top of page

Një jetë në pjerrinë


Pajtim Xhelo

Një jetë në pjerrinë

tregim

vijim

III

Të nesërmen Alisa doli nga shtëpia më herët se zakonisht, pa u përshëndetur as me të shoqin, as me fëmijët. Gerioni e ndjeu , po bëri sikur ishte në gjumë; nuk donte të prishte humorin që sa të niste dita. U çua më nge, kur u zgjuan dy të vegjlit, i veshi, u dha mëngjesin e vogël, u mori me vete diçka për të ngrënë, mos i merrte uria më vonë dhe mori rrugën për nga kopështi botanik i qytetit. Ndenjën goxha atje, më vonë shkuan në parkun e fëmijëve dhe kur po shkonte dreka, vuri re që vajza, Katrina mezi po i hidhte këmbët e vockla, kësisoj vendosi t'i kthente në shtëpi. E mori në krahë, vogëlushen, duke i thënë Paridit : - Ti nuk do mërzitesh që po marr Katrinën në krahë? Djali u përgjigj si t'ish burrë i madh : - Djemtë ecin vet, nuk kanë nevojë të ndihmohen nga të tjerët; vajzat janë delikate. Drejtoi trupin dhe nxitoi hapin, si për të vërtetuar atë që sapo tga. Gerioni qeshi. - Ku e ke dëgjuar këtë?- e pyeti. - Ma ka thënë tezja. Atij i bëri përshtypje; fëmijët e kishin tezen si idhull, gjithçka që dinin dhe e thoshin ishte e saj; dukej sheshit që vajza merrej me ta si një nënë e mirë, edhe pse ishte vet akoma në moshë shumë të re. - Pa më thuaj ç'gjë tjetër bën për ju tezja juaj, që jua ka fituar zemrën kaq shumë? Ktrina që pat pështetur kokën kaçurrele te supi i tij, e shikoi në sy dhe u përgjigj në vend të vëllait : - Të gjitha ato që dimë na i ka mësuar ajo. Ne e duam shumë dhe duam të jemi gjithnjë me të, po nuk duan gjyshërit e tjerë. Pas pak, si të qe kujtuar dhe nuk donte ta linte për herë tjetër, lëvizi sërish kokën dhe shtoi : - Teta Alisa më duket se nuk na do. Gerioni u duk i hutuar; fëmijët kishin kuptuar fare mirë nga ai qëndrimi i saj i ftohtë, armiqësor Ata janë të vëmendshëm, pa u marrë vesh nga të rriturit dhe në heshtje përtypin gjithçka. I tha vogëlushes për ta qetësuar: - Nuk është e vërtetë, ajo ka tipin ashtu, nuk e shpreh dashurinë. - Qenka si mësuese Nadirja që nuk na përkëdhel kurrë dhe nuk di të thotë fjalë të mira - ndërhyri Paridi - Atë nuk e do asnjë fëmijë te ne. Gerioni nuk e shtyu më bisedën. Fëmijët e shfaqën hapur mendimin e tyre për gruan e tij, por ai nuk donte që ata të krijonin urrejtje. Këta dy vogëlushë po i hynin në zemër fare natyrshëm, edhe pse ishin vetëm dy ditë që po merrej me ta. Si në mjegull, burri përqasi një vendim të pa kristalizuar tërësisht, të nxitur nga dëshira e mirë dhe fisnike për t'u dhënë jetimëve atë që u mungonte, prindërit e humbur, po akoma të gjallë në çdo hap të jetës së tyre. Shokun më të mirë të fëmijërisë dhe të gjimnazit, Gerioni e kish patur të rritur pa nënë. I ati nuk qe martuar për së dyti; e pat rritur vet, me shumë sakrifica djalin. Ai i kish njohur nga afër vuajtjet e shokut, i vinte keq, po edhe krenohej me të, se nuk e njihte mëshirën përbuzëse, ishte me personalitet të tepëruar dhe me një vullnet për ta patur zili; nuk kërkonte kurrë ndihmë, po kur ndjente që dikush e donte atë.ia jepte pa kursim. Sepse i kujtoi atë ky fëmijë që