Një analizë për Vendimin e qeverisë, të datës 3 qershor 2020, për pranimet në universitete


Prof Dr Myqerem Tafaj

Një analizë për Vendimin e qeverisë, të datës 3 qershor 2020, për pranimet në universitete.


Kufizimi i së drejtës së shkollimit universitar të maturantëve është diskriminim dhe thellim i pabarazisë shoqërore.


Vendimi i ri i qeverisë, i datës 3 qershor 2020, për pranimet në universitete, vendos për studimet universitare (Bachelor) mesataren e notës 6,5 për vitin akademik 2020/21 dhe notën 7 për vitin akademik 2021/22. Pra, këtë vit, qeveria merr vendim edhe për vitin akademik 2021/22, cka është në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë (neni 74), i cili në pikën 1 thotë „Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.“ Në këndvështrimin politikbërës ky vendim është i padrejtë, sepse mandati i kësaj maxhorance mbaron më së voni në pranverën e vitit 2021. Politika të tilla me ndikim kaq të madh social nuk merren nga asnjë qeveri për periudha kohore përtej mandatit. Politika të tilla miratohen me ligj të Kuvendit.

Ky vendim është marrë pa u mbështetur as në Raportin e Arritjeve të Nxënësve 2019, që boton cdo vit Agjencia përgjegjëse për Maturën (tani Agjencia e Shërbimeve Arsimore -ASHA) dhe në asnjë studim apo analizë tjetër të thelluar të arritjeve të maturantëve dhe ato në ciklin e parë Bachelor. A është konsultuar MASR me Agjencinë për efektet e këtij vendimi kur ka argumentuar këtë VKM? Nuk mund të besoj, sepse aty ka disa profesionistë që punojnë prej gati 20-25 vitesh dhe do ta kishin këshilluar drejt ministrinë.

A mund të dalë MASR dhe ti thotë publikut si ka qene mesatarja e maturantëve sipas cdo shkolle të mesme dhe cdo rrethi të vendit? Sa përqind e maturantëve kanë mesatare mbi 6,5, mbi 7,0 dhe meqënëse është kusht për degët e mësuesisë, notën mbi 7,5?

60 – 70 % e maturantëve preken nga ky vendim!

Për ta kuptuar secili më lehtë sa maturantë dhe cilët prej tyre preken nga ky vendim po i referohem të dhënave të Raportit të Arritjeve të Nxënësve – 2019, për dy provimet e detyruara të Maturës, si baza më objektive e vlerësimit të maturantëve në shkallë vendi.

Sipas Raportit 2019 rezulton, që në provimin e Maturës në Matematikë, nota mesatare në shkallë vendi është 6,35, ndërkohë që në shkollat rurale është 5,76 dhe për shkollat profesionale 5,7 deri 6,08. Nga 51 Zyra Vendore të Arsimit – ZVA (që përputhen me rrethet dhe bashkitë) në 47 prej tyre (ose 92% e gjithë ZVA) nota mesatare është më të vogël se 6,35: (Belsh -5,49; Berat - 6,22; Bulqizë - 5,54; Cërrik – 6,0; Delvinë – 6,18; Devoll – 6,25; Divjakë – 5,28; Elbasan – 6,27; Fier – 6,25; Gjirokastër – 6,04; Kamëz – 5,88; Klos – 5,91; Kolonjë – 6,00; Korcë – 5,98; Kucovë – 5,39; Lushnjë – 5,74; Malësi e Madhe 5,02; Maliq – 5,75; Mallakastër – 6,02; Mat – 6,01; Mirditë – 5,67; Patos – 6,16; Përmet – 6,1; Përrenjas – 6,2; Pogradec -6,28; Pukë -6,26; Roskovec -6,31; Sarandë – 5,7; Selenicë - 5,6; Skrapar - 5,8; Shijak - 6,19; Shkodër – 6,19; Tepelenë – 5,5; Ura Vajgurore – 6,06; Vau i Dejës – 5,11, Vorë – 5,75).

