Kacafytje (… një bashkështriqje mendimi dhe ideje) Nga Fatmir Terziu
Rrënjët? Kush pyeti dhe u interesua për rrënjët. Eh, rrënjët! Rrënjët. Rrënjët mbetën të groposura. Të groposura akoma e akoma më thellë. Më thellë se çdo gjë. Rrënjët ndërthuren dhe ngushtohen. Bëhen të tilla, derisa lëngu i vetëshkatërrimit të fillojë të rrjedhë nga shtresat. Ai lëng përhapet në skajet më të thella të shpirtit. Përhapet duke mbuluar gjithçka me një lustër të shndritshme që në fillim duket e padëmshme... Megjithatë, me kalimin e kohës, krijohen tendenca. Prirje që bëhen pjesë e trungut të kësaj peme gjithnjë në rritje të vetvetes. Kujtime, njerëz, momente... E gjithë kjo bëhet e ngulitur në atë lëng me kalimin e kohës, e varrosur nën lëvore dhe dhimbje. Sepse kjo është e gjitha lëng. Lëngu është lëng me të vërtetë. Dhimbje. Dhimbje që manifestohet si shkatërrim i kujdesshëm i vetes, edhe kur pema mbetet e dëshpëruar të rritet. Dhe kur Ti i harron rrënjët Lëngu pikon dhe qesh. Njeri, i hutuari Njeri, i harruari Njeri nga rrënjët, shikoje dhe Ju që ndoshta e keni harruar shikojeni atë duke u fryrë. Ne e kemi strukur në mauzoleumin më të mirë. E kemi ngjeshur lëngësisht atë. Një bark plot helm dhe një kokë plot me ferr. Prisni, prisni… kujtojini atij dështimet e tij dhe se si ai kurrë nuk do të arrijë në pikën ku duhet të arrijë. Thjesht një fosil, i harruar prej kohësh. E keni lënë të prehet si qelibar. I varrosur në një gropë. Mos lejoni që ujërat të arrijnë rrënjët e tij. Mos lejoni që dielli t'i puthë gjethet. Pikoni trashë mbi sytë e tij të ndjerë dhe shikoni shpresën e tij të zhduket në erë. Aty janë rrënjët! Aty…
Comments