaka, djalë i qeshur,
sqimtar dhe shumë dajllar, Bashkim Sheqiri. Nuk mund ta harroj Bibie
Mushin, besimtare e madhe. Ditën e bajramit më kujtohet, më doli
gjumi herët. Duaj dhe një orë që të dihej. Plaka, Bibjeja mbanteramazanin. Më dëgjoi që u ngreç e m’u qas e me tha: “Ja hajde një çikë
këhë e shihe çish e kam bënë këtë tavënë?”. Po ti provoje vetë i them
unë. Shëët! - më tha, se baj ramazan! Se mos i theç Skënderit se na
bën bolori! Qesha dhe ia plotësova dëshirën, por edhe amanetin. Ne
flinim në një dhomë të vogël me Vasil Roshin dhe Avdulla Dukën.
Mësova për djemtë e gjetur të saj. Mufit Mushin, Sulo Mushin dhe
Shefqet Mushin, kuadro të vjetër dhe shumë eruditë, sidomos Mufiti
që zotëronte mirë disa gjuhë të huaja. Pranë Bibiese rrinte Sejkua,
shumë i hollë nga gjykimi, por veçanërisht më kundërshtonte bërjen e
tavanit, duke thënë se tavani ndot ajrin dhe të bën dëm në shëndet,
kurse shtëpia me çati, por pa tavan ka shëndet dhe ajër të pastër. Këto
më thosh Sejkua duke thithur çibukun që e ndezte me eshkë. Më pas
ikëm dhe shkuam në shtëpinë e Mufit Zeqirit, një njeri fukara, por
mjaft zemërmirë. Vetëm Mufiti punonte, kurse e shoqja Bejazja dhe
kunata, Xhevua jo, ishin të sëmura e të moshuara. Djali i tyre Idrizi
ishte pak shëndetlig, por i urtë, i sjellshëm, i heshtur. Mbasi ikëm nga
Mufiti u vendosëm përfundimisht në qendër, mbi rrobaqepsinë ku
punonte Jorgo Deneko nga Sopiku, së bashku me Bashkim Zanin nga
Fterra. Mbasditet i kalonim në bibliotekë ose në klub kur binte shi ose
kur nuk kishim ndonjë mbledhje në shkollë, së bashku me mësues
vendas, por sidomos për kafe ose edhe për dreka e darka. Spirua rrinte
familjarisht së bashku me gruan, Kasjaninë, dy vajzat Leonorën dhe
Tullën, vëllanë Ilian dhe dy kunetërit Orest dhe Viron Papagjikën.
Rrinin tek shtëpitë e Shaban Nurkës. Ruaj respekt të veçantë për Njazi
Sheron, babanë e Lumturisë, Nazmi Shorrin, komisarin e postave të
kufirit Trako Alimemajn, të shoqen Melihanë që punonte në PTT,
Novruz Veliun dhe shoqen e tij Shenon, kryetarin e kooperativës
bujqësore, Myfit Hysin, në atë kohë deputet, më ftoi në shtëpi, pas të
falave që i çova nga një i afërmi im, Rustem Hodo nga Tërbaçi i
Vlorës, me të cilin kishin qenë bashkë në Ministrinë e Brendshme me
detyra të rëndësishme, babai i tij Madan Hysi, Izet Izeti dhe vëllai i tij
Esati (që atëherë ish pa punë), Sali Sherrua, Haxhi Mullai, i cili sapo
kish ardhur nga Rumania, ku kishte shkuar për kurim, Shpresa Mullai,
e cila nuk u bashkshortua më, por qëndroi krenare dhe rriti e edukoi
djalin e saj Shkëlqimin, plakun e urtë e muhabetçi, Teme Kasemin, e
shumë të tjerë. Vetëm një ngjarje na tronditi një ditë prej ditësh. Poluanim letra, me një palë letra të bëra vetë me kapakë të paketave
DIAMANT. Ishte ditë e diel. Befas na vjen në dhomë Balo Korrua,
kryetar i Këshillit të fshatit dhe na merr letrat e na fyen. Ne u
frikësuam, sepse puna e letrave ndiqej shumë në atë kohë, sidomos nga
situata pas fjalimit të 6 shkurtit 1967, festimit të 60 vjetorit të lindjes së
Enver Hoxhës dhe fillimit të botimit të serisë së veprave të tij, daljen e
historisë së PPSH, plenumet për gruan, arsimin etj. Nga kjo iu
trembëm ndonjë raportimi, ose ndonjë mase administrative deri në
pushim nga puna. Po në këtë vit më kishte vajtur vëllai në shkollë dhe
babai (një krah pune) nuk e përballonte dot jetën dhe nga këto shkaqe
u detyrova të kërkoja transferim me anë të një kërkese, e cila m’u
plotësua, por jo në fshatin tim, as afër tij, por në Vrinë. Kështu më 18
janar të vitit 1969 fillova punën në shkollën 8- vjeçare të Vrinës.
