top of page

Një dedikim për një njeri fisnik


Një dedikim për një njeri fisnik

Fatmir Terziu


E gjitha ishte thjesht një dëshirë më shumë. Një dëshirë që shkonte përtej asaj që ai bënte përditë. Përtej punës së tij të përditshme. Ndërsa në Berat po xhirrohej filmi „Tomka dhe shokët e tij“ i gjithë formacioni ushtarak i kohës që ai shërbente si drejtues i makinerisë së lëvizshme ndohej në fushim. Skenari i filmit kërkonte sa më shumë makina të viheshin në dispozicion, por dhe koha dukej e pamjaftueshme. Pasi në atë kohë përveç planeve ishin dhe raportimet që gjithkush që ka jetuar në atë kohë i di se ku të përfundonin. Një nga miqtë e tij të afërt i kishte kërkuar kësisoj ndihmë, duke i thënë se nëse nuk do të realizohej në kohën e duhur, ai e kishte litarin në fyt. Ai, sikurse ishte, gjithnjë i qeshur, i gatshëm për të bërë të pamundurën për Tjetrin, njeriun e mirë dhe atë në nevojë, menjëherë bisedon me disa anëtarë të ekuipazhit të makinerisë së lëvizshme dhe pastaj ndërsa gjeti përkrahjen e tyre dhe me drejtuesin e lartë ushtarak të fushimit e kur ata e aprovuan ai i dha një „Po“, që gëzimi i Tjetrit gati sa nuk e bëri që t'i binte të fikët. E që nga ajo ditë Bilal Balla, ushtaraku i dalluar i Elbasanit u bë dhe protagonist i filmit „Tomka dhe shokët e tij“, dhe jo vetëm ai por dhe makina e tij ushtarake që drejtonte prej vitesh në gatishmëri.

Bilal Balla, një ushtarak model, por dhe një familjar i denjë, gjithnjë një sy kishte tek puna e tjetrin tek familja. Në familje, Kleri Balla, e shoqja e tij, e vlerësuara dhe e përkushtuara e mjekësisë në spitalin e të sëmurëve mendorë të Elbasanit të atyre viteve, gjithnjë thoshte me mburrje se ajo kishte gjetur njeriun më fisnik të jetës. Fillimi i një dashurie mes një vajze kristiane, dhe Bilalit i besimit musliman, ndoshta u pëshpërit, por dashuria e tyre, sjelljet e dy protagonistëve të një familje të mrekullueshme më pas u bënë model jete.

Sot familja e tij e madhe, djemtë, vajza e vetme, nipër e mbesa, vetë Kleri Balla, përkujtojnë 26 vjetorin e ndarjes së një fisniku e njeriu model nga jeta. Unë e kam njohur nga afër dhe ai ishte djali i tezes së babit tim. Shkonin të dy si vëllezër. E tashmë, sikur fjalët e mia të thjeshta të mund të magjepsnin çdo emocion që po përpiqem të përcjell do të më thoshin shumë fjalët, dhe jo vetëm ato. Për të përmbledhur një histori të shquar që e mbaj në memorjen time, atëherë do të kërkoja të shtrydhja të gjitha kujtimet dhe rrëfimet që kam dëgjuar e magazinuar për atë burrë fisnik.

Bilal Balla si shumë të tjerë i doli zot vetes dhe jetës që në moshë të njomë. U rrit gjysëm jetim, por gjithnjë ata të barkut tjetër nuk i ndau, i konsideroi të barabartë dhe të një gjaku, të një udhe jete, të një familje. Që në moshë të vogël ai punoi si fillim në ndërtim, pastaj në disa fronte të tjera, derisa në kohën e shërbimit ushtarak ai u specializua dhe për një profesionalizëm të dedikuar u mbajt në radhët e ushtrisë së asaj kohe. Bilal Balla edhe pas 26 vjetësh të ikjes nga jetë mbahet mend sikur të ishte mes nesh, në tryezat e gjera e të fisme, që ai i respektonte gjithnjë.

117 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page