po ecte lirshëm në krah të tij. Dhe kjo i nxiti më tepër dëshirën për ta birësuar, atë dhe Katrinën çapkëne. Çuditërisht, këta jetimë sikur kishin përgjuar jetën e tij që po rrëshqiste në pjerrinën e fatit të pamerituar dhe i patën bërë pritë diku, për ta pengua rrokullisjen e heshtur, po të trishtuar. Kujtimi i shokut të vet që kish ecur në jetë pa asnjë dashuri shpirtërore, përmes dhëmbjeve të pamëshirëshme dhe të pandërprera, përmes ambicjeve dhe zemrave ziliqare të njerëzve të vegjël, e ndihmoi të merrte një vendim, që mbase do t'i ndryshonte jetën atij dhe mbase zbuste , sadopak, shpirtin e gurtë të të shoqes. Ai ishte i bindur dhe i vendosur që ta hidhte atë hap; do t'i birësonte dy vëllezërit për të mos i lënë në një jetë si dy trungje me degë të thara, pa gjethe, në një vdekje të zgjatur që hidhte hapat ngathët mes vrapimit të të tjerëve. Do bënte ç'ishte e mundur për ta bindur Alisën që këta fëmijë ishin dhuratë bujare e Zotit që po i shihte me syrin e dritës për të ardhmen. Veçse dëshirat ndonjëherë ndeshin në një murë të pakapërxyeshëm të njeriut me të cilin ke ndarë krevatin për vite të tërë, ke ndarë hallet dhe vështirësitë e jetës, mirë apo keq. Në mbrëmje Alisa u kthye në shtëpi gjithë nerva dhe pa përshëndetur, iu kthye të shoqit me ton të ashpër : - Edhe sonte ke ndërmend t'i mbash këta të dy/ Ai u përgjigj pa e prishur terezinë: - Po, do t'i sjell edhe javën tjetër, edhe tjetrën, derisa të vendosim t'i birësojmë. Gruaja po e shihte me sy të zgurdulluar. Ku kishte mbetur Gerioni që nuk ia prishte kurrë , qoftë edhe për gjënë më të parëndsishme. Ç'kishte ndodhur me burrin e saj? - Mos ke luajtur gjë nga fiqiri? - bërtiti ajo. Tjetri i bëri shenjë: - Ule zërin , se janë nga dhoma tjetër dhe nuk duhet të dëgjojnë të tilla gjepura. Nuk duhet t'i lëndojmë. Ajo përplasi me inat çantën në tavolinë dhe shpërtheu në një histeri që e detyroi Gerionin të ngrihej, ta kapte me forcë për krahu dhe ta ulte pranë vetes. - Nuk i dihet kush ka lajthitur, po jam i sigurt që unë jo - i tha, duke u përmbajtur. Këta të dy do jenë fëmijët tanë dhe nuk duhet ta vësh në dyshim. Mundohu të arsyetosh me qetësi dhe me këmbë në tokë. - Fëmijët tanë?- shpërtheu ajo- Fëmijët e tu, sepse unë nuk kam ndërmend të birësoj fëmijë nga të jetimores, të cilëve nuk u dihet as origjina. Po sikur të jenë nga prindër me ngjyrë? E ke menduar këtë? Edhe ajo na duhet pastaj, të kemi nesër dhëndër dhe nuse ashtu, si u thonë atyre... - Evgjitë - e ndihmoi ai - E para nuk duhet t'i përbuzësh njerëzit, se nuk është faji i tyre që i përkasin një race të ndryshme nga e jona. E dyta dhe kryesorja, vëre vëth në vesh fjalën që të thash mbrëmë. Ata nuk janë pa origjinë, madje janë më të fisëm se ti që mban hundën përpjetë, sikur të ishe vajza e Kontit të Montekristos, apo e Elisabetës së Anglisë. Janë dy fëmijë në fatkeqësi dhe janë aq të edukur e të mençur, sa vështirë se ti do t'i kishe bërë dot të tillë. - Do të thuash që me ta është marrë ajo tezja e tyre? Këtë doje të thoshe? Pyeta edhe për atë. Më thanë që është një kokërr injorante, e