Ndërsa në provimin e Gjuhës shqipe dhe letërsisë, mesatarja në shkallë vendi është 6,39, në shkollat e zonës rurale 5,89, në shkollat profesionale 5,5 deri 6,2, dhe në 39 ZVA (ose 77 % e ZVA) nota mesatare është me e vogël se 6,39 (Belsh -5,9; Berat -6,12; Bulqizë - 5,53;, Cërrik – 6,33; Dibër – 6,2; Divjakë – 6,06; Gramsh – 6,32; Gjirokastër – 6,12; Kamëz – 6,35; Klos – 5,87; Kolonjë – 6,12; Krujë – 5,9; Kucovë – 5,88; Kukës – 6,22; Kurbin – 6,06; Librazhd – 6,31; Lushnjë – 6,19; Malësi e Madhe 5,75; Mallakatër – 6,14; Mat – 6,06; Mirditë – 6,13; Patos – 6,02; Peqin – 5,84; Përmet – 6,32; Përrenjas – 6,0; Pogradec -6,28; Pukë -6,31; Roskovec -6,35; Rrogozhinë – 5,99; Sarandë - 6,19; Selenicë - 5,57; Skrapar - 5,77; Tepelenë – 6,03; Tropojë – 5,93; Ura Vajgurore – 6,22; Vau i Dejës – 5,41, Vorë – 6,18).

Nga të dhënat në shkallë vendi dhe, sidomos ato sipas rretheve/bashkive, duket qartë se pragu i notës mesatare 6,5 është jo realist, ndërsa notat 7 për vitin tjetër, dhe 7,5 për mësuesinë duken tërësisht jashtë realitetit të arsimit tonë të mesëm. A mund të llogaris MASR se sa është numri i maturantëve që kanë të drejtë të aplikojnë për studime universitare Bachelor në universitetet tona me këtë prag note? Meqënëse këtë vit janë rreth 31 mijë maturantë, bazuar në treguesit e provimeve të Maturës 2019, unë parashikoj se mund të aplikojnë maksimumi 30-33 % e maturantëve, d.m.th rreth 11 mijë maturantë. Nëse do të vazhdoj ky ritëm pranimi, numri i studentëve në Shqipëri mund të përgjysmohet brenda 6 - 7 viteve të ardhshme, cka do të ishte një prirje tërësisht e kundërt me atë të zhvillimit të vendeve të BE, ku vendi ynë synon të antarësohet.

Fakti që në 77 deri 92 % të bashkive/rretheve të vendit rezultate janë më të ulta dhe shumë më ulta se sa mesatarja kombëtare, tregon se nga ky vendim penalizohen maturantët thuasje të të gjithë territorin e vendit, përjashtuar disa qytete që kanë shkollat më të mira: Tirana, Durrësi, Shkodra, Lezha, Elbasani, Korca, Fieri dhe Vlora. Kjo politikë ndëshkon më shumë maturantët e rretheve më të varfëra të vendit, nga Veriu në Jug, cka duket edhe në listën e rretheve të cituara më sipër. Pra 77 – 92 % e bashkive/rretheve (unë po marrë vlerën e ulët – 77%) kanë edhe shkollat e mesme me nivel më të ulët, si nga shkalla e kualifikimit të mësuesve, ashtu edhe nga infrastruktura mësimore e shkollës. Në vend që qeveria të investoj për të rritur nivelin e këtyre shkollave të mesme, për të cilën është votuar nga qytetarët, ka zgjedhur rrugën më të shkurtër: rrit mesataren e pranimit dhe u mbyll dyert e universiteteve gati 2/3 të maturantëve! A është kjo zgjidhja e duhur? A mund të rritet cilësia në shkollat e mesme pa investuar në burime njërëzore dhe në infrastrukturën e tyre?

Maturantët e rretheve më të varfëra dhe zonave rurale preken më shumë nga ky vendim!

