NJË LETËR E PANJOHUR E SHKRIMTARES MUSINE KOKALARI


Uran Butka

Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës




Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për Të. Meqenëse këto sprova ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht.

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares Musine Kokalari me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijën e shkrimit dhe veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabej, Xhuzepe Skiro, Angelo Leoti etj, letërkëmbim tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës ”L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykin kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose nxitje, se nuk ka një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) ”Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vëshron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla”Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”, Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve” etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare, apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë, që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegj