Një jetë që ja vlejti



Bardhyl Selimi

Rreth librit “Jeta ime” të Qemal Mandisë

Biblioteka Kombëtare S 217/34B

Jetëshkrimet e vetë autorëve janë gjithnjë interesante, sepse flitet për dëshmitarë okularë, paçka se përmbajnë sigurisht edhe subjektivizma, vetëcensurë. Lexuesi i vëmëndëshëm, gjithësesi, di të lexojë edhe midis rreshtave, sidomos kur ngjarjet e përshkruara i ka përjetuar edhe vetë.

Kështu më ndodhi edhe mua, tek lexoja dy librat e z. Qemal Mandija, (Jeta ime dhe Emigrant në moshën e tretë), bashkëshorti i mësueses sonë të nderuar të gjimnazit, znj. Eglantina Mandija. Në fakt kërkova librat e mësueses në Bibliotekën Kombëtare por s’gjeta asnjë, ndonëse ajo ka shkruar shumë të tilla. Përse shtëpitë përkatëse botuese nuk i kanë dorëzuar Bibliotekës në fjalë kopjet për të cilat kanë detyrim? Nuk e di.

Qemal Mandija është martuar me mësuesen tonë në vitin 1956. Ja çfarë tregon ai për të:

“Pata njohur Tinën. Qe maturante në pedagogjiken e Tiranës, po drejtonte rrethin letrar të nxënësve. Porsa kishte shpërthyer si pranvera me gjithë bukuritë e saj në atë simetri të përsosur të fytyrës, trupit e shpirtit!..Thjeshtësia sikur ia shtonte bukuritë! Shkëlqenin sytë e saj të zgjuar e plot mirësi. Flokët e dëndur e të gjatë gështenjë i shkoni aq bukur ngjyrës së fytyrës pak në të zbehtë. Fytyra e përsosur harmonizohej me trupin po aq të përsosur. Një trup i derdhur, i lartë mbi mesataren, i përmasave ideale e lëvizje plot hir.” (faqe 250)

Znj. Eglantina takohet me ish nxënësit e saj, shokë e mij të klasës, me 3 korrik 2014

Qemal Mandija përjetoi kohën e Luftës së Dytë duke qenë gjimnazist e mandej edhe mësues. Ai ishte ndër 30 kuadrot e para që studiuan në ish Bashkimin Sovjetik. Kur u kthye në atdhe, shërbeu gjithë kohën në arsim, si mësues, drejtues, nëpunës i lartë i Ministrisë së Arsimit, pedagog dhe drejtues katedre i Pedagogjisë dhe i Psikologjisë në Universitetin e Tiranës, deri sa doli në pension. Prandaj, ai e ka njohur dhe ka ndikuar shumë në procesin e edukimit për një periudhë 50 vjeçare!

Por më mirë le ta paraqesim librin e tij “Jeta ime” nëpërmjet paragrafëve të përzgjedhur nga unë.

Libri hapet më një përshkrim magjepës të Shkodrës, qytetit ku ai u rrit.

“ “Çfarë çerdhe të mrekullueshme paska zgjedhë shqiponja për të rritur zogjtë e vet!- kishte thënë, sipas Barletit, sulltani turk kur e pa”. (faqe7)

Tërë kapitulli i parë mund të jetë një udhërrëfyes mjaft interesant për çdo vizitor të saj.

“Shkodranët ishin njerëz të fjalës e të nderit. “Besë, nder e burrëri” qenë virtutet më të larta për ta. Turpi më i madh ishte thyerja e besës, “koria”!...Trashëgonin burrërinë hijerëndë stërgjyshore”. ‘Krenaria ishte embrioni i shumë virtuteve të tyre” siç shkruante poeti i madh, Lasgush Poradeci.

Ishin njerëz të sjellshëm, plot “zotnillëk, të sajdisshëm”, dinin të nderonin. Sjellja e mirë e respekti ndaj të tjerëve i pasuronte shpirtërisht dhe ua zbukuronte jetën. Para sëgjithash qe respekt për vetveten. Përshëndetjet e tyre të zakonshme janë aq origjinale e të pakrahasueshme. Nuk pyesin “Si je?”, por “A je burrë?”, ndërsa gratë: “A je burrneshë?”, “A je fisnike?”. Nuk thonë “Mirupafshim!”, por “Rrofsh sa malet!”, “Të priftë e mbara!”, nuk thonë “Të falemnderit!”, por “Ta ndjefsha zanin e mirë!” (nënkupto në ato male). Jo, “S’ka përse”, por “Qofsh me nder e faqebardhë”, etj..etj. (faqe 14-15)

Shumë me interes janë tregimet për diskutimet e zjarrta që bëheshin në familjet shkodrane midis brezave lidhur me politikën e qeveritarëve të rinj komunistë ndaj Kosovës.

“Prirja për veprimtari politike e ideali romantik për “shpëtimin e popullit” nga mjerimi ishin në karakterin tim. Këtu ndjehej edhe origjina e tradita e familjes sime.

Në fillim, qesh gëzuar që isha komunist, ndonëse pa e njohur atë. “komunizmi do ta shpëtonte njerëzimin” e do ta çonte vendin tim drejt një të ardhme më “të bukur e më të drejtë!”.

Për ne, socializmi ishte teoria më e bukur Marksiste- Lenin iste, që do ta shëndoshte botën nga padrejtësia dhe e keqja. Për këtë, ndjeheshim superiorë ndaj të tjerëve dhe të gatshëm për çdo sakrificë.” (faqe 241-242)

“Ishte viti 1946. “të rinjtë u vinin prindërve epitetet “nacionalistë”, “shovinistë”, “reaksionarë”, që “nuk kuptonin vëllazërimin internacionalist”, se, “kohët kishin ndryshuar” etj…etj. As për kalimin e partizanëve shqiptarë nuk qe bërë kaq zhurmë. Nuk më harrohen polemikat e zjarrta me prindërit e xhaxhallarët e mi. Na akuzonin rëndë se “na kishin plasur sytë”, që “s’shihnim e nuk dëgjonim ç’po bëhej në Kosovë”, “si po grabitej Shkodra” etj..etj.” (faqe 111).

Vetë Qemali pati rastin të shërbente si mësues në “tokat e lirueme” në rrethin e Prizrenit, ndaj u njoh më mirë me këtë krah të kombit tonë.

Prandaj ai nuk kishte si të mos i kundërshtonte fuqishëm bashkëstudentët e tij serbë në Moskë, Mateon dhe Elenën, 4-5 vjeç më të rritur, që kishin qenë edhe komisarë të brigadave partizane.