Nga Timo Mërkuri
Këto ditë këngëtarja e famëshme pilurjote Erimioni Mërkuri ka publikuar një lloj të “ri” kënge, pikërisht një “elegji monofonike” me temë emigracionin e ri shqiptar nëpër botë. Si të gjitha këngët me temën e emigracionit dhimbja dhe trishtimi pikon mbi melodinë e këngës , sa që kjo melodi i përafrohet së tepërmi “logatjes”, por që e kapërcen këtë duke u afruar më pranë këngës. Kemi thënë se “logatja“ është “ura” nga kalon vajtimi për tu shndruar në këngë, por pikërisht në momentin që “shkel” në “truallin e këngës”, ende pa u shndruar në këngë ajo kalon fazën e “monofonisë”. Kështu pra sqarojmë se “monofonia” është një tip kënge me një zë ndërkohë që logatja është më pranë vajtimit se sa këngës. Kënga “monofonike” është një mënyrë të kënduari shumë e vjetër, ku këngëtari interpreton dukshëm dy zëra marësin dhe kthyesin ose këndohet nga dy persona që janë në rolin e marësit dhe tjetri është kthyesi por që gjithsesi interpretojnë gjithë zërat e tjerë të grupit duke u bashkuar në një zë. Nga vetë fjala “monofoni” (nga greqishtja mono-një, foni-zë) kuptojmë se në këtë mënyrë të kënduari dëgjohet një zë dhe pikërisht zëri i marrësit sepse zëri i kthyesit është thjeshtë në pozicion “shoqëruesi kofidencial” ose më saktë thuhet se ai është “jehona” e zërit që kthen mali mali pranë. Pikërisht në këtë dualitet zërash ka mendime që duhet të quhet “diafoni” por ne s’na shqetëson aq shumë emërtimi se sa burimi dhe roli i saj.
Duke qënë se është një mënyrë shumë e lashtë e artit gojor të popullit tonë, ringjallja e saj në një këngë “elegji monofonike” është dëshmi e gjallë se laboratori krijues i artit gojor të popullit tonë i mba të “gjalla” dhe aktive “mekanizmat” dhe proceset krijuese të vlerave të tij unikale. Kështu ende është e gjallë procesi krijues i logatjes së kënduar (nga burat dhe nga gratë) dhe këtë e kemi të dëshmuar si nga barinjtë (kryesisht) e fshatrave të bregut dhe të Labërisë ashtu edhe nga një sërë këngëtarë si Roland Çenko, Zeqo Hoxha etj. Por “monofoninë” për shumë arsye nuk e kishim hasur publikisht, ndonëse për të flisnim nëpër biseda, siç flitet për një vajzë të bukur që rrallë del nga obori i shtëpisë në rrugët a sheshin e fshatit.
Ringjallja e saj (monofonisë) në një “elegji” është gjëja më e natyrëshme për vetë origjinën e saj të afërt nga vajtimi. Elegjia (vjen nga greqishtja “elegeia” që do të thotë “këngë” zije është një formë të kënduari dhe vargjet e saj quhen vargje elegjie. Në letërsi elegjia vlerësohet si poezi lirike sepse shpreh zakonisht dhimbje të madhe, vdekje apo humbje të dashurisë. Në Greqinë e lashtë elegji shkruan Callinos, Soloni etj ndërsa në Romën e lashtë e përhapi poeti grek, skllavi Parthenios dhe e zhvilloi më tejë Katuli.
Në popullin tonë këngët e vajit janë tepër të njohura duke filluar që nga (pjesa) e “Vajtimi i Ajkunës” e gjer te “Vaje “ të Çajupit një krijimtari e tërë artistike e një populli që lundron si një varkë në një oqean lotësh.
Pra në një këngë “elegji monofonike” kemi të melodizuar një dhimbje të dyfishtë, dhimbjen e origjinës së “monofonisë” si krijim në pragun e vajtimit dhe dhimbjen e tekstit të elegjisë. Si e tillë kjo melodi të prêt si teh çeliku i kalitur dy herë në farkën e dhimbjes.