Kjo politikë pranimesh ndëshkon, në mënyrë të vecantë, maturantët e shtresës së varfër të popullsisë, sidomos të zonës rurale. Kur mesatarja e tyre është 5,7-6,0, sa prej tyre mund të aplikojnë për studime universitare Bachelor? Por kjo shtresë sipas BB po arrin pas Covid 19 në 44 % të popullsisë. Eshtë e vërtetuar nga studimet shkencore internacionale se gjendja ekonomike e familjes është faktor kyc që ndikon në arritjet e nxënësve dhe studentëve.

E ardhmja e të rinjve maturantë të shtresës së varfër dhe një pjese të shtresës së mesme dëmtohet rëndë, ndoshta edhe për 4-5 dekada të jetës së tij aktive të punës, sepse atyre nuk u jepet e drejta të provojnë shanset për t’u shkolluar në nivel universitar. Me fjalë të tjera, në krahasim me bashkëmoshatarët me formim universitar Bachelor dhe Master, të rinjtë pa shkollim universitar kanë disa disavantazhe si: (i) ata kanë thuajse zero shanse për konkurrim në tregun e punës të profesioneve më të paguara të sektorit privat dhe public; (ii) ata nuk mund të konkurrojnë asnjëherë për pozicione pune në administratën publike dhe sidomos në nivelet drejtuese të saj; (iii) ata rrezikohen rreth 2 herë më shumë për të mbetur pa punë në moshën aktive për punë; (iv) ata thuajse nuk kanë shanse për të qenë pjesë e shtresës së mesme të shoqërisë për gjithë jetën; dhe më keq akoma (v) ata janë të dënuar të trashëgojnë varfërinë e familjeve të tyre të origjinës në breza.

Meqënëse ky vendim prek më shumë maturantët e zonave të varfëra dhe ato rurale të vendit, ai con në uljen e shpejtë të numrit të të shkolluarve me arsim të lartë në këto rrethe/zona, cka shoqërohet me pasoja të rënda shoqërore si: (i) thellimi i diskriminimit të shtresës me të ardhura më të pakta dhe asaj të varfër të popullsisë; (ii) thellimi i pabarazisë shoqërore; (iii) varfërimi i burimeve njërëzore të kualifikuara në këto rrethe dhe zona, si dhe (iv) rritje e pabarazisë në zhvillimin rajonal të vendit tonë.

Qeveria mund të pretendoj që maturantët mund të ndjekin arsimin profesional dy-vjecar pas shkollës së mesme (diploma post sekondare). Kjo nuk përbën zgjidhje, sepse ky nuk është shkollim universitar dhe tregu i punës për këtë lloj shkollimi është shumë i kufizuar. Po të pretendohej që arsimi post sekondar është i destinuar dhe i mjaftueshëm për të rinjtë e shtresës së varfër dhe të zonave të varfëra të vendit, atëhere ky lloj shkollimi do të përdorej si një mjet për të thelluar diskriminimin dhe pabarazinë në shoqërinë tonë, që do ti ngjante krijimit të një shtrese të qytetarëve të dorës së dytë që kanë të drejtë deri tek arsimi post sekondar por jo për arsim universitar.

Vendimi nuk rrit cilësinë në arsimin e mesëm dhe të lartë!

