top of page

Një buqetë shpirti ...


Një buqetë shpirti e zemre për ju prindërit e mi të dashur e të shtrenjtë!


Dy prindërit e mi të dashur e të shtrenjtë, nëna, Habibe dhe babai, Selimi, më dhanë jetën, më mëkuan dhe më rritën me ngrohtësi e dashuri që të bëhesha e denjë për jetën, më mësuan me durim të bëhem e aftë, e ditur dhe të eci vetë. Të dy prindërit, sikurse dhe gjyshi, Selman dhe gjyshja, Ajmane më ushqyen me dashuri për atdheun dhe flamurin, më orientuan drejt së mirës dhe së drejtës, më mësuan të jem e sinqertë, të tregoj respekt, të mbaj fjalën e dhënë dhe të ndihem krenare që jam shqiptare. Nëse jam kjo që jam sot, në radhë të parë jam në saj të tyre, ata janë themeli, ata janë busulla orientuese e jetës sime, ata ishin dhe janë dashuria ime më e madhe, janë më të shtrenjtit e mi.

Sot ata nuk i kam më, por krahas dhembjes dhe dëshpërimit për mungesën e tyre, ndihem edhe krenare, pasi trashëgova prej tyre cilësitë më të mira, duke e përballuar jetën me dinjitet dhe duke ua trashëguar cilësitë dhe vlerat e tyre fëmijëve të mi, mbesës dhe nipërve që rriten e lulëzojnë pranë meje.

Ti i dashuri baba, u ndave nga jeta, më 17 shkurt 2023.

Ajo ishte një ditë e rëndë për mua, ishte shumë e rëndë, sepse ti, o babë s`do të ishe më pranë meje, s`do të dilje më te porta të më prisje me buzagazin tënd që të përhapej në të gjithë fytyrën tënde sapo më shihje që larg.

Ti, o babë, ishe një lis i fuqishëm Drenice, ishe shembulli më i mirë sesi njeriu duhet të eci në jetë, sesi t`i bëj ballë jetës me nder e krenari, sesi t`i shërbej atdheut me devotshmëri, sesi të fitojë ngrohtësinë dhe dashurinë e njerëzve, sesi të gjejë mbështetje tek ata, por dhe t`u gjendet atyre në halle e vështirësi.



Ishe me virtyte të larta njerëzore, o babë, ishe njeri i besës, njeri i fjalës dhe i mençur, ishte punëtor i madh. Por ti ke qenë vazhdimisht edhe një edukator shembullor. Mbaj mend kur unë të thosha:

-Hajdeni, o babë, ti me nënën në emigracion, atje ku jetoj unë!

Ti më thoshe, duke më parë drejt e në sy:

“-Tani që kemi serbin në shpinë, o bijë, ne do të luftojmë që të çlirohemi. Nëse ne ikim dhe braktisim atdheun, ata atë duan, që të na e pushtojnë dhe të na i rrëmbejnë atdheun tonë të shenjtë!”

Kurse, kur u çlirua Kosova dhe unë ju përsërisja lutjen që të vinit të banonit tek unë, në Norvegji, ti më thoshe:

-“Unë, o bijë, s`ika kur kishim serbin dhe policinë e tij kriminale tek dera, si do të iki tani që Kosovën e çliruam, që e kemi tonën, që jemi të lirë të jetojmë e të punojmë, të gëzojmë tokën dhe të ardhurat e saj, të gëzojmë jetën, t`ju mbushim me dashurinë e lirisë edhe juve bijtë tanë!?”

Eh, sa gjëra na thoshe, o babë, sa fjalë të tua të mençura dhe atdhetare më kujtohen! Nuk i harrojë kurrë këshillat e tua të vyera, se dhe vet ti ishe i vyer, ti na ke bërë gjithnjë krenarë me emrin dhe virtytet e tua, o babë!

Tani që s`të kemi më, po e ndjejmë edhe më shumë ndarjen, ti na mungon shumë, o babai im i shtrenjtë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty, babai im i dashur dhe i paharruar!

****

Nëna ime e shtrenjtë, Habibe u nda nga ne, më 13 qershor 2023. Gjithçka mu shemb mbi krye, o nënë kur mbylle sytë në krahët e mi, në emigracion, ku unë jetoj prej vitesh me fëmijët e mi, me vajzat, Feridenë dhe Lauretën, me djemtë Albionin dhe Arbenin, me familjet dhe me fëmijët e tyre. Ndonëse vite të tëra larg, duke përballuar vështirësitë e emigracionit, ty o nënë, babën dhe vëllain, si dhe të gjithë të dashurit tanë, së bashku me Kosovën e bukur, ju kam pasur gjithnjë pranë, natë e ditë, zgjuar dhe në ëndrrat e mia.

E shtrenjta nëna ime, e mira, e ditura, e vyera...!Sa shumë epitetet kam për ty, o nënë, sa shumë fjalë të dashura dhe të ëmbla më burojnë nga zemra për ty, o nënë! Ti ke qenë më e dashura, më e shtrenjta për mua, ke qenë zemra ime, ke qenë shpirti im, o nënë!

Ti kalove një jetë me krenari e dinjitet, një jetë që e ke dashur shumë, por dhe po aq shumë ke dashur babën tonë, na ke dashur ne fëmijët, mua dhe vëllain, ke dashur të gjithë fisin dhe njerëzit e mirë dhe atdhetarë! I ke qëndruar kurdoherë pranë babës sonë në të mirë e në të keq, kurse për ne gjithnjë ke sakrifikuar, gjithnjë ke lotuar kur ka ndodhur që punët s`na kanë shkuar mbarë, gjithnjë na ke buzëqeshur për të na dhënë kurajë, gjithnjë në ke këshilluar të bëheshim të ditur, sepse dhe ti vetë ishe e ditur, o nënë, ti lexoje dhe në moshën më madhore, si për tu dhënë mesazhin nipërve e mbesave, stërnipërve dhe stërmbesave se jeta është dije dhe kulturë, se njeriu në jetë duhet të jetë njeri në radhë të parë. Dhe ata, të gjithë duke të përcjellë me lot në sy, nuk harrojnë kurrë dashurinë dhe këshillat e tua të vyera.

Fjalët për ty janë pa fund, o nënë, ato janë si lulet e pranverës që i japin hijeshi dhe bukuri jetës, ti je e shenjta, më e mira, më e bukura, ti je përherë nëna ime!

Tani s`të kam më, tani s`do ta dëgjojë më zërin, tani ti je në qiell, por vetëm fizikisht se ti nënë, ashtu si baba, që u nda vetëm pak muaj para teje, jeni pjesë e pandarë e shpirtit dhe e zemrës sime. Nuk ju harrojë kurrë, unë dhe fëmijët e mi, mbesat dhe stërmbesat, të gjitha ata që ju kanë njohur dhe kanë dëgjuar për ty dhe për babën. Ti bashkë me babën, na ke lënë kujtimet më të çmuara, na ke dhënë jetën dhe dritën e diturisë, na ke dhënë ngrohtësinë dhe dashurinë, na ke dhënë gjithçka, o nënë!

Qoftë i paharruar emri yt!

Qoftë e paharruar jeta jote!

Nëna nuk harrohet kurrë!

Prehu në paqe, o nënë!

Emineja që ju donte aq shumë dhe që nuk do t`ju harrojë kurrë !



21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page