top of page

NJË MONUMENT I MUNGUAR


BOGDANI, NJË MONUMENT I MUNGUAR

PIRRO LOLI (Mjeshtêr i Madh)

Këto shënime desha t’i përcillja si protestë, kundër të gjithëve, partive, pushteteve, shtetit, kishave e xhamive, por,… Së pari duhet të bindja veten. Unë universitari, dhe pedagogët e mi, tërë jetën me libra në duar, kishim kaluar aq përciptas para Pjetër Bogdanit, para këtij personaliteti të rëndë e të ditur me vlera kombëtare. Ai shkroi tri vepra monumentale : Çeta e profetëve (Cuneus prophetarum), Jeta e Jezu Krishtit, shëlbuesit të botës (De vita Iesu Christi, salvatoris mundi) dhe Këngët e Sibilave, vepra këto, që mund t’i bënin nder çdo vendi evropian e gjuhe të zhvilluar. Pjetër Bogdani vazhdon të eci nëpër shekuj “me qiri të ndezur në dorë” (shprehje e tij) për të ndriçuar mendjet tona). Por Grigjat e arkipeshkvit të Shkupit e Shkodrës si në të gjitha kazatë e Shqipërisë, rënkonin nën zgjedhën e armikut më të egër të kohës. Kombi i tij kërkonte dhe ushtarin dhe komandantin. Dhe Pjetër Bogdani iu bë ushtar e komandant. Më 1639, ai mblodhi mijëra luftëtarë nga trevat e tij dhe në krye të tyre, me armë në dorë u bashkua me forcat Austro-hungareze kundër barbarisë turke. Pjetër Bogdani ishte një intelektual me penë të hollë në dorë. E, rrallë si ky burrë, bëhet bashkë kleriku, studjuesi, poeti, ushtari e komandanti. I dhimbej populli për gjendjen e mjeruar nën robërinë otomane, i dhimbej gjuha shqipe dhe kisha dhe u dha atyre të gjithë dashurinë si shenjtor. Dhe jetën si dijetar. Dhe shpirtin si misionar e poet. Dhe eshtrat si dëshmi e patretur shekujve kundër barbarisë osmane. Ai komandoi Çetën e trimave në aleancë me Austro hungarezët kundër hordhive turke. Pikërisht ky shembull, drejtimi perëndimor, synim i fesë apostolike kristiane, do ishte dhe busulla permanente e Shqipërisë shekujve të ardhshëm. Çakordimi i kësaj busulle do shkaktonte drama e akte tragjike tepër të rënda kombëtare.

NJË PROBLEM

Që në vitin 1919 (te “Dituria” ), Lumo Skendo do shkruante: “S’ka dalë Akoma njeriu që të analizojë Bogdanin, të bëjë gramatikën dhe kritikën e tij”… Kaloi shumë kohë, shekuj që, personalitete të kulturës përmes e kanë ngritur lart figurën e tij, kryesisht si lëvrues i shquar i gjuhës së shenjtë shqipe. Duhet të përulemi me respekt ndaj figurave të shquara duke filluar që nga Eqrem Çabej, Faik Konica, dhjetëra të tjerëve të vendit e të huaja , deri te Dr. Ibrahim Rugova që unë do të veçoja si studiuesin më të spikatur që e ka parë Bogdanin (botim i vitit 1982), jo vetëm në kompleksitetin e tij shkencor, fetar e artistik si krenari të kulturës shqiptare, por dhe model metodik të punimeve shkencore. E vi tek më e reja, Prof. Dr. Anila Omari që botoi (2006) një studim të plotë të “Çeta e profetëve” të Pjetër Bogdanit me 950 faqe, duke spikatur në një studim filologjik të veprës së autorit.

