top of page

Një krijues fenomenal


Kopi Kyçyku



(Për librin e Fatmir Pingulit “Shpendi Topollaj, një shkrimtar i çuditshëm”)



Fill pas vitit të largët 1966, kur isha zgjedhur deputeti më i ri i Shqipërisë (pa qënë anëtar partie!), më thirri në zyrë sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Pogradecit, i ndjeri Gaqo Nesho. Më uroi me ngrohtësi për detyrën e rëndësishme dhe, me taktin që e veçorizonte, më porositi të jem parimor e të mos favorizoj askënd pa të drejtë. Përgjigja që i dhashë ia vuri buzën në gaz, madje kur më përcolli deri tek dera më rrahu shpatullat. Ja cila ishte përgjigjja ime: “Shoku Gaqo, në këtë qytet, nga lagjja e sipërme e Goricës dhe e Burimave e deri në lagjen e poshtme, buzë liqenit, me të gjithë bje kushëri i afërt e i largët ose krushk. Unë nuk do të mbaj me hatër askënd që s’e ka hak, por, në rast se e meriton, do t’i jap të drejtën që i takon, pavarësisht se mund të kem lidhje gjaku me të. Mendoj se nuk është e udhës ta privoj prej asaj që i takon nga frika se mos më përgojojnë dhe humb pozitën”.

Libri monografik “Shpendi Topollaj, një shkrimtar i çuditshëm” i krijuesit dhe studiuesit të njohur Fatmir Minguli më solli ndërmend ngjarjen e mësipërme. Shpendi e ka shok të ngushtë e mik të vërtetë autorin e librit, e njohin njëri-tjetrin “me rrënjë e me degë” dhe, si dy intelektualë të zgjedhur e të çiltër, - të tillë vlerësohen nga të gjithë, - tingëllon e besueshme çdo fjalë që nxjerrin nga goja e nga pena. Megjithëse e nuhat rrezikun që vlerësimet e larta që i bën veprës madhore të Shpendit ndokush (keqdashës) mund t’i etiketojë si elozhe, paçka se janë as më shumë e as më pak thjesht konstatime dashamirëse, Fatmiri nuk i heq asnjë presje paraqitjes së fakteve deri në hollësitë më të imta. Në këtë rast autori ka vënë në peshore karakterin e dinjitetin vetjak, sepse, edhe në e paç dikë vëlla, ndoshta nuk të lejohet ta fyesh, por as ta lavdërosh pa të drejtë, sepse askush nuk të beson.

Në radhë të parë Shpendi Topollaj është vërtet i çuditshëm, i pashoq, për shpirtin e kulluar e dashurinë e pakufishme për njerëzit, për shpirtgjerësinë me të cilën i trajton të gjithë, pa përjashtim. Në një kohë që pas largimit nga kjo botë i çdo krijuesi mbetet vepra e tij, duke u “harruar” fakti që mund të ketë qënë me vese, në rastin e Shpendit do të mbetet jo vetëm vepra e gjerë tepër cilësore, por edhe njeriu i virtytshëm. Pinjoll i një dere me tradita të hershme atmëmëdhetare, brezat e së cilës kanë luftuar me pushkë, por shumë më shumë me penë, me mendje e me zemër për kombin, Shpendi, ashtu si i ati, Hulësiu, luftëtar i orëve të para e i vijës së parë kundër pushtuesve të huaj, u përndoq egërsisht dhe vetëm falë aftësive të pazakonta e durimit të rrallëhasur, por edhe të edukatës aristokratike, sjelljes shëmbullore me njerëzit e thjeshtë, ia doli mbanë të kapërcejë të gjitha pengesat, derisa më në fund kundërshtarët, veglat e regjimit diktatorial “u lodhën”, u dorëzuan dhe pohuan: “Nuk kemi ç’t’i bëjmë!”. Kësisoj i ngjiti një nga një me vrull shkallët e suksesit në detyrat funksionale ushtarake dhe civile e para së gjithash në krijimtari. Librat e botuar ndoqën njëri-tjetrin, me nivel gjithnjë e më të lartë, duke ngazëllyer zemrat e lexuesve dhe duke tërhequr si me magnet vëmendjen e vlerësimet e kritikës së specializuar. Pena e Shpendit ka shkëlqyer në të gjitha gjinitë: prozë e shkurtër dhe e gjatë, poezi, dramë, kritikë letrare, eseistikë etj. Mjaft krijime të Shpendit janë përkthyer në gjuhë të huaja, si: vëllimet poetike “Lirikat e zemrës” (në italisht) dhe “Akropol për të gjithë” (në greqisht); librat me tregime “Rrëfimi i kapitenit” (në frëngjisht), “Mobiljet e vjetra” (në rusisht) dhe “Amaneti” (në rumanisht); novela “Kurva” (në rusisht), novela “Allamanët” (në italisht e gjermanisht), novela “Pushkatimi” (në italisht e në rusisht), “ romani “Lotët e zambakut” (në rusisht). Si rrjedhojë edhe çmimet prestigjioze kombëtare e ndërkombëtare kanë ardhur duke u shtuar.

Në çdo krijim të Shpendit, përfshi edhe mitologjinë, vibron mendimi filozofik i mirëfilltë, gjykimi i thellë, i argumentuar, i paanshëm, objektiv. Personazhet, situatat në të cilat veprojnë, kontradiktat që shoqërojnë hap pas hapi temat e shtjelluara, janë bindëse, në themel kanë thelbësoren edhe atje ku diçka, në vështrim të parë, ngjan e parëndësishme, e dorës së dytë. Çdo subjekt në penën e Shpendit ngjizet dhe përçon një fabul të ndërtuar me mjete artistike të kursyera, pa teprime; sensi i masës spikat në konceptimin, zbërthimin dhe finalizimin e pikësynimeve të çdo vepre. Asgjë nuk është e stisur, e sforcuar, e paracaktuar për të bërë efekte joshës e sensacione të rëndomta. Gjuha e pasur është në shërbim të një stili të rrjedhshëm, të pasforcuar, që i jep mundësi lexuesit të çdo kahu e niveli të kuptojë pa vështirësi mesazhet e veprave të Shpendit, krijuesit më të begatë të letrave të sotme shqipe.



97 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page