top of page

NJË EMËR NË VARGJET E FATMIR TERZIUT



Titulli “Ag” i poezisë së Fatmir Terziut me solli në kujtesë që shokët e miqtë e thërrisnin Agim Maton me shkurtimën: ‘Ag’ në vend të Agim. Ndonëse emri ‘Ag’ u përdor thjeshtë si shkurtim i emrit, vetë ai ka një histori, konotacion dhe ngjyrim të vetin në rastin e poetit Agim Mato.

I-Fjala "agim" të sjell ndër mend momentin e lindjes së diellit, kur dita e re fillon të ndriçohet nga rrezet e ditës, dhe ka një lidhje me kuptimin e një fillimi të ri, një ndriçim të ri, një ditë të re e cila shfaq me ngjyrën e dritës së diellit. Fjala ‘ag’ buron nga folja “agon’ dhe shpreh momentin kur bardhësia e ditës së re nis e zbraps errësirën e natës, pra ‘agu’ është pararendësia e agimit të ditës së re. Në këtë kontekst, kur shokët nisin ta thërrisnin poetin Agim Mato me emrin "Ag", sigurisht që ka një lidhje simbolike me kuptimin e agut dhe më tejë, me përparimin dhe ndriçimin e një realiteti të ri. Në fakt,përdorimi i këtij emri për poetin nisi si reflektim i respektit dhe vlerësimit për të dhe për kontributin e tij në "agimin" një arti të ri poetik , duke i dhënë këtij shkurtimi një identitet që lidhet me zbardhëllimin para lindjes së diellit, me kontekstin e krijimtarisë së tij, larg soc-realizmit, duke e cilësuar atë si një poet që sjell ‘agun’ (poetik) e një ditë të re në botën e tyre. Kjo është tepër e pranueshme po të kemi parasysh se ky emër nisi të përdorej në një rreth të ngushtë pas botimit të librit të tij të parë poetik: “Jug”(1970) dhe u shtua më pas me botimin e librit të dytë “Në pragun e shtëpive tona” (1974), por ndalimi i librit të tretë “Buka e fjalëve” (1986) dhe bashkë me atë, tërheqia nga libraritë dhe biblotekat e shkollave (dhe qyteteve) e librit të dytë bëri që të “tëhiqej” edhe emri “Ag” nga qarkullimi,për tu rishfaqur vetëm në vitin 2012 pas botimit të librit “Jashtë eklipsit”. Në fakt për herë të parë pas viteve ’90 e gjeta të shkruar nga Faruk Myrtaj në një email që ai më dërgonte mua, ku flitej për poezinë e Agim Matos, si dhe te një koment i tij te një shkrim i imi për librin “Jashtë eklispist”, për të marrë më pas të drejtën e qytetarisë në botën letrare shqiptare.

