top of page

Një Engjëll tjetër, krejt i panjohur



(Kujtimit dhe respektit të një miku të madh, intelektualit erudit dhe modest Engjëll Dakli)

Prof Dr Fatmir Terziu


Ishte Dhjetor. Dhjetor i ftohtë i vitit 1996-të. Kishim lënë pas thuajse 800 kilometra rrugë me një furgon që ishte zgjedhur enkas për udhëtimin tonë nga Bari drejt Bolonjës. Dhe normalisht në një makinë të tillë, jo fort komode për një delegacion zyrtar, ku krahas Prefektit të Elbasanit, Thanas Mërkuri dhe Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Engjëll Dakli, udhëtonin edhe pjesëtarët e Qeverisë së Tiranës. Anila Hoxha, pedagoge e Universitetit „Aleksandër Xhuvani“ ishte në rolin e përkthyeses. Por, kjo është vetëm një dromcë në atë që lidhet me shkrimin…, thjesht vetëm një grimë sa për të bërë paraqitjen në kohë, hapësirë dhe vend. Është e tillë, se e gjitha dhe e tëra lidhej vetëm me një figurë, vetëm me Engjëll Daklin. Ndaluam në Bari dhe menjëherë në tokën italiane, fjalia e parë nga mikpritësit ishte: „Benvenuto Angelo!“ E dyta na përkiste neve, por jo më në njëjës: „Benvenuti amici dall'Albania“. E në tërë udhëtimin e gjatë me plot tunele më pas kryefjala brenda dhe jashtë tuneleve të shumta të kësaj rruge ishte një dritë më shumë dhe një zë që s'u ndërpre duke na bërë të dëgjojmë e të dëgjojmë një Engjëll tjetër… Vërtet një Engjëll Tjetër, krejt të panjohur!


E panjohura e Engjëllit në fakt nuk ishte thjesht tek ato që ai na foli, tek ato që dëgjuam, tek ato që ai na shpalosi, as tek vizioni i tij i gjallë dhe mjaft prekës e realisht i realizueshëm, por tek ajo anë të cilën e strukte thellë në ndërgjegjen dhe kulturën e tij modestia, thjeshtësia dhe jo mburrja. Ajo ishte e gjerë dhe nuk ishte spontane. Dhe ja „rastësisht“ thua në auditoret e Universitetit të Bolonjës e njihnin si „Professor Angelo dall'Albania“? Jo, ndërsa të tjerët u shtruan të pushonin në Hotel, ai u gjend në një nga auditoret e Arkitekturës, ku fjalia e mësipërme u dëgjua në grup. Në fakt kjo ishte thjesht surprizë, se ai kishte dhënë disa leksione në këtë Universitet që në vitin 1996, kur ai ishte ministër i Punës dhe Përkrahjes Sociale dhe ish-Përndjekurve Politikë. Edhe tani ai ishte i ftuar të bënte të njëjtën gjë. Askush nuk e dinte, askush nuk e mori vesh. As ai nuk donte të bëhej „alarm“, mjaftonte vetëm angazhimi i tij intelektual edhe në një Universitet si Universiteti i Bolonjës, i cili vinte në skenën botërore nga një udhë e gjatë. Dhe ja ndërsa ishim me të, në fakt ndërsa ai vazhdoi leksionin e tij dy-orësh, ne lexuam pak a shumë këtë që ndodhet në rrjetet online: „Alma Mater Studiorum - I Njohur si Univesiteti i Bolonjës (UNIBIO) ishte Universiteti i parë në botë që u hap në vitin 1088 në Bolonja të Italisë. Rektori i parë i këtij Universiti ishte Fredriko Barbarosa ne vitin 1158. Ky Universitet doli me Moton e Gjuhën Latine Alma Mater që do të thotë (Nëna e Studentëve nxitës) me vonë ky Universitet u bë pjesë e qytetit të Padovës ne këtë Univesitet u shkolluan dhe u Arsimuan shumë figurante të Njohur të Historisë. Pra, Universiteiti i Bolonjës është Universiteti më i vjetër në Evropë dhe në Botë…“ Fama e Universitetit të Bolonjës e kishte bërë një destinacion për vizitorët dhe studiuesit. Gjatë nëntë shekujve të historisë, në mesin e studentëve të tij të shquar kishte personalitete si Dante Alighieri, Petrarch, Guido Guinizelli, Cino da Pistoia, Cecco d'Ascoli, Re Enzo, Salimbene e Parma, Coluccio Salutati dhe pastaj Thomas Becket, Paracelsus, Erasmus në Roterdam, Papa Nikolla V, Raymond i Peñafort, Albrecht Dürer, St Carlo Borromeo, Torquato Tasso, Carlo Goldoni.