Kjo politikë e rritjes së mesatares pa investuar në rritjen e cilësisë në arsimin e mesëm që po ndiqet, nuk i shërben rritjes së cilësisë së shkollimit. Përkundrazi, ajo vetëm rrit fiktivitetin e notës. Kjo sepse qeveria rrit pragun e mesatares, prindërit shtojnë presionin mbi mësuesit për nota dhe fiktiviteti në vlerësimin e nxënësve në shkollat e mesme rritet akoma më shumë. Rezultati: mesatare note fiktivisht më e lartë gjatë viteve të shkollës së mesme, por cilësi më e ulët e studentëve të pranuar. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme edhe nga Raporti i Arritjeve të nxënësve -2019: Nga rreth 1030 maturantë me notë mesatare të vitit 10, më pak se 1% e tyre kanë arritur të ruajnë të njëjtin rezultat në provimet e Maturës. Nga rreth 52 % e nxënësve që kanë notë mesatare dhe mbi mesatare gjatë vitit, vetëm rreth 24 % e maturantëve e arrijnë këtë rezultat në provimet e Maturës, d.m.th rreth gjysma e tyre i kanë rezultatet fiktive. Përvoja e këtyre viteve tregon, se rritja e mesatares në letër, për shkak të vendimeve të qeverisë, nuk ka sjell ndonjë përmirësim të rezultateve në studimet Bachelor.

Kjo politikë e pranimeve bie në kundërshtim me politikat e BE, të vendeve të Rajonit dhe nxit largimin masiv të maturantëve nga Shqipëria.!

Kjo politikë që po ndiqet nga qeveria për uljen e numrit të studentëve nuk përputhet as me politikat e BE në fushën e arsimit. Eshtë e vërtetë që nuk ka direktiva detyruese të BE për arsimin, por ka strategji dhe politika të saj që zbatohen në të gjitha vendet e BE. Në asnjë vend të BE nuk zbatohet një praktikë e tillë, ku qeveria të marrë një vendim për pragun e mesatares. Kjo, sepse Procesi i Bolonjës ka synuar dhe ka rritur vazhdimisht akesin në arsimin universitar Bachelor për cdo maturant që përfundon arsimin e mesëm. Të mos shkojmë më larg: Sllovenia është një ndër vendet e BE ku mbi 80 % e maturantëve që mbarojnë arsimin e mesëm vijojnë studimet universitare Bachelor. Dihet që Sllovenia është një ndër vendet e reja më të sukseshme të BE. Nuk janë qeveritë, por universitetet ato që përcaktojnë kuotat e pranimeve. Maturantët konkurrojnë dhe pranohen, aq sa janë kuotat e shpallura nga universiteti, me një rankim sipas rezultateve të mesatares, notave të vecanta apo pikëve të fituara në konkurset e pranimit. Kandidatët e tjerë janë në listën e pritjes nëse dëshirojnë ose aplikojnë në një universitet tjetër.

Në të gjithë botën universitetet zhvillojnë programe dhe metoda të vecanta didaktike në ofertën e tyre akademike, që të tërheqin edhe maturantë me rezultate nënmesatare, sepse jo të gjithë universitetet, madje edhe në vendet më të zhvilluara, kanë luksin të thithin vetëm studentë me arritje shumë të mira dhe të shkëlqyera. Shumë prej universiteteve të vendeve të BE, SHBA, Kanadasë, etj., zhvillojnë edhe kurset përgatitore falas përpara fillimit të studimeve universitare. Kjo është një sfidë për cdo universitet në garën në Hapësirën globale të Arsimit të Lartë. Edhe universitetet publike kanë autonominë dhe kapacitetet njërëzore të duhura për ta përballuar vetë këtë sfidë. Qeveritë mjafton të respektojnë autonominë dhe të përmbushin detyrimet dhe të drejtat që përcaktojnë ligjet për arsimin e lartë në vendet e ndryshme.