Duke e parë cilësimin “Ag” si një një lidhje të mes identitetit personal të Agim Matos dhe perceptimit të tij nga shoqëria, duke e lidhur atë me kuptimin simbolik të zbardhjes së ditës së re, para lindjes të diellit, pra të ndriçimit dhe shpresës për të ardhmen para ndonjë veprimi politik, natyrshëm lind pyetja: a i takonte Agim Matos qysh në fillim ky konotacion dritësimi në emër? Kjo pyetje na kthen në kohë në vitet ‘70 të shekullit të kaluar dhe lidhet me botimin e librit të tij të parë ‘Jug’. Është i pari poet nga qyteti ynë që solli në poezi një fllad të ngrohtë Jug-u, ardhur nga shpirti i banorëve të trevave joniane . Ishte një formë tjetër e të shkruarit poezi, një formë tjetër e konceptimit të poezisë, të dukej se vargjet s’ishin gjë tjetër veçse varka që niseshin apo ktheheshin nga deti. Ne shikonim qytetin tonë në poezinë e Agim Matos, shikonim prindërit tanë dhe ndjenin frymarjen tonë. Ishte i pari libër që duke kaluar mbi dëborën e soc-realizmit, sillte mes nesh atë që ne e quajmë Arti jonian. Unë ju them se librin Jug të Agim Matos në ato vite e kanë kërkuar e lexuar dhe ata që kurrë në jetën e tyre s’kanë lexuar poezi, madje mua ma kanë kërkuar tua huaja këtë libër për ta lexuar puntorë të ndërtimit e peshkatarë. Ardhja e librit të dytë nuk e pati jehonën kureshtare të librit të parë, në kuptimin e kalimit të librit dorë më dorë, por dhe ai u shit brenda një dite në librarinë e qytetit. Pra, ishin këto dy libra të tij sollën një dritë boreale (poetike) në jetën tonë: ne i lexonim, hutoheshim me ato vargje të lira “çamaroke” dhe ato imazhe plot kaltërsi e dritësim të bardhë, por i pëlqenim pa e kuptuar plotësisht pse e si. Shiko, “Mëhallat e botës” të Janis Ricos ne e patëm më të lehtë ta përjetonim se e pamë me syrin e poezive të Jug-ut të Agim Matos. Ishin vitet ’70 kur në qiellin poetik shqiptar ndrinin si yje emrat e Niko Kacalidhës, Narasha Lakos, Faslli Haliti, Agim Spahiu, Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Frederik Rreshpka etj, por për ne poezia e Agim Matos ishte vërtet ag-u i një arti të ri para se të vinte “agimi” i demokracisë.

Thirrja e Agim Mato-s me emrin "Ag" ka një ndërthurje të ngjyrave emocionale dhe konotacioneve të ndryshme, pse emri "Ag" ka një thellësi emocionale dhe personale për ta, pasi krijon një lidhje të ngushtë dhe intime mes tij dhe shoqërisë së tij më të ngushtë, duke shfaqur një nivel të lartë miqësie dhe afërsie mes tyre. Emri "Ag" ka ndjesinë e afërsisë dhe thjeshtësisë, duke shfaqur një lidhje të thellë miqësore dhe të afërt mes poetit si individ dhe shokëve të tij. Konotacioni i këtij cilësimi mund të përfaqësojë një nivel të lartë të besimit dhe respektit që shoqëria e tij i jepte Agimit, duke e identifikuar në një mënyrë të veçantë nga sa ishte regjistruar në gjëndjen civile. Përveç kësaj, përdorimi i emrit "Ag", përfaqëson dhe një lloj intimiteti e lehtësie komunikimi, duke sjellë një atmosferë më të rehatshme dhe të afërt në shoqërinë e tij. Kjo thirrje e shkuruar është një shprehje e miqësisë së thellë dhe lidhjes së ngushtë që ai ka me bashkëmoshatarët e tij.

Për Agim Mato-n, emri "Ag" mund të përfaqësonte një ndjenjë të veçantë të pranisë dhe vlerësimit në shoqërinë e tij, duke shfaqur një lidhje të ngushtë me miqtë e tij. Kjo thirrje e shkurtuar, e lehtësuar dhe miqësore ka potencialin për të krijuar një identitet të fortë dhe të afërt midis tij dhe bashkëqytetarëve.

Theksojmë se: ngjyrat emocionale të emrit “ag” janë të ndryshme me ngjyrat e emrit Agim, pse te “Ag” bashkohen e bardha e lehtë (e sinqeritetit) dhe roza (e dashamirësisë), të cilat kanë qasje me ngjyrat e momentit, pse kur shqiptojmë fjalën “ag” parafytyrojmë një shtjellë drite të bardhë përzier me një tis rozë që shkaktohet nga largimi i errësirës dhe qasja e rrezeve ultraviolet të diellit, ndërsa kur shqiptojmë emrin Agim, nënkuptojmë lindjen e diellit, ngjyra e dritës së të cilit mbizotëron plotësisht.

