top of page

NJË LUFTË PA FITIMTARË


Shefqet Meko

-Duke menduar rreth dështimit amerikan në Afganistan-

Rastësia e jetës e solli që të përjetoj fillimin dhe dështimin e një lufte amerikane, larg Amerikës. Kam qënë fëmijë kur bëhej lufta në Vietnam. Shtypi qëndror i asaj kohe, siç mbaj mend unë, propogandonte se “Amerika do dështojë…Populli vietnamez ka të drejtë dhe do fitojë…”. Ato kohë nuk kisha këtë hapësirë mendimi për të qënë unë. Isha thjesht një numur ku ishte fokusuar propaganda e kohës, që për hir të së vërtetës nuk ishte thjesht propogandë për luftën në fjalë. Koha e konfirmoi…Ylljet Aliçkaj do bëntë një skenar filmi që të mbeten në mend fjalët “Vietnami do fitojë…”

Gushti i nxehtë i vitit 2021, gati “përvëloi” Amerikën në sytë e opinionit botëror. Befas bilionat e dollarëve amerikanë në Afganistan, u dogjën si një “puro kubane”… U zhbë aq shpejt një investim trilonash, u rrënua një shtet që Amerika mendoi se ishte një “fytyrë perëndimi” në Afganistan, presidenti iku, si dikur mbreti ynë Zog, ranë institucionet, u dorëzuan afganët luftëtarë, dhe krahu tjetër “marshoi” triumfalisht pa beteja të vërteta. “Amerika u dorëzua…Amerika dështoi” u shpallën lajmet e para në ballinat e lajmeve televizive. Unë ndiqja jo pa interes nga “Amerika e mesperëndimit”, ku paqja është një ëndërr që jetohet. Më hidhëroi ai lloj turpërimi amerikan, ndërsa ndiqja “Turmën nën rrota avionësh”. Edhe regjisori më i famshëm i Hollivudit, nuk do kishte mundur të krijonte një skenë më rëngjethëse se ajo që dëshmoi gjithë bota…

Amerika duket se di të mesojë nga gabimet, por mua më duket së këto mësime sikur harrohen shpejt. Sulmi terrorist mbi emblemat e krenarisë amerikane, nuk mund të anashakalohej pa veprim, kushdo që mund të ishte në Shtëpinë e Bardhë dy dekada më parë.Historia ka treguar se kur i “tërbon” perandoritë ato nuk përmbahen. Ndaj pushtimi amerikan në Afganistan, kur një qeverisje fundamenaliste po i merrte frymën popullit të vet, veçmas gjinisë jomashkullore, mua më është dukur si një hap për të qytetëruar një nga vendet ku duket se ka originuar njeriu…Besoja se Amerika do të ndëronte një shoqëri të qytetëruar, ku çdo krijesë njerëzorë të jetë e barabartë, ku e drejta për të jetuar si njeri t’i përkiste çdo qenie të vetëdijshme. Për hir të së vërtetës në 20 vjet prezence amerikane në Afganstan mediat më shumë kanë përcjellë beteja ushtarake se sa ato të shoqërisë civile. Ky hiperbolizim i fuqisë mbi arsyen, kjo tendencë për t’u fokusuar më shumë në fuqinë e ushtrisë amerikanë, se sa në fuqinë e idesë amerikane të lirisë, si të thuash “shtroi” rrugën e “dështimit në tërheqje”. Me sa duket në këtë vend të madh, zakoni, tribalizmi, jeta me kërkesa minimale, dhuna dhe padrejtësia në familje dhe “përbuzja” e seksit femër, kanë qënë aq të fuqishme saqë nuk ka pasur fuqi ushtarake t’i mposhtë, ndryshojë, apo modifikojë…

Si qytetar dhe taksapagues amerikan, më dhemb ky dështim ose “tërheqja me trup”. Si qëllim final, përfindimi i kësaj lufte të kushtueshme dhe “jo rentabël” ka qënë një vendim i administratës republikane. Pra ata që e nisën, patën guximin të “dorëzoheshin” pëmes bisedimesh dhe paqes. Duket se administrata Tramp dështoi në këtë proces sepse nuk mundi të gjithpërfishnte në bisedime faktorët afganë. Ndërkohë mosserioziteti administratës së re me në krye Baijden, rrëfen para njerëzimit se çdo lloj lidershipi potencialisht mund të dëshotjë… Kushdo qoftë kundërshtia dhe etiketimi i kësaj lufte pa rezultat, shumica e opinionit amerikan është kundër luftës dhe vetë “hegjemonisë amerikane”. Njerëzit e thjeshtë në Amerikë, kërkojnë të paguajnë më pak taksa, të kenë një jetë më të mirë ekonomike, të kenë një shërbim a më të prekshëm në qeverisjen lokale dhe mbi të ghitha të kenë paqe brenda vetes duke shmangur krimet dhe vrasjet. Brenda vetes Amerika ka sfida të mëdha të cilat duke u menaxhuar suksesshëm do të garantojnë fuqinë amerikanë edhe pa “parade ushtarake”, sepse ky vend, ështe mbi të gjitha symbol i parimeve njerëzore të cilat i prek dhe jeton duke qënë nga brenda.

Amerika humbi një luftë, për të mos dështuar në betejat e ardhshme. Ky është edhe një fat për shqiptarët, të cilët pa Amerikën, do ishin shuar. Personalisht e shoh tejet të fetishizuar rolin e “Rrugës së Elbasanit” në Tiranën politike, por me sa duket me ekstremizmin që dominon papajtueshmërinë shqiptare, ky mbetet “poli” që “shuan zjarret” shpesh edhe me qëndrime që janë lakuriqësisht jodiplomatike. Por nëse besojmë se miku ynë i madh është ende i fuqishëm dhe ka interesa të përbashkëta me qenësinë shqiptare, “dominanca” amerikane në Tiranë mbetet një domosdoshmëri. Sepse siç më tha një miku im në Tiranë që është investitor serioz “nëse heq dorë Amerika nga vendosmëria për ta bërë shoqërië shqiptare, neve na mbyt “talibanizmi shqiptar”…

Shpesh humbjet janë fitore. Në këtë rast humbja dhe tërheqja amerikane është “paqe” e përkohshme për popullin afgan, i cili me sa duket dëshiron me shumicë qeverinë që i erdhi me “pushkë në dorë”, por me pak përleshje dhe beteja. Dhe kjo nuk është dështim amerikan, por mossuskes afgan, nga i cili mund të mësojnë Shqipëria dhe Kosova.

Shefqet Meko1

Gusht 2021

45 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page