***
Të gjitha këto i kaloja fluturimthi gjatë udhëtimit, por edhe në
bashkëbisedim me Feruzin. Ndërkaq, pasi kalojmë Shkallën, një
vendbanim i ri i vllehe dhe Qafën e Hanit, i ngjitemi Konispolit.
Përpara ke një pamje madhështore. Kurora e maleve me qafën e
Likojanit në mes ndan kufirin me Greqinë. Duke ecur në një malore të
lehtë, të butë por shumë joshëse, nuk ka sesi të mos të bjerë në sy
lulëzimi i bajameve. Unë për veten time dua t’i vë epitetin Konispolit
“Qyteti i bajameve”.
Një bukuri e rrallë. Manushaqet janë quajtur lajmëtare të pranverës,
por që nuk bien në sy. Por unë do të quaja bajamet lajmëtare të
pranverës, sepse ato i kanë çelur sytë dhe vetullat qysh në janar. Sepse
ka kaq shumë bajame Konispoli, sepse bajamja bëhet edhe në toka mbi
ujë, apo tradita? Më shumë kjo e dyta. Nuk besoj të ketë qytet ose
fshat në Shqipëri që të ketë aq shumë bajame sa Konispoli. Toka të
kuqe, të shtruara, pllaja të ëmbla, njerëz po të tillë, si dhe toka, natyra,
lulet, pemët.
Kush u martua në vjeshtë/ bejk’ e bardh’ e Soronesë/ shkëlqen në mes të
kopesë/ si floriri i hazinesë/ moj bejka Konispolite/ në feste treqind mexhide.../
është një nga këngët e këtyre anëve.Por le të kthehemi tek bajamet. Konispoli dhe e gjithë Çamëria
janë të dëgjuara, sidomos për ëmbëlsirat dhe asortimentet me peta.
Për rrjedhojë bajamet hidhen në bakllava, serviren në tavolina për
miq. Në Konispol ka disa lloj bajamesh cipëholla që çahen me dorë.
Feruzi më flet për nacionalistët konispolitë, sidomos për Rexho
Plakun, Alush Taken e shumë të tjerë. Po e kanë një qejfmbetje dhe
pakënaqësi Konispolitët. Mbi tokat e shpronësuara janë bërë ndërtime
pa leje. Sheshet jepen si tokë bujqësore e kthehen në truall dhe
anasjelltas. Ka pakënaqësi ndaj disa praktikave të Bashkisë.
Konispolitët kanë disa ankesa për qeveritarët, ministrat që nuk kanë
shkelur fare, as deputetët çamë që duhet të mbrinin të parët. Ka
probleme për qendrën e fshatit pët memorialin e fshatit, për
memorialin kushtuar masakrave të shovinizmit grek në Çamëri. Unë
mendoj se për këtë ngjarje duhej zgjidhur një mënyrë shpehjeje sa
tragjike, aq monumentale dhe e përmasave të mëdha. Një kujdes më të
madh duhet të ketë edhe nga rrethi.
