top of page

Një Kosovar në oborrin e botës së lirë



Nga Fatmir Minguli



( Shënime kritike mbi romanin “ Vërtetë ndodhi!” të shkrimtarit dhe poetit prof. Tyran Prizren Spahiu)


Mund që këto rreshta të shkruara për romanin “Vërtetë ndodhi” të prizrenasit prof. Tyran Prizren Spahiu t’i kisha shkruuar në një kohë tjetër, më të vonë. E kam fjalën se ndoshta do të ishte më mirë me shkrujt për librat e tij me poezi, numuri i të cilëve shkon deri tashmë gjashtëmbëdhjetë. Por më tërhoqi dhe numuri i romaneve të këtij autori, që shkon në shifrën gjashtë.

Dhe dihet se asnjëherë nuk ka program apo planifikim në shkrimet kritike apo në preferencat e leximeve. Duke i kërkuar virtualisht leje profesor Tyranit mora guximin për të dhënë mendimet e mia, impresionet mbi romanin e tij të fundit “Vërtetë ndodhi!”. E për poezitë e tij, frikë s’ do të kem të shkruaj se më bindi dhe studjuesi dhe teologu Zekeria Idrizi i cili shkruan kështu pë poezitë e profesor Tyranit:

“ Del qartazi në piskamë shenjtëria e vargjeve të tij sublime që i dedikohen popullit shqiptar […] Tekstet e vargjeve të tij ngërthejnë mesazhe sa filozofike e domethënëse aq dhe hyjnore, humane e me vlerë gjithënjerëzore. Poeti është i ndëshkuar në saj të vokacionit të tij krijues që botën ta transformojë pozitivisht, gjithë plasaritjes në rrethin e tij, në mjedisin e tij t’i arnojë e t’i riparojë që ta ndërtojë një botë ma të mirë e fatlume, të ardhme. Kjo për arsye se muza e poetit ka rrënjët në hapësirat kozmike, tej qiellore”.



Të më falin lexuesit për këtë sjellje pak të gjatë për poezinë e Tyran Prizren Spahiut, por unë këtu gjeta automativisht dhe përcaktimin e vlerave të vetë romanit “ Vërtetë ndodhi!”.

Një roman, që unë do ta quaja tjetër soj, një roman sa real aq dhe i mirëorganizuar strukturalisht, një roman që tërheq të madh e të vogël, shqiptar apo europian, kanadez apo banor i Alaskës…Tyran Prizren Spahiu ka shpërvjelë shpatën e narratorit “ për qejf të vet” duke habitur si adhuruesit e Marsel Prustit ashtu dhe të Konan Dojlit e për të anashkaluar Xhek Londonin.

Ja, personazhi kryesor, Mal Shpatari, djalë Kosove përjeton tragjedinë e madhe shqiptare të vitit 1999 e ku i denigruar, duke lënë në pikëyetje babën e një vëlla, i përzënë nga forcat serbe hyn me nënën, vëllanë Qëndrimin dhe motrën, Rilindjen në Shqipëri ashtu siç hynë me qindra -mijra shqiptarë të Kosovës në atë dimër të hirtë në tokën mëmë.

Por është vetëm fillimi i romanit se narracioni i Tyren Spahiu na hedh shumë shpejt në tokën kanadeze ku Mal Shpatari, ky shqiptar me moshë të re ballafaqohet me ngjyrat dhe skenat e botës së lirë. Të kuptohemi! Termi “ botë e lirë’ nuk është ai i botkuptimit marksist- leninist por i një koncepti tejet liberal, i një të vërtete të fenomeneve të jetës së sotme. Eshtë pikërisht kjo artificë letrare e shkrimtarit Tyran Prizren Spahiut që ka ditur të fusё me mjeshtri djaloshin kosovar në ato skena ku hyn Xhoni apo Ykonasi e të tjerë të huaj e Mal Shpatari qëndron si një shtyllë obelisku që rrezaton ndershmëri dhe besëdhënie në besnikëri. Kjo është merita e autorit që na jep një figurë të panjohur më parë në letërsinë e letrave shqip si në Shqipëri, si në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e gjetkë.

Me të drejtë profesor Gazmend Beqaj i Prizrenit në parathënien kushtuar këtij romani shkruan se: “Atmosfera e krijuar nga dirigjenti i romanit, pastaj roli kryesor i Malit, padyshim do lë gjurmë në letërsinë kombëtare, besoj dhe në atë botërore.”