Kjo politikë e kufizimit të aksesit në arsimin e lartë nuk përputhet as me politikat e arsimit të lartë të Rajonit tonë, madje as me ato të Republikës së Kosovës dhe RMV. Konkretisht, nëqoftëse një maturant nga Kukësi ka mesatare 6,4 dhe nuk ka të drejtë të aplikoj në asnjë universitet të vendit për studimet Bachelor, ai mund të pranohet shumë lehtë në Universitetin e Prizrenit, sepse Kosova nuk ka një kufizim të tillë. Pasi të përfundoj studimet Bachelor, ndoshta edhe ato Master në Prizren, ai paraqet diplomat në MASR dhe i njihen menjëherë, sepse midis dy vendeve ka Marrëveshje për njohjen e diplomave. Me këto diploma të njohura Bachelor dhe Master, ai ka të drejtë të aplikoj për cdo pozicion pune, njësoj si të diplomuarit e tjerë në universitetet tona, por që në pranim plotësonin notën mesatare të kërkuar. Të njëjtën rrugë mund të zgjedhin mijëra maturantë që u hiqet e drejta e aplikimit nga kjo VKM dhe të shkojnë të studjojnë në cdo universitet të Ballkanit apo më gjërë, ku mund të pranohen. Atëhere cili është efekti i kësaj VKM-je? Largimi masiv i të rinjve maturantë nga vendi për të studjuar jashtë vendit, cka con edhe në një emigrim masiv të forcave të reja dhe të kualifikuara të punës.

Vendimi dëmton shkollimin universitar dhe përgatitjen e burimeve njërëzore të kualifikuara për degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare!

Kjo politikë dëmton rëndë dijen dhe arsimin e lartë në shumë degë apo fusha të arsimit të lartë. Me këtë politikë në Shqipëri do të ketë arsim të lartë në shkencat mjeksore, ato juridike, të ekonomisë dhe financës, inxhinierisë së ndërtimit, energjisë, IT dhe deri diku ato sociale, filologjike. Kjo politikë pranimi mund të coj në mbylljen e shpejtë të studimeve universitare në fushat e shkencave bujqësore, të gjeologjisë dhe minierave, të disa degëve të shkencave të natyrës, dhe ato të mësuesisë. Kjo, sepse mbi 80% e studentëve që pranohen në këto degë, vijnë nga familjet e varfëra, kanë përfunduar shkollat e mesme më të dobëta dhe të rretheve të varfëra të vendit. Si ka mundësi që qeveria nuk mendon për politika stimuluese të tërheqjes së studentëve, sidomos të zonave rurale, në degët e shkencave bujqësore? Kush do të studjoj për shkenca bujqësore, zooveterinare, pyjoresh, etj. kur maturantët e zonave rurale mësojnë në shkollat e mesme më të dobëta të vendit, cka bën që ata të arrijnë rezultatet më të ulta në maturë. Edhe ata pak maturantë, nga zonat e largëta dhe të varfëra të vendit, që arrijnë mesatare më të lartë nuk kanë mundësi të vijojnë studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, sepse nuk përballojnë koston e lartë të jetesës në Tiranë dhe tarifat e larta të studimeve. Qeveria nuk ka menduar as për tërheqjen e maturantëve me rezultate të larta në degët e shkencave bujqësore, pyjore, mjedisit, turizmit, gjeologjisë dhe miinierave përmes bursave dhe mbështetjes financiare, në mënyrë që prej tyre të përgatiten kërkues shkencor dhe asistentë të universiteteve. A mund të zhvillohen këto degë të ekonomisë reale prodhuese të vendit tonë pa dije, pa specialistë me shkollim universitar dhe pa kërkues shkencor?

Kufizimi sistematik i së drejtës së aksesit në shkollimin universitar është një cështje që duhet vlerësuar në këndvështrimin e Kushtetutës së Republikës dhe Konventave Ndërkombëtare.