***
Zbresim nga autobusi dhe shoferi i tij, Bashkimi, na uron
mirëseardhjen dhe na fton për kafe. Do shkojmë tek kafeneja e Astrit
Tatarit, më thotë: Me Astritin kam një merak, sigurimin e fotografisë
së klerikut dhe atdhetarit të shquar konispolat, Haxhi Murat Çamit, për
të cilin shkruam në gazetë. Por Astriti ishte i sëmurë atë natë. Ulemi
dhe përnjëherë na afrohen mjaft shokë të atyre viteve. Kam përpara
mësuesin e letërsisë, gazetarin e talentuar, demokratin e orëve të para,
Ilmi Jupen. Sado që kanë kaluar vite, fizionomia nuk e ka tradhtuar,
por ka sfiduar moshën. Ashtu siç e njoha atëherë, para 32 vjetëve.
Kam përpara një fotografi të vitit 1968, dalë në Qafën e Cjepurit, ku
kemi dalë njëherë të dy dhe një herë tjetër me Haxhi Shorrin, Luan
Nelajn, Bashkim Brahon, Petro Kosten dhe Osman Balanin (në atë
kohë nxënës). Ashtu i qetë e fjalështruar. Në krah kemi Ilmiun, Ilmi
Sheqirin, i qetë, i qeshur, por disi i mërzitur, pa punë. Edhe Hekuran
Shehu edhe Pajtim Çaushi kanë për të dhënë shumë, por kanë edhe
brenga. Sefedin Veshit i ngeli merak që nuk ndejti me mua, mbasi
kishte djalin sëmurë.Bashkimi s’na ndahet, i qeshur, korrekt. Agim Lloshi, përsëri e
ruan freskinë e dikurshme. Le të jetë si të dojë kjo punë, por Sali
Berisha për mua është Pejgamber, thotë Agimi. Nuk më ndahet
Shkëlqimi. Shkojmë në shtëpi. Çimja (siç i flisnin shkurtimisht) është
djalë energjik, me interesa të gjera kulturore, së bashku me
bashkëshorten e tij Lumen. Vajza Juliana ka talent në letërsi. Kemi
përpara një vjershë, me titull “Diell do ta bësh hënën”, kushtuar
rezistencës dhe luftës së drejtë që bën populli shqiptar i Kosovës, të
cilën do ta botojmë në gazetë. Më mbeti merak për Hidajet Haxhiun
që nuk e takuam dot.
Shokët më kanë shpjeguar për disa fatkeqësi dhe restriksione
shpirtërore që ka kaluar Hidajeti. Ndahemi më në fund nga këta shokë
të vjetër dhe të rinj, demokratë të vërtetë, të sinqertë, të dashur dhe me
virtyte të larta, duke na dhuruar mikpritjen e ngrohtë, simpatinë e
çiltër, dashamirësinë e sinqertë, bukurinë e qytetit të tyre dhe një
buqetë me lule e gjethe bajamesh. Le të vijnë studiuesit çamë, deputetë
e punonjës të administratës, veteranë e të bëjnë ç’është e mundur për
lulëzimin e përparimin e qytetit të tyre kudo që janë, të zgjidhin e
lehtësojnë sado pak hallet e tyre, të thithin ajrin e pastër të Jugut e jo të
thithin ajrin e ndenjur dhe tymin dhe erën e cigareve dhe të rakisë të
politikanëve thashethemexhinj e kallajxhinj, bakëresh nëpër kioskat e
Tiranës.
Nuk mund të mbyllim këtë shkrim pa falënderuar 600 gjimnazistët
e Konispolit dhe trupin pedagogjik shumë të kualifikuar, i cili e mban
shkollën në nivelin e viteve të mëparshme.
Comentários