E ndërsa ne ishim përhumbur në leximin e historisë së Universitetit të Bolonjës, shkundja na erdhi vetëm nga fjalia me ton të lartë „Grazie mille Professor Angelo, grazie dal profondo del cuore!“ Engjëlli duke fshirë djersët në ballin e tij dhe duke shtuar në një gjuhë të pastër e të kulluar italiane: „Per favore. È un doppio piacere dare un po 'del mio intelletto in un ambiente in cui la mia tribù Dakli si sentirebbe doppiamente felice ..., poiché alcuni di loro hanno studiato in questi ambienti e sono tornati in patria per ha dato il contributo rilevante, ma ... „

Nuk ndodh ndryshe në raste të tilla, ecja konfuze e një mjedisi të athët të Rexhia-Emilias, natyrisht të vinte përballë dhe një fakti tjetër, ku natyrshëm pikasej në sytë e atyre që qeverisnin Prefekturën, e normalisht dinastia Prodi, një e majtë e njohur, e kryesuar nga protagonisti i nivelit të lartë Romano Prodi, do të kapërcente bisedën në një pikë më të ndjeshme atë të bashkëpunimeve reciproke, pra atë të binjakëzimit mes dy zonave adekuate, Bolonjës dhe Elbasanit, Rajonit të Emiglia Romagnas dhe Shqipërisë së Mesme. E në këto bashkëpunime i pari ishte për arsimin, asistencën dhe bashkërendimi për rrugën Elbasan-Tiranë, për Tunelin, të cilin ai e kishte një ëndërr të gjallë e të ndjeshme.

E thuajse më tej në të gjitha bisedat Engjëlli kërkonte mundësi të tjera, kërkonte biznesmenë, projektues, ideatorë dhe realizues të një vepre të tillë, të cilën ai e quante si një nga modulet më të arritshme dhe më të domosdoshme të kohës. Ndaj menjëherë më pas ai udhëtoi mjaft shpesh drejt Tiranës, duke mos kërkuar agjë për veten, familjen e fëmijët e tij, asgjë për të afërmit, por për të gjithë, për Elbasanin e zemrës së tij. Por gjithnjë kthehej i lodhur, i djersitur dhe i dërmuar.

Engjëlli nuk dorëzohej lehtë, nuk prekej dhe nuk përulte asnjërin e donte shumë e madje mjaft shumë edhe kundërshtarin edhe atë që i dilte dhe i shfrynte për kusure të tjerëve. E kështu derisa lajmi mori dhenë e ai iku andej ku vërtet la shumë gjëra të panjohura, sikurse ishte vetë ai, i thjeshtë dhe i dashur deri në vetëdije. I mirë dhe i pakorruptuar. I drejtë dhe i lartësuar si Njeri, intelektual e mbi të gjitha si përfaqësues i denjë i një fisi gjenial. Dhe lajmi …“Ndahet nga jeta në moshën 66-vjeçare, ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Engjëll Dakli, i cili qe prekur nga COVID-19…“ duket është dhe një dhimbje e gjatë.


“Ëngjëll Dakli, përfaqësues dinjitoz i një familjeje fisnike me tradita qytetare dhe demokratike, do të kujtohet përherë me nder, respekt e mirënjohje, si një qytetar model dhe i përkushtuar, intelektual kalibri dhe mbi të gjitha si një nëpunës i ndershëm i shtetit, që aq shumë e deshte përparimin e Shqipërisë dhe që me aq pasion punoi për modernizimin e qeverisjes vendore të Elbasanit,” – u shpreh Presidenti Meta përmes një postimi në Facebook. Dakli u lind më 15 mars 1955 në Elbasan, ai kreu studimet për inxhinieri mekanike në Universitetin e Tiranës. Kontribuoi si inxhinier në Metalurgjikun e Çelikut, më pas u bë pedagog i inxhinierisë dhe mori pjesë në lëvizjet për ndryshim të fillim-viteve 1990. Në vitin 1994 ishte ministër i Punës dhe Përkrahjes Sociale dhe ish-Përndjekurve Politikë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996, vit në të cilim kandidoi dhe fitoi drejtimin e Bashkisë Elbasan. Pas përvojës si kryetar vijoi të ishte me poste në bashki, si anëtar i këshillit bashkiak, apo specialist në drejtorinë e koordinimit të zhvillimit. Në vitin 2015 ai u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Elbasanit. “Elbasani do ta kujtojë gjithmonë si qytetarin e vet të nderit, me kontribut të spikatur në modernizimin e qeverisjes vendore dhe për projektet që inicijoi për zhvillimin rajonal të Elbasanit. Engjëll Dakli ishte një politikan i moderuar dhe bashkëpunues në dobi të zhvillimit të Elbasanit,” – tha në një postim në Facebook, kryetari i grupit parlamentar socialist Balla. “Ngushëllimet e mia më të ndjera dhe lutjet e mendimet e mia janë me bashkëshorten Ortenca, djemtë Anrin dhe Martinin dhe miqtë e tij të shumtë. Me ikjen e Engjëll Daklit, Elbasani humbi qytetarin e tij të parë ndërsa Partia Demokratike një aktivist të shquar me kontribut të madh në qeverisjen qendrore e lokale. U prehtë në paqe!,” – u shpreh në mesazhin e tij Basha.

Por a mjafon vetëm kaq për një intelektual të nivelit Dakli? Bashkë me një humbje të madhe që pësoi Shqipëria, natyrshëm pësuam të gjithë një humbje të ndjeshme, mjaft të dhimbshme, një Engjëll tjetër, krejt të panjohur, por gjithnjë të nderuar e të respektuar. Ai ishte dhe mbeti i tillë, ai meriton të jetë e të nderohet „Nderi i Kombit“!

539 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page