top of page

Një enciklopedi etnike në miniaturë



(Libri “Një jetë dedikuar etnisë” i Valentino Mustakës)


Nga Kopi Kyçyku


Fjala është për veprën “Një jetë dedikuar etnisë”, Botimet Jozef, 2022, 417 faqe.

Histori, gjeografi, politikë, etnografi, tradita, folklor, portrete... e çnuk tjetër! Të gjitha me vend e në vendin e duhur për të kuptuar me qartësi e për t’u bindur për vlerat e panumurta e të mëdha , që kanë rrezatuar brez pas brezi dhe vazhdojnë të rrezatojnë çdo ditë e më fuqishëm vllehët e Shqipërisë, këta trima, të mënçur si rrallëkush, të besës e modestë, të gatshëm për t’u flijuar për kauzën e tyre që është e shkrirë dhe e njësuar me interesat e kombit shqiptar.

Autor i një duzine librash e dhjetra artikujsh dhe studimesh, që rrokin aspekte nga më të ndryshmet të zanafillës dhe ecurisë së etnisë arumune gjatë kohërave, Valentino Mustaka, figurë ballore e politikës dhe e shkencës mbarëkombëtare, në këtë vepër të ndarë në dy pjesë: 1. Një jetë dedikuar etnisë sime dhe 2. Rruga e mundimshme drejt miratimit të ligjit të pakicave /minoriteteve kombëtare, ze fill me parathënien, kujtime dhe reflektime nga fëmijëria dhe periudhat e mëvonëshme, për të vazhduar me udhëtime e mbresa nga vizitat në vendbanime të hershme e të pandërprera arumune, me fillimet e veprimtarisë së etnisë arumune, me historikun e krijimit të Partisë “Aleanca për barazi dhe drejtësi evropiane” dhe programin e saj e të “Shoqatës Arumunët e Shqipërisë”, me përpjekjet këmbëngulëse për miratimin nga organet kompetenrte shqiptare të statusit të etnisë arumune si pakicë kombëtare, autoktone e hershme dhe e përhershme në trevat shqiptare dhe, si rrjedhojë e natyrshme për t’u përfaqësuar me deputet në Parlamentin e Shqipërisë etj.

Libri përmban një mori të dhënash të argumentuara shkencërisht për numurin e arumunëve të Shqipërisë dhe për ndihmesën e pakursyer që kanë dhënë si besnikë të shtetit shqiptar, me pushkë e me penë, për lirinë, pavarësinë dhe mbrothtësinë e atdheut të përbashkët - Shqipërisë. Në këtë vepër janë përfshirë një numur i konsiderueshëm dokumentesh autentikë dhe foto nga jeta dhe puna e arumunëve, në mirëkuptim shëmbullor me vëllezërit e tyre shqiptarë.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page