padalë, pa pikë shije në të veshur e në të jetuar, sa që nuk e afron asnjë prej shoqeve të saj. Nuk ka as shkollë të lartë, pa le dhe na hiqet si ato administratoret e shtëpive të pasura angleze të shekullit të kaluar. Gerioni qeshi, nuk e lejoi veten të binte në kurthin e Alisës, ruajti kontrollin dhe gjakftohtësinë; iu kujtua sjellja e të atit, kur nëna e tepëronte me rrotullimet e tepërta që merrte kur nxehej. Ai qeshte dhe e lejonte gjersa i mbaronte lënda djegëse. Atëhere i kthehej me të qetë dhe me llogjikë bindëse. Ashtu veproi edhe ai këto çaste. E shoqja nxori nga thesi edhe ca rraqe të tjera të dala boje, pastaj u ul dhe nuk po fliste më. Dikur tha e qetësuar : -Ti nuk mund të bësh me kokën tënde, sepse në kët shtëpi jemi të dy që vendosim. - Po sikur të bëj atë që kam ndërmend pa të pyetur, ç'do të ndodhë? - Do largohem unë nga shtëpia - u përgjigj ajo e vendosur. Gerioni u mendua një çast. - Jo, ti s'ke arësye ta bësh këtë, sapo e the që shtëpia është e të dyve. Unë do t'i çoj fëmijët te prindërit e mi, që të të le vetëm, në botën tënde të vogël, egoiste. Gruaja nuk foli, sigurisht kjo ishte një dakortësi e parapëlqyer nga ana e saj. Ajo u vesh dhe kur po dilte nga porta tha pa e kthyer kokën - Do shkoj tek im vëlla, mund edhe të vonohem. - Rri sa të kesh dëshirë - ia ktheu Gerioni- Për fëmijët ka kush kujdeset, Katër fundjavët që vijuan ai i çoi fëmijët te prindërit e vet, në fshat. Veç t'i shihje si silleshin ata me dy pleqtë, sikur të ishin njohur me ta që kur kishin lindur. U lidhën aq shumë me njeritjetrin, sa i ati i tha Gerionit herën e fundit : - Mos i ço më në atë jetimore djalin dhe vajzën. Bëj dokumentat e birësimit dhe jepi fund kësaj zvarritje të kotë. Ti e sheh që ata u mësuan me ne dhe nuk duan të largohen. - Mirë baba - u dakortësua ai. Të hënën do merrem me këtë punë, nuk besoj të më sjellin pengesa. - E ke një pengesë sa për njëqind - ndërhyri e ëma.- Sonte çoi fëmijët në shtëpi dhe prija shkurt asaj. Po të dojë të rri dhe të sillet si grua me mëndje në kokë, në të kundërt, secili në punën e vet. Boll të ka nxirë jetën . Të gjeti ty, të urtë dhe të sjallshëm , se ndonjë tjetër do t'ia kish treguar vendin me kohë. Ajo u foli fëmijëve që po luanin me qenin, i bëri gati, i puthi dhe i porositi : - Sido që të vijë puna, çfarëdo që të thotë Alisa, ju mos u ndjeni fare. Babai juaj e ka vendosur që do t'u birësojë. Do s'do ajo, nga sot e tutje ne do të jemi një familje. Hajde ta prisje gëzimin e vogëlushëve! U turrën kush e kush të puthte më shumë herë duart e plakës, po Gerioni u foli që të nxitonin, se do ikte autobuzi i fundit. Alisën e gjetën në shtëpi. Po shihte një filëm në televizor dhe as që luajti vendit. Katrina e vockël iu afrua dhe donte ta përqafonte, po kur pa që tjetra nuk e bëri fare qejfin qeder, iu bashkua të vëllait pa u ndjerë; iu kujtuan fjalët e nënës së Gerionit.Më vonë, kur po i mbylleshin sytë , përgjumësh vocrrakja pëshpëriti : - Mami Alisa, unë të dua shumë. Gruaja lëvizi e nervozuar dhe i tha të shoqit : - Ti e ke mësuar të më thotë mami, apo jot ëmë? Ta