II-Fatmir Terziu bën pjesë ndër miqtë e poetit Mato, miqësi për të cilën kam folur dhe ai ka plotësisht të drejtë ta thërrasë me këtë emër miqësor, duke shprehur afërinë dhe vlerësimin e tij për Agim Maton si njeri, si mik dhe sidomos si poet, ndaj dhe leximi i kësaj poezie duhet të bëhet duke patur parasysh këta faktorë.

Poezia "Ag" e Terziut mund të shihet si një përshëndetje për poetin Agim Mato, edhe pse ai ka ikur nga kjo botë. Nisja e poezisë me vargjet : Ky qytet këndon çdo këngë, ky qytet është në të gjithë zemrat: sugjeron se qyteti i Sarandës, ku jetonte Agim Mato, është një vend, i shënuar thellë në kujtesën dhe ndjenjat e njerëzve që e kanë vizituar qoftë dhe njëherë. Këto vargje përshkruajnë qytetin në një mënyrë të gjerë dhe të përjetshme, duke i dhënë atij një kuptim të thellë dhe të gjerësisë së tij emocionale. Vargjet "Ky qytet këndon çdo këngë" sugjeron një ndjesi të ngrohtë dhe të gjallërisë së qytetit, që është i mbushur me histori, ngjarje dhe emocione. Kënga këtu është një simbol i artit gjallërisë dhe shprehjes së lirë të ndjenjave, i poezisë që krijohet, duke shprehur se qyteti ka një karakter të veçantë që e bën atë të jetë si një pjesë e madhe muzikore, e mbushur me vargje, tinguj dhe melodi. Vargu i poetit: "Ky qytet është në të gjithë zemrat, afër dhe larg" shpreh që qyteti krijon një lidhje të thellë me njerëzit, jo vetëm me banorët e tij, por edhe me ata që kanë pasur një experience, një vizitë apo një lidhje më të largët me të. Ai ka një ndikim të përjetshëm në shpirtin e tyre, ndikim që shtrihet nga individët afër deri te ata që janë larg fizikisht, por ende e mbajnë atë në zemrat e tyre.

Këto vargje shprehin imazhe të forta që paraqitin qytetin si një entitet dinamik, i lidhur me emocionet dhe historinë e njerëzve, duke e bërë atë të jetë më shumë se thjesht një vend në hartë, por një realitet që ndjenjat e njerëzve dhe ndjenjat e qytetit janë të lidhura në mënyrë të pakthyeshme.

Befas poeti flet më konkretisht duke thënë: ‘Ka një emër mbi të gjithë emrat, si poezia e tij e vargut të bardhë, emër i lindur dhe i mbetur Ag' duke na dhënë poetikisht portretin e poetit Agim Mato si :”një emër mbi gjithë emrat, si poezia e tij e vargut të bardhë” duke shfaqur ndikimin e poetit në kulturën e qytetit dhe emri i tij, "Ag", shfaqet si një emër inderuar, mbi të gjithë emrat e tjerë, madje si një emër simbol. Përmendja e "vargut të bardhë"mendoj se nuk e ka fjalën për vargun e lirë të poetit Mato, por simbolizon veprën e tij poetike si diçka e pastër,e panjollë, e lavdishme dhe e përjetshme.