***

… Por problemi qëndron shtrirë: Këto botime nuk janë bërë pronë e dijeve dhe e edukimit tonë. As të inteligjencës. Njihen në mjedise tepër të ngushta e heshtin nëpër biblioteka, librari e arkiva. Ushqimi me këto vlera mungon, mungojnë programet; edukimi çalon në të gjitha instancat e shkollës, klasa e auditorë, universitete e deri në institute shkencore e akademi. E dihet, jo vetëm për këtë rast, krenaria jonë kombëtare, kërcet në boshllëk pa burrat e vërtetë të kombit, të kombit të pabërë. Ata nuk janë bërë mish dhe gjak i kulturës dhe psikologjisë shoqërore. Jo vetëm Bogdani, por dhe shumë e shumë të tjerë fushave të ndryshme të dijes, të fesë, shkencës, artit, letërsisë, politikës, mbrojtjes, luftës, shtetit, ( që nuk na kanë munguar). Na ndodh që kur vjen rasti i përmendim me epitete e superlativa, si – heronj e heroizma – e në darkë harrohen, e brezi i ri kur u dëgjon emrin, i duken sikur janë nga Honoluluja. Epitetomania artificiale e mbulon thelbin deri në mohim. Kemi heshtur shumë. Dhe me shekuj. Po na thahet kujtesa. Deri në mosqenie. Edhe tani në lirinë e shprehjes, kështu po veprojmë me të shpërfillurit e mëdhenj si Fishta, Camaj, Nënë Tereza… Për të mos u hedhur në lashtësi e në mesjetë si fjala vjen, te Niketë Dardani, (340 – 414), autori i “Te Deum”, hymnit bazë dhe simboli i krishtërimit, artistit nga Dardania, një nga emrat e parë të historisë kulturore të krishtërimit dhe një nga themeluesit e kësaj kulture…e, keshtu, për Shjefën Gjeçovin,… U bë 90 vjet që na i vranë, atë themeluesin e arkeologjisë shqiptare, shkrimtarin, etnografin, humanistin; atë burrë që ngriti më këmbë burrin tjretër të kombit Lekë Dukagjinin, me kanunin e tij të famshëm përkthyer në disa gjuhë….; Po heshtim dhe për për Pal Zogajn, autorin e parë të gramatikës së gjuhës shqipe, po po, të parën në këto 2000 vjet…,(Gramatika e Bogdanit, fatkeqwsisht ka humbur)…Ja kështu, shprishur gjaku ynë metropoleve të botës, shpërfillur, harruar e mohuar . Si Bogdani plot e plot të tjerë…Dhe më tej dhe atyre që na bënë Shqipërinë dhe gjuhën dhe shkollwn shqipe, rlindasve të ndritur lehtësisht u kemi vënë bishta e u kemi hedhur pluhur. E Naimi, s’është plotësisht Naim. As De Rada. As Migjeni, as Mjeda, mjedw, as Ismaili Ismail, . E të huajt, që mund të kenë më shumë se ne, zgjatin duart për të na rrëmbyer dhe Aleksandrin dhe Skëndërbeun dhe Nënë Terezën dhe perandorë, kryeministra e gjeneralë me qindra. Sot dhe të rinj të talentuar përhapur e strukur emigrimeve si zogjtë e korbit, – punëtorë a jeniçerë, poetë a shkencëtarë që rrezikohen të humbasin si vesa…

ÇETA E PROFETËVE

Kryevepra e ipeshkvit Pjetër Bogdani “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum) fillimisht u botua më 1685 në Padovë, e më 1691 dhe 1702 në Venedik. Është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe; monument vlerash larë me diell në kulturën shqiptre; Me atë tematikën rrahur aq gjerësisht në fe, filozofi, historiografi, shkencë, gjuhësi, eseistikë, art, natyrshëm, e bën një gur të rëndë në themelet e gjuhës sonë, të historisë të autoktonisë, fesë, zakoneve. Kjo tematikë kaq e larmishme, i diktoi atij shumë stile, fjalor, të pasur, figuracion artistik, alfabetin latin e sintaksë të pasur origjinale në shumë fusha. Ai, mjeshtërsisht, i spërkati me yje duke synuar të ndriçonte mendjet e njerëzve. Dija, dëshira, qëndresa, misioni i tij buron nga Bariu i Mirë, Shëlbuesi i botës, Jezu Krishti. Ky është ideali që e frymëzoi imzot Pjetër Bogdanin gjatë veprimtarisë së tij në shërbim të Popullit,kishës dhe kombit”. Ky libër u bë bazë themeli për liturgjinë në gjuhën shqipe, por edhe objkt studimesh nga albanologë të ndryshëm, për njohjen, lëvrimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. E, pse jo, thirrje për çlirim e liri në gjurmët e Motit të Madh të Gjergjit tonë.. Vepra u botua disa herë në shqip, latinisht, italisht, sllavisht; u shoqërua edhe me poezi, ku spikati talenti i rrallë për kohën.