kesh të qartë ti, ta dinë mirë edhe këta djallushët e vegjël, unë nuk jamë mama, sepse nuk kam fëmijë: Mamaja e tyre le të bëhet ajo tjetra, tezja. Gerionit i erdhi për të qeshur dhe nuk u përpoq ta fshihte këtë. Tjetra e shikoi me inat. - E kanë babain këtu, le të vijë dhe ajo si nënë dhe gjërat ndreqen lehtë. Ja, më në fund e kish shprehur atë që e grryente prej kohësh përbrenda. - Për mua thuaj ç'të të vi për mbarë, po me atë vajzën e botës mos e tepëro, nuk ke punë. Alisa u ngrit. - Thash atë që mendoj, nuk më ndalon askush ta bëj këtë. Je i lirë ta sjellësh tezen e tyre që nesër në shtëpi. Iki unë që këtej. Gerioni qeshi, këtë herë me zë, shpenguar . - Ti do vizituar te psiqiatri - i tha- Midis meje dhe tezes së fëmijëve nuk ka asgjë veç kujdesit të përbashkët për këta jetimë. Mos hyr në mëkat se janë dy ëngjëj të pafajshëm. Të ndëshkon Zoti po t'i urresh pa asnjë arsye. Të rriturit menduan se Paridin e kish zënë gjumi, po qenë gabuar; djali e dëgjoi gjithë bisedëm. Kur Alisa po largohej, ai i foli : - Teta Alisa, nëse ti nuk do që unë dhe motra ime të jetojmë në shtëpinë tënde, kjo nuk ka për të ndodhur. Nesër ne do largohemi për të mos ardhur më anjëherë. Gerionit iu ndrydh zemra. Ai u çua rrëmbyer, e ngriti djalin në krahë, e puthi disa herë , pastaj ktheu kokën nga ajo grua e pashpirt dhe i tha : - Ju të dy jeni bijtë e mi tashmë. Kush nuk është dakord me këtë, e ka rrugën të lirë, le të largohet. Të rriturit e bëjnë vet përzgjedhjen. Unë e kam bërë timen, biri im! Paridi i vogël i fshiu lotët e nxehtë të atit dhe e puthi. - Edhe unë do bëj përzgjedhjen time, që sonte madje. Ajo u vesh dhe u largua nga shtëpia. Për ku? Paridi u shqetësua, po Gerionit as që i bëri përshtypje. Le të shkonte ku të donte, ishte e lirë të vendoste e pandikuar. Mëndjemadhësia, egoizmi dhe krenaria e asaj gruaje e kalonte njerëzorën, kishte brenda tyre diçka nga kushtrimi i kafshëve paraardhës. Dhjetë ditë Gerioni u mor me praktikën e birësimit, së bashku me tezen e fëmijëve dhe me gjyshërit e tyre. Alisa ndërkohë nuk u kthye në shtëpi; as Gerioni nuk e bezdisi më. Ditën e fundit, kur pat mbetur vetëm firmosja nga ana e të dy palëve, drejtoresha e jetimores u tha se duhej edhe firma e Alisës, kështuqë Gerioni qe i detyruar ta takonte që t'ia kërkonte edhe për sy e faqe këtë. Ajo nuk pranoi. i tha që kish bërë padinë në gjykatë për divorc dhe se do të shiheshin vetëm ditën e gjyqit - Tani je i lirë. Të uroj të kesh jetë të lumtur me tezen e fëmijëve dhe me ata dy djajtë e vegjël, veç po të them që je treguar i cekët, nuk u thellove të pyesja për prindërit e tyre. Dije që Zoti i ndëshkoi me aksident, se ishin të dy mëkatarë! Gerioni nuk e mori fare mundimin t'i kundërvihej; një femër që quan djaj dy ëngjëj që sapo kishin nisur të gëzonin pasi mbetën jetimë, që ndjen kënaqësi për fatkeqësinë e prindërve të tyre , që quan mëkatarë dy prindër të mrekullueshëm që i ndau nga jeta një i dehur i papërgjegjshëm dhe kriminel, nuk meriton as të quhet njeri. Si mund të arri njeriu deri në këtë pikë të poshtërsisë? Gati sa nuk