top of page

NJË HERO


NJË HERO

Tregim nga Kozma Gjergji


Dakordoheshim të gjithë, se kurorën e studentes më të bukur në kursin tonë e meritonte Zelda. Shkrepëtimë, që të verbonte e bënte zemrën rrëmujë. I shtonin hijeshinë edhe thjeshtësia e komunikimi aq miqësor e të natyrshëm, pa të cilat me siguri do ngjante si kukull porcelani.

Prania e saj na gëzonte e nxiste të përsosnim vazhdimisht sjelljen e paraqitjen. Secili e përfytyronte jetën me të një spektakël hyjnor të dashurisë. Ia krahasonte hiret me frutat më të mrekullueshëm, që po të mos vileshin në kohë, prisheshin në pemë. Dhe, ndonëse e dëshironte ethshëm, s'guxonte t'i propozonte, i bindur thellësisht se ajo i takonte vetëm dikujt me famë e pasuri.

Zelda, natyrë gazmore, e çiltër, e afrueshme, preferonte të gjendej kurdoherë mes poteres së bisedave, humorit, të qeshurave, çapkënllëqeve e batutave frelëshuar.

Pëlqente sidomos imitimet, ku tregoheshin në mënyrë të zmadhuar anët më komike të disa prej personazheve të njohur. I tillë ishte i Filozofit D. me sentencat si: "Po fole tej mase, edhe xhevahire të thuash, kakërdhi bëhen", "Për thertoret gjenden gjithmonë kasapë", "Cigarja kur pihet shkurtohet", ose për parashikimin e rezultatit të ndeshjes së futbollit: "Është e sigurt fitorja e skuadrës sonë, nëse kundërshtari humbet", apo kur shprehte dëshirën për të pasur një dashnorë: "Më duhet një këllëf për stilografin" e të tjera.

Ditët, javët, muajt e jetës studentore rendnin vrullshëm si rrëketë, përrenjtë e lumenjtë malor, plot dritë e zëra të hareshëm, me etjen e madhe për dije dhe ëndërra për t'i bërë edhe pjergullat e mjegullave të zinin rrush…

Kështu, si pa kuptuar, arritëm në vitin e fundit universitar dhe ndiheshim të maturuar për betejat që na prisnin.

Vajzat, tashmë i kishin skicuar projektet e lumturisë, pra qenë fejuar. Vetëm Zelda fatmirësisht vijonte të rezistonte. Unë dhe çdonjëri prej tre të tjerëve, ende beqar për shkak të saj, e falënderonte, duke kalamendur shpresën se një ditë do ta shtinte në dorë. Kënaqësi e veçant sa herë ajo shmangte mjeshtërisht çdo kërkesë.

Ndërsa pretendentët largoheshin me mirësjellje, krejt ndryshe ndodhte me një gjatosh të inxhinierisë mekanike. Tepër i vardisur e ngjitës. I shfaqej hera-herë me ca veshje që ia ekspozonin joshëse asetet mashkullorë. Rast pas rasti edhe me motoçikletën e xhaxhait, ish punonjës ambasade. Surprizuese kjo atëhere, kur dhe biçikleta konsiderohej luks. Dhe fare paturpësisht e ftonte Zeldën për një xhiro deri në malin e Dajtit ose në Durrës. Ajo, anipse e refuzonte prerë, e pëlqente, sepse shihte tek ftesa guximin e aventurën.

Djaloshi i shtyrë nga padurimi të korrte shpejtë çka dëshironte, e ndryshoi qasjen. Nisi të shtirej i viktimizuar.

Ma ke shkallmuar zemrën e vënë në flakët e një zjarri magjik, më ke shkaktuar dhimbje të lemerishme…, i pohonte me përgjërim e si i dërmuar.

Na habiste ky ligjërim nga një i tillë, i dalluar për gjuhën e drunjtë e ngrefosje të muskujve. Dashuria ka vërtetë aftësinë hyjnore të shndërrojë në poet e artist dhe gomarin.

Qëndronim të qetë, se e dinim që tek Zelda nuk ngjisnin lajkat e komplimentet. Na ekzaltoi jashtzakonisht përgjigja e saj dhën atij. Kurrën e kurrës martohem me ty, i tha. Do pëlqeja më mirë të mbetesha për gjithmonë beqare, ose të mbaja një qen…

Djaloshi, në vend të fyehej, i priti me kënaqësi ato fjalë, dhe ia ktheu, se për hir të dashurisë, e kryente me plot dëshirë e devocion dhe rolin e qenit.

