top of page

Një analizë bukur e argumentuar


Prof.dr. Eshref Ymeri

Lexova me shumë kërshëri analizën e ushtarakut të nderuar në pension, Kolonel Dilaver Goxhaj, të botuar në Portalin “Fjala e Lirë” të datës 18 dhjetor 2020. Analiza titullohet “Pse dështoi Presidenti Donald Tramp? (Sipas një bisede në mesenxher me një mik në SHBA)”.

Portali “Fjala e Lirë” të befason me larminë e materialeve që shpalosen në faqet e tij, çka ka ngjallur interesimin e madh të lexuesve. Kjo për arsye se moderatori i këtij Portali, Prof.dr. Fatmir Terziu, një intelektual i njohur ky, si përfaqësues i shquar i Diasporës sonë në Perëndim, udhëhiqet nga kulti i së vërtetës, nuk i njeh absolutisht anësitë ndaj ngjyrimeve politike dhe ndaj personaliteteve të ndryshme, kushdo qofshin ata. Për këtë personalitet të shquar të kulturës shqiptare në Perëndim, institucioni i faktologjisë është ylli i karvanit në veprimtarinë e tij intelektuale, si moderator i këtij Portali.

Analizën e vet, Koloneli Dilaver Goxhaj e ka shtjelluar në 11 pika, ku ka zbuluar në një mënyrë shteruese shkaqet e dështimit të Trampit në zgjedhjet e 03 nëntorit.

Për dijeninë e lexuesve të nderuar, Kolonel Dilaver Goxhaj ka qenë ushtarak i lartë i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjatë luftës në Kosovë, ai dha një kontribut të shquar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë asaj lufte, në të cilën mori pjesë vullnetarisht, si shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, ai ka qenë zevendës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës mars-qershor 1999, njëkohësisht dhe oficeri që bashkërendoi mrekullisht bashkëveprimin midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Aviacionit të NATO-s për rreth 10 000 operacione ajrore brenda 78 ditëve, nga 36 000 operacione gjithsej që kreu NATO-ja gjatë asaj lufte.

Në përfundim të asaj lufte, Hashim Thaçi, të cilin Zonja Vjosa Osmani e ka pasë cilësuar me shumë të drejtë si faqen më të zezë të vendit, Kolonelit trim Dilaver Goxhaj nuk i lidhi pensionin që i takonte, si veteran në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Analizën e vet, Koloneli Dilaver Goxhaj e ka mbështetur në një mori faktesh të pakundërshtueshme, me të cilat dëshmohet fare qartë, se cilat qenë arsyet e dështimit të Trampit në zgjedhjet e 03 nëntorit. Jeta amerikane i ka vërtetuar bukur mirë ato fakte. Mbi bazën e tyre rezulton se Trampi, në sytë e botës mbarë, e pati ulur në mënyrë të ndjeshme autoritetin Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pati ndikuar që ky vend i madh dhe simbol i demokracisë, të mos e luajë më rolin e liderit në skenën e politikës botërore. siç pati theksuar dikur edhe Kancelarja Merkel. Megjithatë, për mënyrën e qeverisjes së Trampit dhe arsyet e dështimit të tij, me siguri që do të shprehen edhe vetë analistët amerikanë dhe mjetet e informimit masiv. Ata, me siguri, do t’i shpjegojnë masës së gjerë të lexuesve se si qe e mundur që Shtëpia e Bardhë, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të etiketohej si Shtëpia e Gënjeshtrave, si qe e mundur që, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë fushatës së fundit zgjedhore, presidenti foli për vjedhje votash, vjedhje kjo që ka qenë dhe vazhdon të mbetet një praktikë e rëndomtë në Rusinë putiniane neocariste dhe në Shqipërinë neokomuniste?

Gjithsesi, amerikanët i zgjidhin vet punët e tyre. Prandaj lexuesit me vetëdije të lartë kombëtare, janë më shumë të interesuar të dinë arsyet e qëndrimit antishqiptar të Trampit ndaj Kosovës dhe, rrjedhimisht, ndaj mbarë kombit shqiptar. Për herë të parë, në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, një president amerikan pozicionohet hapur kundër kombit shqiptar dhe në përkrahje të Serbisë, mikeshës tradicionale të Rusisë cariste dhe neocariste dhe sulmon publikisht Presidentin Klinton për kontributin e jashtëzakonshëm që dha për çlirimin e Kosovës. Në këtë mënyrë, Trampi fyu rëndë mbarë popullin shqiptar të Kosovës dhe mbarë kombin shqiptar, duke shkelur mbi lumenjtë e gjakut që i shkaktoi egërsia shtazarake e bishës fashiste serbe.

Ku i ka rrënjët ky qëndrim armiqësor i Trampit ndaj Kosovës dhe ndaj mbarë kombit shqiptar? Po t’i ndjekësh me kujdes ato rrënjë, me siguri që ato duhet të të çojnë diku. Herë tjetër do t’u flasë lexuesve me fakte konkrete.



37 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page