NJE LEXUESEJE
Ju më pyesni, zonjë, për jetën intime, Atë do ta gjeni nëpër vargjet e mia, Atje jam i tëri me ndjenja e mendime, Shpirti dhe zemra gjetiu janë të dyja;
Në librin e parë, si rëndom, autobiografik, Me titullin e thjeshtë siç është edhe fati, U ndiet ndoshta papritmas skeptike, Kur lexuat: “Ç’doni t’ju bie nga fshati?”
Gjithësesi, ju thatë, fshatar ka mbetur, I palatuar në jetë, i pagdhendur në vargje. Strofat me gjalmë të trashë i ka qepur Siç qepin opingat këpucarët në lagje;
Dhe thoni se shkruaj për fshatin natyral, Për vajza të virgjëra e ara të mbjella, Për livadhet e dëlira e burimet kristal, Për hamshorët hergjele e pelat e pjella;
Vargje të rëndomta me figura pa grin, Me strofa klasike, pa thyerje, pa sharm, Pa shampanja promovimesh, gati anonim, Mes poetësh VIP-a ngjaj si sharlatan;
Se nuk lëvroj poezinë moderne, qytetare, Thelbin koncentrik të jetës sociale, Në vargje ndihet trishtimi i hënës mbi varre, Por jo drithërimat nga prekjet sensuale...
S’ka gjë se nuk shkëlqej në takime galante, Në se zemra ime gënjeshtrën s’e njeh, Por thellë në të ju s’i shihni ylberet brilante Dhe dashurinë si dyzim prej poeti ma sheh…
S’ka gjë në se s’ia zbus dot zemrën një zonje, Shpirtin e saj të krimbur nga paraja … Asnjë mëngjes prilli me rreze pranverore Nuk e zgjon dot blerimin te Saharaja…
Comments