SIBILAT

Sibilat janë vasheza fort të mira e fort të bukura; i gjejmë në krye të këngëve e valleve, të profecive e bamirësive, shëruese dhe misionare për ta mbushur shpirtin e njeriut me dashuri dhe dhimbje “me shpirtin e tin zot”. Nuk ishin nga i njejti vend as i përkisnin të së njejtës kohe; jetuan sipas ligjeve të natyres. Ishin dhjetë me emra të ndryshëm si: Kume, Libika, Deltika, Persika, Eritrea, Sammia, Kumana, Elesponita etj. Njihen që prej shek, V-të para erës dhe gjatë shekujve u janë atribuar e u atribohen mrekulli të ndryshme. Disa i përmend dhe Platoni, Aristofani, Virgjili etj; sipas Ovidit sibilat jetonin 1000 vjet. Ato gjerësisht u bënë objekt i fantazisë së Renesansës; Mikelaxhelo, psh, fantazoi e pikturoi disa prej tyre. Një libër për to e ka shkruar dhe Shën Agustini. Poeti Pjetër Bogdani u kushtoi nga një poemë secilës. Ato jetonin dhe shkruanin mrekullitë e Krishtit, qeshnin e këndonin, hidhnin valle, bekonin e luteshin, shkruanin libra e poezi, profetizonin. Sibilat, këto zana të bukura përtej zanave, kanë ardhur në kulturën njerëzore, zë pas zëri, plot bukuri e bëma dhe kanë mbetur në shpirtin e njeriut, në poezi , muzikë e në pikturë. Ato janë zëdhënëse të jetës dhe bëmave të Jesu Krishtit, dhe frymëzoheshin nga Zoti. Shtete të ndryshme nxitonin t’i bënin të tyre sibilat në nga Azia dhe Evropa. Secili i donte për vete. Ato nuk i përkasin asnjë vendi e kohe. Si Zoti që nuk ka pasaportë. P. Bogdani, që e konceptonte poezinë art të hyjnishëm, sibilave të tij u dha lëndën, formën, e psikologjinë kristjane shqiptare. Ai “i rrëmbeu” për vendin e vet, i pruri në trojet tona, këtu , ku “dil prej gurit bukuria”, i mori e i përshtati, i bëri të flisnin shqip në trojet e tij shqiptare me misione të shenjta. Studjuesit thonë se poezitë e Bogdanit qenë me të mirat e më origjinalet krahasuar me simotrat evropiane. Sibilat bogdaniane aq poetike, qëndrojnë pa dyshim në themelin e artë të poezisë shqipe, të krahasuara denjësisht me poezinë më të mirë evropiane. Figuracioni poetik i Bogdanit, te poezia e Libikës, psh, e bën atë një poezi antologjike, jo vetëm në poezinë tonë si një gur themeli zbukuruar me rubinë metaforash krejt origjinale, por dhe të mesjetës në përgjithësi. “Me dielli veshun e mbathun me hanë /Me yj kryet rreth ngjeshun kunorë /Vajza Mri , e bukura ma fort se Zanë/Djalin Jesu kërthi mbaj ngrykë ndorë”…Ose …sa dheu s’ka me përzanë/ Kje ujku, delja , e kingji haj bashkë; Kërthini Djalë, e kulshedra lanë vetëm; pa dro, pa lot, as fjal, as vaj..Në kompleks, këto vargje (Vajza Mari, e bukura ma fort se zanë)tregojnë, së paku ,rrafshin e ngritur të shqipes në një stad poetik supelartë.

Një perlë tjetër afër Bogdanit e poezisë kulmore të tij ( në 20 strofa ) do thoshte “Duel prej gurit bukuria/Zana si një Sut e naltë/që kish brenba Venetia /Të Pashtrikut muer Maltë/”

E pra, e bukura – metafora duel prej gurit – dhe jo prej gurit të çfardoshëm gjetiu – jo – është Guri i Hasit ,,(Hasi i Gurit), është vendlindja e burrit të kombit, që ka emrin e një shenjti – “Shën” Pjetër Bogdani. Sibilat, të dhjeta, në poemat e tij duket sikur janë produkt i shqisave ku në pyllin e madh e misterioz të natyrës kishin gjetur vendin e duhur – në trojet e perëndive, në Pashtrikun majë naltë, në Tomorr, në Dodonë a në Olimb dhe, jo rastësisht, takoheshin pas njëmijë vjetësh në Gur të Hasit, e, çuditërisht në shtëpinë e Bogdanit.. Ishin vajza të bukura. Përtej zanave, thashë.. E këndonin e vallëzonin me mall. Ninullonin rreth djepeve me foshnja, e luanin me bebet. E ua lanin faqet e bardha me ujë trëndafili. E me sytë e shpirtit e gojën e shenjtë u mësonin aromwn dhe ritmet e shpirtit, alfabetin e gjuhës së nënës. Që gjuha e shenjtë të mos dvarej…E ato këngë u ndriçon bebeve ballin. E dheu arbëror ndrit në diell…