Poeti Terziu sjell vargjet: “edhe pse dikush e bën antonim pa shkas,/mbetet i zi, asnjëherë bard,/në një muzikë që Joni e bën bas,/e ison e bën amanet çdo dallgë”, që na shtyjnë në mendime me kuptimshmërinë e tyre. Në vargjet "edhe pse dikush e bën antonim pa shkas" sugjeron se ka një përpjekje për të zbehur ose përkeqësuar imazhin e poetit Agim Mato pas vdekjes së tij, duke e shfaqur atë në një mënyrë që është e kundërta (antonim) e vërtetësisë së tij si poet i shquar dhe si njeri korrekt. Para se të vazhdojmë më tejë, më lejoni tju ftoj te lajmi i përhapur në internet se: kundër shkrimtarit të shquar Kadare janë dërguar nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, mes tyre dhe nga shkrimtarë e poetë, pranë Komisionit të Nobelit 45.000 letra anonime, të cilët e paraqesin shkrimtarin antonim, të kundërt nga sa është në realitet si njeri dhe shkrimtar, dhe i kërkojnë atij komisioni që të mos ja japë çmimin Nobel. Me siguri një situatë të tillë shfaq poezia në vargje, duke dhënë dhe përfundimin se ai (ata): “mbetet i zi, asnjëherë bard”. Kjo situatë poetike më sjell ndër mend vargjet e Kadaresë te: “Rekuiem për Majakovsin”: Turmë kritikësh xhuxhë, spekulantë, karrieristë/Sulmonin në marshin shekullor të mediokërve/Ti ishe i madh, por ne ta hëngrëm kokën”, me ndryshimin se te poeti Mato, (si dhe te Kadareja) ata: “mbeten të zinj, asnjëherë nuk bëhen bardë”, pse: "Në një muzikë që Joni e bën bas, e ison e bën amanet çdo dallgë".

Vargu: "Në një muzikë që Joni e bën bas," sugjeron se poezia e Agim Matos është si një melodi e thellë, bazuar në përvojat dhe ngjarjet e kësaj zone të Jonit. Kjo metaforë përcakton thelbin e ndjenjave dhe përvojave që ai shpreh në poezi, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me kulturën dhe peizazhet Joniane.

Te vargu: "E ison e bën amanet çdo dallgë," shpreh ndikimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm të poetit në mjedisin e tij, ku poezia e tij shihet si një amanet i çdo dallge, që nënkupton se mesazhet dhe vlerat që ai transmetonte janë të qëndrueshme dhe përfaqësojnë një trashëgimi të thellë për brezat e ardhshëm.

"E gjitha e së shkuarës së një përralle," shpalos krijimtarinë e tij si një histori, një përrallë që reflekton përvojat, ngjarjet dhe emocionet e kohës së kaluar. Ky varg tregon se Agim Mato ishte në ndjekje të një trashëgimie kulturore dhe letrare që lidhet me historinë e zonës së tij, Arti jonian.

"Ka një Ag' poeti që e la në zemër," përfundon duke përforcuar se poeti Agim Mato ka lënë një ndikim të thellë në zemrat dhe mendjet e lexuesve dhe të bashkëqytetarëve. Emri i tij është ngulitur në zemrat e lexuesve, duke e bërë atë një figure të pashlyeshme në kulturën dhe letërsinë e Sarandës dhe Jonit. Këto vargje shpalosin se si krijimtaria e Agim Matos është e lidhur ngushtë me identitetin dhe historinë e kësaj zone, duke iu drejtuar emocioneve dhe ngjarjeve të kësaj toke. Poezia e tij përfaqëson një trashëgimi të qëndrueshme dhe një vlerë të thellë për kulturën dhe letërsinë e vendit të tij. Terziu thekson se ai, Mato vazhdon të ndikojë dhe të përfaqësojë me fuqi në të njëjtën mënyrë, pa u cënuar nga fjalët apo tentimet për të zhvlerësuar vlerën e tij poetike.

E parë në këtë kontekst, poezia “Ag” e Terziut nuk është më një përshëndetje për poetin Agim Mato, por një deklaratë publike në mbrojtje dhe vlerësim të krijimtarisë së tij poetike, madje edhe vetë poezia e tij e parë e vitit 2011 “Mea Culpa”, simboli i ringritjes së tij në vitet e pas diktaturës, tashmë është simbol i vetë poetit Mat ndaj shkruan se: ‘’Mea culpa“ është gjithashtu një emër”. Ky varg bëhet një simbol i një rrugëtimi personal dhe krijues, duke shfaqur dëshirën për një rinisje dhe një kthim në botën e poezisë dhe krijimtarisë së tij. Më të mëdhenjtë goditen por nuk rrëzohen, as të gjallë dhe as të vdekur, sepse sado që të goditet mali me gurë, ai përsëri mal mbetet.