Mbas këtij takimi ai habitërisht u zhduk. Ndoshta pati konkluduar që ishte e kotë të vazhdonte më tej. Menduam se kishte ardhur tamam koha t'i propozonim e i kërkonim bukuroshes të zgjidhte njërin nga ne.

Dhe kur secili qe karikuar me kurajo për t'ju shprehur, u përhap lajmi i zi i rënies së kështjellës qëndrestare zeldiane dhe dorëzimi Gjatoshit.

Na mbuloi një trishtim si eklipsi diellin. Dhe ashtu të zymtë e të heshtur u drejtuam tek Taverna e Madhe për ngushëllim. Unë dhe kolegu zum vënd pranë akuariumit ku vërdalliseshin peshqit e kuq, ndërsa dy të tjerët në pjesën ku tavolinat zhyteshin në hije.

Rakia fillojë të na i largonte retë e mërzis e gjallëroi. Dialogu mori hov dhe rrihte të zbërthente enigmën, se si ndodhte që në krah të disa bukurosheve mahnitëse mbinin shpesh idiotë apo satana?!

-E pandehnim princeshë dhe na doli arixheshkë, -shfryjti bashkëbiseduesi, duke sharë Zeldën dhe vazhdoi, -E ndreqi edhe mbiemrin nga "Karçini" në "Cjapi" me të këtij që do martohet. S'ke ç'i bën! Çdo qënie kërkon e dëshiron të ndryshmen dhe çfarë i mungon…

Kureshtar hodha vështrimin tek dy kolegët. Pashë që fjalët i shoqëronin me gjeste dhe lot zhgënjimi. Njëri qante vdekjen e dashurisë së pashprehur, kurse tjetri për humbjen e shansit që s'do t'i paraqitej kurrë.

Edhe unë ndihesha krejt i mjerë. Kuptova që dashuria nuk të gjen nëse je tepër i kujdesshëm dhe matesh shumë. Përmes mjegullës së alkoolit shquaja iluzionin si një skulpturë e përkryer akulli tek shkrinte me shpejtësi.

Shkëputa nga koleksioni i kujtimeve atë me Zeldën dhe zura t'ja rrëfeja bashkëbiseduesit.

-Gjatë pushimeve, kur përgatiteshim për provimet, i shkova te shtëpia asaj të merrja disa libra e leksione të mia, pasi e kishte zakon që nuk t'i kthente. Trokita e fatmirësisht doli vetë ajo. Më shtrëngoi dorën e dashamirësisht më ftoi brenda. Ngurrova e qëndroja në mëdyshje. Ma kuptoi sikletin.

-Eja, eja pa drojtje e paragjykim… Jam vetëm fare… Do të të tregojë një ëndërr që kam parë sikur me ty…

U befasova i habitur. Këmbanëza e shpirtit më tringëlliti. Vështrimet tona u kryqëzuan në çast si dy shkëlqime shpatash. Vumë buzën në gaz. Ajo më la të kuptoja se më dashuronte. Oh, Zot i madh! Zemra gati po më dilte nga vendi. Edhe në qe ndonjë trill i dhash karar të mos e humbisja rastin. Dhe teksa e vendosa, befas u duk në der i ati, i cili përshëndeti dhe kaloi.

-Po ky?! -e pyeta.

-Nuk e pata vën re…, -e ndërsa deshi të shtonte dhe diçka, ia behu edhe i vëllai, që salutoi me kokë përzemërsisht.

-E dija të larguar me kohë…, -u shfajsua dhe për të vëllan. -Po ç'ke ti ore, hajde pa frikë… Unë kam dhomën time e bëj ç'të dua…

Nuk i besoja më sinqeritetit të saj dhe po dyshoja.

-Mund të jetë dhe ashtu, -ia ktheva i tërhequr, -por ama, çelsin duhet ta ketë mamaja…

E falenderova për ftesën dhe i kërkova të më sillte librat e leksionet. Ditëve në vazhdim më kërkoi të falur për shakanë, që në fakt ishte një tallje mizore. Megjithatë unë asnjëherë nuk i mbajta mëri apo ta urreja, përkundrazi atë ndodhi e kam margaritarin më të shtrenjtë.

Diplomimi dhe dalja jonë në jetë përkoi me erërat e ndryshimeve të thella për demokracinë. I mendonim të ishin si ato rrymat e ngrohta të Golfstrimit, që në dimrin e akullt nordik bëjnë të lulëzojnë trëndafilat.

