Një fushatë denigruese ndaj figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut


Ali Hoxha

Ditët e fundit të muajit Maj dhe në fillim të Qershorit të këtij viti, 2020, në shtypin e përditshëm të Tiranës u përhapën disa polemika lidhur me mohimin e origjinës shqiptare të nënës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Vojsavës, të bijës së Princit të Pollogut, i një krahine që shtrihet ndërmjet Tetovës dhe Gostivarit. “I ati i Vojsavës ishte princi i Triballëve, një popull me prejardhje pellazgo-ilire që përmendet nga Straboni në librin VII të tij, një popull kundër të cilit kishte luftuar Aleksandri i Madh. Sipas albanologut gjerman Johann Georg Von Hahn, emri Triballë vjen nga gjuha shqipe “Tri-ballë”, në kuptimin e tri majash mali, në latinisht “Tricornensis”, emërtim i një populli ilir, me qytetin Tricornium (në kupën timin: Tri-cep, ose Tre-Brinja), me po të njëtin kuptim: Tri-Ballë” (cituar nga Dr.Ermir Nika, në gazetën “Liberale”, datë 1 qershor 2020, fq.5) Një argument tjetër më shumë në këtë aspekt, përbën edhe studimi i Prof. Përparim Kabo me titull “Arsyetimi se nëna e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut është sllave, është pa baza shkencore” ku, veç të tjerash, ai argumenton se “Sipas Shmidit, edhe Murati (Sulltan Murati – A.H) në atë familje nga ishte e ema e Skënderbeut, e kishte gruan, por Mehmeti (sulltan Mehmeti – A.H) ishte turk. Ka ikur koha e këtij pazari ...” (Përparim Kabo, gazeta “Telegraf”, datë 28 Maj 2020, fq.9) Në përforcim të këtij mendimi të Prof. P.Kabos, theksojmë këtu vetëm këtë fakt: Në traditën e Dibrës, fara e misrit mbillet e shoqëruar me fasulen në të njëjtën parcelë (arë), ku kashta (kërcelli) i misrit i shërben fasules si shkop për të mbështjellur lozet dhe për të varur bishtajat e saj. Pra, edhe pse fara e misrit dhe fara e fasules janë të mbjellura në të njëjtën sipërfaqe toke, prej më pak se një decimetër katror, ndoshta edhe në të njëjtin cm2 të ngjitura bashkë, kurrë nuk ka ndodhur që nga fara e misrit të mbinte ndonjë lloj bime tjetër, apo nga fara e fasules të mbinte ndonjë lloj tjetër bime. Por nga fara e misrit gjithmonë ka mbirë misër dhe nga fasulja ka mbirë vetëm fasule. Për analogji, konkludojmë se nëna është e ngjashme me parcelën në të cilën mbin vetëm ajo farë që mbillet në të. Prandaj, kombësia e njeriut përcaktohet nga kombësia e babait dhe jo nga kombësia e nënës. Pikërisht këtu qëndron arsyeja që historia e ka përcaktuar si epoka e matriarkatit, kur nuk dihej babai, ndërsa kur u krijua familja njerëzore, shoqëria njerëzore u emërtua “shoqëri patriarkale” ose epoka e patriarkatit d.m.th e babës. Prandaj dhe Prof. P.Kabo ka konkluduar drejt kur ka shkruar “... Ka ikur koha e atij pazari...” (P.Kabo, - po aty). Mbështetur në sa sipër nuk mund ta konsiderojmë aspak si të rastësishëm koordinimin e veprimeve ndërmjet “pushtuesve të rinj”, të jashtëm e të mbrendshëm, të të ashtuquajturave kompani projektuese të HEC-it “Skavica” në këto dy dekadat e fundit, të cilët pak më parë se të publikonin kërkesat e tyre për të fituar tenderin e projektit “HEC-Skavica”, ata e kanë paraprirë me një fushatë shpifjesh në organet e medias për të denigruar figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut deri në atë shkallë duke i mohuar jo vetëm karakterin atdhetar të luftës së tij 25-vjeçare, kur e kanë quajtur “atlet të Krishtit” e “mbrojtës të krishtërimit”, por duke i mohuar edhe origjinën shqiptare të tij dhe të prindërve (nënës së tij, Vojsavës). Një fushatë e tillë denigruese ndaj figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe prindërve të tij ka lidhje të drejtpërdrejtë jo vetëm me mohimin dhe shtrembërimin e historisë së kombit tonë, por edhe me përgatitjen e terrenit për miratimin dhe fitimin prej tyre të tenderit të HEC-it Skavica, i cili përmbyt pjesën më të madhe të Principatës së Kastriotëve në pellgun e Dibrës, si dhe të historisë së shtetit të parë kombëtar shqiptar, veçanërisht përmbyt Fushën e betejës së parë triumfuese të Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane që në histori njihet me emrin “Beteja e Torviollit”. Në atë betejë morën pjesë të gjithë princat shqiptarë të bashkuar me komandat të përgjithshëm Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Përveç fitores së parë të ushtrisë shqiptare nën komandën e Skënderbeut ndaj ushtrisë osmane, ajo betejë ka edhe rëndësinë e përmasave evropiane, pasi për herë të parë në atë betejë thyhet dhe humbet superfuqia botërore më e madhe historike e kohës, siç ishte ushtria e Perandorisë Osmane, humbje të cilën ia shkaktoi ushtria e vogël shqiptare e një shteti të sapokrijuar nga Skënderbeu, më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës, vetëm 4 muaj më parë, se ajo betejë. Nisur nga aspekte e qëllime të caktuara pragmatike, pse jo edhe politike, aspak nuk na habit fakti se autorë të ndryshëm, kryesisht të huaj, pa bërë përjashtim edhe ndonjë shqipfolës me gjak të përzier, d.m.th. gjak të papastër shqiptar, por të prishur, të cilët me shkrimet e tyre kanë bërë edhe spekulime të qëllimshme deri edhe në absurditet, edhe në mohimin e origjinës shqiptare të Skënderbeut, me synimin për të vjedhur e përvetësuar edhe figurën dhe historinë e tij, duke e shpallur Skënderbeun dikush me origjinë serbe, apo dikush tjetër e kanë shpallur greke. Dhe ky spekulim e ka një shpjegim: autorët e huaj kanë synimet e tyre shoviniste, kurse ata me gjak të përzier, të prishur, të kryqëzuar etj. kanë synime pragmatiste, për pak interes material të kësaj dynjaje, ata shesin edhe babën edhe nanën e vet. Por ajo që është e pakonceptueshme, jo vetëm për ne, por edhe për shumë shqiptarë të tjerë, është fakti se karakterin atdhetar të luftërave 25-vjeçare të Skënderbeut e ka mohuar edhe personi që aktualisht mban postin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z.Gramoz Ruçi, i cili në fjalën e tij në Vatikan në “Audiencën” që mbajti Papa Francesku me rastin e Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes; z.Gramoz Ruçi, në cilësinë e Kryetarit të delegacionit prej 300 vetash të Shqipërisë e quajti Skënderbeun “Mbrojtës i Krishtërimit” dhe “Atlet i Krishtit” (cituar nga gazeta “Telegraf”, datë 20 Nëntor 2018, fq.3) Në kundërshtim me denigrimet e lartpërmendura për figurën dhe mohimin e karakterit atdhetar të luftës së Skendërbeut, po bashkëngjes këtu edhe ribotimin e studimit tim, me titull “Karakteri atdhetar i luftërve të Skënderbeut, themelues i shtetit të parë shqiptar”, sipas ribotimit të pestë (në të përmuajshmen “Rruga e Arbërit”, Dhjetor 2018 dhe Janar 2019). Aty veç të tjerash argumentohet se “Skënderbeu nuk ka qenë “Atlet i Krishtit” dhe ai as nuk ka luftuar për Krishtërimin, ashtu siç nuk ka luftuar as kundër Islamit. Skënderbeu ka qenë “atlet” vetëm i atdheut të vet, sepse ai ka luftuar për të mbrojtur vetëm lirinë dhe atdheun e shtetin e vet nga të gjithë armiqtë pushtues, ngado që i vinin: si nga ata që i vinin nga Lindja Islame, siç ishte ushtria e Perandorisë Osmane, ashtu edhe nga ata që i vinin nga Perëndimi i krishterë, siç ishte ushtria pushtuese veneciane, italiane etj.

ALI HOXHA, Historian

Qershor 2020

17 views

Shkrimet e fundit