Ky vendim i qeverisë është vazhdim i politikës së kësaj qeverie në lidhje me aksesin në arsimin e lartë. Kjo qeveri është së paku transparente në këtë strategji dhe e materializon atë përmes vendimeve për reduktimin sistematik të numrit të studentëve në ciklin Bachelor dhe, rrjedhimisht edhe në atë Master. Për këtë, Qeveria shfrytëzon vetëm hapësirën që i jep neni 57 i Kushtetutës, i cili thotë „Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie”. Nga ana tjetër, në ligjin e arsimit të lartë të vitit 2015 kjo qeveri, me qëllim, formuloi nenin e cituar më sipër (neni 74), i cili i jep të drejtë Këshillit të Ministrave të përcaktoj cdo vit pragun e mesatares së pranimit në studimet universitare Bachelor. Por, në të dy rastet, Qeveria nuk ka marrë parasysh të gjitha efektet që rrjedhin prej tij që lidhen me diskriminimin, pabarazinë dhe efekte të tjera, disa prej të cilëve u përpoqa ti shtjelloj më lart. Po të kujtojmë këtu vetëm Konventën e të Drejtave të Fëmijëve të OKB, të vitit 1989, Neni 28, “E drejta për shkollim”, i cili kërkon që qeveritë t’u mundësojnë, përmes politikave mbështetëse, aksesin në studimet universitare të gjithë të rinjve sipas aftësive të tyre. Kjo politikë e OKB është ritheksuar në dekleratën e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030 (Sustainable Development Goals 2030) të OKB (të cilën e ka nënshkruar edhe Shqipëria në shtator 2015), ku, objektivi IV, parashikon që, deri në 2030, të gjithë 18-19 vjecarët, që përfundojnë arsimin e mesëm, duhet të kenë akses në arsimin universitar Bachelor.

Unë mendoj se Qeveria duhet ta rishqyrtoj VKM e fundit, dhe të pranoj të paktën pragun e mesatares 6,0 për këtë vit, në të cilin, për shkak të tërmetit dhe të pandemisë, maturantët kanë hasur vështirësi të mëdha, të cilat mund të reflektohen edhe në rezultatet e tyre në provimet e Maturës 2020. Edhe në këtë rast më të disfavorizuar janë maturantët e shtresës së varfër dhe të zonave më të varfëra të vendit, që kanë patur edhe mundësi më të pakta për të vazhduar mësimin në formën Online. Nuk jam i sigurtë nëse Minisitrja Shahini ka bërë një diskutim me Këshillin Kombëtar të Arsimit të Lartë, Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar dhe me rektorët e universiteteve për këtë politikë pranimesh. Dëshiroj të jem i gabuar, por nëse do të ishte bërë ky diskutim, duke u bazuar thjesht tek Raporti i Arritjeve të Nxënësve 2019, mendoj se ajo do ta kishte shumë të vështirë të propozonte në vendim të tillë. Megjithatë, sic e thashë më sipër, qeveria ka qenë transparente në politikën që ndjek për aksesin në arsimin e lartë dhe ndoshta ajo as nuk ka ndërmend ta ndryshoj atë.

Mendoj se është e domosdoshme të bëhet një vlerësim kompleks i së drejtës së shkollimit universitar në vendin tonë, në frymën e Kushtetutës së Republikës, Konventave Ndëkombëtare si dhe politikave të BE. Dhe këtë vlerësim mund të bëj vetëm Gjykata Kushtetuese (GJK), nga ku do të dilte edhe një vendim që do të kishte forcën e ligjit. Grupet e interesit duhet ta vënë në lëvizje GJK, edhe pse ajo ende nuk është e plotë. Grupi më i rëndësishëm dhe i prekur direkt janë maturantët. Por ata janë të paorganizuar. Megjithatë, një grupin maturantësh mund të vinte në lëvizje GJK. Grupi tjetër është Konferenca e Rektorëve që përfaqëson interesat e universiteteve, të cilët preken shumë nga ky vendim. Një grup deputetësh, të zonave/rretheve që preken më shumë nga ky vendim, mund ta ankimonin në GJK. Sigurisht, PD dhe cdo parti politike e opozitës mund të vinte në lëvizje GJK për një cështje kaq të rëndësishme, e cila ka të bëj me të drejtën e shkollimit universitar të të rinjve dhe cënon rëndë, cdo vit, mijëra maturantë dhe familjet e tyre në të gjithë vendin.

Një shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese do të ndihmonte edhe vetë partitë politike në hartimin e politikave afatgjatë të aksesit në arsimin e lartë në vendin tonë.

33 views

Shkrimet e fundit