Rezultojë një xhungël, ku grupe e lloje speciesh shqyenin dhe hanin njëri-tjetrin. Shumica vërtiteshin në boshësi dhe e mbanin frymën gjallë me kërminj e barishte, ndërkohë grabitqarët mesatarë shijonin të kënaqur pren e rën në hise, dhe më të fortit s'kishin të ngopur së gllabëruari tërë pyllin.

Në mjedisin e ri shikonim se sa na vlente lëkura. Disa patën emigruar jashtë, kurse ne mbijetonim, përjashto Zeldën me bizhuteri të kushtueshme, veshje firmato e makinë luksoze. Banonte në një vilë moderne me kopshtin gjithë lule e pemë.

Kjo mirëqënie i vinte nga suksesi i bashkëshortit në tregun e makinave të vjedhura, manovrimi për t'iu nxjerrë targat, shmangia e doganës dhe e matrapazllëqeve mafioze.

Me ashpërsimin e luftës kundër trafiqeve, ai e ndërroi këtë biznes me hapjen e serviseve për riparimin e larjen e automjeteve dhe shitjen e pjesëve të këmbimit. Anipse e reklamonin si model, qytetaria nuk e simpatizonte se ia njihte pisllëqet, por ca më shumë për sjelljen prej xhahili ndaj të punësuarve, të cilët i shtrëngonte të punonin orë më tepër e ua vononte pagat me muaj.

Fitorja në zgjedhjet për rinovimin e pushtetit nga forca politike ku kontribuonte i mundësoi postin e komandantit të divizionit zjarrfikës, të cilin e lakmonte. Nuk e shpjegoje dot përse e donte, kur aty s'xhironin tendera e fonde të konsiderueshme apo që t'ja kishin nevojën. Drejtuesin e mëparshëm s'e njihte askush, pasi zjarret qenë mjaft të rrallë.

Me këtë të riun ndodhi e kundërta. U bë i njohur qysh në rënien e zjarrit më të parë. Falë pasionit për makinat dhe manisë për t'u dukur, mori vetë zjarrfiksen më të mirë dhe u nis me urgjencë për ta shuar.

Në ecje e sipër, si ta godiste rrufeja, mjeti shpërtheu në flakë, duke i rrezikuar dhe jetën. Ngjarja pati mjaft jehonë më tepër për komicitetin.

Kujtimi i këtij fillimi të keq u harrua shpejt nga ndodhitë pasuese, si beteja për fikjen e zjarrit që përpiu magazinën gjigande të mallrave dhe të disa shtëpive pranë.

Kryezjarrfiksi priu trimërisht në krye të grupit të specializuar dhe arriti tua rrëmbente flakëve gjallë një fëmij dhe të ëmën. Megjithëse nga magazina mbetën vetëm muret, shpëtimi i dy jetëve dhe banesave u vlerësua lartë. Një heroikë e tillë u përsërit dhe në fabrikën e përpunimit të qumështit, ku u nxorrën pa asnjë dëmtim tre punonjës.

Këto akte morën vëmendje të madhe në opinion dhe figura e komandantit të ri legjendarizohej enkas edhe si kundërvënie revanshit pëgërës e mohues ndaj çdo simboli e vlere të shenjtë kombëtare dhe zëvendësimit me heronjtë e fustaneve, regresit, vjedhjeve, tradhtisë…

Ndërkohë alarmonte shpeshtimi i rënies së zjarreve me dëme të jashtëzakonshme. Duheshin zbuluar e ndaluar urgjentisht duart e liga e të qëllimshme që i kryenin.

Mbas një pune tejet intensive e profesionale, të gjitha informacionet, vigjilimet, survejimet, infiltrimet çuan tronditshëm tek dora vetë komandanti i divizionit zjarrfikës.

Përballë provave të pakundërshtueshme ai pranoi që ishte koka e krimit të zjarrvënieve kundrejt pagesave super të majme nga konkurrenca dhe firmat ndërtuese më të rëndësishme.

Në mbrojtje i dolën menjëherë partia ku aderonte dhe përfituesit. E quajtën veç kurth djallëzor për të diskredituar e goditur një drejtues model dhe hero të provave të zjarrit. Ndërsa nisi protesta u caktua për gjyqin avokati G., i njohur për shpëtimin nga burgu të sa e sa mëkatarëve. Ndër ta komentohej rreth një mjeku të rushfetit, që edhe pse krejtësisht për gabime të tija pacienti kishte humbur jetën, qe shpërblyer për dëmtim të reputacionit. Ka mbetur proverbiale thënia e këtij avokati në atë gjyq: "Doktori s'ka absolutisht asnjë faj, vdekja e të sëmurit ishte vullneti i Zotit."

39 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page