III- Poezia "Ag" e Terziut ka një ndërthurje të thellë të aspekteve psikologjike në portretin e poetit Agim Mato, ku aspekte psikologjike të përqendruara janë:

Përdorimi i ngjyrës së zezë dhe vargjet që përshkruajnë poetin "i zi, asnjëherë bard" sugjerojnë një identitet të thellë, të mbingarkuar me ndjenja, ku kontrasti midis dritës dhe errësirës ndërkohë që është një simbol i thellësisë së ndjenjave dhe kompleksitetit të identitetit të poetit.

Referencat për "amanetin çdo dallgë" mund të simbolizojnë një lloj detyrimi ndaj të kaluarës dhe vlerave të trashëguara. Ndërgjegja e thellë e poetit për kulturën, historinë dhe trashëgiminë e tij bëhet një element psikologjik i rëndësishëm që e nxit atë të kujdeset për identitetin dhe vlerat e tij.

Përdorimi i termave si "së shkuarës së një përralle" dhe lidhja me kujtesën dhe historinë e kaluar tregojnë për një ndikim të fortë psikologjik nga vlerat dhe ngjarjet e shkuarës. Ky aspekt ndihmon në formimin e identitetit dhe sjelljeve të poetit.

Poezia shfaq dhe lidhjen e thellë të poetit Mato me kulturën dhe mjedisin e tij, duke treguar se ndikimi i trashëgimisë e mjedisit social kanë një ndikim të thellë psikologjik në krijimtarinë dhe sjelljet e tij.

IV-E parë në këtë prizëm, pa u zgjeruar në strukturën apo në vlerat artistike, në poezinë “Ag”duhet të dallojmë se:

Kjo poezi ndihmon në ndriçimin dhe promovimin e figurës së poetit Agim Mato dhe krijimtarinë e tij, si një figurë cilësore në letërsinë moderne shqiptare.

Përdorimi i metaforave cilësore dhe simboleve të thella në poezi shpreh emocionet dhe vlerat që ka përcjellur Agim Mato në krijimet poetike dhe trashëgiminë që ai ka lënë pas.

Poezia shfaq respektin, kujdesin dhe vlerësimin e poetit Fatmir Terziu për figurën dhe kontributin e poetit Agim Mato në letërsinë shqipe dhe si e tillë, ajo fton lexuesit dhe krijuesit që të shprehen në mbrojtje të poetit dhe veprës së tij nga çfardo sulmi përbaltës i kujtdo qoftë, sepse këtu bëhet fjalë për mbrojtjen e veprës poetike të një poeti që mbushi me yjet e tij poetike qiellin e kulturës shqiptare, duke na e bërë më të bukur, më të ngrohtë dhe më njerëzor poezinë e tij. Në këtë aspekt Terziu fton për angazhim në mbrojtje nga përbaltia e mediokërve e të gjithë krijuesve të rrafshit të epërm, të cilët me veprën e tyre kanë prezantuar vlerat më të larta të kombit tonë para botës.

Sa bukur do ishte që të kishim sa më shumë krijime të tilla, kemi çtë mësojmë nga kjo poezi.

Sarandë, më dhjetor 2023

“Ag”

Nga Fatmir Terziu

Ky qytet këndon çdo këngë

ky qytet është në të gjithë zemrat,

afër dhe larg,

ka një emër mbi të gjithë emrat,

si poezia e tij e vargut të bardhë,

emër i lindur dhe i mbetur Ag',

edhe pse dikush e bën antonim pa shkas,

mbetet i zi, asnjëherë bard,

në një muzikë që Joni e bën bas,

e ison e bën amanet çdo dallgë,

e gjitha e së shkuarës së një përralle,

ka një Ag' poeti që e la në zemër,

„Kërkoj falje!“,

„Mea culpa“ është gjithashtu një emër.

Londër më 16.12.2023


13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page