top of page

Një ménage à trois plotë dhimbje dhe alegori


Një ménage à trois plotë dhimbje dhe alegori


Nga Fatmir Terziu



Edmond Kaceli publikoi në rrjetet sociale një poezi me titullin „Kënga e Emigrantit“. Kjo poezi ndërsa hyn në familjen e madhe e të gjerë të kësaj tematike, papandehur më zgjoi tre gjëra që lidhen me ménage à trois. Një ménage à trois është një marrëveshje shtëpiake dhe një marrëdhënie e përkushtuar me tre persona në marrëdhënie romantike, ose seksuale poliamoroze me njëri-tjetrin. Edhe pse në plan të parë nuk duket se ka të bëjë me thelbin e kuptimit të kësaj fraze, në thelb ngjan apriori si e tillë, që ia kalon situatës së vitit 1917-të në Rusinë e Bolshevizmit.

Në atë kohë ishte entuziazmi i vendosur i Mikhail Kuzmin (1872-1936), një estet i klasës së lartë me një dhunti për ménage à trois. Shkresa poetike e tij për bolshevikët shkëlqen në „Revolucionin Rus“ (shkruar në fund të 1917):

„Ky nuk është funeral - ne po ndërtojmë një shtëpi të re.

A do të ketë hapësirë për të gjithë ne?

Do ta mendojmë më vonë.

Kujtoni dërgesat e para nga sovjetikët,

marramendëse, „Për të gjithë, për të gjithë, për të gjithë!“

Është si t'i thuash një njeriu të uritur: „Ha!“

Dhe ai u përgjigj: „Unë jam duke ngrënë!“ me një buzeqeshje“ të tillë.

Kaceli i konfiguron këto tre gjëra tek „Jam dhimbja!“-„Jam trishtimi“-„Vargu i shkruar në nje biletë avioni...“, duke bërë kështu esencën e një preambule sa dhimbëse, aq dhe poetike të fortë në kontekst. Të tre këto përforcohen nga ajo që shkon më në thelb „Kënga e trishtimit jam!- kënduar në një makinë luksoze!“ Pra ky është „Emigranti“ dhe kjo është „Kënga e Emigrantit“, të cilën Edmond Kaceli e përcolli për lexuesin menjëherë sa Kryeministri i shqipërisë Edi Rama i tha gazetës gjermane „Der Spiegel“ „Si mund t’i ndaloj unë si qeveri e një vendi në zhvillim, kur vendi më i zhvilluar i Evropës është vetëm një orë e gjysmë larg? 50 000 portugezë largohen nga vendi i tyre çdo vit, 500 000 kroatë janë larguar nga vendi i tyre që kur vendi u bashkua me BE.“

Ndërsa Kryemistri Rama i tha gazetës gjermane se „Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në botë. Shkalla jonë e krimit është më e mirë se Britania e Madhe, Greqia apo Italia dhe sigurisht SHBA, me një nga normat më të ulëta të vrasjeve në Evropë. Industria e turizmit duhet të investojë sepse natyra dhe brigjet të lënë pa frymë. Dhe pensionistët gjermanë duhet të vijnë këtu për të kaluar pleqërinë e tyre buzë detit. Sipas një thënieje të vjetër, “shtëpia e shqiptarir është e Zotit dhe e mikut”, në planin hstorik jashtë asaj dhimbjeje që ngre poetikisht Edmond Kaceli, vjen në këtë pikë Osip Mandelstam.

Pra, më saktë është përqafimi ambivalent i Osip Mandelstam (1891-1938), i cili, në një poezi pa titull të vitit 1918, nga e cila janë marrë vargjet e mëposhtme, ngjall përpjekjen dhe mundimin e lirisë njerëzore:

„Të lëvdojmë o vëllezër dritën e zbehtë të lirisë,

viti i madh dhe i zymtë!

Një pyll me kurthe të dendura është zhytur

në ujërat e vluar të natës.

Ju po ngjiteni në vitet e braktisura nga perëndia,

O njerëz, diell dhe gjykatës…


„Epo atëherë, le ta provojmë: një e madhe, e rëndë,

kërcasin timon-kthesë.

Toka lundron. Guxim o burra.

Duke e çarë detin si me parmendë

do të kujtojmë, edhe në të ftohtin e hidhur të Lumit të Harresës,

se çmimi i Tokës ishte sa të gjitha dhjetë sferat e parajsës.“


Dhe poezi të tilla si e Kacelit, apo dhe në kohë të tjera janë me qindra faqeve sociale, po ashtu dhe librave që botohen nga poetët dhe krijuesit në emigracion. Ato kanë dhimbjen brenda tyre, por dhe një pikë ku kulmojnë me historitë e përsëritjes së dhimbjes tjetër… Pra, kjo mos e thëntë Zoti të përsëritet, pasi në kohën Bolshevike, shumë shkrimtarë dhe poetë, me përjashtim të emrave të mëdhenj si Majakovski, apo Pasternak, u lanë pas dore padrejtësisht jashtë Rusisë. Dhe ndoshta edhe brenda Rusisë, gjithashtu. Arsyet për këtë neglizhencë nuk janë shumë të vështira për t'u supozuar. Shkrimtarët që u larguan nga Rusia Sovjetike për shkak të armiqësisë ndaj sundimit bolshevik dhe, shpesh, nga frika për jetën e tyre, ruajtën lirinë e tyre të shprehjes, por me kosto të madhe. Yjet e letërsisë si Nadjezhda Aleksandrovna Teffi, një humoriste e madhe, puna e së cilës kishte fituar admirimin e Nikollës II dhe Leninit e gjetën veten duke shkruar pothuajse ekskluzivisht për një audiencë të izoluar emigrantësh. Parisi u bë kryeqyteti i emigracionit rus, por shumë intelektualë francezë i perceptuan anëtarët e kolonisë ruse si konservatorë dhe retrogradë në mënyrë jo të modës. Sipas mendimit të tyre, emigrantët ishin, sipas fjalëve të Nabokovit, „njerëz me vështirësi të prekshme, që imitonin në qytetet e huaja një qytetërim të vdekur, mirazhet e largëta, thuajse legjendare, gati sumere të Shën Petersburgut dhe Moskës, 1900-1916“.

E gjitha kjo në peozinë e Kacelit, në kohën paralele, dhe në shtjellimin didakt sjell në vëmendjen tonë një ménage à trois plotë dhimbje dhe alegori në arsyen e paarsyeshme, pasi Shqipëria nuk është as edhe një çerek i këtyre shteteve që citohen në gojën e zyrtarit më të lartë qeveritar të Shqipërisë që këndon në heshtje përditë nga „Kënga e Emigrantit“.

85 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page