KRIMI BARBAR

Ai vdiq nga murtaja më 6 dhjetor 1689. U varros në katedralen e Prishtinës me nderime si Aarqipeshkv. Po krimi u bë pas varrimit. Ai u vra nga… po, po u vra!… Mbi varrin e tij mbritën barbarët. 20 dhjetor 1689, pas dy javësh. “Mbas vdekjes, – siç shprehet Dr. Mark Palnikaj, – sipas rregullave të asaj kohe, mbasi ishte Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Shkupit, u varros në kishën katedrale në qytetin e Prishtinës. Urrejtja patologjike kundër komandantit dhe klerikut të lartë, verbëria kanibaleske – me thika e me thonj, e zhvarrosin, ia bënë trupin copa copa dhe ua hodhën qenve rrugëve të Prishtinës. Ky akt së pari, varrosi thellë e më thellë varrit barbarët turq. Së dyti, ky akt kaq kanibalesk, kaq makabër, I paparë dhe ndër barbarë, është frikë dhe tmerr për ta. Ajo Perandori e shpatës kaq përdhunshëm shkeli të gjitha normat morale e fetare për të gjitha religjionet dhe fiset e shpellave e të xhunglave…. Dhe më tej, vrasja tjetër poshtëruese për të gjithë: Katedralja ku u varros ky prelat lavdimadh, u shndërrua në xhami. Dhe ashtu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite…Pas 330 vjetësh kështu.

***

Dhe protesta ime nisi këtu për t’u bashkuar me të gjithë ata inteklektualë (solidar jo vetëm me Dr. M. Palnikaj si shkas) që kanë shkruar e kanë ngritur zërin që gurët e mëdhenj të zënë vend në themelet e historisë dhe kulturës sonë. Këta gurë themeli nuk mund të mbulohen nëpër xhamira e të poshtërohen kësisoj, barbarisht nga pushtuesit. Kemi luftuar shumë. Kemi heshtur shumë. Kemi humbur shumw. 330 vjet që nga ai akt kanibalesk deri sot e kësaj dite.. 330 vjet.(!).

EPILOG

Jam i sigurt se kjo heshtje e rëndë mal mbi burrat e kombit na rëndon , na poshtëron të gjithëve pavarësisht partive që venë e vinë, pavarësisht nga krahinat dhe religjionet e sektetet e shumta, që më tepër na përçajnë se na bashkojnë. Kombi është një organizëm i gjallë që, dhe një gjemb t’i hujë në këmbë e ndjejnë dhimbjen të gjithë. Shpreh besimin se populli i qytetit të Prishtinës, atëherë në kohë të barbarëve, është drithëruar me këtë akt barbar, dhe jam i bindur që dhe sot mbas 330 vjetësh, pasardhësit e tyre shqiptarë, edhe pse të besimit islam, nuk i honepsin këto veprime. Të atyre, ish pushtuesve që me dhunë , gjak, shpatë, helm, bakshish, intrigë, përçarje, na lanë shkatërrimin fizik e shpirtëror.

…Por, në tre shekuj e ca, mor vëlla, nuk pati një rast për ta ngritur më këmbë këtë burrë?! Atje në varrin bosh të këtij burri shumëdimensional të shqiptarizmit, duhet të ishte ngritur shtatorja e tij, monument i dijes dhe i patriotizmit; të shpallej monument kulture nga shteti, të kthehet xhami-kisha në një vend i shenjtë pelegrinazhi i përhershëm; T’i lartësojmë këta burra viganë që t’i rriten supet atdheut dhe njeriut shqiptar.

***

Pjetrin mund ta derdhim në bronc, le të jetë pak përkulur; në gjoks, me një dorë mund të shtrëngojë një libër, në dorën tjetër – një qiri të ndezur . Si diell.

O zot, ndihmomë! Kam 330 vjet që hesht.Që pres...

31 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page