NJË HAP PËRPARA, DY MBRAPA


AT GJERGJ FISHTA DHE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË – NJË HAP PËRPARA, DY MBRAPA

Frank Shkreli


Ka disa vite që me penën time të pavarur e tepër modeste – pa pasur nevojë t’i them kujt tungjatjeta do të thoshte Fishta -- kam bërë thirrje dhe kam kërkuar rivlersimin e veprës, jetës dhe të figurës së madhe të At Gjergj Fishtës nga entet zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me besimin se pa vlerat e At Gjergj Fishtës, po varfërohet kultura dhe po de-shqiptarizohen trojet shqiptare. Fatkeqsisht, gjatë 30-viteve të tranzicionit të ashtuquajtur “post-komunist” në Shqipëri – ndonëse librat e At Gjergj Fishtës botohen dhe mund të blihen dhe të lexohen nga kushdo që dëshiron, një përmirsim nga ç’ndodhte në regjimin komunist kur veprat e tija ishin rreptësisht të ndaluara – këto tre dekadat e fundit, trajtimi zyrtar nga nivelet më të larta qeveritaro-shtetërore dhe akademike, s’ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i trajtimit të egër anti-kombëtar ndaj Poetit të Madh të Kombit, nga ana e ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës, i dënuar, i dëbuar dhe i përjashtuar, ç’prej vitit 1940 kur edhe ndërroi jetë Gjergj Fishta.

Por ja, thonë se shpresa vdes e fundit dhe në këtë moment të fundit, pas 3 dekadave “post-komunizëm”, më në fund, me kënaqësinë më të madhe mësova për mbajtjen e një konference në Tiranë, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. A mund të jetë ky fillimi i një rehabilitimi zyrtar i kësaj figure të madhe të Kombit, një hap i parë i rivlerësimit të veprave dhe kontributit të tij -- të përjashtuar dhe të harruar -- në shumë fusha të kulturës dhe historisë kombëtare. Mbetet për tu parë, por me thënë të drejtën u emocionova prej gëzimit duke mos u besuar syve ndërsa lexova çdo fjalë e fjali nga njoftimi dhe nga përmbledhjet e kumtesave që u mbajtën me këtë rast, të botuara në faqën e internetit të (ASHSH), përfshir fjalën e Kryetarit të Akademisë, Z. Skender Gjinushit dhe ekspertëve të tjerë pjesëmarrës kushtuar Fishtës dhe veprave të tija, në këtë 150-vjetor të lindjes.


Megjithë vonesën e pajustifikuar prej tre dekadash “pluralizëm” (por më mirë vonë se kurrë, thotë populli), për të bërë vlerësimin e nevojshëm të figurës dhe vepr