top of page

Një berber, një ushtar dhe një oficer



(Jo thjesht për të qeshur, por pak nga errësira e një kohe të shkuar)

Fatmir Terziu


Një ushtar i sapo mobilizuar dhe një oficer

takuan në udhë të gjatë një berber

dhe ecën në errësirë, me një fener,

nuk u ndanë bashkë

me ditë e me natë.


Të tre udhëtonin për në një fshat

diku rreth tetëdhjetë kilometra larg,

ushtarit i kishte ardhur një telegram,

oficeri, tha se transferohej diku tjetër në fakt,

berberi shkonte të rruante dhëndërin në një dasëm.


Bashkë ndaluan nën një rrap,

të mbyllnin një sy atë natë,

ushtari kishte ca sende shtjellur në një napë,

berberi mbante në sqetull një çantë,

oficeri disa materiale shuk në krah.


Të tre pushuan dhe vendosën bashkë

të zgjohen me radhë për të mbajtur një sy

në bagazhet e tyre nën rrap

aty ku rreziku shtohej dyfish

e sikleti i natës së fraqtë

mbillte frikën si mornicat në mish.


I erdhi radha berberit që të qëndrojë zgjuar,

ai u mërzit duke lëvizur këmbë e duar,

e sytë iu ngulën mbi çantën e tij të rrojës,

mendja menjëherë i hyri lojës:

“Po i jap oficerit një “zero” falas,

kështu që tani do të kemi dy ushtarë,

nga frika më s’do të plas,

e gjumin do ta bëj të mbarë”.


Kur i erdhi ora për dezhurn oficerit,

e qeshura plasi në krah të berberit,

oficeri qeshte duke lëmuar kokën si ballin:

"o, berber budalla, paske zgjuar ushtarin!"

 
 
 

2 Comments



Fatmir Terziu


Ajo që na vjen nga Folklori, e ardhura pasurore gojore, është fisnikëria më estete, më diskursive, më ushqyese dhe më frymëzuese, ndaj Ju i dashur mik e keni në genin tuaj të mbani, rikujtoni,ritransmetoni tërë atë bagazh të lartë që zotëroni me kulturën e duhur e të sprovuar tashmë. Jo thjesht për komentin, për respektin gjithashtu, por për atë që ju dini si ta transmetoni në këtë mori të ngarkuar elementësh të tjerë. Ju jam mirrënjohës dhe ju falenderoj mjaft për kohën tuaj të çmuar, si dhe për këtë prurje tejet interesante në dobi të tërësisë së vlerave.

Like

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Sep 17, 2021

I dashur Profesor Fatmiri,

Vargu i poezisë suaj fantastike “berberi shkonte të rruante dhëndrin në një dasëm”, më kujtoi një këngë të kahershme labe që, në Smokthinën ku kam lindur, këndohej paraditen e dasmës, para se krushqit të shkonin të merrnin nusen. Në fund të çdo vargu të asaj kënge i mëshohej theksit te ë-ja e fundit, diçka karakteristike kjo për dialektin e labërishtes:

O berber të keqenë,

Havash mbaje dorënë,

Mos ia pre mustaqetë,

Ki kujdes me briskunë,

Mos i shpërthesh gjakunë,

Se do na trembsh nusenë,

Kur të shkel' gjerdekunë

Dhëndri t'i heq vellonë,

T'i shikoj' fytyrënë.

Urime

Eshref Ymeri

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page