NJË KRYEVEPËR E KOHËS SONË


Gjokë Dabaj




Pozaet Qose



Nuk them se s’ka kryevepra të tjera në letërsinë tonë të sotme, por, në llojin e skicës letrare, kjo është një ndër kryeveprat.

E gjeta në një libër të formatit të vogël, që autori Pozeat Qose nga Gramshi ma kish dhuruar qysh në vitin 2018. Libri ka gjithsej 23 skica, shtypur në më pak se 140 faqe dhe, me një lidhje aq të dobët, sa, gjatë leximit m’u shpërbë i tëri dhe tani po përpiqem për të mos i humbur fletët. Aq i varfër është ky krijues!

Libri titullohet “Çasti i Frojdit, botuar nga ASD Tiranë 2011 dhe nuk besoj që i ka rënë kujt në sy, sepse, ne shqiptarët, në këtë kohë regresi, nuk kemi kritikë letrare të organizuar. Vepra letrare shkruhen dhe botohen, por kritika letrare ka vdekur. Ka vdekur, sepse shtetet tanë nuk kujdesen as për vetë veprat që botohen, le më për kritikën, e cila në planin personal të kritikuesit, nuk është aspak fitimprurëse. Ç’nuk sjell fitime në formë monetare, në kohën tonë nuk ka kurrfarë vlerësimi!

Për të mos e vënë në mundim kureshtjen e lexuesit, po e sjell këtu të plotë veprën, që unë e quajta kryevepër, dhe: Le ta diskutojmë!

Titullohet “MUJI DHE ZANAT, ka për diçiturë sqaruese ritregim i legjendës dhe teksti i plotë është ky:

Foshnja më në fund nisi të nanuritej në krahët e gjumit. Ishte një fëmijë i bukur, deri në përsosmëri. Nuk kishte mjaftuar halli i lopëve të humbura, por ja, tani, edhe ky fëmijë sherret, që i kishte ngrënë më shumë se dy orë kohë me të qarat e tija.

Muji nuk kishte fëmijë, se nuk ishte martuar ende, por iu dhimbs sa s’thuhet kur dëgjoi të qarën e foshnjës. Në shpirt, përveç çudisë se ç’ishte ajo foshnjë e vetme në mes të pyllit, iu zgjua edhe një ndjenjë tjetër, që ai nuk e kuptoi se nga i lindi dhe si e pushtoi përnjëherësh të tërin: “Zoti, me sa duket, më dërgoi mua ta ndihmoj”. Tanimë s’i mbetej gjë tjetër, veçse të dilte e të kërkonte në pjesën tjetër të pyllit gjëtë e humbura.

Sapo doli te dera e shpellës, dëgjoi zëra vajzash. Mbajti vesh. I bënë veshët apo me të vërtetë ishin zëra e të qeshura vajzash?! Nuk u besoi syve dhe pickoi veten, se mos ishte në ëndërr, kur përpara tij u shfaq një tufë vajzash të bukura e të zhurmshme.

-Ju nuk jeni zana! -u tha Muji, duke ulur sytë i turpëruar.

-Zana jemi, Mujo, zana! Por ngriji sytë kur flet me ne.

-Ju ma ditkeni edhe emrin! Nga ma keni mësuar?!

-Ajo është puna jonë, or burrë i dheut! Po ti mos ki droje prej nesh!

-Epo atëherë s’duhet të jeni zana shqiptare, se ato nuk janë kaq të bukura e të mbajtura sa ju.

-Ç’ia fut kot, plako! -tha njëra me flokët bojëra-bojëra.

-Ne jemi bija të këtij vendi, po jemi bërë të këtilla, se jemi marrë me kurvllik, me trafik droge e me pisllëqe të tjerë.

Muji u zverdh. Nuk kishte dëgjuar kurrë më parë të fliste kështu një femër. Në Jutbinë gravet që përdornin kësi lloj fjalësh, u qethnin flokët dhe i shetisnin nëpër katund me thes në kokë.

-Rro, o Mujo djali, rro! -i tha vetes. Dhe pastaj: “Zot, çfarë ke, mos na i rrëfe!”

Flokët i ishin ngritur përpjetë, si hala pishe dhe në kokë ndiente një turbullirë të pazakontë. Ç’ishte kjo punë kështu?! Ishte nisur të gjente lopët dhe kishte gjetur tjetër gjë, atë që s’e kishte çuar kurrë nëpër mend. Thua të kishte qenë e taksur të ndodhte kjo? Kush e di?! Jo rrallë punët e njeriut vijnë në atë farë feje, saqë ai nuk i ka imagjinuar as në ëndrrën më të guximshme. Kishte vetëm një shteg, që do ta nxirrte faqebardhë. Të ikte një sahat e më parë nga sytë këmbët nëpër pyll e të kërkonte çfarë i kishte humbur. Kjo duhej të ishte lojë e dreqit, që mund t’ia kishte kthyer lopët në ato që shihte prej disa minutash.

-Tumirëmbeçi! -mezi shqiptoi nëpër dhëmbë.