top of page

NJË LIBËR QË I JEP ZË TË MIRËS


SHËNIME PËR NJË LIBËR QË I JEP ZË TË MIRËS E TË DOBISHMES


Të fitosh titullin Njeri”, libri i 24-t i Halil Ramës


Dr. Jolanda LILA

Pedagoge dhe studiuese e letërsisë


· Redaktori i librit Dr.Mujë Buçpapaj vlerëson se: “Halil Rama është një nga gazetarët përfaqësues të publicistikës së re të pas vitit 1990 dhe përfaqëson në mënyrë unikale rritjen e kësaj gazetarie, përshtatjen e saj me standardet e gazetarisë europiane, siç janë ndershmëria, paanshmëria, përdorimi i dy burimeve si dhe ruajtja e kodeve. Me botimin e 24 librave H. Rama ka krijuar edhe profilin e një shkrimtari, të një prozatori të suksesshëm, pasi jo vetëm përshkruan ngjarje dhe ndërton personazhe, por edhe i sjell ato tek lexuesi me një stil të rrjedhshëm, fjalor të pasur dhe figuracioni të gjetur, çfarë i jep atij dimensionet e një shkrimtari të suksesshëm....”


· Risi e këtij libri është botimi i tij, përveçse i printuar nga Shtëpia botuese “Nacional” botohet edhe në internet në linkun: https://veteraniobvl.org/html/botime/libri.pdf, si dhe shoqërimi i artikujve me linkun e botimit në portalin prestigjioz fjalaelire.com, në të përjavshmen lettare & kulturore “NACIONAL” dhe në të përditshmet shqiptare “PANORAMA” e “DITA”

Shkrimtari, gazetari dhe intelektuali i mirënjohur shqiptar, Halil Rama – Mjeshtër i Madh, pas një përvoje shumëvjeçare në fushën e lëvrimit të mendimit publicistik dhe letrar vjen me librin e ri “Të fitosh titullin Njeri”. Ky titull domethënës shënjon librin e njëzet e katërt në numër të autorit, i cili ka një kontribut të çmuar për njohjen e figurave dhe ngjarjeve kryesore të kulturës në dekadat e fundit.

Libri “Të fitosh titullin Njeri” ka si lajtmotiv kryesor nxjerrjen në pah të figurave dhe të veprave kryesore të bashkëkohësisë, të cilët ndikojnë në përndritjen e mendimit dhe të historisë së Shqipërisë e më gjerë. Autori u jep jehonën e merituar këtyre veprave, autorëve e ngjarjeve për t’i bërë të njohura për publikun e gjerë, por edhe për t’i gdhendur në përjetësi. Si një vëzhgues i kujdesshëm e zhbirilues i jetës kulturore e shoqërore dhe si një lexues i zellshëm e pa paragjykime për emra të mëdhenj a rishtar, ai bën një punë qëmtuese të lëvdueshme për të ndarë “grurin nga egjra” dhe “vlerat nga antivlerat”. Një amalgamë personazhesh nga të gjitha fushat janë pjesë e këtij libri të ndarë në katër pjesë kryesore, ku spikat prania e emrave të rëndësishëm të sferës akademike, kulturore e shoqërore.

Pjesa e parë “Ambasadorë të paqes” i kushtohet profileve njerëzore e profesionale të disa prej personaliteteve shqiptare që janë nderuar kohën e fundit me titullin e përbotshëm “Ambasador i Paqes”. I frymëzuar prej veprimtarisë së këtyre personazheve, sidomos të mjekut stomatolog Sali Kurti, Manushaqe Shehut, e vetmja grua shqiptare me gradën “gjeneralmajor”, kirurgut vitreoretinal Prof. asc. dr. Ali Tonuzi që kryen ndërhyrjet më të ndërlikuara në sy, që u ka kthyer dritën e syve mijëra e mijëra njerëzve që i janë mirënjohës për jetë; Mjeshtrit të Madh Muharrem Gjoka-President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”- “Nderi i Kombit”, etj, ai ka përzgjedhur edhe titullin e librit si përgjithësim i veprimtarisë së këtyre personazheve që dekorohen.



Sot njerëzit vrapojnë të fitojnë pasuri në forma të ndryshme, ngarendin të shtojnë diplomat e kualifikimet profesionale, duke harruar shpesh se misioni dhe thelbi ynë si qenie njerëzore lidhet me të qenurit “njeri”. Këtu buron forca jonë, energjia dhe lumturia e secilit, sepse kur rrethohesh nga dashuria e respekti mbështillesh me aureolën e ndritur të dinjitetit njerëzor, që nuk fitohet dot me asgjë, përveçse me sjelljen dhe vlerat tona humane.

Pjesa e dytë e librit “Lexime dhe krjime me temë nga historia” shkon në një nivel më të përimtuar vëzhgues të librave dhe personaliteteve që merren në analizë, duke sjellë vëzhgime të përthelluara të autorit mbi temat e trajtuara dhe duke nxjerrë në pah edhe kulturën e gjerë të tij për analiza kësodore, ku vend parësor zë analiza e librit të studjuesit Fatos Daci -Mjeshtër i Madh “Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër – Tuqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës”

Në këtë vijë logjike vijon edhe pjesa e tretë “Personalitete të krenarisë kombëtare”, ku shpalosen mbresa, dëshmi dhe profile për figura të ndryshme historike dhe kulturore, si gjeneral Rrahman Parllaku-Nderi i Kombit, Heroi i paqes Klodian Tanushi, Dr. Fatos Hoxha, ndër reumatologët më të mire në rang vendi, Mësuesi i Merituar Skënder Murrja etj, të trajtuara me dashuri e respekt nga ana e autorit.

Kjo qasje përplotësohet më tej edhe në pjesën e katërt dhe të fundit, “Shënime për librat”, ku autori prezanton përpara publikut shqiptar disa nga librat e botuar së fundmi, ku ai me profesionalizëm nxjerrë në pah veçantitë e secilit botim si: për romanin “Brenga e prokurorit”, të autorit Ahmet Prençi; romanin “Covid 1984”, të Namik Dokles, për poezinë e Alban Balës, publicistikën impresionuese të Irfan Dashit etj.

Ndaj dhe me të drejtë redaktori i librit Dr.Mujë Buçpapaj vlerëson se: “Halil Rama është një nga gazetarët përfaqësues të publicistikës së re të pas vitit 1990 dhe përfaqëson në mënyrë unikale rritjen e kësaj gazetarie, përshtatjen e saj me standardet e gazetarisë europiane, siç janë ndershmëria, paanshmëria, përdorimi i dy burimeve si dhe ruajtja e kodeve. Me botimin e 24 librave H.Rama ka krijuar edhe profilin e një shkrimtari, të një prozatori të suksesshëm, pasi jo vetëm përshkruan ngjarje dhe ndërton personazhe, por edhe i sjell ato tek lexuesi me një stil të rrjedhshëm, fjalor të pasur dhe figuracioni të gjetur, çfarë i jep atij dimensionet e një shkrimtari të suksesshëm....”. Ndërsa Margarita Xhepa – “Nderi i Kombit”, në promovimin e librit të tij të parafundit “Rilindja e emrave” është shprehur se: “Halil Rama është ndër shkrimtarët dhe publicistët e veçantë që ka bërë dhe bën aq shumë për promovimin e vlerave tona më të mira kombëtare, letrare e artistike. Këtë e ka bërë më së miri në 24 librat e tij me monografi letrare, esse e refleksione, profile e reportazhe, si dhe në katër dokumentarët televizivë, si skenarist e regjisor: “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e dy kohëve”; “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”, “Skënder Cala, ikonë e artit e kulturës sonë kombëtare”; “Lutfi Ndreu, mësues dhe artist” dhe “Setki Jashari, poeti dhe prozatori i dhimbjes njerëzore”.

Risi e këtij libri është botimi i tij, përveçse i printuar nga Shtëpia botuese “Nacional” botohet edhe në internet në linkun: https://veteraniobvl.org/html/botime/libri.pdf, si dhe shoqërimi i artikujve me linkun e botimit në gazetadestinacioni.al dhe në të përditshmen më të madhe shqiptare “PANORAMA”.

Në një farë mënyrë, me punën e përkushtimin e tij, Halil Rama mbush një hendek të madh të krijuar gjatë tranzicionit shqiptar në fushën e publicistikës dhe të kritikës, ku libri dhe kultura në përgjithësi shihen si elemente të dorës së fundit dhe gjithnjë e më pak gjejnë hapësirë mediatike.

Me një stil të zhdërvjellët e gjuhë të qashtër, autori në këtë libër, ashtu si edhe në të tjerët ka zgjedhur t’i japë zë të mirës e të dobishmes, sepse kjo lloj fryme e karakterizon edhe atë si njeri e si gazetar. Ai priret gjithnjë të shohë dritën e mirësisë edhe në mes errësirës, edhe aty ku shpresa ka humbur. Lexuesi e ndien frymën e tij të pozitivitetit në çdo faqe të librit dhe duke e lexuar këtë buqetë shkrimesh publicistike, jo vetëm do të mësojë më shumë rreth personaliteteve dhe ngjarjeve kulturore në vend, por do të marrë edhe energji pozitive e mesazhe domethënëse për kuptimin dhe filozofinë e të jetuarit në këtë botë.

46 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page