Jam plotësisht i akorduar me mendimet e këtij profesori përsa shkruan për familjen kosovare Shpatari në Kanada sipas narrativës së Spahiut. Por ajo që më bën përshtypje është teknika narrative e Tyranit. Vërtetë që në roman kemi një personazh, madje kryepersonazh si kosovari, djalë i ri, Mali, i cili ngërthehet në skena krimi, skena të dehurish dhe të narkotizuarish, skena të seksit e të grabitjes, vrasjes e të tjera pasazhe nga bota e sotme jo vetëm në Kanada, por në roman del në pah shumë pastër nën një kujdes të posaçëm të autorit fakti **se nuk është Mali organizator i çdo skene negative. Kjo meritë e shkrimtarit është për t’u evidentuar nga kritika e specializuar letrare dhe socio-psikologjike sepse nuk është fjala se duhet bërë Mali pozitiv se kështu na pëlqen.Jo, është rryma qiellore që sjell vetitë shekullore të shqiptarëve në jetë të jetëve. Pra nuk ka qenë nevoja që Tyran Spahiu të na tregonte bëmat e kreshnikëve si Gjergj Elez Alia me shokë, po thjeshtë na tregon një shpirt shqiptari, djali të ri në një oborr të botës së huaj.

Jo, Tyran Spahiu na jep shqiptarin e vërtetë me pozitivitetin e trashëguar por të mbingarkuar nga dhimbja për babanë e tij dhe vëllain që janë zhdukur në Kosovë nga serbët, e ai lufton për të mbajtur familjen e tij. Ky roman është një sagë personifikuese për shqiptarët e shpërndarë nëpër botë ku ka komunitete shqiptarësh si në Amerikë, Kanada, Angli, Zvicër, Itali, Greqi, etj,

Kudo ka edhe të kundërt të personalitetit puritan të Mal Shpatarit dhe të familjes së ndershme me baza tradicionale të shqiptarizmës. Këta “të kundërt” janë dhënë me vërtetësi nga Tyran Spahiu në pjesët fundore të këtij romani interesant, ku ngjarjet në një qytet jugor të Shqipërisë shkaktojnё prapësira gjer në plagosjen e Malit i cili me pastërtinë dhe besnikërinë e tij proverbiale kërkon atë që ka kërkuar që në fillim të emigrimit që u shkaktua nga pushtuesit serbë.Kërkon të punojë pastër për të ndërtuar jetën e tij dhe të familjes së tij dhe kërkoi të investojë te vëllezërit shqiptarë, por e keqja i ndodhi në një qytet jugor të Shqipërisë!?

Le të kaloj tani në disa aspekte të veçanta narrative që autori na ndërton në strukturat e shumta e romanit. Shikoni: Mali punon në një kompani që merret me punimet e arit, një nga profesionet më personifikuese të shqiptarëve nëpër botë. Dhe… ai nuk pranon të bëhet bukëshkalë kundrejt punëdhënësve të tij paçka se ajo grabitje lidhet me arin e arkёrkuesve nё Alaskё.

Romanin autori e fillon me ardhjen e familjes Shpatari në Shqipëri dhe ngjarjet e fundit të romanit mbyllen po në Shqipëri dhe ku harku kohor mes fillimit dhe fundit ishte për heroin kryesor, Malin një aventurë bohemiane jo për qejf apo snobizëm por si luftë për të kërkuar jetën e vërtetë. Shpirti bohemian i Malit është në sinkron me vete stilin bohemian të romanit “Vërtetë ndodhi!” dhe që autori e ka për shpirt.Diku në rreshtat e internetit për Tyran Prizren Spahiun shkruhet se “shtigjet e shkronjave prozaike e cojnё lexuesin në botën e romaneve ShqipNjë. “

Në krejt këtë roman ndihet një stil ritmik, që i jep ngjarjeve një kalim të shpejtë. Por nuk është kështu nё se gjykojmё pёr analizёn psikologjike. Stili ritmik i narracionit shkon me intesitetin shpirtëror të Malit. Edhe pse romani nuk ndahet në kapituj lexuesi ndihet krejt komod edhe kështu si e rendit gjithcka autori.

Vetia që e dallon këtë roman nga shumë romane të tjerë është fakti se ai na jep një personazh kryesor ashtu sic mund të jetë një djalë i ri i ardhur nga Kosova në botën e lirë, ku kërkon “free way”, me të meta e me difete të moshës. Nuk është personazh kristal i pastër por jo i keq në shpirt e në mendime. Në fund të fundit bota e lirë për të u bë një shkollë jete.

Po e përsëris që romani “Vërtetë ndodhi!” i Tyran Prizren Spahiu është një ngjarje në botën letrare të shqipes, një roman që duhet të shohë rrugë të reja jo vetëm në trojet e shqiptarëve por shumë më tepër, në hapësirat e emigracionit të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Durrës 16 dhjetor 2022

133 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page