gaboi, t'i thosh që e kish parë Zoti që nuk i pat dhënë fëmijë, po u tërhoq çastin e fundit. Solli ndërmend që njihte plot gra që nuk kishin patur fëmijë, po ishin me zemër të madhe dhe jepnin në pafundësi dashuri. Kjo shprehje dukej pa vend dhe e gabuar. Iku pa asnjë mendim të qartë në kokë. Rrugës takoi tezen e fëmijëve. I foli për takimin me Alisën. Ajo heshti, po u kuptua që nga brenda po ziente si llavë vullkani. Si mund të kish njerëz të tillë, me arsye dhe llogjikë të harruar në ndonjë skaj të shkretëtirës? Gerioni po e shihte me vëmendje të zgjuar, ndoshta për herë tëparë që nga dita që qenë njohur. Herët e tjera e kish acaruar e shoqja që bëhej xheloze për këtë vajzë, po sot i dha asaj disi të drejtë. Ajo ishte si dita e freskët nën një qiell blu, të paretuar dhe një diell përkëdhelës maji në krahasim me Alisën që në vend të zemrës duhet të kish patur një copë akulli të përjetshëm, të huajtur nga ndonjë ajsberg. Vajza u skuq nën këtë shikim të ngulët të njeriut që mbase e pat lakmuar pa ia shprehur për asnjë çast të vetëm. I kërkoi të falur dhe u largua Mendoi se nuk qe mirë të përfitonte nga momenti i vështirë që po kalonte ai.E nesërmja bashkë me mëngjesin kish tronditur gjithë qytetin e vogël Gerionin e zgjoi tingllima e ziles së telefonit.Ashtu, përgjumësh ai pyeti ? -Kush është? E kushërira i tha pa kujdes, sikur t'i jepte ndonjë lajm të ndonjë planeti tjetër : - Alisën e shtypi makina para një ore. Gerioni i kish humbur fjalët. - Më dëgjove? - përsëriti ajo- Vdiq kur po e çonin në spital. Atij i shkiti nga dora doreza e telefonit. Paridi që sapo qe ngritur nga gjumi, e pyeti : - Ç'të ka ndodhur bablok? Ai e kish thirrur me emrin që thërriste Geroni të atin. Për një çast harroi që Paridi nuk qe djali i tij i vërtetë, e rroku për qafe dhe e shtrëngoi fort. U zgjua edhe Katrina, që iu bashkua përqafimit të tyre. Kjo dashuri ua kalonte të gjitha halleve dhe fatkeqësive të jetës, qëndronte atje lart, në qiellin e natës, si ylli më i shndritshëm i gjithësisë. Erdhi edhe tezja e fëmijëve; ajo kish dëgjuar për aksidentin dhe u mat të thosh diçka, po Gerioni i bëri shenjë me kokë, që të mos merrnin vesh vocrrakët; ata e patën përjetuar një humbje dhe kjo e Alisës, edhe pse e kishin të qartë që gruaja nuk i donte, do t'u rikthente kujtimet e trishtuara. Gerioni i tha vajzës të qëndronte me fëmijët dhe u largua. Ç'duhet të bënte? Të dilte një herë nga shëpia, pastaj vendoste ku do të shkonte.Për një çast mendoi të takonte të atin , po u bë pishmënt. Të paktën këtë herë duhet të vendoste vet për jetën që i mbetej për të jetuar. Një ditë i ati nuk do të qe më në këtë botë. Ku do të pështetej paskëtaj? Ashtu, si në mjegull i doli përpara fytyra e tezes së fëmijëve. Alisa nuk e kish patur keq, kur frikësohej mos ajo i zinte vendin. Sidoqoftë, rrëshqitjes në pjerrinë tani dukej se i pat ardhur fundi;boll ishte rrokullisur tatëpjetë. Kish akoma edhe shumë jetë për t'u ngjitur lart . Dhe do të ngjitej me siguri.

Fund

Pajtim Xhelo, 3 qershor 2020

30 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page