Fakti që këtë këngë e këndon këngëtarja zë brilant pilurjote Erimioni Mërkuri e njohur dhe me këngën elegjiake “More Naim Shqipëria”, krahas një sërë këngësh që ndrijnë si yje nëpër netët e festivaleve folklorike shqiptare është një garanci e prezantimit triumfues të vlerës artistike së këtij tipi kënge. Shoqërimi i saj nga Piro Mërkuri është sa befasi aq edhe kënaqsi për realizimin duke parë se Piro Mërkuri është dhe autor i tekstit si dhe i vijës melodike, duke e ngritur në nivelin e një befasie të këndëshme këtë realizim.
Suksesi i kësaj kënge është njëkohësisht dëshmi e forcës dhe bukurisë së artit tonë gojor popullor me rrënjë krijimi në thellësitë e shekujve. Kënga monofonike (ashtu si dhe logatja) nuk është gjë tjetër veçse një degë e herëshme e kësaj peme, që në këtë pranverë çeli një lule të re.
Përsa i përket vlerave artistike të tekstit të autorit Piro Mërkuri, i cili interpeton edhe rolin e kthyesit në këtë këngë unë do ndalesha vetëm në dy vargje, për tju prezantuar historinë tonë dhe pikërisht vargjet… Nga balta ime e butë, /Një copë ta kem në trastë, /Si kryqinë do ta puthë, /Të më thotë kthehu prapë…
Për disa nga ju të nderuar lexues vargu …Si kryqin do ta puthë…ose ju duken si vargje të bukura poetikisht, ose si vargje të një njeriu tepër fetar që në çdo hap të jetës ulet e falet dhe puth kryqin. Për ne pilurjotët, këto vargje përtejë bukurisë poetike kanë një histori të përgjakur. Duke qënë se fshati Pilur ka qënë dhe është fshati “roje”, “karakoll” i Himarës kristiane përballë Labërisë nga vinin forcat turke më synim pushtim dhe gjunjëzim të Bregdetit për tu myslimanizuar, ishte i pari që priste goditjen e jataganit osman, por gjithsesi kristianizmin nuk e mohoi. Kështu në vitin 1650 u sulmua nga garnizoni i Delvinës në një natë me furtunë dhe u masakrua gati çdo shtëpi. Pas tre vjetësh u rikthyen vetëm tridhjetë familje nga pesëqint banorë që kishte fshati kur u godit. Në vitin 1750 u masakrua për herë të dytë, veç luftërave gati të përvitëshme si pjesë aktive e forcave himariote ku bijtë e tij derdhnin gjak e jipnin jetën, por përsëri nuk pranoi ta ndëronte besimin kristian. Të kuptohemi, paganizmi dhe kritianzimi janë dy vëllezër që rojnë në çdo shtëpi pilurjote por dheu që na rrit është nëna jonë. Prandaj ne i bindemi thirjes së dheut si fjalës së nënës dhe kur betohemi “për këtë dhe” , ky betim përfshin dhe nderin tonë përveç jetës.
Dhe tani ju ftoj që ta dëgjoni këtë këngë të interprëtuar nga këngëtarja Erimioni Mërkuri (Muço)
dhe bashkëshorti i saj kthyes Piro Mërkuri.
Nga balta ime e bute ...
Teksti Piro Mërkuri
Marrës Erimioni Mërkuri
Kthyes Piro Mërkuri
Tridhjet vjet shkuan si lumi,
Larguar në vend të huaj,
Ikën si shkumë sapuni,
Gjithë jetën do të vuaj.
Kurbeti derë më derë,
Gjëmbi që më çpon përherë
Porsi këmba pa këpucë,
Si lisi në vend të thatë,
Ylli që shetit pa fund,
Kërkon rrugën nëpër natë.
Sa një mal ftisurë malli,
Tretur zemëra nga halli..
Nga balta ime e butë,
Një copë ta kem në trastë,
Si kryqinë do ta puthë,
Të më thotë kthehu prapë.
Gjithe jetënë në udhë,
Si deti që shkel mbi gurë
Te prehem në vendin tim,
Atje ku kam nën e babë,
Ku u rrita çilimi,
Dhe të ha bukënë thatë
.
Ska si fjala mëmëdhe,
Tok e qiell janë atje.
Comments