top of page

Një mit krijimi


Një mit krijimi

Astrit Lulushi

Sipas mitologjisë kaldease, shkruar me kunjiform - zbuluar afër 200 vjet të shkuara - aty ku më pas do të krihej Babilonia, personi që i kryesonte njerëzit ishte një grua, e cila në gjuhën vendase quhej Thalatth; në greqisht Thalassa; shqip Thellësi, por që mund të interpretohet Hënë. Hyjnia Belus e ndau gruan në dy; nga njëra pjesë formoi tokën, nga gjysma tjetër qiellin, dhe në të njëjtën kohë shkatërroi kafshët. E gjithë kjo është një përshkrim alegorik, sepse bota i ka kushtet natyrore; ajo përbëhet nga lagështia dhe kafshët krijohen vazhdimisht në të.

Belus, qiellori, hoqi kokën e tij; mbi të cilin perënditë e tjera përzien gjakun dhe prej tij u formuan njerëzit. Për këtë arsye, njeriu është racional dhe merr pjesë në dijen hyjnore. Belus, me të cilin nënkuptohet Jupiteri, ndau natën nga dita, qiellin nga toka dhe rregulloi universin. Por kafshët, duke mos qenë në gjendje të përballonin përhapjen e dritës, ngordhën. Belus, urdhëroi një nga perënditë që të hiqte kokën e tij, të përziente gjakun me tokën dhe prej andej të formonte kafshë dhe njerëz të tjerë. Belus formoi gjithashtu yjet, diellin, hënën dhe pesë planetët. Sipas Polhistorit Aleksandër, ky është rrëfimi që Belus shkroi në tabletën e tij të parë. Tabela e dytë përmban historinë e dhjetë mbretërve të Kaldeas dhe periudhat e vazhdimit të çdo mbretërimi, që përbëhej kolektivisht prej njëqind e njëzet sari, ose katërqind e tridhjetë e dy mijë vjet, duke arritur deri në kohën e Përmbytjes. Duke numëruar mbretërit nga tabletat e kaldeasve, pas Ardatit të nëntë, djali i tij Xisuthrus mbretëroi 18 sari.

Në kohën e tij ndodhi një përmbytje e madhe: Hyjnia Cronos iu shfaq Xisuthrus në një vegim dhe e paralajmëroi se në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit Daesius do të kishte një përmbytje, nga e cila njerëzimi do të shkatërrohej. Prandaj e urdhëroi të shkruante një histori të fillimit dhe përfundimit të të gjitha gjërave dhe ta varroste në qytetin e Diellit në Sipara; pastaj të ndërtonte një arkë dhe të merrte me vete miqtë dhe të afërmit e tij; të përcillte në bord çdo gjë të nevojshme për të mbajtur vazhdimin e jetës për njerëzit, bimët dhe kafshët.

Disa pretendojnë se kanë zbuluar mbetjet e një arke, që ata e lidhin me Noen, por thëniet e tyre shpesh trajtohe me skepticizëm, ndërsa miti kaldeas flet për një arkë dhe përmbytje shumë më të vjetër se periudha e Noes.

Në territorin e Armenisë është një mal shumë i madh që quhet Baris, ku shumë njerëz u tërhoqën në kohën e Përmbytjes dhe u shpëtuan. Arka ngeci në majën e malit dhe mbetjet e anijes u ruajtën gjatë. Banorët e parë të tokës, duke u mburrur me forcën dhe madhësinë e tyre dhe duke përbuzur perënditë, morën përsipër të ngrinin një kullë, maja e së cilës duhej të arrinte në qiell, në vendin ku ndodhet tani Babilonia; por kur iu afrua qiellit, erërat i ndihmuan perënditë dhe e përmbysën kullën Babel; rrënojat e saj thuhet se janë ende në Babiloni (arkeologët e sotëm vazhdojnë të kërkojnë); perënditë futën një larmi gjuhësh mes njerëzve, të cilët deri në atë kohë kishin folur të gjithë të njëjtën gjuhë; një luftë u ngrit midis Kronos dhe Titanit. Vendi ku ata ndërtuan kullën quhej Babiloni për shkak të ngatërrimit të gjuhëve; me fjalët Babel, Babilon hebrenjtë quajnë konfuzionin; greqisht quhet barbarë (nuk mund të flasin gjuhën e tyre); shqip quhet belbëzim (nuk flet, por mërmërit). Pas përmbytjes, jetuan Titani dhe Prometeu, kur Titani ndërmori një luftë kundër Kronit.

Por babilonasit dhe pjesa tjetër e barbarëve a belbëzuesve, kaluan në heshtje parimin se duhej Një për të krijuar botën dhe thanë se duheshin Dy; Tauthe dhe Apason, duke e emëruar ‘Teutën’ nënën e perëndive. Nga Apason dhe Teuta lindi një djalë, Moymis, për të cilin, mitiologët mendojnë se nuk është tjetër veçse 'bota e kuptueshme që rrjedh nga dy parimet'. Prej tyre lindën edhe pasardhës të tjerë, Dache dhe Dachus; Kisare dhe Assorus, nga të cilat dalin tre të tjerat Anus, Illinus, dhe Aus. Dhe nga Aus dhe Davce lindi një djalë i quajtur Belus, ngatërrestari i botës, Demiurgu. Kështu, siç e pamë, historia i ruan këto tableta nëpër muzeume, por e përdor mitologjinë, si bazë për t’i bërë të pabesueshme.

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page